| E hene, 21.01.2013, 07:15 PM |
Dr. Ibrahim RUGOVA në
vlerësimin tim
Nga Don Lush GJERGJI
Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore
jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë,
shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther
King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë
“tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze
Bojaxhiu.
Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atë herë ishte edhe fatbardhësia jonë /vrejtja ime/, por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndëra ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri...
Ishte studjues dhe krijues burimor, njohës i thellë
i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla
shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qendrime gjithnjë pozitive dhe
optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte
strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes,
Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili
shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa
politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil
të ri tejet human të politikës paqesore dhe jodhunore.
Shpesh thoshte: “Poltika nuk është matematikë”,
duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person,
individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë
gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.
Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqieshme është lashtësia, tradita, kultura, rrenjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë...Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që t’na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askend...Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe pëprçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik... Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit... Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet...Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë poullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës... Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze...”.
Lidershipi i Dr.
Ibrahim Rugovës dhe qendrushmëria e tij sot
Vizioni i tij ishte mjaft i qartë, shumë i vendosur
dhe shi për këtë së shpejti ishte shndërruar në Lider, udhërrëfyes dhe vizionar
në nivelin popullor, te intelektualet, te rinia, me paraqitje të dinjiteteshme
dhe të qeta, njëkohësisht të vendosura dhe parimore, por edhe të argumentuara
dhe paqësore. Natyra e tij e butë, niveli i tij intelektual i lartë,
largëpamësie e tij pothuaj profetike e ndihmonin dukshëm në këto veprime. Nga
bashkëpunimi dhe njohja ime që nga viti 1981 e deri në vdekje, kam pasur
përshtypje dhe përvoja shumë pozitive. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk
deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e
mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë
ta sulmonte askend, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen,
rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë
këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me
të gjithë.
Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënësn Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.
Bota dhe Dr. Ibrahim
Rugova dhe trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci
Trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci pa dyshim
ishte filozofia dhe përcaktimi i tij politik dhe jetësor. Këtë e kanë cekur
edhe autorët dhe studjuesit tanë dhe të huaj. Dr. Enver Bytyqi nënvizon politikën e tij kombëtare dhe
ndërkombëtare kështu: “Madje vizioni i Ibrahim Rugovës nuk ishte shfaqur
ndonjëherë në historinë e të gjitha vendeve ballkanike. Ai ishte një lloj
lëvizjeje që synonte detyrimin moral, bazuar në vlera. Ajo ishte një lëvizje
për çlirimin bazuar në virtyte, në moralin e shoqërisë njerëzore.
Thelbi i lëvizjes së Rugovës për çlirim ishte mospërdorimi i dhunës... Para së gjithash kjo strategji kërkonte vetëdije të plotë politike, vetëbesim, si dhe përgatitje psikologjike, shpirtërore, sociale e shoqërore të njerëzve që e përfaqësonin... Dy milion shqiptarë ishin bashkuar në mbështetjen e tyre ndaj politikave të lëvizjes çlirimtare, të cilat i kishte prezantuar Rugova” /Enver Bytyçi, Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës, vep. e cit. fq. 81-83/.
Ai sigurisht se ishte Lideri ynë që paraqiti
kërkesat popullore dhe të drejtën themelore për liri, demokraci dhe
vetëvendosje, pas gjithë asaj që kishim pësuar historikisht dhe aktualisht.
Bindja e tij e thellë dhe jetësore se shqiptarët jemi në anën e të mirës, të
drejtës dhe të vërtetës, pra, kemi argumente si historike, ashtu edhe aktuale,
apo si e kisha formuluar unë: ne shqiptarët thënë figurativisht kemi
mall të mirë, por jemi tregtarë të dobët, që Ibrahim Rugovës i pëlqente
shumë, e shtynte atë për internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së
Kosovës, sepse e dinte fare mirë se bota do të jetë me ne, jo pse jemi
shqiptarë, apo kundër serbëve, por për hir të së drejtës dhe të vërtetës,
kuptohet, nëse dimë ta paraqesim dhe mbrojmë botërisht.
Kjo “luftë” mediale pamoro-dëgjimore e mjeteve të
komunikimit, e qarqeve politike dhe diplomatike, dukej si ajo biblike mes
Davidit dhe Goliatit, sepse serbët kishin çdo gjë në dorë. Mirëpo Presidenti
Ibrahim Rugova shpesh më thoshte kështu: “Ne anën tonë është e vërteta,
historia, toka e Kosovës”.
