| E hene, 21.01.2013, 09:06 PM |
Filozofia
paqësore e Ibrahim Rugovës
Nga Edita Kuçi-Ukaj
Në
Ballkanin e trazuar, me një të kaluar historike të është karakterizuar nga
marrëdhënie të tensionuara ndëretnike, në fund të shek. XX u krijua lëvizje e
para paqësore, që sfidoj një nga regjimet me të dhunshme të këtij shekulli,
regjimin e Sllobodan Milloshevicit. Ishte kjo filozofia politike që ndoqi
Ibrahim Rugova, lideri me të cilin u mishërua një popull i tërë përgjatë një
dekade. Bota e demokratike, perëndimi dhe qendrat e mëdha politike, u mahniten
nga kjo filozofi politike dhe nga ky kurs i ri politikë, i panjohur për
Ballkanin.
Mirëpo,
çfarë është në esencë koncepti jodhunës apo filozofia paqësore e rezistencës politike?
Në dijet
e ndryshme për politikën jo dhunore, jepen vlerësime dhe gjykime të ndryshme
për konceptet e jodhunës, për metodat dhe për efektet që mund të arrihen me
këtë. Në të vërtetë, koncepti jo- dhunor, në përgjithësi përfshin një sistem
politik kryesisht ku preferohet teoria humane, filozofike dhe praktikat e
politikës morale-zbatimi i jo-dhunës si metodë për rezistencë politike.
Jo-dhuna, si një metodë politike, zhvillohet si rezistencë kundër dhunës.
Ndërkaq, në shumë raste të mirënjohura ndërkombëtare, kjo metodë e rezistencës
politike, ka rezultuar me suksese të evidencuara. Po shkoqisim disa mendime të
mëposhtme që tregojnë se çfarë thoshte njëri nga figurat me të rëndësishme të
filozofisë paqësore, Gandi: "Jo-dhuna, është forca më e madhe në
dispozicion të njerëzve. Ajo është më e fortë se arma më e madhe e shkatërrimit
të hartuar nga zgjuarsia e njeriut. Shkatërrimi nuk është ligji i njerëzve.
Njeriu jeton lirisht me gatishmërinë e tij për vdekje, nëse është nevoja, në
duart e vëllait të tij, kurrë duke e vrarë. Çdo vrasje apo plagosje të tjera,
nuk ka rëndësi për çfarë arsye, të kryera ose të shkaktuar në një tjetër është
një krim kundër njerëzimit”. Mendimtarët e ndryshëm që e promovojnë jo-dhunën
si argument për zgjidhje paqësore të problemeve të caktuara, thonë se dhuna nuk
mund të pranohet si mjet, nga fakti se paqja nuk mund të arrihet duke përdorur
dhunë. Përdorimi i jo-dhunës ka luajtur një rol të madh në disa ndryshime
sociale, të tilla si ndryshimet në ku kanë qenë aktiv Gandhi, Mandela dhe King.
Problemi politikë i Kosovës, tani i përket të kaluarës, ndërsa çështja e
Kosovës në vetvete ka një të kaluar dramatike në hartën e quajtur Ballkan, apo
Europa juglindore, që unë preferoj ta quaj.
