| E merkure, 16.01.2013, 06:45 PM |
Intervistë
-ZGJIDH E MERR NJË EMËR:
-PROFESOR-POET-KRYETAR!
- 25
pyetjeve të redaktorit të Kulturës në revisten ZemraShqiptare Zeqir Lushaj nga
NJ, USA, kryetari i Klubit të
Shkrimtarëve dhe Artisteve të Rrethit të Tropojës, poeti Lulzim Logu, ju ka
dhënë pa asnjë hezitim këto përgjigje-
-Ekskluzive për ZSh-në-
A. Djali i Profesorit dhe
nipi i mësuesit veteran
1.Pa rënë në biografizëm, por duhet thënë që
në fillim se je djali i njërit prej më të nderuarve kuadro të arsimit të të
gjithe kohëve të rrethit të Tropojës, je djali i të paharruarit Idriz Logu?
Në fakt ndihem krenar dhe gjithmonë i përkëdhelur nga ky pohim, që në shumicën e rasteve hap bisedat dhe komunikimet e mia me shokë, miq dhe të njohur, të afërt dhe të largët, pavarësisht moshës time, në këtë rast edhe në intervistë me ju.
2.Drejtori historik i gjimnazit “Asim Vokshi”
të qytetit Bajram Curri, Idriz Logu,
objekt frymezimi te djali i tij poet. E kam shquar në disa vjersha tuajat, apo
gabohem?
Gjithmonë një baba, të cilin mbi gjithçka e ke mik, mbetet një frymëzim, fryma e fjalës, mbështetja dhe modeli që ai krijon në marëdhënie , mbeten pandalshëm një ushqim i rrallë i krijimeve jo vetëm poetike, por edhe pjesë integrale e formimit tënd të shumanshëm,të përpjekjeve për ta kuptuar dhe përballur kohën dhe botën tënde ku jeton, përbëjnë natyrshëm dinjitetin moral dhe shpirtëror në mjedisin ku se bashku kemi jetuar. A nuk ndjehesh edhe ti kësisoj, si djali i një njeriu të zgjuar, të matur, të cilit fjala i peshonte ne kuvende sa ishte gjallë, por edhe më shumë pas ikjes në amshimin e tij?!
Kur babai im vdes papritur një ditë korriku të vitit 2001, refleksioni im i dhimbjes dhe vetmisë së madhe që pasoi ditët e mia, prodhoi natyrshëm librin tim “ HIRI” botuar në vitin 2002, ndërkohë që vazhdon të jetë me mua në përsiatjet poetike dhe rrëfimet tregimtare, si një fill organik i krijimtarisë time.
3. Si ndjehesh perpara miqve të babait tend,
psh, Ahmet Imerit, Haki Zllames, Eles Qerimajt, Fari Doçit etj etj se lista e
miqve të babait tuaj është shumë e gjatë?
Babai im shkoi parakohe, në kulmin e jetës,
kur kishte energji për ta shijuar lirinë e fjalës, për të kontribuar për
konsolidimin e demokracisë, për të cilën kishte luftuar jo pak intelektualisht
gjatë karrierës së tij pedagogjike dhe jo vetëm, si drejtues dhe mësimdhënës
për 40 vjet, kur e dëshironte ndryshimin pozitiv të kohës, përshtatej në mënyrë
adekuate me këtë sens ndryshimi dhe përbuzte pa hezituar ndryshimin fals për
hir të ndryshimit, shoqëruar aq shpesh me servilizmin, përkuelshmërinë e ndyrë
morale dhe mungesën e karakterit…
Por njerëzit e mirë, edhe kur shkojnë lënë
pas shumë pasuri, miqtë e zgjedhur dhe të duhur janë pasuria më e mirë që la im
atë, bashkë me emrin e nderuar për ndershmërinë e qëllimit, efikasitetin e
veprimit dhe karakterin, atë që përherë tek ne është konsideruar si shtylla
kurrizore e biografisë njerëzore, test i përjetësimit të emrit të mirë nëpër
kohra dhe mote.
