Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Begzad Baliu: Kosova - Fundi i një padrejtësie historike

| E hene, 28.04.2008, 04:42 PM |


Begzad Baliu
KOSOVA – FUNDI I NJË PADREJTËSIE HISTORIKE

Nga Prof. as. dr. Begzad Baliu

Universiteti ”Eqrem Çabej” në Gjirokastër, më 4 prill 2008, organizoi një konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar Kosovës: gjuhës, historisë, kulturës, zhvillimit të saj në rrjedha të shekujve, statusit juridik dhe perspektivës së saj. Në konferencë morën pjesë studiues të Universitetit të Gjirokastrës, të Universitetit të Prishtinës, të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe institucioneve të tjera shkencore. Megjithëse, emërtimi tematik i konferencës ishte ”Kosova në rrjedhat e shekullit XX”, aty u shtruan dhe u diskutuan shumë çështje të mprehta në rrafshin aktual, paravajtës e prapavajtës.
Fjalën e hapjes e mbajti rektori i Universitetit Prof. dr. Gëzim Sala. Duke i bërë një paraqitje të përmbledhur të temës së Kosovës, Profesor Sala, në fjalën e tij përkujtoi se kjo është konferenca e dytë shkencore që punonjësit e këtij universiteti e organizojnë brenda dhjetë vjetësh dhe fatet e saj, kryesisht brenda shekullit XX, i bëjnë objekt studimi. Nëse në vitin 1999 konferenca për Kosovën organizohej, dhe me kumtesa prezantoheshin vetëm mësimdhënësit e Universitetit të Gjirokastrës, në Konferencën e këtij viti rrethi ishte më i zgjeruar, dhe në të ishin ftuar mësimdhënës e studiues nga Kosova.
Pjesëmarrësve në këtë Konferencë u kishte dërguar një përshëndetje edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Profesor Fatmir Sejdiu, në të cilën ndër të tjera thuhej: “Projekti Juaj për të shënuar në shkallë të një sesioni shkencor aktin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është një nder dhe respekt me të cilin Ju u bëni kolegëve tuaj universitarë dhe njëkohësisht të gjithë qytetarëve të Kosovës. Prandaj, më lejoni që, në këto çaste pune e angazhimi në Kosovë, Shqipëri dhe në gjithë botën demokratike, për të ndërtuar shtetin më të ri në botë, të Ju përshëndes dhe të Ju uroj punë të mbarë e suksese. Kosova po kalon nëpër një periudhë të ndjeshme dhe njëkohësisht shumë të vrullshme në riorganizimin e institucioneve të saja demokratike, për të realizuar ato premisa të domosdoshme, të cilat duhet t’i ketë një shtet për të gjithë qytetarët e saj. Le të besojmë se e! dhe sesioni juaj shkencor “Kosova në rrjedha të shekullit XX”, do t’i shërbejë këtij synimi dhe këtij qëllimi”.
Gjithashtu, në emër të studiuesve të Kosovës, rektorit të Universitetit të Gjirokastrës Prof. dr. Gëzim Salës, iu dhurua flamuri i Republikës së Kosovës.
*
Sikur ndodh përgjithësisht në Konferencat shkencore të kësaj natyre, vendin kryesor dhe më të madh e zënë kumtesat me temë nga historia: zhvillimet e brendshme, rrethanat e kohës, të krahasuara edhe me fatet e popujve të shteteve fqinje dhe ndikimi i shteteve më të fuqishme në botë.
Të shtruara në kontekstin kronologjik, për zhvillimet e brendshme historike shqiptare flisnin kumtesat e studiuesve: mr. Elvira Shapllos (Kryengritjet e viteve 1910, ’11, ’12 dhe ndikimi i tyre në shpalljen e Pavarësisë 1912); Prof. as. dr. Gëzim Salës (Qëndrimi i shtypit të diasporës shqiptare ndaj çështjes së Kosovës në vitet 20); Prof. as. dr. Lush Culajt (Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe mbështetja në shtetin shqiptar 1918 -’20); mr. sc. Merxhan Avdylit (Kosova e demostratave të vitit 1981); dhe Prof. dr. Emin Kabashit (Lufta e UÇK-së dhe proceset historike të kombit shqiptar).
