| E shtune, 19.01.2013, 09:23 AM |
FILOZOFIA
E KARAKTERIT POPULLOR DHE FILOZOFIA SHTETARE E KOHES
(Rreth librit “Triumfi i kombit” të Skënder Kapitit)
NGA VLADIMIR MUÇA
1.-FILOZOFI E KARAKTERE NDER
KOHERA
Brënda
një harku kohor prej 3 vjetësh, patëm kënaqësinë të marrim nëpër duar librin e
tretë të karakterit filozofik me një stilistikë psiko-analitike “Trumfi i
kombit” të studjuesit të filozofisë tashmë të mirnjohur Skënder Kapiti. Një
libër që u prit mirë si nga lexuesit e thjeshtë por dhe nga qarqet akademike në
Kosovë dhe në Shqipëri.
Ky libër
vjen disi më ndryshe. Ai vjen si një thirrje proklamatë me nocionet e një
manifesti që buron bindshëm e rrjedhshëm
nga subkoshienca e autorit , disi më prakticist me evidentimin e punës
së bërë e që duhet bërë në filozofinë e kohës që po kalojmë.Çdo gjë vjen
konkrete si vetë jeta e jonë, pa stërhollime filozofike, e prekshme në mendje , në sy e në zemër.
Me sa
duket filologu social-politik Skënder Kapiti nuk rresht së ndjekuri hap pas
hapi jetën me të gjitha zgiqet e saj;nxjerr prej saj deduksionet përkatëse ku mirësia dhe e keqja ndeshen në një rodeo
sociale me ashpërsinë e demave të
egër e të toreadorëve socialë.Libri është një filozofi e karakterit popullor pa ngarkesat e referencave
filozofike e traktateve të saj.Gjithçka
jepet në dritë të diellit si një e
thjeshtë popullore.
Xhorxh Fred
Uilliams, një mik i madh nga
Amerika Demokratike, që para afro 100
vjetësh, më 1915 , në një miting në Boston e perifrazon shumë bukur karakterin
dhe personalitetin e shqiptarit :
“Ata janë
korrekt, të dashur kundrejt njëri tjetrit
dhe reciprokisht të sjellshëm.Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e
tyre.Ata zbatojnë urdhërin e tyre me
saktësinë më të madhe .Fjalët e tyre dhe sjellja shoqërohen nga dinjiteti.”
Ku jemi
sot me këtë perceptim filozofik të
karakterit të shqiptarit nga Fred Uilliams? E kemi forcuar duke shtuar valencat e besushmërisë në forcimin e karakterit
apo kemi vajtur në një
prapakthehu në vitin 1915?!
Cilat
janë sot raportet shoqërore ndëretnike? Cili është perceptimi i sotëm shtetformues e zhvillimi shoqëror ?
Ç’raporte janë sot , mbas 100 vjetësh ndërmjet shtetasit dhe shtetarit? Cili është evolimi i tyre i pritshëm ,
perspektiva?
Këto dhe
shumë shumë pyetje e
shqetësime shtron për zgjidhje
në faqet e këtij libri, autori Skënder Kapiti .
Ndoshta
me telepati të thellësive shekullore me fjalimin e para 1oo vjetëve të Xhorxh Fred Uilliamsit
për kombin vital shqiptar, aq shumë
të respektuar që atëhere nga mendimtarë
anë e kënd botës , autori vendos një gur këndor ,pastron myshkun e vënë nga vitet e pushtimet në këtë panteon të
kombit tonë.
2-MORALI PARTIAK
E MORALI EKONOMIK
Ashtu
sikundër tek libri “Moralokracia” edhe
në këtë libër , autori zbërthen moralin partiak
dhe moralin ekonomik si një unison i pandarë nga njëri tjetri , ku politika e ndjekur nga grupime
të ndryshme partiake, s’është gjë
tjetër veçse shprehja e koncentruar e
ekonomisë që ata synojnë të gllabërojnë
e ta përfaqësojnë.