Emrat që ju përmendet ishin dhe janë për mua
fragmente të vlefshme njerëzore, respekti ndaj të cilëve është detyrim imi i
natyrshëm për vlerat e tyre komplekse dhe ndaj kujtimit të shtrenjtë të babait
tim, i cili së bashku me ata ndërtoi në Tropojën e re të pas viteve ’60 një
arsimim modern dhe efikas, i cili kushtëzoi formimin e kuadrove dhe zhvillimin
social të krahinës, që kishte jo pak varfëri ekonomike por edhe mentalitete
shoqërore, që natyrisht duheshin ndryshuar përmes arsimimit së pari.
Elez Qerimaj, mësues, drejtues dhe historian
(vdiq edhe ai para kohe), na bashkoi më shumë, përveç të qënit shok dhe mik i
babait, edhe krijimi i librave, konsultat dhe debatet për momente historike të
luftës për liri dhe çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe lidhjet
kulturore mes tyre si mundësi e integrimit kulturor të përbashkët. Ishim bashkë
në takime historike, konferenca dhe promovime dhe të dy njëkohësisht shuanim
ngapak mallin për Idriz Logun…
4. Nuk mund ta anashkalojmë assesi gjyshin
(nga nëna) tuaj shumë të nderuar, një nga mësuesit e parë të malësisë së
Gjakovës, Mustafë Botushen dhe krejt familjen e tij arsimdashes.(Eshtë rasti të
të them se kam marrë pjesë në varrimin e Mustafë Botushës, në fillim-pranverë
të vitit 1974, në Tropojë të Vjetër dhe me djalin e tij Besnikun kami qenë
koleg).
Gjyshi im, Mustafa Botusha, kujtohet me
respekt në Malësinë e Gjakovës, ai për dekada me rradhë punoi me devotshmëri në
shkollat e Tropojës.nxënës i të famshmes “NORMALE” të Shkodrës, qe i pari që
hapi shkollën shqipe në Zogaj, i pari përgjegjës i seksionit të arsimit në
Tropojë, njeriu që kontriboi aq shumë në luftën kundër analfabetizmit si dhe në
pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive në malësi, fjala e tij e mençur dëgjohej me
nderim në oda burrash dhe kuvende popullore. Ishte një figurë komplekse dhe
mjaft e njohur, mësues i popullit, lindur në Botushë të Kosovës, por që gjithë
jetën ja kushtoi arsimit në Tropojë.Djali I tij, Besniku, vajzat Lumnie,
Shpresa dhe Drita, punuan dhe dolën në pension si mësues të respektuar.Djali
tjetër, Zenuni ra dëshmor i ndërtimit të atdheut.
5. Ti ke krijuar figuren tënde, ama, mund të
të pyes: -kush është per Ju modeli i mësuesit, në punen tuaj te suksesshme në
lemin e arsimit?
Sivjet mbush 30 vjet si mësimdhënës, duke
llogaritur këtu edhe disa vite si specialist i arsimit, pranë drejtorisë
arsimore Tropojë dhe drejtues i shkollës së mesme të përgjithshme të Fierzës,
pikërisht ajo shkollë ku drejtoi disa vite edhe babai im, në kohën kur
ndërtohej hidrocentrali i Fierzës.
Më ka rastisur në mënyrë fatlume të punoj dhe
të jem koleg me emra të njohur të arsimit tropojan, nga të cilët mësova të
konsolidoj modelin vetjak të mësimdhënies, pa harruar se unë e kisha
trashëgiminë arsimore nga familja, e cila numeronte rreth 15 mësues, si nga ana
e nënës dhe babait. Të jem sistematik, këmbëngulës, kurajoz dhe kërkues, ishin
disa parime që gradualisht më formuan si mësues dhe drejtues, por mbi të gjitha
ndjeja gjithmonë detyrimin e pandarë që tu ngjaja prindërve të mi dhe të
përcillja më tej përpjekjet e tyre edukative dhe mësimore, në shërbim të
brezave të rinj në Tropojë.