Në kumtesat e tyre ata theksuan se historia e Kosovës, në të vërtetë është historia e popullit shqiptar, madje edhe atëherë kur ajo identifikohet vetëm me disa nga vendbanimet dhe heronjtë e saj, sikur ndodh në fund të shekullit XIX, e në fillim të shekullit XX, kur fati i fshatrave të Sanxhakut të Nishit dhe fati i Kosovës morën përmasa tragjike. Kryengritjet e gjera në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, si dhe mbetja e saj jashtë kufijve të Shqipërisë, bënë që Kosova të bëhet shenjë e veçantë në hartën e Ballkanit dhe të Evropës, si dhe referencë qendrore e shtypit kombëtar e ndërkombëtar. Kjo gjendje prodhoi kryengritës, si Isa Boletini e Azem Bejta, organizata politike, siç Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe lëvizje ushtarake e politike, sikur ishin ato të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Pas aktiviteteve shumë të fuqishme ushtarake dhe politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila pati ndikim jo vetëm kombëtar e rajonal, por edhe ndërkombëtar, kryengritjes së viteve 1908-1912, kryengritjes së armatosur në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe demonstratave të vitit 1968, demonstratat e vitit 1981 paraqesin njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës. Është e kuptueshme prandaj, pse në këtë konferencë, temën e madhe të kësaj kthese historike e ligjëroi njëri prej idealistëve të kësaj periudhe dhe njëri prej pjesëmarrësve e drejtuesve të këtij procesi, mr. sc. Merxhan Avdyli. Demonstratat e vitit 1981 shënojnë ato kthesa të mëdha që kanë shënuar luftërat, kryengritjet dhe vendimet historike të pas vitit 1912. Në këtë kontekst edhe vlerësimi i tij del i karakterit historik. “Ngjarjet e vitit 1981, -tha Avdyli, -janë ndër ngjarjet më të domosdoshme historikisht, më të ! rëndësishmet politikisht dhe më domethënëset kombëtarisht, ngjarje, të cilat kanë bërë kthesë të madhe dhe vendimtare në ndërgjegjen politike dhe kombëtare të shqiptarëve”.
Për më shumë se gjysmë shekulli shqiptarët, kudo që ishin, u mjaftuan me hapësirën e tyre shtetërore (Shqipëri), me lirinë e tyre të demokracisë perëndimore (Europë dhe Amerikë) dhe me “robërinë” e tyre ideologjike (Shqipëri) e politike (ish-Jugosllavi). Kjo është arsyeja pse ata u mjaftuar me institucionet e tyre kombëtare (Shqipëri), me institucionet e tyre të pakicave kombëtare (Kosovë) dhe me institucionet e tyre të vullnetit të mirë (Europë dhe Amerikë). Është dashur të lindte një organizatë jo vetëm e përkushtimit intelektual dhe refuzues, por e angazhimeve kryengritëse dhe flijuese, që të përmbysë konceptet e mendjes së vetëmjaftueshmërisë dhe mendjes së robëruar shqiptare. Po në këtë rrjedhë, Prof. dr. Emin Kabashi trajtoi proceset historike të kombit shqiptar dhe frymën që solli lufta e UÇK-së.