Këtyre tri të vërtetave duhej t’i shtoheshin edhe
dy shtylla të rëndësishme: vetëdija jonë kombëtare dhe përcaktimi ynë
paqësor dhe jodhunor deri në fund, pa hequr kurrë dorë prej vetvetes dhe të
vërtetes, lashtësisë, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë
iliro-shqiptar.
Pa këtë fitore mediale dhe politike kurrë nuk do të vinte deri te ndëryrja e NATOS, Lufta Çlirimtare e Kosovës, pra, deri te lriria dhe pamvarësia e Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova dhe
personalitetet evropiane dhe botërore
Para qendrimit të tij paqësor dhe jodhunor, para
argumenteve historike dhe aktuale, para dëshmive të terrorrit dhe tmerrit
shtetëror jugosllavo-serb, bota nuk mund të ishte indiferente, sepse ai e
kishte prekur ndërgjegjen e Amerikës, të Bashkësisë Evropiane dhe më gjerë. Me
Dr. Ibrahim Rugovën çështja jonë u bë tashmë çështje ndërkombëtare e
ndërgjegjes së mbarë njerëzimit.
Presidenti Ibrahim Rugova stregjinë tonë e arsyesonte kështu: “Strategjia paqësore dhe jodhunore është një zgjidhje dhe një nevojë. Në shekujt e kaluar pati shumë lufta në Ballkan dhe ne shqiptarët jemi paditur si ata që e kishim “destabilizuar” paqen. Kështu e kemi zgjedhur strategjinë jodhunore për ta mposhtur këtë tezë...Tani kemi dëshmuar para botës se jemi një popull që ka zgjedhur paqen me mjete paqësore dhe jodhunore. Jodhuna është një mënyrë, sepse që tre vite kemi mbetur pa polici, pa parlament, pa qeveri, sepse serbët i kanë dëbuar shqiptarët nga këto institucione. Megjithate strategjia jodhunore dhe paqësore është më tepër një përcaktim se një nevojë, në mënyrë që bota ta hetojë se jemi të nëpërkëmbur dhe të vetmuar nga të gjithë...” /Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugosllavia, EMI Bologna, 1993, fq. 29-30/.
Kjo diplomaci dha fryte ndoshta edhe të papritura
dhe të paparashikueshme. Mirëpo si duket ne e kemi një “defekt” ndoshta edhe
kostitutiv, të mirën e harrojmë shumë lehtë dhe shpejtë, e të keqen shumë
ngadalë, mos të them kurrë. Kështu po ndodh edhe me figurën e Presidentit tonë
të parë dhe historik Dr. Ibrahim Rugovën, ku ka pak studime, e ajo që është
edhe më keq, aktualizime të porosive të tija.
Dr. Enver Bytyqi strategjinë e Dr. Ibrahim Rugovës
e vlerëson kështu në mënyrë përmbledhëse: “Kështu resistenca e shqiptarëve
ishte koncentruar në mosnjohjen e pushtetit serb, në refuzimin e këtij pushteti
dhe ligjeve të tij në politikë, në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në çështje
sociale, në sipërmarrjet ekonomike e në sistemin e taksave. Bojkoti i shqiptarëve
kishte sjellë me vete jo vetëm një risi të re në luftërat ballkanike për liri,
pamvarësi e demokraci, por i kishte ndërgjegjësuar shqiptarët në Kosovë e në
ish-Jugosllavi se kjo kishte qenë forma më e suksesshme e resistencës...”
/Enver Bytyçi, vep. e cit. fq. 103/.
Presidenti dr. Ibrahim Rugova gjithnjë i pati në mendje dhe në zemër dy figura tejet të dalluara: Papën Gjon Pali II dhe Nënën Tereze. Këto dy figura markante kishin ndikim dhe frymëzim në jetën dhe në veprën e Ibrahim Rugovës, sepse ai, por edhe populli shqiptar, nëpërmjet tyre arriti ta informonte dhe sensibilizonte botën, mbi të gjitha Amerikën dhe Bashkësinë Evropiane, për gjendjen tonë reale, si dhe për të kërkuar dhe gjetur bashkë me miqët tanë rrugën e lirisë dhe të demokracisë, atë të bashkëjetesës dhe të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, kuptohet, në dobi dhe të mirë të të gjithëve / Lexo: Enver Bytyçi, vep. e cit. fq. 112-119/.
Takimet e mia dhe
bashkëpunimi shumëvjeçar me Dr. Ibrahim Rugovën
E kam takuar për herë të parë personalisht në vitin
1981, në Brezovicë, në Takimin e
Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ndër të tjera i kam dhuruar tri
botime të mia të shtypura nëpërmjet shtëpisë botuese DRITA: “Krishti ndër
ne”, katekizëm për rrëfim dhe kungim të parë; Pjesën e disertacionit tim “Roli
i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri” dhe monografinë time të parë
kushtuar Nënës Tereze “Nëna jonë Tereze”.