Modeli i përmbledhur i mësuesit të cilin
ndiqja dhe doja ti përkisja kishte brenda seriozitetin dhe autoritetin e
padiskutueshëm profesional të babait (më ndje, për mungesën e modestisë!)
skrupulozitetin e Mehmet Margjekës (punova më të disa vite në Bujan) teknikat
mësimore të Fari Doçit dhe Mehmet Hykës, njohjen lëndore të Nushë Doçit dhe
Rrustem Qokës, pasionin dhe ndershmërinë mësimore të Ndoc Paplekajt, aftësinë
kërkuese të Avdyl Buçpapajt, delikatesën dhe edukatën fine të Jolldyz Hoxhës…
Lista do të ishte mjaft e gjatë, sepse
realisht Tropoja ka pasur mësimdhënës të mrekullueshëm, të cilët i dhanë
sidomos gjimnazit të B. Currit, namin dhe lavdinë e një universiteti. Ta
mbaroje atë mirë, do të ishe i garantuar për rezultate në çdo universitet të
Shqipërisë dhe jashtë saj, pikërisht prej cilësisë së mësimdhënies. Kur unë
shkova në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në vitet ’80 e vertetova mjaft
mirë këtë fakt.
B. Zgjidh e merr një emër…
1. Ç’farë ndjen kur të drejtohen nxenësit:
-Profesor Luli?
Unë asnjëherë nuk jam larguar nga Tropoja
Zeqir, anipse kisha disa mundësi, duke besuar tek vlerat e vendlindjes dhe
mundësitë e një jete më të mirë këtu. Nuk hoqa dorë nga arsimi, pavarësisht se
falë kontributit tim në promovimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile në
Tropojë, mund ti afrohesha një tjetër natyre pune, fitova sigurinë e
profesionit, mesova shumë të fshehta të tij, përsosa komunikimin dhe sinqerisht
fitova një emër me të cilin thirrem shpesh jo veç në mjedise arsimore, por edhe
në jetën e përditshme: “ Profesor”.
Në mirëmëngjesin e çdo dite, në gëzime
familjare, në aktivitete kulturore, gati më shumë më thërrasin kështu, sesa me
emër. Dhe është besoj, një sadisfaksion i madh, një tregues se diçka kam
arritur në detyrimin tim që ceka pak më lart në raport me prindërit dhe
mjedisin ku më së shumti kam jetuar.
Por thirrja e përditshme e nxënësve, ka
vazhdimisht magji, aq më tepër sot kur brezi i të rinjve vështirë ta jep këtë
emërtim me konatocion pozitiv të respektit njerëzor dhe profesional, në dallim
nga përdorimi formal dhe përfitues i momentit…
2.
Më beso, i vetmi emër, titull apo apo nofkë
që më ka pëlqyer dhe kam ëndërruar ta fitoj dhe të personifikohem me të është
fjala e thjeshtë, por kuptimplote “Shkrimtar, shkrimtari!”
Njeriu që shkruan edhe prozë, edhe poezi,
vjen një moment dhe përcaktohet drejt asaj çfarë ndjen dhe shkruan më mirë, unë
aktualisht po shkruaj libra me tregime dhe publicistikë, por botimet e para me
poezi dhe diskutimet më të shpeshta për poezinë këtu në Tropojë, ku ajo e ka “
shtëpinë e vet natyrore” siç e kam përcaktuar unë dhe shumë të tjerë, kanë bërë
që shumica e bashkëvëndasve të mi, të më thërrasin si poet.
Ndjehem mirë, pavarësisht kohës dhe moralit të saj aktual për poezinë dhe poetët, është fat të të kategorizojnë si të tillë, poetët janë kushërinj me ëngjëjt, apo jo?!
3. Në mbledhje të Klubit te shkrimtareve e
artisteve te Tropojes kur të drejtohen anetaret: -Zotri kryetar…, vërejtesh apo
buzeqesh?