Që këtu
fillon dhe shitja e moralit e cënimi i themeleve të kombit, nga padrejtësitë social –ekonomike
,nacionale, të cilat , sipas Skënder
Kapitit përbëjnë thembrën e Akilit të qenësisë të një kombësie e të një shteti të fuqishëm.Janë pikërisht këto agravime
që lindin nga diskordancat e
këtyre aspekteve ndërvepruese e që e
bëjnë popullin shqiptar të vuaj sot të
ashtuquajturin “tranzicion të tejzgjatur”.
Autori
,fare açik , pa dorashka , e thotë hapur se janë partitë ato , që
për interesa të ngushta të individëve
që e drejtojnë dhe e agravojnë më
shumë këtë diskordancë gjer në
një papajtushmëri e në mohim të mohimeve.Gjithçka ngjan me
një mekanizëm të sajuar që u shërben
kastave në një përfitim individual , larg shtetit social.
Autori në ngulmimet e tij i përcakton qartas
këto semafore kuq e blu ,verdhë e
jeshil që ndizen hera herës si në
kohë fushatash por dhe në
artikulime pas zgjedhjeve , duke u bërë mbartëse e përfitimeve të
momentit e jo afatgjata e
masovike.Autori këto përfaqësues të këtyre grupimeve në konceptin frojdian na i paraqet
me disa personalitete , ku sipas situatës , kohës dhe buxhetit
korruptues , ata ndërrojnë fytyrat , karakteret,shërbesat.
Si kundër vënie
autori u referohet librave
kuranorë dhe biblikë, si koncentrate të
urtësisë popullore ndër shekuj,
të cilët kanë lojtur një rol të rëndësishëm si
rregullatorë të jetës sociale ndër shekuj.Kjo evidentohet si një
risi në konceptimet filozofike në kuadrin e një katarsisi ndërshoqëror.
Shumë
tema interesante shpalosen në këtë libër në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e
të kujtesës historike; duke bërë një sinonimitet të periudhës
totalitariste dhe të demokracisë
së cunguar , të cilat më shumë i afrojnë përngjasimet sesa
diferencat dallimore ndërmjet tyre.Qëndrimi ndaj pronës, punës dhe të ardhurave që vinë prej
tyre, trajtohen nga autori si
amalgamat bazë të qenësisë e të triumfit
social të shtetit e të një kombi.
Në
hedhjen e traktateve filozofike si tek
kapitujt “Qeverisja, komuniteti dhe
shteti”; ”Shteti dhe drejtësia”; “Përse
realiteti ynë vazhdon të pengojë e të
persekutojë”, mbi këto probleme
fondamentale për shoqërinë , autori ka
ditur të ndërthurë bukur idetë dhe
eksperiencat reformiste të vendeve të përparuara
demokratike ,duke sjellë të praktikuara
idetë dhe eksperiencat e
teoricienëve europianë dhe amerikanë,
por të natyralizuar në habitatin
shqiptar sipas kushteve specifike që imponon resursi social pos totalitarist.
Në këtë libër
të tretë të një formature e stilistike
krejt të veçantë, më befasoi
guximi (që Skënderi e ka me
tepri) për ti bërë një karshillëk
studimor e referencial ,gjëndjes ekonomike –shoqërore e politike “bablokore” të dhjamosur të
akademisë së shkencave
dhe institucioneve , të cilët rrinë të
shushatur e presin nga të fryjë
era e të kthejnë kurrizin .Nocionet
praktikante që libri përcjell
tek lexuesi dhe më i thjeshtë
më dhanë mundësinë që të përcjell disa refleksione siç mund ti ndjente
dhe një lexues i zakonshëm.Mesa
duket Skënderi këtë libër
e ka bërë apostafat për masat
e gjera të popullit si një flakadan në ndriçimin e rrugës drejt një
prosperiteti mbarkombëtar , në
mënyrë që çdo bashkëkombas të japë
kontributin në “Triumfin e kombit” mbi padrejtësitë që
i bëhen si nga jashtë dhe
nga plangprishësit e tij.