Është dashur të lindte një institucion, sikur ishte UÇK-ja, që ta projektonte të kaluarën si një vijimësi të pashkëputshme të Lëvizjes Kombëtare, të asaj fryme që përcaktoi parimet 500-vjeçare të programeve kombëtare dhe rrjedhojave të tyre: që nga Kuvendi i Lezhës e deri te Lidhja e Prizrenit, apo që nga Kryengritjet për pavarësi të fillimit të shekullit XX, deri te Lufta e UÇK-së. Pra, tërë ky proces i gjatë kishte edhe referencat e tij historike: luftën e Skënderbeut, - si kryengritje nacionale e si reflektim në procesin e civilizimit europian të kohës dhe luftën e UÇK-së, në fund të shekullit XX, që reflektoi përmasën universale të lirisë dhe trokitjen e saj në ndërgjegjen e diplomacisë euro-amerikane. Në këtë mënyrë ajo rindërtoi filozofinë politike të asaj tradite luftarake, e cila gërshetohej prej përbërësve themelorë të mendimit politik të Lëvizjes Kombëtare, prej pritjes që po i bëhej asaj në ! kancelaritë europiane dhe prej përkrahjes historike që kishte marrë dikur, e priste të merrte edhe më tej nga diplomacia amerikane.
Kishin të drejtë.
Themeluesit dhe bartësit e saj kishin mësuar prej historisë, se në fillim të shekullit XX politika dhe diplomacia amerikane e drejtuar nga Presidenti Wilson, duke mbrojtur Lëvizjen kryengritëse antiosmane dhe duke përkrahur Lëvizjen Kombëtare proeuropiane, me votën e tij kishte ndihmuar popullin shqiptar për të shpëtuar nga rreziku që i vinte nga fqinjët. Prandaj, ata besonin se dora e fuqishme e Amerikës që në fillim të shekullit XX rrezatonte parimet e demokracisë universale, në fund të këtij shekulli do të dilte me përkushtimin e fjalës edhe të forcës, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë edhe të popullit të Kosovës.
Gjatë tërë shekullit të kaluar, këto përpjekje mbinjerëzore kaluan nëpër periudha të rënda shpeshherë edhe të vetmisë së madhe. Por dy skajet e shekullit u përshkuan me dy pikëtakime me peshë të jashtëzakonshme. Prej presidentit Wilson në fillim të shekullit XX e deri tek presidenti Bill Clinton në fund të tij, përpjekjet për lirinë e trojeve shqiptare nuk reshtën asnjëherë.
Të para në këtë sfond, zhvillimet historike në Kosovë janë përcjellë dhe janë diktuar kur më shumë e kur më pak edhe nga ndikimet e jashtme, të shteteve fqinje dhe të qeverive botërore. Kjo është arsyeja pse disa nga studiuesit, në kumtesat e tyre sollën të dhëna të reja arkivore, burime të tjera historike apo analiza të rëndësishme për qëndrimin e kancelarive ndërkombëtare ndaj Lëvizjes Kombëtare në Kosovë.
E kësaj natyre ishte kumtesa e Prof. asoc. Abaz Mullai, (Politika e Rusisë ndaj territoreve shqiptare deri në fund të shekullit XIX), me të cilën autori ynë solli një analizë thelbësore të politikës ruse ndaj çështjes ballkanike në përgjithësi dhe ndaj çështjes shqiptare në veçanti; kumtesa e dr. Shyqyri Hysit (Platforma për “Serbinë e Madhe” dhe elaboratet antishqiptare serbe), me të cilën ai u bënte kritikë qarqeve politike, akademike, kulturore, arsimore dhe madje religjioze serbe, si dhe Programeve të tyre gjatë dy shekujve të fundit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te Naçertanja e Garashaninit (1844); Programi i Vasa Çubriloviqit “Dëbimi i arnautëve” (1937); Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave (1986) etj; kumtesa e prof. as. dr. Bektash Mema (Çështja e Kosovës në konferencat ndërkombëtare), ku sillte një sintezë analitike të diskutimit të çështjes së Kosovës në forumet ndërkombëtare, në të ci! lat në të vërtetë u përcaktua fati i popullit shqiptar dhe veçanërisht fati i Kosovës; si dhe kumtesa e mr. sc. Sylë Ukshinit (Bashkimi Europian dhe Kosova), me të cilën ai arrinte në një përfundim thelbësor: “Kosova u bë katalizator i zhvillimit të politikës së jashtme europiane dhe i kornizimit të identitetit politik europian. (...) Aty u dëshmua vendosmëria europiane për integrimet postnacionale”. Më shumë se njëqind vjet pasi Jeronim de Rada, në esenë historike të tij Shqipëria përballë Europës, i bënte një kritikë të fuqishme Europës së Kongresit të Berlinit, studiuesi ynë Sylë Ukshini këtu gjen rastin të vlerësojë Europën e sotme për vendin që ia ka caktuar Kosovës në strukturën e ardhshme të saj.