E kam shmangur që nga fillimi këtë emërtim,
sinqeriteti dhe mënyra e funksionimit si miq dhe misionarë kulturorë, duke
mbuluar boshllëqe të institucioneve kulturore shtetërore, ka përcaktuar
marëdhënie të natyrshme shoqërore, ku kjo fjalë s’para përmendet.
4. Momentalisht, per hir të intervistës, je i
detyruar të heqesh dorë nga dy funksione të lartpermendura. Cilen do zgjedhesh
që ta mbash: -profesor? –Poet?
Ndoshta si tip, në lëvizje apo në mendim, të
kujtoj një mësues , në fizionomi dhe tonin e të folurit një poet, i cili kurrë
s’bertet, ka skrupuj dhe delikatesë, rrallë ndonjëherë më pëlqen përcaktimi i
fundit, kur has jo rrallë në përsona egoistë dhe karrieristë, që përpiqen pa
skrupuj të minimizojnë misionin dhe punën tonë dhe duan me çdo kusht të
përfitojnë mbi arritjet e grupit tonë…
Edhe po të më thoshte, s’do ti vija faj, në
kohën kur shkollimi i fëmijëve kushton aq shumë, kur arredimi i mjediseve
familjare aq i nevojshëm në përshtatje me kohën kushton gjithashtu dhe është
tregues i mënyrës sesi ti jeton, kur udhëtimi dhe festat janë përmasa të jetës
moderne, kur komunikimi ndërkulturor ka kosto të konsiderueshme, botimi I
librave po kthehet në një makth. Të dhimbset vuajtja personale e procesit
krijues, ngjarja dhe personazhet që ke krijuar dhe mund të vjetrohen, plaken
apo dalin jashtë kohe pa u botuar, nga ana tjetër të krijosh borxhe familjare
me librat e tu dhemb gjithashtu…
C. Ora e mësimit, apo çasti
krijues?
1. Cila anë ja merr shoqes në jetën e Lulzim
Logut: -puna e profesorit apo puna krijuese?
Të them të drejtën, për të ruajtur respektin
e profesionit sot, të merr shumë kohë, sidomos azhornimi me të rejat shkencore
dhe informacionin e duhur për mësimdhënie, disa aspekte burokratike të tij të
nervozojnë dhe të humbasin kohën e nevojshme të procesit krijues, shto këtu
edhe ethet ditore të jetës, gjithësesi
përpiqem të ruaj një ritëm adekuat dhe një ekuilibër të domosdoshëm mes të
dyjave.Por vazhdimisht ndjej se humb procesi krijues, në një kohë që rritet
gjithnjë e më shumë nevoja të zhytem më thellë brenda tij…
E çuditshme Zeqir, poezitë më bukura, kujtoj se i kam shkruar gjatë kohës së mbledhjeve, sidomos të atyre mbledhjeve të gjata burokratike, kur drejtues të paaftë fshehin paaftësinë e tyre në procedura koti, kam shkruar gjithashtu në pauza udhëtimesh, duke u përpjekur të ruaj vlerën e veçantë të një përjetimi apo “goditje poetike”, ndërsa gjatë orëve të mësimit thjesht kam veçuar motivin, që më pas ka shërbyer si shtrat krijues.
3. Ku e sheh veten me shumë, në stilin
klasik, në hajkun që po behet modë bashk-kohore apo në “realizmin demokratik”?
Aktualisht këto vitet e fundit, jam i
dashuruar me hajkun, por edhe me tankan, natyrshëm ato kanë mbërritur tek unë
si nevojë e ndryshimit të kodit komunikues me lexuesin e ri të kohës. Poezia po
bëhet gjithnjë e më elitare, ka humbur lexuesin masiv dhe ka fituar lexuesin më
të rrallë, por më selektiv dhe më të vëmëndshëm.