Skënder
Kapiti nëpërmjet këtyre produkteve
librore ka sfiduar trafikun e madh të
prurjeve çoroditëse të masmedias si dhe
disa “vepra madhore”me tirazhe marramendëse në tregun e librit suportuar nga qarqe të
caktuara oligarkiko-politike.Ai vjen disi i veçantë duke përfaqësuar një prurje të çiltër,shumë të
kuptueshme,autoktone, pa filozofikime të tepruara në metodën e të shkruarit ;një produkt që paraqet realitetin shqiptar, si një pasqyrë
ku reflektohet jeta shpirtërore ,
sociale e materiale e vendit dhe popullit të tij.Për mua si një lexues jo shumë
i apasionuar pas këtij zhanri , libri
“Triumfi i kombit” është nektari i krijimtarisë së tij studimore, me një tranzacion ardhur nga
një izolim i gjatë nga një ndarje
klasore që vazhdon e thellohet gjithnjë
e më shumë , në suazat e një pseudo-demokracie.
Këtë
libër, më shumë se çdo botim akademik e karakterizon ideali, ëndërra e një
mendjeje të kthjellët e të ftohtë ,
udhëhequr nga shpirti bujar e
fisnik.Suksesi i produkteve të Skënder Kapiti është: se ai di të kapë linjat e
oportunitetit ndërshoqëror, të zbusë kontradiksionet e të riaktivizojë mendimin
shoqëror të masave në nocione pajtushmërie, pa mohim të mohimeve që të çojnë
tek kërkundi .
Autori
shkruan të vërtetën lakuriqe , siç ia dikton
llogjika filozifike dhe
imagjinata e saj për ardhmërinë.
Tek lexon
kapitujt (traktatet do thoja unë) të librit “Triumfi i kombit” të shkon në
mend se tek ky autor ,
origjinaliteti,konçiziteti ,e vërteta , nuk janë gjë tjetër veç se një
reflektim i llogjikshëm i asaj që shohim dhe ndeshim përdita.Po të lexosh me vëmëndje edhe
filozofët e mëdhenj japin e marrin tek
njeri tjetri ide dhe perceptime .Ndërsa
Skënderi flet me një lirshmëri, pa
sforco,pa mllef, natyrshëm për atë çka ndodhur e çfarë ndodh tek ne, si në
asnjë vend tjetër të botës, gjithnjë “si një fener ndriçues” në botë.Shumë
qartazi, në perceptimin filozofik të jetës e botës shqiptare , pas shkëlqimit të rremë të dukshmes, të
fasadës që na shfaqet përdita, fshihet jeta
reale me problematikat e saj, me fenomenet negative të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen
në modë e po shndrohen në plagë
të shoqërisë, duke kryer funksionet e indeve patogjene, duke e ç’bërë
shoqërinë, duke humbur traditat
shtetformuese të përfituara me aq mund nga brezat.Janë këto fenomene që e shqetësojnë autorin sepse mbi gjithçka ligjin e bën paraja si “veziri i mehqemesë,
që rri sipër sixhadesë”.
Ndaj dhe
në këtë vepër të tretë mbas librit “Moralokracia”, spikat një trimëri morale që
është shprehje e virtutit që as nuk
shitet dhe as nuk blihet.
Pikërisht ky është dhe virtut-thagma që
e çon njeriun në mbrojtjen e së drejtës sociale.