Ishte shumë i kënaqur dhe i falënderueshëm për këto
botime, sidomos për “Besëlidhja e Re”, botimi i DRITËS dhe përkthimi i
Dom Simon Filiapaj.
Më tha ndër të tjera: “Kjo qenka një mrekulli e
vogël për ditët tona... Nëpërmjet shtypit të mirëfillët po ringjallet tradita
dhe po përtrihet kultura jonë bibilike dhe kristiane. Katër libra që shënojnë
katër binare tona: Biblën, katekizmin apo edukimin e mirëfillët tonë,
disertacioni i Juaj i rrallë, ndoshta edhe unik për femrën shqiptare, dhe ajo
që në veçanti me pëlqen, monografia kushtuar Nënës Tereze... Do t’i lexoj sa më
parë dhe pastaj do t’i diskutojmë dhe shqyrtojmë së bashku, sepse janë me
interes të veçantë... Ne doemos duhet të takohemi dhe të bashkëpunojmë... Prej
ditës së sotme Ju jeni anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sepse ne
kemi nevojë për njerëz dhe literaturë të tillë... Nga zemra u falënderoj!”.
Nga kjo ditë dhe ky takim ne nuk u ndamë më, sepse
mirëkuptimi, bashkëpunimi, përplotësimi ishte shumë i natyrshëm aq sa pata
përshtypje se jemi rritur dhe edukuar së bashku. Hetova se kishte një kulturë
dhe traditë shumë të dalluar, njihte fare mirë historinë e popullit dhe të
Kishës katolike gjatë shekujve, sidomos atë gjatë sundimit shekullor
turko-otoman. Ishte i hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi. Për herë
të parë nga goja, mendja dhe zemra e tij e madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin
“Kisha jonë katolike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën,
traditën, kulturën, qenien tonë kombëtare shqiptare... Mendoj se po vjen koha
kur duhet prapë të takohemi dhe të bashkëpunojmë...”.
Ky vlerësimi ishte për mua risi dhe befasi e dorës
së parë, sepse siç dihet, gjatë komunizmit dhe ateizmit të Jugosllavisë së
Josip Broz Titos, bashkësitë fetare,
sidomos Kisha katolike, trajtoheshin si “armiq të Popullit dhe të
Shtetit”.
Mbi këtë takim e informova në hollësi Imzot Nikë
PRELËN, i cili më dëgjoi më vëmendje, por edhe
me ndonjë dyshim dhe pyetje. Ndër të tjera ai më tha: “Kujdes, sepse
ti je ende shumë i ri e nuk e njeh “politikën” e tyre... Unë i kam njohur mirë
nëpër burgje dhe gjyqe, në lëkurën dhe shpinën time... Ndoshta po vjen ndonjë
kohe e re”. Dhe i hapi krihet drejt qiellit dhe tha: “Dhashtë Zoti! Ne
duhet të punojmë shumë, të lutemi dhe të shpresojmë. Shumë gjatë dhe
padrejtësisht kemi vuajtur, e kush e di...”.
Së shpejti qe organizuar një takim i Imzot Nikë
Prelës dhe Dr. Ibrahim Rugovës. Që nga ky takim me pak fjalë, por me shumë
ndjenja, intutë, do të thoja edhe “shpirt profetik” këta dy Njerëz u
kuptuan, fituan besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, populli do të thoshte
“u gjetën”.
Në skenë ishte Kisha katolike Shkup-Prizren, e cila
pa dashje u bë në një mënyrë “zëri i Zotit dhe i Popullit”, bartëse dhe
përfaqësuese e shumë proceseve që ishin me shekuj të ngulfatura, të ndaluara,
siç është liria qytetare dhe fetare, kultura alternative, jo më ajo
komunisto-ateiste, e drejta e popullit Shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Pas
vdekjes së Josip Broz Tito-s hetohej se hegjemonia komuniste dhe fryma
“kolonialiste” ndaj Kosovës dhe Shqiptarëve nuk funksiononte më. Prej Vitit
1981, demostratave studentore, punëtore dhe gjithëpopullore, populli ynë
gjithnjë e më shumë vetëdijësohej se ndoshta erdhi çasti historik që edhe ne të
jemi vetëvetja, të lirohemi nga premtimet mashtruese të komunizmit.