Hajku ka ngjeshje të vargut dhe figuracionit,
kërkon metaforën e gjetur dhe emocionin që godet, por edhe mendimin e matur dhe
përvojën e përmbledhur në pak fjalë. Në prozë jam më klasik, por më duket si
edhe këtu ka ardhur koha e tregimit që mbart mesazh, që e përcjell natyrshëm
atë dhe i shërben lexuesit të reflektojë brenda vetes së vet, duke gjetur
momentin e duhur psikologjik, duke përmirësuar natyrën e momentit njerëzor,
duke e bërë atë më të kthjelltë në ditët e tij.
Më duket se asnjëherë nuk I kam kërkuar si
qëllim në vetvete, lirshëm ato kanë trokitur në mua, më është dashur tu gjej
kohën dhe hapësirën e duhur brenda meje dhe më pas t’ua tregoj të tjerëve si
përjetim, duke ndarë me lexuesin të qënit bashkëjetues të këtij çasti njerëzor, dashuri apo urrejtje
qoftë, dhembje apo përbuzje, triumf apo humbje.
5. Lexuesit, gjithmonë duan të dijnë se
ç’farë po gatuajmë per ta.
Kam në proces botimi librin me 300 hajku,
ndërkohë që në procesin krijues është libri i katërt që i përket kësaj gjinie.
Kam përfunduar librin e ri me tregime dhe novela, po punoj në një libër
publicistik, ndërkohë që fushata e gjetjes së fondeve është një ankth i
vërtetë, që ndonjëherë na bën të dyshojmë në vlerën e këtij mundimi…
Por përsëri të nesërmen ja fillojmë të
shkruajmë përsëri, të shkruarit është si dashuria, ndonjëherë pauza të gjata
mungese dhe hezitimi, pasohen nga periudha intensive puthjesh dhe përqafimesh,
sikur vdekja të pret pas dere dhe s’do të kthehesh më në këtë lloj përjetimi…
D. Krasniqja e Vendit, djep
artistësh e poetesh
1. Në ç’rraport e sheh traditen historike e
kulturore me kohën që jetojme?
Gjithmonë kam menduar se ka kronologji dhe
lidhje organike mes kohëve dhe traditave, pavarësisht dukjes se s’kanë asesi
lidhje të mundmshme midis tyre. A nuk kanë shërbyer Cikli i kreshnikëve, Këngët
Lirike të traditës si udhërrëfyese dhe ushqim luksi për traditën dhe shkollën
poetike mjaft të njohur tropojanë, për ritmet e papërsëritshme të valleve dhe
tingujt magjikë të këngëve?! A nuk janë në sinkron modern bukuritë e rralla
natyrore, monumentet e pafund natyrore, me pasuritë e shumta kulturore të zonës?!
Duke mos përjashtuar modifikimet e duhura
kohore, selektimet e domosdoshme të përshtatjes së tyre, thelbi dhe ruajtja e
tij, pra e gjurmës së traditës, mbetet detyrim kulturor, dëshmi e ekzistencës
dhe e organizimit shekullor, pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Mohimi
i tyre në emër të modernes përbën anakronizëm, sikurse shpallja e vlerave të
tyre si të pandryshueshme në rapot me kohën dhe ndryshimin e mentalitetit
social të njeriut.
2. Fshati Bujan është fshati i Skënder
Buçpapajt, i Fatmira Breçanit… i Sokol Arifit, Skënder Dozhlanit etj…, si ndjehesh mes kolegëve të degjuar?
Bujani është Atdheu i Skender Buçpapajt dhe i
Skender Sherifit, është dheu i Sokol Arifit, bardit të rrallë që dinte
përmëndësh mijra vargje, që shkruante libra pa ditur shkrim as lexim, i zerit
melodioz të Fatmira Breçanit që u brumos bjeshkëve, Bujani frymëzon Skender
Dozhlanin, të japë ritme të rralla muzikore që kalojnë kontinentet, Bujani i
dhjetra poetëve, valltarëve, politikanëve, gazetarëve.Një trevë e rrallë, të cilës
me krenari i përkas dhe ndjehem i lumtur për këtë.