Sipas
autorit suedez Karlsson, janë dy dallime mes përdorimit të jo dhunës, që janë,
jo dhuna praktike dhe jo dhuna principiele. Gandhi e bëri dallimin mes atyre që
ishin për jo dhunën si besim dhe ata që e praktikonin si politik. Mund edhe të
ndahet edhe në strategji reformiste dhe strategji revolucionare, që nënkupton:
strategjia reformiste e ka për qëllim qëllimet e afërta dhe mundohet të
reformojë sistemin, ndërsa strategjia revolucionare ka për qëllim ndryshimin
strukturor të sistemit dhe për këtë arsye ka horizont kohorë të gjatë. Këtu,
mund të bëjmë dallimin mes strategjisë paqësore të Gandhit, ku ai përdori
strategjinë revolucionare kurse strategjia paqësore e Rugovës bëri zgjedhjen
për strategjinë revolucionare. Kishte dallime të mëdha mes strategjisë paqësore
të Gnadhit dhe të Rugovës, sipas autorit shqiptar, Naser Aliu “Gandhi bënte një
politikë aktive dhe sakrifikuese: sfidonte përditë pushtuesin. Rugova i ikte
konfrontimit direkt me shtetin serb: ai ishte idealist... besonte se liria mund
të arrihet edhe me humanizëm.” Ndër të tjera, autori thotë se Rugova nuk e
preki Serbinë në ekonomi, ashtu siç kishte bërë Gandhi me Anglinë dhe në
kundërshtim me Gandhin që zgjodhi presionin nga rruga, ky parapëlqente
institucionin që të arrihej qëllimi. Ndërkaq sipas autorit Enver Bytycit, ka
dallime mes rezistencës paqësore të Gandhit dhe Rugovës, sepse së pari shteti i
Serbisë ishte shumë herë më i egër dhe i dhunshëm kundër shqiptarëve sesa
mbretëria e Britanisë së Madhe si kolonizator e Indisë. Rugova nuk kishte
thirrur asnjëherë për dhunë siç kishte bërë Gandhi. Gjithë kjo mund të kuptohet
se pushtuesi serbë ishte me i egër dhe më i pamëshirshëm dhe kishte për qëllime
ta shfarojë popullin shqiptar. Për dallim nga rastet e Gandhit, Mandeles dhe
Luther Kingut, të cilët kishin probleme të natyrave tjera, por jo të
shfarosjes, Presidenti Rugova u ballafaque me tendencën e shfarosjes. ”Rugova
nuk kishte predikuar të gjitha elementet gandhiste të rezistencës paqësore, por
në ndryshim nga ai nuk kishte nxitur demonstrata masive si në Indi, nuk kishte
këmbëngulur edhe në dhunën si instrument të arritjes së lirisë, siç kishte
ndodhur me Mandelen e Martin Luther Kingun. Kjo thjesht për shkak të egërsisë
së regjimit të Beogradit dhe ruajtjes fizike të bashkëkombëseve të
tij.”-shkruan E. Bytyqi. Por, Rugova u krahasua edhe me Vaclav Havelin, mirëpo
Çekosllovakia kishte vetëm problemin e demokracisë, ndërsa Kosova përveç
mungesën e demokracisë, kishte edhe problemin e ekzistencës nacionale, rrezikun
nga shfarosja dhe tensionin e gjatë të akumuluar ndëretnik.
Është e vështirë të kuptojmë sot sesi shqiptarët vendosën të ndjek një rezistencë paqësore, ndaj një politike hegjemoniste, e cila kishte treguar brutalitetin dhe agresivitetin e pashembullt me rastin e Sllovenisë, Kroacisë dhe me vonë Bosnjës. Si motivohet atëherë kjo rezistencë politike që ndoqën shqiptarët e Kosovës? Autorë të shumtë që janë marrë më këtë periudhë, nuk arrijnë në ndonjë konkluzion të qartë për fillesën e kësaj rezistence. Disi kjo çështje vazhdon të mbetet një mister politikë. Në një kohë kur regjimi serb ishte shumë i organizuar, shqiptarët e Kosovës mrekullueshëm filluan të bëjnë pajtimin kombëtar, të prir nga i mençuri dhe urti Anton Çetta, pastaj filluan ndërtimin e institucioneve paralele dhe kështu e internacionalizuan çështjen e Kosovës në planin ndërkombëtar. Në gjithë këtë histori, ishte personaliteti i Rugovës, ai që ndërlidhi segmentet e ndryshme dhe u bë model i besueshëm vendor dhe ndërkombëtar në këtë filozofi. Ai, i pajisur me një dije të konsoliduar kulturore dhe letrare, duke e njohur mirë traditën e kombit të tij, bëri një kthesë vendimtare në historinë e shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. Ai vetëdijshëm bëri “kombinimin e fuqisë së Papës dhe fuqisë moral të Nënë Terezës” dhe kjo “ishte një gjetje e mrekullueshme për kohën dhe hapësirën, në të cilën ndodhej Kosova“- vlerëson Enver Bytyqi.
Jo-dhuna
u bë identitet shqiptar
Në
fillimet e saj, nuk ishte realiste të besohej se politika e jo-dhunës mund të
veprojë si rezistencë kundër regjimit serb. Filloi lufta në Kroaci dhe në
Bosnjë dhe asnjë prej partive në Jugosllavi s’ kishte përdorur mjete
demokratike për të arritur zgjidhje për problemet e ngritura. Në fillim të
viteve 1990, shqiptarët e Kosovës ishin skeptik në lidhje me politikën e
jo-dhunës: nuk menduan se do të përballin kundër regjimit agresiv serb.