Në këto procese prijës dhe vizionar ishte Imzot
Nikë Prela, i cili me shumë guxim, përkushtim e filloi “luftën” informative, me
shkrime, letra solidariteti, proteste kundër dhunës, burgimeve, montimeve të
proceseve gjyqësore, “spastrimeve” që i shkaktonte Jugosllavia ndaj nesh, më
mirë të themi Serbia nëpërmjet Jugosllavisë. Gjatë kësaj përiudhe dhjetëvjeçare
Imzot Nikë Prela kishte takur shpesh, gati rregullisht “Disidentin e fshehur”
të sistemit, intelektualin e heshtur, por shumë të guximshëm dhe vizionar, Dr.
Ibrahim Rugovën, atëherë pak të njohur nga opinioni i gjerë tek ne.
Ky bashkëpunim
qe përforcuar nëpërmjet prof. Anton Çettës, i cili e bindi edhe më shumë Imzot
Nikë Prelën, ne, se Dr. Ibrahim Rugova është njeri i mirë dhe i besueshëm, me
të cilin mund të bisedohet dhe bashkëpunohet lirisht dhe vëllazërisht.
Urëlidhësi mes nesh dhe Dr. Ibrahim Rugovës, pa dyshim, ishte prof. Anton
Çetta, i cili për së afërmi, do të thoja në shpirt e njihte, nderonte dhe donte
Dr. Ibrahim Rugovën.
Mu për këtë
unë do ta formuloja kështu vlerësimin tim ndaj tij: Dikush shkruan histori,
dikush mbetet në histori, dikush është histori. Dr. Ibrahim Rugova shkruajti
histori, si dhe mbeti në histori, dhe çka është edhe më e rëndësishme, Ai
është për ne jo vetëm histori, por edhe e tashmja dhe ardhmëri.
Don Lush GJERGJI
Ja disa ngjarje dhe takime bashkëpunimi mes Imzot
Nikë Prelës dhe Dr. Ibrahim Rugovës, Kishës katolike në Kosovë rreth çështjes sonë gjatë viteve 1990 e tutje
sipas kujtimeve dhe ditarit tim.
20. 06.: Në Prishtinë përgatitja e delegacionit nga
Kosova për vizitë në Itali dhe në Vatikan. Anëtarët e paraparë: Dr. Ibrahim
RUGOVA, dr. Hajrullah GORANI, dr. Mark KRASNIQI, don Lush GJERGJI.
Takimet e parapara: Kryeministri, Ministri i Punëve
të Jashtme,
2. 07.: Ndalëm në Romë për t’i përgatitur takimet e delegacionit të Kosovës. Takimi me Rocco BUTTIGLIONE, senatorin socialist ACQUAVIVA, gazetarin e RAI Giulio BORRELLI, kryeredaktorin Antonio CAPRANICA..
3. 07.: Takimi me Ministrin e
Punës Franco MARINI; “AVVENIRE”; Sekretaria e DC ALESSI e të tjerë.
Pasdite në “Santa Maria degli Angeli” koncerti nga Shqipëria. Takime dhe bisedime të gjata dhe të përzemërta me kryemistrin e Italisë Giulio ANDREOTTI dhe kryemistrine Shqipërisë YLLI BUFFI dhe antarët e delegacionit shqiptar.
4-5. 07. Vazhdimi i takimeve përgatitore për delegacionin e Kosvës: 30 Giorni, Avvenire, RV, Famiglia cristiana, La stampa. Corriere della Sera…
8. 07.: Takimi në Milano me Roberto FORMIGONI dhe Alberto SAVORANA. Robero Formigoni më siguroi për takimet edhe me Parlamentin evropian. Delegacioni nga Kosova duhet të jetë në Romë prej 21 deri më 27 korrik 1991.
9. 07.: Intervista “ L’ecco di Bergamo”, Radio Maria drejpërdrejtë prej orës 22, 30 deri në 24, me shumë telefonata nga Italia dhe Evropa.
21. 07.: Arritja e delegacionit nga Kosova prej Zurihit në Romë: Dr. Ibrahim RUGOVA, dr. Mark KRASNIQI, Nikë GJELOSHI dhe Don Lush GJERGJI.
22. 07.: Roberto FORMIGONI merr shpërblimin e Parlamentit të Evropës për angazhimin e tij për paqe /pjesëmarrja dhe përurimi ynë/.
24. 07. : Takimet tona me kryetarët e grupeve paralamentare italiane dhe informimi për Kosovën. Shoqata jonë tashmë është kudo e njohur dhe ka përkrahje edhe institucionale.
