| E diele, 20.01.2013, 12:53 PM |
FREEDOM HOUSE: DEMOKRACIA NË RËNJE
PËR TË SHTATËTIN VIT
Nga Frank Shkreli
Si çdo
vit edhe sivjet, organizata Freedom House (Fridëm Haus), një organizatë këjo e
pavarur me qendër në Washington, misjoni i së cilës është zgjërimi i lirisë anë
e mbanë botës, mbështetja e zhvillimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave
të njeriut, botoi raportin vjetor për këtë vit në të cilin vlerësohen liria dhe zhvillimet demokratike ose mungesa
e tyre, anë e mbanë botës.
Në
njoftimin për media me rastin e botimit të raportit për vitin 2013, Freedom
House thotë se raporti i sivjetëm mbi “Lirinë në Botë’’ tregon se për të
shtatëtin vit me radhë, liria në botë gjatë vitit që kaloi ka shënuar më shumë
rënje se sa zgjërim. Për më tepër, thekson raporti, të dhënat e raportit tregojnë dhe pasqyrojnë ndërmarrjen e një
fushate persekutimesh në rritje e sipër nga diktatorët anë e mbanë botës, kundër lirisë dhe të
drejatve të njeriut, veçanërisht drejtuar kundër orgnaizatave të shoqërisë
civile dhe medias së pavarur. Arç
Pudington, nëndrejtor për kërkime i Freedom House tha se të dhënat e mbledhura
nga orgnaizata e tij, venë në dukje se,
''autoritarët modernë po bëhen më të sofistikuar'', duke shtuar se megjithëse ata , ''tregohen më të
kuptueshëm, ata shtrëmbërojnë dhe abuzojnë me kornizat ligjore dhe i përshtaten
kollaj teknikave të propagandës moderne.''
Ai shton se, ''Sidmos ç'prej
Pranverës Arabe, ata (diktatorët) janë nervoz nga lëvizjet popullore për liri e
demokraci, gjë që çon në intensifikimin dhe persekutimin nga ana e tyre,
të lëvizjeve popullore për ndryshim''.
Raporti
flet për rënje të dukshme të lirisë gjatë vitit që kaloi, ndër të tjera, në Kazakistan, Kenia, Mali, Nigjeri dhe në
zonën evropiane, përmenden Rusia Turqia
dhe Ukraina, si vendet ku është shënuar një rënje e dukshme e lirive civile në
përgjithësi. Freedom House thotë se të
dhënat mbi gjëndjen e lirisë ishin posaçërisht ogurzeza për disa vende të Euroazisë. Rusia, thuhet në raport, ka marrë një
drejtim vendosmërisht për më keq ç'prej se Vladimir Putin-i është këthyer në
detyrën e presidentit. Freedom House
thotë se pasi ai anashkaloi dhe margjinalizoi opozitën formale politike, Putini dekretojë një numër ligjesh që kanë
për qëllim t'i marrin frymën opozitës në rritje e sipër nga grupe të ndryshme
të shoqërisë civile. Dekretet e reja të
imponuara nga udhëheqsi rus Putin, sipas Freedom House, vendosin dënime të
rënda për bërjen e demonstratave të pautorizuara, dhe u kufizojnë grupeve të shoqërisë
civile të drejtën që të mbledhin fonde për veprimtarinë e tyre dhe në të njëjtën kohë, vendosin kontrolle te
reja mbi përdorimin e internetit në Rusi.
Si përfundim, thuhet në raport, e
gjithë zona e ish- Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të tri vendeve
baltike, rivalizon Lindjen e Mesme, si njëra prej zonave më
shtypëse e lirive në botë, ku udhëheqsit autokratë qeverisin në shumicën e
12-vendeve të atij rajoni, duke e bërë këtë si një ndër rajonet më pak të lira
në botë.
Ndërsa
theksohet se shtypjet e lirisë po shtohen dukshëm në një numër vendesh anaë e
mbanë botës, raporti i Freedom House u
bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike që të
tregojnë udhëheqje më të vendosur në luftën për liri e demokraci. Raporti kritikon administratën amerikane të
Presidentit Barak Obama si edhe opozitën Republikane për dështimin e tyre që të
tregohen udhëheqës në përpjekjet për zgjërimin e lirisë dhe të demokracisë anë
e mbanë botës. Presidenti i Freedom
House, David Kramer, tha në lidhje me këtë se ''nga e kaluara kemi mësuar se
normalisht liria sigurohet me pjesëmarrjen dhe mbështetjen aktive të vendeve
demokratike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet
evropiane. Dhe ndërkohë që këto vende
kanë vendosur të mos jenë pjesë e
përpjekjeve për sigurimin e lirisë në botë, atëherë, rezultati zakonisht është
humbja dhe shtypja e lirisë kudo në botë.''
Është
ironik fakti, sipas Freedom House, se ky
mos interesim nga vendet demokratike perëndimore në mbështetje të lirisë anë e
mabnë botës, po ndodhë në një kohë rezistenca kundër shtypjeve anë e mbanë
botës, është më e madhe se
kurdoherë tjetër. Thuhet në raport se
disidentët anti-komunistë të cilët luftuan për të drejtat e njeriut dhe për
liritë themelore gjatë Luftës së Ftohët
-- shpesh të izoluar dhe anonim -- janë zëvendësuar tani me lëvizje të cilat
gëzojnë përkrahje nga shtresa të dukshëme të shoqërisë.
Në lidhje
me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara raporti i Freedom House thotë se
megjithëse këto vende vazhdojnë të jenë të mbërthyera nga kriza ekonomike dhe
ndërkohë që Evropa, gjatë vitit të kaluar ka parë një rritje të dukshme të ndjenjave nacionaliste si përfundim i rritjes
së fluksit në numërin e imigrantëve, këto vende
megjithëkëto sfida kanë mundur të përballen me këto probleme pa dobësuar
respektin tradicional për standardet demokratike dhe liritë civile në këto
vende.
Freedom
House, Shqipërinë dhe Kosovën i renditë midis 58-shteteve
të botës duke i vlerësuar ato si vende
me liri të pjesëshme, kategori këjo që
-- sipas Freedom House, është një vend në të cilin mbizotëron një
respekt i kufizuar për të drejtat politike dhe liritë civile dhe një vend i
cili shpesh vuan nga një ambijent korrupsioni dhe nga një regjim i dobët
ligjor.