Autori
zotëron një trimëri dhe koshiencë të ftohtë
e të qetë(ndoshta ky është dhe karakteri
fisnor i brujtur në shekuj), ku spikat mjeshtëria tradicionale fisnore
në interpretimin popullor të filozofisë
shoqërore.Ai nuk shan ,nuk mallkon, nuk përbuz, por tregohet stoik në mendimet
e veta. Guximi dhe kurajo civile janë cilësi të një karakteri të lartë .Nga
përvoja autori e di mirë se mëria sjell më pas ç’mendimin total, duke mos lënë
pas asgjë të risisë , por vetëm pendimin
për atë çka përjeton.Në këtë koncept në
kuadrin e terminologjisë e filozofisë klasike ai ka futur dengshëm filozofinë popullore; ”Kur të vinë mend,nuk
t’i hanë as qentë”.Ndaj autori gjatë
gjithë librit bën thirrjë proklamative se atëhere pendimi ynë nuk do të ketë
asnjë vlerë.
3-SI AMALGAMA
GJITHE TREGUESE E TRAKTEVE FILOZOFIKE
TE KOHE
Nga sa lexojmë autori sugjeron e evidenton se
politika profesionale(mos të ngatërrohet me atë popullore) është një femër me
dy fytyra: ku përpara gjykatësit popull
është një nënë e “dhëmbshur” që kërkon ndihmë nga i biri ; kurse pas tij në monologje mitingjesh
“fantastikë” qëndron një femër gjithë
epsh qeverisësh , që lakmon gjithçka.Sa më shumë të rrimë afër kësaj femre
putanë, aq më shumë largohemi nga
këndvështrimi real i jetës sonë. Eshtë pikërisht kjo femër-politikë në këtë
libër që
nuk lejon këtë popull të shoh përtej së ardhmes ditore.
Këto
politikanë të kësaj femre –politikë
hedhin njolla turpi jo vetëm në historinë e tyre por dhe në atë të
kombit.Fuqia arbitrare e tyre është objekti
natyral i tundimit për çdo karrikexhi, ashtu siç është një femër në prostituim , apo siç është një avokat
sekseraxhi , apo korrupsioni për
gjykatat .Kjo është, mendoj unë, amalgama gjithë treguese e këtyre trakteve
filozofike të jetës social –ekonomike e shtet-formuese që përshkon nga fillimi gjer në fund këtë libër në stilistikën e tij
narrative.
Trashëgimnia e autoritarizmit komunist ( e ngulitur
thellë dhe tek liderët e sotëm)ka sjellë
bashkë me mungesën e traditës demokratike probleme serioze ekonomike e sociale
të ndërthurura me dështimin total të elitarizmit, për ta parë e pranuar
demokracinë nëpërmjet reminishencave të vjetra e brenda interesave të ngushta
klanore e nepotikave “bllokmene”. Kjo ka bërë që tranzicioni i Shqipërisë
të jetë
tejet i dhimbshëm dhe një demokratizim
fallc. Kalimi i pushteteve nga një grupim partiak në një grupim tjetër partiak
është bërë nën kaleidoskopin e një loje
ku duhet fituar gjithçka , shpesh
dhe duke i shpërfillur normat demokratike , duke kryer njëmijë e një manipulime
në proçedurat zgjedhore, duke përfrikësuar pushtetet gjoja të pavarura e duke kundërshtuar çdo
rezultat të disfavorshëm.
Në këtë
luftë për pushtet ndryshimet e thella
filozofike ndërmjet këtyre grupimeve kanë ardhur duke u atrofizuar, e tashmë
ato japin e marrin tek njëri tjetri në konceptin e ndarjes së gjahut në një
xhungël sociale.Si rezultat i një
politike të tillë, në lëmin ekonomik, politikën sociale, shteti i sotëm po e zevendëson me politikat rentiere , duke u kthyer vetë në rentjerin më të madh , më të pangopur.Në
konceptin filozofik ky problem trajtohet
qartazi si e keqja numur një në kapitujt : ”Siguria ekonomike
dhe sovraniteti”; ”Pushtetpolitika keqqeverisëse si antishtet dhe anti-kombtarizëm”. Shteti i sotëm
rentier s’mban asnjë përgjegjësi dhe
hallka e tij përfaqësuese në zinxhirin e zhvillimit ekonomik është këputur.Nuk
ekziston asnjë lloj konkurence në prodhimin kombëtar . Anarkia ekonomike gradualisht të çon në anarki
sociale dhe politike , çon në
tronditjen e themeleve të shtetit e të
kombit në tërësinë etnike.