25. 07.: Takimi me Emma BONINO; Ministrin e Punës Franco MARINI; nënkryetarin e parlamentit Italian Adolfo SARTI.
27. 07.: Takimi me Flaminio
PICCOLI, kryetarin e Demokristianëve në botë; me Sekretarinë e Shetit të
Vatikanit Imzot Claudio CELLI; me të ngarkuarin për Ballkan nga Ministria e
Punëve të Jashtme të Italisë ambassador MARANGGIU;
Intervista ime në RAI 1 Notte mbi takimet e delegacionit tonë me autoritetet italiane dhe të Vatikanit /h 24/.
Takimi me kard. Fiorenzo
ANGELINI, përgjegjësinë e Vatikanit për Shëndetësi. Tryeza e rrumbullakët në
redaksinë “Il Popolo”.
Delegacioni ynë kthehet në Kosovë. Unë vazhdova edhe disa takime.
29. 07.: Biseda me ORSINI, përgjegjës i politikës së jashte të DC; Flaminio PICCOLI, analiza e takimeve tona dhe jehona në botën politike, kishtare dhe në mas media. Piccoli është i kënaqur me takime dhe punën tonë, përkrahës i madh i çështjes sonë.
11. 09.: Takimi me Gjon Pali II së bashku me Don Lucian Avgustini dhe don Dodë Gjergji . Pas bisedës Papa tha: “DUHET TË GJITHË SË BASHKU TË BËJMË DIÇKA PËR POPULLIN SHQIPTAR, PËR SHQIPËRINË DHE PËR KOSOVËN”.
12. 09.: Intervista me Giulio BORRELLI RAI 1 dhe Francesco GIORGIANI “La stampa”.
9. 10.: Prishtinë. takimi me Dr. Ibrahim RUGOVA , informimi dhe analiza e vizitës në Itali dhe në Vatikan.
29. 10.: Romë, Tryeza e rrumbullakët mbi Kosovën: Flaminio PICCOLI, Bruno ORSINI, Angelo BERNASSOLA, Luigi CAVEDON, Imzot Nikë PRELA, Don Shan ZEFI, Don Prenkë LAZRAJ dhe Don Lush GJERGJI.
18. 03.1992: Së bashku me Imzot Nikë PRELA te Nunci Apostolik në Beograd Gabriel MONTALVO. Nga Nunciatura letër Papës Gjon Pali II, Nënës Tereze dhe Kongregatës për “Ungjillëzimin e Popujve”.
24. 05. 1992: RAI 1 në
Prishtinë me drejtorin Giulio BORELLI. Inetrvista me Dr. Ibrahim RUGOVA, me
pjesëmarrës të Simpoziumit, qytetarë, paraqitjen e Kosovës dhe të SHHB “Nëna
Tereze”. Në çdo hap na përcjell dhe kontrollon policia serbe…
Në “Kodër të trimave” varrosja e një ushtari të vrarë shqiptar nga ushtria jugosllave disa ditë para se ta kryente shërbimin ushtarak. Hapja e arkivolës dhe incizimi i pesë plumave në shpinë. Dokumentimi dhe demantimi televiziv se nuk ishte “vetëvrasje”, siç pohonin zyrtarët e APJ-së, por vrasje mizore.
Katër vëllime kushtuar çështjes së Kosovës
1. Valentino Salvoldi-Lush Gjergji, Resistenza
nonviolenta nella ex-Jugoslavia, Dal KOSOVO la testimonianza dei protagonisti,
EMI Editrice Missionaria Italiana,
(Resistenca jodhunore në ish’Jugoslavi, Nga KOSOVA dëshmia e protagonistëve/, pati disa ribotime si tekst për shkolla të mesme, të larta dhe universitare në Itali për strategjinë paqësore dhe jodhunore.
2. Giancarlo
e Valentino Salvoldi – Lush
/Bosna: “Nuk mund t’na detyroni t’ju urrejmë”. Botim për shkolla të mesme, të larta dhe universitare në Itali për strategjinë paqësore jodhunore. Tema boshte shthurja e ish-Jugosllavisë dhe qëndrimet tona/.
3. Giancarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, KOSOVO
un popolo che perdona, EMI
(KOSOVA një popull që falë; Tekst për shkolla të mesme, të larta dhe universitare në Itali për strategjinë paqësore jodhunore).
4. Giancarlo e Valentino Salvoldi –Lush Gjergji, KOSOVO
non violenza per la riconciliazione, EMI,
(KOSOVA jodhuna për pajtim. Botim për shkolla të mesme, të larta dhe universitare për strategjinë paqësore dhe jodhunore në Kosovë).