| E shtune, 19.01.2013, 09:31 AM |
SHKRELI ANTI-KOMUNIST NË KRYENGRITJEN
E VITIT 1945
Nga Frank Shkreli
Kohët e
fundit, Fran Gjeto Xhaj nga krahina
Shkrel e Malësisë së Madhe pati mirësinë të më postonte librin e tij me
titull: SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË
MADHE TË VITIT 1945. E lexova me
kënaqësinë më të madhe sepse megjithëse origjinën e kam nga Shkreli, di shumë
pak nga ajo periudhë, për të cilën shkruan autori, ngase familja ime ishte larguar nga ato anë shumë kohë më parë
dhe unë, pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës ku jemi shpëngulur familjarisht në vitin 1970.
Duke
qenë aq larg dhe të izoluar nga
diktatura komuniste, njohuritë e mia dhe
të shumë ne të mërguarve shkrelas mbi vuajtjet e fisit tonë dhe mbi ato që kanë
ndodhun në Shkrel gjatë diktaturës komuniste,
ishin shumë të kufizuara. Nga të
dhënat e Fran Gjeto Xhaj-it, i cili nuk pretendon të jetë shkrimtar, por që
thotë se ishte dëshmitarë okularë për ato që shkruan, dhe sipas redaktorit të librit Dedë Shyti,
edhe njëri që ka përjetuar ngjarjet bashkë me ata heronjë -- unë
mësova shumë hollësi që nuk i dija më parë mbi rolin që ka luajtur fisi
i Shkrelit në luftën kundër komunistëve sllavo-aziatikë, e posaçërisht lexuesi
mëson mbi rolin e rëndësishëm si dhe vuajtjet dhe persekutimet e familjes së
tij dhe të shumë familjeve të tjera të
kësaj zone, të cilat refuzuan t’nënshtroheshin komunizmit, duke sakrifikuar edhe
jetën.
Fran
Gjeto Xhaj, thotë se megjithëse në moshë
të shkuar, me këtë botim modest, ai është duke çuar në vend porositë dhe
amanetin e Major Llesh Marashit, komandant i kësaj kryengritjeje si dhe
patriotëve të tjerë anti-komunistë të Shkrelit, ai ka marrë guximin --ndonëse
me mundësi modeste dhe aftësi të kufizuara, -- që t’u lanë mbrapa brezave të ardhëshëm të fisit të Shkrelit
disa të dhëna si dëshmitar i asaj historie të luftës së treve të Malësisë së
Madhe dhe qendresës së fisit të Shkrelit ndaj bishës së kuqe sllavo-komuniste
dhe të të shiturve të tyre shqiptarë, të lidhur, sipas autorit këmbë e kokë me
Milladin Popoviçin e Dushan Mugoshën, të cilët zaptuan vendin tone dhe Shkrelin
me njerëz të pabesë.
Fran
Gjeto Xhaj biri i Gjeto Lekës nga
fshati Xhaj, rrjedhë nga një prej familjeve të dalluara, por të vuajtura, e të
përsektuara të Shkrelit, si familje
nacionaliste, dhe fetare, bashkpuntore në veprat dhe në luftën patriotike
kundër komunzimit të Major Llesh Marashit me shokë, komandantit të “Batalionit të Malësisë së Madhe’’.
Lexuesi,
përveç komandantit Llesh Marashi, gjithashtu mëson edhe për emëra të tjerë
udhëheqsish të fisit të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe, prijës të dalluar
malësor si Prek Cali, Gjelosh Luli,
Nikollë Preka, Ismail Zeneli, së bashku
me shumë klerikë katolikë të prirë nga prifti patriot i famullisë së Shkrelit, Dom Nikoll Gazulli,
(me urdhër të presidentit të Republikës
“ Martir i Demokracisë’’), e të
cilët u dalluan si drejtues të batalionit të Shkrelit dhe si organizatorë të
qendresës antikomuniste. Krahas këtyre,
lexuesit i tërhiqet vemendja edhe për vuajtjet e klerit katolik shqiptar, i
cili në vuajtje e në gëzime, gjithmonë i gjëndej pranë Shkrelit dhe gjithë
Malësisë së Madhe, e sidomos gjatë asaj periudhe për të cilën shkruan Fran
Gjetja. Mua si ish-seminarist, më bën
përshtypje dhe më shkakton dhëmbje
shpirtërore, sidomos përshkrimi i veprimtarisë patriotike dhe i vuajtjeve, sakrificave përsekutimeve të anëtarëve të klerit katolik, kujdestarë të grigjës dhe të kishës, por edhe ruajtës të
gjuhës e të kulturës dhe të atdhetarizmit në ato anë, duke dhënë edhe jetën për
idealet e veta. Ndër ta dallohen Dom
Alfons Tracki, Dom Nikoll Gazulli, Dom Pjetër Gruda, Dom Pjetër Çuni, Dom
Aleksandër Sirdani dhe At Anton Luli, të cilët gjatë përndjekjeve të tyre nga
komunistët, për t’i shpëtuar gjenocidit sllavo -komunist- bolshevik
-shqiptar, “shpellat i këthyen në
katakombe’’. Është thënë edhe nga të
tjerë më parë se zhdukja e klerit katolik shqiptar ishte një objektiv prioritar dhe pjesë e një marrveshjeje
djallëzore midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave,
pasi kleri katolik konsiderohej se kishte lidhje të ngushta me Perëndimin.