*
Epika historike është një prej gjinive e llojeve letrare, e cila e ka përcjellë nëpër shekuj dhe sot vazhdon ta ndriçojë një traditë të pasur dhe të lashtë të marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët. Studiuesit Prof. dr. Gëzim Rredhi (Aspekte të mbijetesës kosovare në epikën historike 1978-1999) dhe Prof. dr. Zymer Neziri (Kënga epike dhe lufta çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë gjatë periudhës së robërisë serbe 1912-1999), e kanë trajtuar këtë komunikim mes poetit popullor dhe historisë, në përmasa mjaft të gjera dhe të veçanta. Sikur e kanë vënë re studiuesit e letërsisë popullore, këtë përvojë të kohës homerike, ashtu sikur edhe bardët europianë të Rilindjes Europiane, këngëtarët tanë të epikës e kanë përcjellë brez pas brezi, e kanë bartur betejë pas beteje, jo vetëm të periudhës parasllave e paraosmane, por edhe të Epokës së Skënderbeut, tç Pashallaqeve shqiptare, të betejës së Oso Kuk?! ?s, të rikthimit të sllavëve në fillim të shekullit XX, të Lëvizjes kaçake, të fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe të Luftës së UÇK-së.
Legjendat thonë se, pas vdekjes së Skënderbeut vashat shqiptare mblidheshin në mbrëmje dhe i këndonin trimërisë dhe lavdisë së tij, se Bonaparti e merrte me vete veprën e Macphersonit në betejat e tij, se Oso Kuka ka ndezur Kullën e barotit duke kënduar, se Isa Boletini e Shaban Polluzha sa herë ktheheshin pranë oxhakut, dëgjonin një këngë të re për vete, se Rexhep Mala e Nuhi Berisha ishin vrarë nga policia serbe me këngë në gojë, se Adem Jashari u ka thënë në shtëpi: kur ta kem ndalur këngën duhet të kuptohet se jam vrarë, se ndër beteja Mujë Krasniqi në njërën anë mbante armën e në anën tjetër çiftelinë etj. Në këtë mënyrë dhe në këtë proces, kënga epike shqiptare, është bërë pjesë e historisë dhe vetë historia: koha, hapësira, përmbajtja, heronjtë. Bota krijuese e bardëve të këtyre këngëve, është shumë e pasur, disa prej të cilëve marrin pjesë drejtpërsëdrejti në ngjarjet historike. Pra, nuk ! janë këngëtarët vetëm ushtarë që këndojnë për t’u frymëzuar dhe për të frymëzuar të tjerët, as vetëm këngëtarë të verbër që mbledhin faktet dhe i bashkojnë në një tekst epik prej qindra vargjesh, as vetëm vajza që përcjellin mallin për të kaluarën e lavdishme të Skënderbeut, por edhe këngëtarë që merrnin pjesë në beteja: Bala, ai që bëri këto këngë qe një ushtar i madh - Gavrill Dara i Riu, (Epoka e Skënderbeut); Sali Uglla i Sanxhakut të Pazarit (luftërat e betejat shqiptaro-malazeze të epokës së Lidhjes së Prizrenit); Metë Rrustemi - Nilaj (periudha e kryengritjeve antiosmane në Kosovë 1908-1912); Sefer Beçuku (kryengritjet antijugosllave të Luftës së Dytë Botërore), Mujë Krasniqi (betejat e UÇK-së) etj.
