Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Xhelal Marku - “Turizmi Shqiptar”

| E shtune, 19.01.2013, 09:16 AM |


Një risi promocionale për imazhin turistik të Shqipërisë

(Koment për librin e ri: “Turizmi Shqiptar” të publicistit – Xhelal Marku )

Nga Albert Zholi

Në prag të festës jubilare të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ashtu siç kishte premtuar në fillim të vitit 2012, gazetari i Medias së shkruar dhe i asaj vizive, publicisti – Xhelal Ali Marku, u dhuroi lexuesëve një libër me vlera të veçanta për Turizmin Shqiptar. Libri hapet me historikun e Turizmit Shqiptar, i cili shkruhet për herë të parë. Ky libër, që mban një titull mjaft përfaqësues dhe interesant, “Turizmi Shqiptar”, hyri në fondin e botimeve të shumta të autorëve shqiptarë, si libri i parë i këtij lloji, që u kushtohet vlerave të pafundme turistike të vendit tonë, aq i kërkuar dhe i frekuentuar sot nga turistët e mbarë Botës. Dhe vërtet, Shqipëria, ky vend i bukur dhe me pasuri të mëdha të trashëgimisë kulturore e natyrore, me një histori të lashtë e të mrekullueshme autoktone, me klimën e preferuar, me detin dhe rërën fantastike, me ujërat e magjishëm kurativë, me mikpritjen e saj të rrallë dhe me bashkëjetesën dhe harmoninë historike fetare, ka mahnitur mijëra turistë të ardhur nga i gjithë Globi, që e kanë vizituar me interesim të veçantë atë. Ndaj, me të drejtë, Shqipëria është konsideruar prej tyre, si sekreti i fundit turistik i kontinentit. Këto fakte, janë shkruar e publikuar dendur vitet e fundit edhe në mediat më prestigjioze të Botës, siç është “Lonely Planet”, e cila e ka vlerësuar Shqipërinë, si vendin e parë në Botë, midis dhjetë vendeve të tjera, që rekomandohet për t`u vizituar nga turistët e huaj. Sigurisht, kur dëgjon këto vlerësime për vendin tënd, krenohesh dhe bëhesh optimistë për të ardhmen e Industrisë Turistike Shqiptare, që po ecën me hapa gjigantë në rrugën e progresit e të zhvillimit të këtij sektori jetik, të lënë pas dore e në harresë për shumë e shumë vite. Libri i Xhelal Markut bën përpjekje serioze dhe të mundimshme, për të na sjellë këtë realitet të ri të Turizmit Shqiptar. Autori, me përvojën e tij shumëvjeçare të gazetarisë në RTSH (Radiotelevizionin Shqiptar), ka ditur t`i mbledh faktet, t`i rendis e t`i përzgjedh mirë ato midis larmisë së pasurive të pafundme të Industrisë Turistike Shqiptare. Në këtë mënyrë, libri “Turizmi Shqiptar” i Xhelal Markut, si i pari i këtij lloji në vendin tonë, gjithpërfshirës e gjithhapsinor, sjellë për lexuesin jo vetëm një risi, por dhe një nivel më të lartë imazhi e promocioni të turizmit shqiptar. Tashmë në stendat e Panaireve Kombëtare e Ndërkombëtare të Turizmit, ku Shqipëria merr pjesë prej vitesh, sigurisht që ajo, do të përfaqësohet jo vetëm me broshurat turistike, por dhe me një libër simpatik, të bukur e tërheqës për të gjithë vizitorët, që preferojnë të kalojnë pushimet në vendin tonë. Në këtë libër, ata do të gjejnë të pasqyruar bukur e saktë të gjitha resurset tona turistike, objektet e trashëgimisë kulturore e natyrore, bregdetin dhe turizmin malor, larminë e sporteve, që mund të zhvillojnë turistët e huaj e vendas në të katër stinët e vitit, ushqimet  bio dhe me shije të rrallë në kontinent, si dhe traditën e preferuar të gatimeve të kuzhinës shqiptare. Midis resurseve turistike më të veçanta të Shqipërisë, autori nënvizon Mikpritjen dhe Bujarinë shqiptare, si një virtyt i çmuar i shqiptarit, i trashëguar brez pas brezi, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Madje mikpritja në Shqipëri funksionon si një Institucion i pashkruar, por që njihet e respektohet nga të gjithë. Mikun, shqiptari e pret me dashuri e respekt të veçantë, ku sipas traditës, një dhomë në shtëpinë e tij e ruan vetëm për mikun, të cilën e mobilon dhe e kompleton bukur e me shije. Edhe ushqimet më të mira për mikun ruhen. Miku, që nga momenti i pritjes e deri në përcjelljen e tij, është në besë të të zotit të shtëpisë, i cili i ofron atij një shkallë të lartë sigurie, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij. Kështu ka qënë historikisht mikpritja shqiptare, e veçantë dhe e rrallë në të gjithë kontinentin. Me përkushtim trajton autori në këtë libër edhe popullsinë, si trashëgimtare autoktone e të parëve të këtyre Trojeve – ilirëve. Një popullsi fisnike, me një gen të rrallë intelekti, besnikërie e trimërie, mençurie e tolerance, por që din të bëhet edhe e rreptë, kur është rasti për të  mbrojtur interesat kombëtare të vendit. Është kjo arsye, që ky popull ka nxjerë nga gjiri i vet edhe shumë figura të shquara kombëtare, që nga Mbretëria Ilire e deri në ditët tona, të cilët përmes shekujsh i kanë prirë me plot mençuri, urti e maturi këtij vendi, ku besnikëria dhe mbajtja e fjalës së dhënë, kanë spikatur si një tjetër institucion i pashkruar i shqiptarëve përgjat gjithë