Për më
tepër duke lexuar librin e Fran Gjeto Xhaj, i cili thotë se qyshë në moshën
14-vjeçare paska qenë vuajtës dhe dëshmitar i masakrave e persekutimve të shumëta komuniste në krahinën e Shkrelit,
mësova hollësi që nuk i disha ma parë mbi këtë familje, si dhe mbi humbjet e torturat e tmerrshme që e gjithë
familja e Fran Gjetos paska pësuar nën komunizëm: babë Gjeto Lekën, e nanë
Terezen, motër e axhat e autorit, e tjerë.
I trishtueshëm është sidomos përshkrimi i vuajtjeve që ai thotë se pësoi
e nëna e tij Terezja në duartë e tortueruesve komunistë, në qelitë e burgjeve
në Koplik. Edhe vetë Frani si fëmi në
moshë të re thotë se ka vuajtur torturime nepër burgjet e Koplikut dhe të
Shkodrës.
Përveç të
dhënave nga autori i këtyre shënimeve të një dëshmitari okular, Fran Gjetja --
mbi rolin e Shkrelit në kryengritjen anti-komuniste të Malësisë së Madhe dhe mbi vuajtjet nën diktaturën komuniste të tij
dhe familjarëve të vet, si dhe të mbarë fisit të Shkrelit -- autori ashtë
kujdesur që në libër të përfshijë fotografi të protagonistëve kryesorë mbi të
cilët fletë dhe të cilët kanë luajtur një rol me rëndësi jo vetëm në historinë
e fisit të Shkrelit, por edhe në historinë e kombit shqiptar.
Ndërsa
këtu flitet për vuajtjet dhe torturat
dhe persekutimet e tmershme
ndaj burrave dhe grave të Shkrelit,
vetëm e vetëm se ata nuk pajtoheshin me ideologjinë sllavo-komuniste, nuk mund të mos thuhet se cilët ishin torturuesit, ata të cilët iu vërshuan asaj krahine si bisha të egëra, duke sjellur
tmerr e zi në Shkrel dhe në gjithë Malësinë e Madhe. Duke i gënjyer se po tu dorëzoheshin
komunistëve, ata do të faleshin dhe do të ishin të lirë të këtheheshin në
shtëpitë e tyre -- duke besuar në besën e dhënë -- malësorët që dorëzohehsin
për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre,
mbaronin në qelitë e torturave të
burgjeve të Shkodrës dhe të
Koplikut dhe më në fund ekzekutoheshin, të prerë në besë nga përfaqsuesit e
regjimit komunist. Si përfaqsues të
atij regjimi që ishin dërguar për të nënshtruar Shkrelin dhe Malësinë,
autori përmend emisarët e forcave të
diktaturës së Enver Hoxhës, Toger Babën, Zoj Themelin, prokurorin e Gjykatës ushtarake në Shkodër, Aranit Çela
dhe bashkpuntorët e tyre serbo-malazez, përfshirë edhe Bajo Stankoviqin , ndër ata të cilët, sipas autorit, “me damkën
e hekurt e me shpirtin e djallit’’, bënë kërdinë mbi malësorët të cilët
nuk pajtoheshin që Shqipëria të
nënshtrohej nga sistemi sllavo-komunist.
Kryengritja
e vitit 1945, për të ndaluar nënshtrimin e këtyre zonave nga komunistët, kryengritje këjo e udhëhequr nga burrat dhe
gratë e Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe me në krye Llesh Marashin, mund të jetë, sipas disa
vërejtësve, e para kryengritje e tillë anti-komuniste në Shqipëri dhe ndoshta e
para edhe në pjesën tjetër komuniste të Evropës Lindore. Me shtypjen mizore të kësaj kryengritjeje të
malësorve nga forcat bashkpuntore komuniste sllavo-shqiptare, siç dihet, fillon
tragjedia e vërtetë gjysëm shekullore për Shkrelin dhe Malësinë e
Madhe.
Është me vend që disa prej këtyre herojnve të Shkrelit janë shpallur “Martirë të Demokracisë’’, nga presidenca e shtetit shqiptar dhe autori Fran Gjeto Xhaj shpreh falenderimet e tija kryetarit të Komunës Shkrel, Z. Fred Sterkaj për iniciativën e tij për të ngritur lapidarin në Dedaj të Shkrelit, kushtuar këtyre heronjëve, duke përjetësuar kështu këtë kryengritje si edhe kujtimin e këtyre bijve dhe bijave të Shkrelit. Le tu këndohet gjithmonë kënga dhe të marrin vendin që u takon në historinë e Malësisë së Madhe dhe të kombit shqiptar.