Starti
ekonomik që ngren me të madhe autori është
rrotori që do të gjenerojë jetën socilae e që përgatit kushtet në startimin e militantit politik
.Në këtë
këndvështrim dhe ligjet kanonike
të zhvillimit shoqëror duhet të jenë në një kontradiktë të vazhdueshme, në
papajtushmëri me prodhimin shoqëror.
Ky
digresion kanonik është dhe gjeneratori
që vë në lëvizje, në zhvillimin progresiv , agregatet e zhvillimit të shoqërisë e të triumfit të
saj. Por siç e evidenton dhe autori,
klima e enklementimit të
resurseve njerëzorë në favor të
formacioneve politike, sfumimi i shoqërisë civile, është proçesi më regresiv që
sjell njëmijë e një të zeza , sjell margjilizimin total të
shoqërisë.
Ndaj në
këtë proçes, ndryshimi i filozofisë politike vjen si domosdoshmëri e
ndryshimeve të pritshme substanciale të shoqërisë duke u absorbuar nga elektorati , sepse diletantizmi politik
çon në fatalitet politik , çon në një pragmatizëm delirant.
Ashtu sikundër Migjeni i madh , në ato vite të
zymta të një pushteti
feudo-obskurantist, e gjente forcën dhe
vitalitetin te rinia, dhe autori me besim të patundur i drejtohet rinisë si e
vetmja shpresë, sepse :”Brezi i ri realizon aspiratat e vërteta patriotike,
morale, fisnike e intelektuale,sepse ai
është i lirë, i pastërt e premtues për ndryshim e emancipim, nuk ka veset
dhe është shmangur nga e kaluara dhe nuk i përket asaj.” Ndaj
dhe në këtë zamallahi,duke pas përvetësuar në shkollat e marksizëm –leninizmit
se ekonomia është shprehje e koncentruar
e politikës , jo më kot ata intervenojnë , i mëshojnë mashtrimit ekonomik me sfumime, me rritje
imagjinare, artificiale të rritjes ekonomike,”vend pa krizë”, duke shkelur në
rrugë të pista.
4-TRURI KOMBIT
DHE NACIONALIZMA
Ruajtja e trurit të kombit dhe nacionalizma janë dy
shtyllat mbajtëse të kombit.Këto vinë e qëndrojnë si një domosdoshmëri vitale.
Krijimi i një “banke intelektuale” nën shembullin e SHBA –së , Kanadasë,vendeve
skandinave ku subvencioni
intelektual përfshin gjithë
trungun familjar për çdo person -pasuri
intelektuale.Kjo është alfa e një qeverisje me vizion social e njëkohësisht zhvëllimor.
Edhe
nacionalizmi në faqet e këtij libri vjen si një bonus kombëtar dhe individual,
vjen si një interlokucion shoqëror, ku zvetënimi nacionalist ka çuar e çon dita e ditës në zvetënimin
intelektual.Ndaj dhe autori ka besim
e mbështetet te populli, sepse populli
ka një frymë e shpirt më të lartë kombëtar se kanë politikanët dhe
shtetarët.(f.64)
Nacionalizma
kapitiane vjen si një forcë
progresive që rrit valencat e unitetit
integral brenda një shteti të fuqishëm , me personalitetin dhe prestigjin e
tij.Ai vjen gjithëkombëtar, progresiv dhe demokratik që ka të bëjë direkt me rritjen e mirëqenies
materiale-kulturore.Nacionalizma,
nënvizon autori,është legjitimitet demokratik dhe jo autokratik.