Një vend si Shqipëria në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, e cila ka kaluar nëpër situata shumë të vështira dhe periudha të gjata dhune, konflikti e lufte, është e kuptueshme, të ketë prodhuar dhe madje të vazhdojë të prodhojë një epos kaq të pasur, brenda të cilit, bardët e eposit kanë ruajtur kujtesën dhe vlerat më të çmuara historike, materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Ndoshta, mu për faktin se ata ishin pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve historike, në këngët e tyre ka kaq shumë përjetime të brendshme, po edhe shije estetike edhe semantike të ndërtimit e të rindërtimit të jashtëzakonshëm të figurave dhe ngjarjeve historike, apo edhe këtu vazhdon natyrshëm tradita mijëvjeçare e famës së eposeve dhe bardëve të tyre të njohur: Homeri, Virgjili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Balzaku, Tolstoi, Dostojevski, De Rada, Fishta etj.
*
Në dy kumtesat e tyre, Prof. dr. Agim Vinca dhe Prof. as. dr. Roland Zisi, merren me zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosovë. E sintetizuar si zhvillim i brendshëm (gjini dhe lloj) dhe si sintezë historike (diakroni, sinkroni), letërsia shqipe u trajtua si vlerë e përgjithshme historike dhe estetike e letërsisë shqipe, por që në rrethana të caktuara historike, politike dhe hapësinore, në të cilat u zhvillua, ajo mori disa veçanti, të cilat e bëjnë të dallohet nga letërsia e përgjithshme shqiptare. Në kontekstin historik letërsia shqipe e shekullit XX, në Kosovë ka pasur bardët dhe institucionet e saj letrare e shkencore, të cilave fillimisht iu ka prirë Esad Mekuli dhe revista letrare “Jeta e re”. Rreth kësaj reviste dhe botimeve të tjera të “Rilindjes”, janë mbledhur një numër i madh krijuesish letrarë, prej të cilëve sigurisht do veçuar, poetët, prozatorët, dramaturgët dhe kritikët e letërsisë: Esad Mekuli, Adem Dema! çi, Ramiz Kelmendi, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Anton Pashku, Rrahman Dedaj, Murat Isaku, Ali Podrimja, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Jusuf Gërvalla, Bajram Krasniqi, Emin Kabashi, Beqir Musliu, Mehmet Kraja etj.
Në këtë konferencë studiuesit tanë theksuan prirjet dogmatike, të cilat e përcollën mendimin letrar dhe kritik në Shqipëri, si dhe pengesat për të shquar shenjat nacionale në letërsinë e Kosovës, pavarësisht prej mundësive për të mbajtur qëndrim pluralist ndaj vlerave estetike të saj. Mbase kjo është arsyeja pse në Kosovë janë zhvilluar të gjitha gjinitë letrare, madje sikur ka theksuar kritika letrare shqipe sot: poezia më me sukses se proza (Elsie), drama në përmasa modeste, kritika më shumë se historia e letërsisë etj.
Zhvillimet historike, politike, kulturore e gjuhësore në Kosovë gjatë shekullit XX kanë pasur edhe bartësit e tyre. Është e kuptueshme prandaj, pse edhe kumtesat e paraqitura në këtë konferencë përshkoheshin prej bartësve të kryengritjeve e betejave, kthesave të mëdha, vendimeve historike, flijimeve të mëdha, projekteve kombëtare, vetëdijes historike të bartësve të zhvillimeve kulturore e shkencore, vetëdijes kritike mbi gjendjen në botën shqiptare dhe perspektivës së saj etj. Në këtë rrjedhë, kumtesat e kësaj konference identifikonin edhe personalitetet, të cilët paraqesin nyjat historike, politike, kulturore e shkencore në historinë e Kosovës: Isa Boletini, Shaban Polluzha, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Esad Mekuli, Adem Demaçi, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Ukshin Hoti, Hydajet Hyseni, Ibrahim Rugova, Jakup Krasniqi etj.