historisë mijravjeçare të tyre. Përshkrimi deri në detaje i vlerave të shumta të trashëgimisë tonë kulturore, si një dëshmi reale identiteti dhe lashtësie autoktone shqiptare, të ilustruara bukur e profesionalisht me fotot përkatëse, i japin librit përmasat  e një risie promocionale, por dhe të një imazhi të ri të turizmit shqiptar, që aktualisht po prezantohet me plot dinjitet e konkurencë në tregun turistik botëror. Tek libri “Turizmi Shqiptar” i autorit Xhelal Marku, ka spikatur me punën e tij si specialist i imazhit edhe autori i paraqitjes grafike të librit, Ergys Faja, i cili me profesionalizmin e tij, ka ditur të përzgjedh e të ilustroj mjaft mirë përmbajtjen e tekstit të shkruar, duke i dhënë atij më shumë jetë e forcë shprehëse. Ndaj, kur lexon këtë libër, ashtu krejt natyrshëm ndjehesh si vizitor i Shqipërisë Turistike, ndjehesh i kompletuar me informacionin për këtë vend dhe fillon të mendosh edhe për pushimet, duke përzgjedhur pikat turistike në përshtatje me preferencat personale. Libri i jep qartë të gjitha destinacionet, rrugët dhe llojëshmëritë e udhëtimeve, distancat nga Tirana, pikat doganore të vendit e deri tek monedhat në qarkullim, me të cilat vizitorët mund të blejnë në Shqipëri. I koncetuar në tre kapituj, që lidhen e harmonizohen organikisht me njëri tjetrin, libri “Turizmi Shqiptar”, i bën më të prekshme dhe më bindëse resurset turistike të këtij vendi, me një histori të vjetër turistike, që nis qysh në shekullin e pestë, ku dëshmitë thonë se familja e perandorit Justinian, i kalonte pushimet pranë brigjeve ujore të liqenit të Ohrit, në veri të qytetit të Pogradecit. Në këtë mënyrë, autori, nëpërmjet kapitullit të dytë, pasqyron në libër mbresat dhe opinionet e vizitorëve të huaj për turizmin shqiptar, të botuara këto në shtypin e huaj e vendas, gjatë më se një shekulli. Artikuj të tillë, si: “Mrekullitë e Alpeve të Shqipërisë”, “Shqipëria ka të ardhme të madhe turistike”, “Toka me bukuri të rrallë”, “Shqipëria – parajsë e adhuruesëve të historisë”, “Shqipëria – destinacion i turizmit dhe investimeve”, “Shqipëria, shanse të mrekullueshme për turizëm shpërthyes”, “Shqipëria në listën e Nacional Geografik”, “Riviera shqiptare një parajsë me çmime të lira”, etj, për të ardhur më pas tek gazeta prestigjioze italiane “La Republika” e viti 2012, ku publikohet shkrimi me titull: “ Pushimet dimërore nisin nga Shqipëria”, e bëjnë tuirizmin shqiptar të lakmueshëm nga të gjithë vizitorët. Në këtë kuptim libri i ri i Xhelal Markut për turizmin shqiptar, sjellë një kontribut të ri promocional për imazhin turistik të vendit tonë, pasi ato janë opinione të vizitorëve vipa, figura të njohura e me reputacion të shtypit e të medias së huaj. Në vlerësimet e tyre, veç bukurive natyrore, ata kanë shprehur me nota optimiste kënaqësinë dhe mbresat e jashtëzakonshme nga tradita historike e mikpritjes shqiptare, si pjesë e kulturës së lashtë të banorëve autoktonë të këtij vendi, me një histori të mrekullueshme qëndrese e atdhetarie në Ballkan e më gjërë. Libri mbyllet me një cikël të frymëzuar reportazhesh kushtuar ritmeve të larta të zhvillimit të industrisë turistike shqiptare gjatë viteve të fundit. Detajet e vlerave turistike të vendit të shprehura me një gjuhë artistike e me një figuracion të pasur letrar, e bejnë edhe më të prekshëm, më tërheqës dhe më interesant realitetin e ri të zhvillimit të turizmit shqiptar. Reportazhe të tilla, si: “Imazhi i ri i Turizmit Shqiptar”, “Nëpër Kanionet e Osumit”, “Një udhëtim drejt bjeshkëve turistike të Selitës, Mirditë”, “Në Ditën Botërore të Turizmit”, apo “Me turoperatorët polakë, që vizituan Shqipërinë”, përbëjnë padyshim një risi promocionale në publikimin e vlerave të pafundme turistike të vendit tonë, i cili tashmë ka hyrë në fokusin e mediave më prestigjioze ndërkombëtare. Kësisoj, libri lexohet me kënaqësi e kureshtje për informacionet e plota dhe interesante që përcjell tek lexuesi. Këto vlera të këtij botimi, u vunë në dukje edhe në promovimin e organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Agjensia Kombëtare e Turizmit, ku diskutantët: Albert Zholi, Mujë Buçpapaj, Enver Bytyçi, Klodjan Pajuni e Sadik Malaj e klasifikuan atë si një libër letraro – publicistik të kompletuar e të nevojshëm, që sjell një kontribut të ri në promovimin e vlerave turistike të Shqipërisë. Libri “Turizmi Shqiptar”, u prezantua me sukses edhe në takimin tradicional festiv të përfaqësuesëve të shoqatave turistike të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e të Shqipërisë, në datat 12 e 13 Janar 2013. Në promovimet e organizuara, u theksua nevoja e përkthimit në anglisht të këtij libri, që padyshim sjell një risi promocionale në publikimin e vlerave të Turizmit Shqiptar në tregun  e konkurencës globale. Libri do të promovohet së afërmi edhe në Prizren, Dibër të Madhe, etj.

Tiranë, më: 16 / 01 / 2013