Idhtarët e nacionalizmit autokratik marshojnë me ngjyrimet e flamurëve për
lavdinë e rreme , i cili më shumë se kushdo tjetër, vetëmashtrohet se po hyn
triumfalisht në tempullin e lavdisë, por që me siguri e ardhmja e nxjerr prej andej si jashtëqitje e kombit.Në kontravers të
abuzimit të këtyre idhtarëve dhe të formacioneve politikë që ato përfaqësojnë,
autori evidenton potencialialet etnike,sociale e patriotike, ekonomike e kulturore-intelektuale në rang ndërkombëtar
duke bërë një ballafaqim me degresivitetin, ku qëndron etnika
intelektuale atje rri e ndezur në
shpirt qenësia e një kombi si prona,
gjuha, doket, zakonet, simbolet.Kjo qenësi realizohet “ “me detyra parësore shqiptarizmi”,
pra integrimi brenda shqiptar në çdo fushë
të jetës.”- thotë autori në një pasazh.Gjithçka në një erudicion
analizues neutro-partiak, si një çelës
për daljen nga kolapsi i recesionit, intoksikuar nga nepotizmi e klanizmi si
ide patogjene në mutacionin e sotëm shoqëror.Ky shpirt politikash që shkon në
drejtim të veseve injekton në popull duke goditur lartësinë intelektuale e
shpirtërore, duke burgosur vetë inteligjencën.
Kësisoj
autori i bën anamnezën shoqërisë së
sotme duke dhënë njëkohësisht
terapeutikën e shtresave të saj sociale.
Në tre
letrat që autori i drejtohet bashkëkombsave , ai interlokutohet me lexuesin, me mesazhet dhe
moralitetin politik që përcillet nën frymën e një psiko-analize e të një terapeutike ekzistenciale, drejt një
katarsisi shoqëror e psikologjik nën vrojtimin e një filozofie të paezauruar, po shumë të
dëshirueshme në konceptet e reja.Baza e
këtyre koncepteve është tek mbështetja dhe tek intelektualizmi i vërtetë
pa konsiguracione politike.Gjithçka vjen si një manifest kushtrimor për
një angazhim total të shoqërisë në
riciklimin historik të rolit të masave
dhe individualitetit intelektual në zhvillimin shoqëror. Koncepti
shqiptar i shkollimit është tepër i admirueshëm, unik në aspektin social dhe në rang botëror .
Brezit të
ri i del detyrë parësore të mos jetë një konsumator pasiv, por të marrë funksionimin e rotorit gjenerues.Qëndrimi indiferent është
e keqja më e madhe e shëmbëlltyrës intelektuale.Nga ky qëndrim vjen dhe varfërimi i potencialeve intelektuale , e keqja më e madhe ; ajo është një vunerabilitet historik
i zhvillimit të shoqërisë.
5- DREJTESIA SHTETARE
E DREJTESIA PUBLIKE
Thembra e
Akilit të së drejtës në një shtet është
drejtësia, më saktë drejtësia publike . Kjo drejtësi ka një ndërlidhje me raporte konverguese me rendin dhe qetësinë e qëndrimet penale.E
tillë vjen kjo qenësi në faqet e këtij
libri . Ajo vjen si një letër lakmuesi
që zbulon antraktimin e zhvillimit shoqëror . Kur qeverisja dhe
pushteti bëjnë padrejtësi, si bëhet në
këta 20 vjeçarë padrejtësitë e pushtetit
vinë si krimet më të rënda në këtë shtet- perifrazon autori.
Sigurisht
nga vëzhgimet e cilido shtetasi mosqeverisja me ligje kushtetuese , por me
akte nënligjore antikushtetuese çon në
përligjje mbarëkombëtare , rrit degresionin
brenda shtetit e kombit në tërësi.