Bujani që përcaktoi momente madhore në
historinë tonë kombëtare, Bujani që i dha kombit heronj të lavdishëm dhe
dëshmorë të paharrueshëm, Bujani si udhëkryq i rrugëve të reja që prijnë kah
Evropa, Bujani më histori 90 vjeçare të shkollës shqipe, Bujani aq i lakmuar
turistik me Valbonën dhe kullat malësore, Bujani me Livadhin e Turkut ku u
shemben ushtri të perandorive të kohës, Bujani i vjetër dhe Bujani i ri…
3. Cilin poet tropojan kemi më per zemër?
Nuk po flas për Paplekajn, Buçpapajn, Mustafajn, Alinë që me disa të tjerë përbëjnë tashmë një Fond Të Artë të Poezisë shqiptare. Këto kohë poezia e Almona Bajramit, Migena Ramës dhe e Manjola Brahës më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje për tisin modern dhe angazhimin social.
4. Si punon profesor Logu me talentet e rinj
sot, në Bajram Curri?
Në fakt shumë njerëz më ngatrrojnë si
profssor letersie, por unë jam profesor
i kimisë, biologjisë dhe informatikës, por që çdo cast mendon për poezinë dhe
punon me sinqeritet dhe përkushtim për talentet e reja që burojnë çdo ditë në
“fidanishten poetike tropojane” .
Atëbotë, pata kërkuar të studjoj vetëm për
letërsi, mu mohua kategorikisht kjo mundësi, (natyrisht që se kam klasifikuar
ndonjëherë si “persekutim”, anipse nuk lashë zyrë shtetërore, deri tek ministri
i arsimit dhe më lart, duke e kërkuar këtë degë...!).
Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë e
ka të përcaktuar në statutin e tij si detyrim punën me talentet e rinj, kjo
konsiston në këshillim, redaktim dhe reçenca të librave të autorëve të rinj, në
mbështetje të botimeve më të mira, në promovimet e librave të botuar dhe në
përcjelljen e kritikës së tyre. Njëhkohësisht të rinjtë janë shpirti i klubit,
në aktivitetet me karakter lokal dhe kombëtar, në organizimin e mitingjeve dhe
festivaleve poetike, por edhe në festimet e mëdha kulturore.
5. Të telefonojnë njëkohësisht per kafe edhe
Gjon Neçaj edhe Asllan Osmani. Cilit i thua -
Pyetje e vështirë?!
Ka disa kohë që i them” po” edhe Asllan
Osmanajt, kur e kam zbuluar një vlerë të veçantë të vargut të tij poetik rebel,
të një makthi poetik që rrallë e gjen tek autorë të tjerë.
E. Lulzim Logu dhe Kosova
1. I madhi Ali Podrimja e ka shkruar por edhe
per çdo tropojan: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. -
Natyrisht, ky varg i përket edhe trevës tonë
dhe çdo tropojani!
Të shtoj këtu se ka qënë fat për mua njohja
dhe miqësia me Ali Podrimjen, sikurse me dhjetra krijues të tjerë të Kosovës,
sidomos këtë dhjetëvjeçarin e fundit. Por e veçoj gjithmonë miqësinë me Aliun,
Din Mehmetin…
Ishin të mëdhenj në dashurinë për Shqipërinë dhe Tropojën në veçanti, për vargjet që u kushtuan atyre, për përpjekjet e tyre të mëdha për integrimin kulturor! Me propozimin tonë Din Mehmeti u bë nderi i Tropojës, ndërsa ditët e fundit, shkolla e re 9 vjeçare e qytetit mban emrin e pavdekshëm të Ali Podrimjes.