Presidenti kroat Franjo Tuxhman ofrojë ndihmë nëse Kosova do të hynte ne luftë,
dhe të hapin një front të dytë në luftë në Kroaci. Shqiptarët, megjithatë, e
dinin se nuk ishin të fortë ushtarakisht, dhe gjithashtu kishte popullsi më pak
se Kroacia. Në këtë situatë të tensionuar, Ibrahim Rugova tha se:
"praktikat e jo-dhunës në këtë situatë korrespondojnë në një aspekt të
karakterit tonë, një traditë me durim dhe maturi në fytyrë e të gjithë
dominimit ... Me anë të kësaj rezistence aktive, të bazuar mbi jo-dhunën dhe
solidaritetin, ne e " gjetëm " veten. Sot, ne kemi arritur të prek
këtë pikë të Shpirtit të popullit shqiptar ". Pra, ishte përdorimi
jo-dhunor, një mënyrë për të treguar se shqiptaret ishin të ndryshëm nga
fqinjët e tjerë, se ai ishte i qetë dhe dëshironte paqe. Duke u përballuar me
një kundërshtar të fortë si Serbia, i cili provokojë luftë, politika e
jo-dhunës, ishte një mundësi për të mbijetuar. Ajo u mbështet në solidaritetin
social dhe shpresonte të kishin aleatët jashtë Kosovës, për shembull, në
Evropën Perëndimore, në vend se drejtpërdrejt të përballet populli me ushtrinë
më të fuqishme të Jugosllavisë. Jo-dhuna ishte një strategji të vetë imponuar
dhe si mënyrë më e mirë, më pragmatike dhe reagim më efektiv kundër planit
agresionit serb, thotë Howard Clark, dhe në fakt mund të jetë, sepse përndryshe
Kosova do të humbte shumë dhe ndoshta, nuk do të merrte ndihmën që kanë marrë
nga bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999.
Në
traditën shqiptare, do të ishte vështirë të pranohej kjo formë e rezistencës, e
quajtur jo-dhunë, nëse nuk ishte shpërnda njohuria dhe arsimimi në shkolla
gjatë viteve 1900. Ky shkollim kishte rezultuar në shumë njerëz intelektual në
vitet e fundit. Brez i Rugovës, ishin të arsimuar, kishin një përvojë
intelektuale dhe kishin një mendim modern.
Jetesimi
i jo-dhunës ishte bërë pjesë e shqiptarëve "modern", dhe mblodhi së
bashku të rinj e të vjetër, për ta shmangur një tragjedi. Mendimi i Rugovës në
këtë sens ishte: "Ne kemi mësuar se jo-dhuna është preferencë moderne
europiane”. U bë në një mënyrë moderne të ushtrohet jo-dhuna, sepse të jesh
tolerant dhe paqësor, është ajo që Europa ishte dhe çfarë ajo synonte në vitet
e saj të integrimeve. Por, gjithashtu strategjia politike e jo-dhunës, ishte
kritikuar shpesh nga opozita shqiptare, të tillë si Veton Surroi (Botues dhe
gazetar i njohur, më vonë udhëheqës i Partisë Parlamentare), Adem Demaçi (i
burgosur politik për 25 vjet dhe aktivist i njohur) dhe Shkëlzen Maliqi
(gazetar i njohur politik). Ndërkaq tonet kritike u përshkallëzuan sidomos pas
një periudhe të gjatë të vuajtjeve dhe për shkak se asgjë nuk u përmirësua që
nga u fut politika jo-dhunore.
Karakteri i lëvizjes jodhunore s’ ishte vetëm taktike, por edhe principial. Së pari, idetë e opozitës demokratike në perëndimin europian, rezultonin nga një bazë intelektuale. Rugova qe ishte atëherë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Veton Surroi, kryetar i Unionit jugosllav për iniciativë demokratike, mbajtën shumë mitingje në 1988 the 1989 dhe organizuan peticionin “për demokraci kundër dhunës”, duke mbledh 400,000 nënshkrime. Ideja e sistemit paralel, të njohura si institucione paralele pati influencë nga intelektualet e Europës qendrore, posaçërisht Solidariteti Polak. Së dyti, ishte dëshira e shqiptarëve që të tregojnë që nuk janë primitiv dhe të pacivilizuar, ashtu siç propagandonte dhe portretizonte Serbia.