E çfarë autoriteti i lartë është kjo kushtetutë
kur janë evidentuar 17 vendime të gjykatës kushtetuese të injoruara nga shteti dhe shtetarët , me
akte nënligjore duke i bërë karshillëk.Një
gjë e tillë veçse ka thelluar ndasinë shtet-shtetas.Drejtësia është suporti i
një demokracie të mirëfilltë.Por kështu
siç është konceptuar nga zyrtarët e
këtij tranzicioni të egër: ”Kjo
demokraci tranziti është një zëvendësim
i totalitarizmit komunist me një
rregjim monopol korruptiv, korruptues e
mafioz, që kanë
emërues
të përbashkët shtypjen e popullit,
largimin nga afera e “Triumfit të
kombit”.”Kërcënimi më i madh i demokracisë –vijon autori , f.104 – i vjen nga mashtrimi dhe “mafia” demokratike ,
instalimi i së cilës mundësohet atëhere kur shkalla e demokracitetit është e ulët.”
Për këtë
filozofi i politikës modern Makiaveli ka thënë : ”Se në një shoqëri të korruptuar zor se del
ndonjë gjë e mire.”
Këto
referenca tek Makiaveli rrisin dukshëm valencat e të drejtave të
proklamuara dhe nga autori në filozofinë e kohës që po kalojmë.Në këtë suport makiavelian vjen dhe manifesti i autorit
për një rilindje të vërtetë Pan shqiptare e ku gur themeli vendoset Patriotizmi dhe një demokraci
e vërtetë , mbushur me prosperitet , e
aftë të rifitojë dinjitetin e krenarinë e nëpërkëmbur.Njëkohësisht kjo do të
arrihet kur të shembet një herë përgjithmonë autokracia
e pushtetarëve e kozmopolitika e masave si barrierë kryesore të nacionalizmës.
Në këtë
proces , me një ngërthim , do të ndeshen
njeriu modern dhe idioti i ri.Ata vinë me nocionet e një
psiko-analize të njeriut të sotëm duke u rekomanduar nëpërmjet një
psiko-analize nga autori, psiko
–terepeautikën dhe përfitimin e një
katarsisi në funksion të ndryshimeve sociale në shërbim të mirëqenies shoqërore e kombëtare.Sipas
ngulmimeve të autorit kjo do të jetë një
letër pergamenë për të drejtën dhe vërtetesinë
e veprimeve të masave popullore, në vazhdimësi lineare drejt standarteve të larta në rigjallërimin shoqëror në të gjitha aspektet.
Gjithçka sintetizohet tek dyfjalëshi në ballinë “Triumf I
kombit”.Ndërkomunikimi
shtet-qeverisje-komunitet vjen si një hallkë e një zinxhiri mitik që në
fillesat e shtetformimeve , të cilat mbajnë në drejtpeshim vetë shtetin e shtetasit.Njerëzimi krijoi shtetin për një mirëqenie të të
jetuarit si autoriteti më i lartë i shoqërisë, si një lloj agjencie për rregullimin e mardhënieve individ-shoqëri –shtet.
Sipas
Hegelit shteti është “egoizëm universal”
dhe jo siç xhvesh e na e mirëpërcakton
autori si një “egoizëm
tinzar”.Demokracia shtetërore – thotë autori –pretendon e synon një marëveshje institucionale,
funksionale, në një kornizë ligjore , ku vendimet të jenë organizatore të jetës me të gjitha afeksionet e saj si puna, liria
e fjalës,liria e mendimit ,mirëqenia .
Ky libër
me formaturën e një manuali filozofik, me nuance prakticiene, që u shërben jo
vetëm intelektualëve në poste drejtuese , në shërbesa ndaj popullit, por u ndriçon
mendjen, u kthjellon mendimin tërë
masave punonjëse në këtë zamallahi politiko-ideologjike që jo pa qëllime
çoroditjeje përhapin në masmedia e në mitingje
elektorale grupimet e ndryshme politike,pararendëse të grupimeve
ekonomike në aspektin e qartë filozofik.
21-24 tetor
2012