Podrimja erdhi tre herë në Tropojë, i ftuar
prej nesh, herën e fundit, para disa muajsh në aktivitetin tashmë tradicional
“ORA E POEZISE” dhe përherë dëshironte të vinte, të bisedonte dhe recitonte para
publikut, të shkonte në Valbonë, apo ta pinte një birrë me poetët e rrallë
tropojanë, siç shprehej ai rëndom.Vdekja e tij dhe e Din Mehmetit kanë qënë
momente vertet emocionale dhe drithëruese për mua, vdekje e njerëzve të afërm
që të donin dhe bisedonin lirshëm me mua dhe miqtë e mi dhe Tropojën e nderonin
dhe vlerësonin kudo ku shkonin.
Të kthehem edhe njëherë tek vargu hit i
Podrimjes, armiqtë në shekuj janë përpjekur për copëtimin fatal të Shqipërisë,
gati për 50 vjet Tropoja ishte e shkëputur nga kryeqëndrat e veta historike:
Gjakova, Peja dhe Prizreni, Tropoja historikisht është konsideruar si Malësi e
Gjakovës.
Por siç thotë poeti ynë i njohur Hamit Alia, orët e historisë janë kthyer mbarë dhe kurrë më s’do të mund të kthehen mbrapsht, akrepat historikë tashmë punojnë për shqiptarët dhe Kosova mbetet gjaku që nuk falet kurrë, për të cilën shumë tropojanë e dhanë jetën dhe falen rininë dhe ëndrrat e tyre…
2. Nga mesi i viteve ’70, një nga udhëheqësit
e Tropojës, më ka bërë mua (at’herë gazetar i ri), një vërejtje të ashpër: -Pse ti Zeqir e
shkruen nëpër gazeta Malësia e Gjakovës?! Ne nuk jemi Malësia e Gjakovës por
rrethi i Tropojës…! Ta kujtova këtë fakt, per të dalë te pyetja: -Si e
perjetojnë sot shkrimtarët e artistët tropojanë këtë çlirim shtetror e
shpirtëror me Kosovën?
Për të gjithë ka qënë liria e ëndërruar dhe e
merituar, ka qënë realizimi i shumëpritur, dita më e madhe të cilën e kanë
dëshiruar ta presin, siç thashë më lart, edhe në këmbim të jetës së tyre.
Realisht jemi Malësia e Gjakovës, por shpesh ka edhe kontestim, keqkuptim dhe
nihilizëm ndaj historisë ndonjëherë si në Gjakovë, por edhe në Tropojë.Por këta
janë zëra të dobët, ndërkohë që afrimi dhe bashkimi sidomos përmes kulturës dhe
traditës tonë të përbashkët i bën të shurdhët këta zëra. Nëna ime është
gjakovare dhe unë krejt jetën e kam ndjerë gjysmën time të gjakut dhe të
shpirtit atje, gjyshi dhe gjyshja ime e perjetuan gjithmonë deri sa vdiqen
ndarjen nga dheu i tyre dhe tash unë e ndjej triumfin edhe në emrin e tyre.
Për krijuesit tropojanë liria e Kosovës ka
qënë simbolikisht një hapje e madhe në horizont, një dritare gjigante pa
kanata, nga ku fryn era e shpresës, e komunikimit global dhe horizonti ndrin me
dritën e së ardhmes evropiane. Tetë vjet më parë, me inisiativën e poetit dhe
publicistit të njohur gjakovar, Tahir Bezhani, nip Tropoje, krijuesit e
Tropojës dhe të Gjakovës kanë filluar bashkëpunimin tashmë të pandalshëm jo
vetëm kulturor, i zgjeruar më pas me Pejën, Malishevën, Klinën, Deçanin,
Mitrovicen për të shkuar kah Rozhaja në Mal të Zi, në Shkup, Presheve e ngado
viseve shqiptare.
Tash e katër vjet me rradhë organizojmë së
bashku me Klubin Letrar “ Gjon Nikoll Kazazi “ Gjakovë Mitingun e Poezisë, i
cili po plotëson 50 sezone që nga krijimi, jemi permanent në “ Takimet e Azem
Shkrelit” në Pejë, në “ Ditët e Tahir Deskut” në Klinë, në “ Flaka e janarit”
në Malishevë, tek “Ora e Maleve “ në Rozhajë etj.