Studimi i Prof. as. dr. Artur Lamajt, merrej me konceptet politike të njërit prej personaliteteve që ka kulmuar ligjërimin politik të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI: Rexhep Qosjes. Biografia e tij jetësore dhe intelektuale e ka pasuruar lëvizjen mendore, kulturore, politike dhe historike. Gjatë kësaj periudha prej rreth gjysmë shekulli Rexhep Qosja është shquar në mënyrë të veçantë me përpjekjet e tij integraliste në fushë të mendimit shkencor dhe për etikën e fjalës e të mendimit në kulturën shqiptare, në kohën kur ajo ndahej për shkaqe politike, ideologjike dhe ‘parimore’. Në vitet ’70 ai është shquar për përpjekjen e tij që kulturën shqiptare ta paraqes si pjesë integrale dhe të natyrshme të kulturës europiane, sado kjo përpjekje e ka vënë në konflikt me regjimin e ideologjizuar të institucioneve politike dhe shkencore të Tiranës; në vitet ’80, ai e ka mbrojtur me këmbëngulje t! ërësinë nacionale të kulturës, letërsisë dhe historisë kombëtare, si dhe përbërësit evropianë të qytetërimit shqiptar, sado kjo e ka vënë në konflikt me institucionet politike dhe shkencore të Beogradit; ndërsa, pas demonstratave të vitit ’81 ai u bë pjesë e lëvizjes së madhe kombëtare në mbrojtjen politike, fizike dhe qytetare të popullatës shqiptare në Kosovë nga gjenocidi i politikës së Beogradit, duke u bërë edhe bardi moral e intelektual i saj. Në dekadën e fundit, kur zëra të caktuar filluan të shquajnë karakterin krahinor (të kulturës shqiptare), dialektor (të gjuhës shqipe) dhe përdallues (të religjionit të shqiptarëve), duke e shquar njërin më shumë se tjetrin dhe madje njërin kundër tjetrit, Rexhep Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen perëndimore apo lindore të tij.
*
Toponimia është njëra prej shenjave më të dalluara të publicistikës, historisë dhe politikës serbe, me të cilën ajo përpiqet të mbrojë të drejtën e saj historike mbi Kosovën. Kjo është arsyeja pse në këtë konferencë shkencore kjo temë u bë objekt referimi dhe diskutimi kritik. Prej Periudhës së Lidhjes së Prizrenit e deri në fund të shekullit XX, pushtetet serbe të përkrahura edhe nga institucionet akademike, shkencore, kulturore dhe madje religjioze, në hapësirën etnike shqiptare kanë kryer dy misione paralele: dëbimin e shqiptarëve dhe ndërrimin e emërvendeve e kolonizimin e tyre me serbë të ardhur nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia etj. Kjo është arsyeja pse reagimet e popullatës shqiptare nuk kanë munguar asnjëherë, ndërsa përpjekjet për të mbrojtur vlerat materiale dhe shpirtërore, e kjo do të thotë edhe toponimet dhe antroponimet shqiptare, nga studiuesit shqiptarë, janë bërë në mënyrë të veçantë pas ! vitit 1981, kur përmasa e ndalimit të përdorimit të toponimeve dhe antroponimeve shqiptare pati marrë përmasat e një gjenocidi kulturor. Dhe kjo është arsyeja pse menjëherë pas përfundimit të Luftës (1999), në Kosovë qe formuar Këshilli për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.
Në përmasat e mundësive që jep një konferencë shkencore, kumtesat e studiuesve që morën pjesë, paraqesin një pasqyrë mjaft të plotë të pasurisë materiale e shpirtërore të Kosovës dhe popullit të saj. Historia e kësaj hapësire etnike shqiptare, sigurisht është edhe më e pasur dhe mundësitë për të sjellë vlera të reja historike dhe bashkëkohore të saj ende nuk janë ezauruar. Esenca e kësaj konference qëndron në faktin se Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, për të dytën herë brenda dekadës së fundit, po iu përgjigjet vendimeve historike të popullit të Kosovës, ashtu siç do të duhej t’iu përgjigjeshin këtyre vendimeve edhe institucionet tona shkencore e arsimore: në mënyrë akademike.
(Ky tekst është porositur për parathënie të vëllimit të kumtesave të konferencës shkencore “Kosova në rrjedhat e shekullit XX”, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër)

Prishtinë, më 14 prill 2008 Prof. as. dr. Begzad Baliu