Së bashku udhëtojmë drejt Lezhës në ”Ditët e
Fishtës” në Tiranë tek “ Poeteka Mbarëkombëtare Bytyçi” prapë bashkë drejt
Gjirokastrës në takimet e Pegasit… Botojmë libra të përbashkët, përfshihemi së
bashku në antologji brenda dhe jashtë vendit, nxjerrim gazetë të përbashkët,
shkojmë festivaleve folklorike me renome si “Sofra Dardane”, “Anadrinia jehon”,
“Traditat e Rugovës”…etj.
3. E motivuar edhe nga miqësia me të
nderuarin shkrimtar e poet Sejdi Berisha, më thuaj se: -A të duket Peja qyteti
me i bukur i Kosovës?
Mendojmë njëjtë Zeqir, kështu kam menduar edhe pa u njohur akoma me Sejdiun, ndoshta këtu ndikon natyra e përafërt, lartësia gati e njëjtë mbi nivelin e detit, moti dhe bora ,bjeshkët, por dhe shpirti i pastër dhe fisnik i njerëzve të kësaj ane, me të cilët historikisht edhe para, gjatë dhe pas luftës kemi pasur koordinata të përbashkëta të traditës, kulturës dhe atdhedashurisë. Një qytet me bjeshkë si Rugova, me lumë si Lumbardhi, me veshje dhe valle popullore të mrekullueshme, me liqenj alpine, me bimë dhe kafshë të rralla, me poetë dhe shkrimtarë të spikatur, një qytet me hapësirë dhe zhvillim evropian e bëjnë Pejën ndoshta më të bukurin e Kosovës.
Sejdi Berisha?!
Segment i natyrshëm i këtij realiteti,
zëdhënës fisnik i popullit dhe vendit të vet, ikonë dhe emblemë e kulturës pejane, krenari dhe dëshmi e
epokave historike të Pejës, resurs i madh i saj, shtysë e jashtëzakonshme për
ta vizituar shpesh këtë qytet. Njohja dhe miqësia me të, mbetet një arritje e
jona që pa modesti e shpallim dhe e mbrojmë me shumë fanatizëm. Jo thjesht për
shkak të 30 veprave të botuara, sesa prej faktit se çdo cast prej tij mund të
përfitosh ndjenja krenarie, madhështie dhe afirmimi kah e verteta nacionale.
4. Guxoj të të pyes, se edhe nuk jam shume në
kontakt: -Me teper është shkruar per Kosovën kur ishim të ndarë, deri edhe në
monizëm, apo tani që ju biem trumpetave të lirisë?
Shumë është shkruar edhe atherë, por brenda
një prizmi, ku faqet ishin pak a shumë të njëjta përsa i përket tematikës, kur
Kosova fitoi lirinë vërshoi motivi patriotik dhe hyjnizimi atdhetar, tani ka
një lloj pause apo lloj reflektimi, trumpetat kanë pushuar, por hera herës
degjohen kembana që ndihen të forta në horizont, ndoshta për të rrëfyer se
askush më nuk mundet të harrojë dhe të anashkalojë atë. Si të them, tash Kosova
është natyrshme pjesë e halleve dhe gëzimeve tona të përbashkëta, cope e zemrës
që rreh, vuan apo dashuron si e tëra…
5. Një djal i ri kosovar më ka thënë një ditë
tekstualisht keshtu: -Kurr Kosova nuk e ben per Shqipërinë at’ që ka bërë
Shqipëria per Kosovën! Si mendon poet-shkrimtari Lulzim Logu?
Kurrë nuk e dëshiroj kontekstin e këtij diskutimi,
nuk i qasem këtij raporti, edhe kur më shtyjnë të them diçka pohoj se Shqipëria
ka bërë natyrshëm atë që i takonte, siç Kosova patjetër do ta bënte të njëjtën.
Dy copa të një zemre apo jo, ku qarkullon i njëjti gjak?!...
-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, Janar 2013-