| E hene, 14.01.2013, 08:50 PM |
ROLI
AMERIKAN NË AFGANISTAN
Nga Frank Shkreli
Kështu
deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama të Premten që kaloi pas
bisedimeve që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Afganistanit Hamid
Karzai mbi të ardhmen e rolit amerikan në Afganistan, duke thënë se forcat
amerikane së shpejti do t'ua dorëzojnë forcave afgane rolin kryesor të luftës
kundër talebanëve. Presidenti Obama tha
se në bazë të marrëveshjes që u arrijtë gjatë bisedimeve të presidentit afgan
në Uashington -- përfshirë takimet që ai zhvilloi në Pentagon dhe në Stejt
Department -- gjatë këtij viti forcat afgane do të marrin përsipër
përgjegjësinë e plotë për sigurinë në vendin e tyre -- duke e shndërruar rolin
ushtarak amerikan në një rol mbështetës këtë pranverë, para afatit që pritej --
ndërkohë që po merr fund lufta në Afganistan.
Presidenti
Obama tha se ''ky përparim është bërë i mundur falë sakrificave të mëdha të
forcave tona dhe të diplomatëve tanë, si edhe të forcave të vendeve të shumëta
të koalicionit ndërkombëtar, por edhe popullit afgan i cili ka vuajtur aq
shumë'', shtoi Presidenti Obama. Ai tha
se në luftën e Afganistanit, ''kanë dhënë jetën më shumë se 2000 bijë e bija të
Amerikës'', duke shtuar se, ''Këta janë patriotë të cilët ne i nderojmë sot,
nesër dhe përgjithmonë.'' Edhe
Presidenti afgan Karzai tha se, ''gjatë bisedimeve....unë falenderova
Presidentin Obama për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë popullit
afgan, për të gjitha ato që kemi arritur gjatë dhjetë viteve të kaluara...''
Udhëheqsi
afgan tha gjithashtu se “Forcat ndërkombëtare, forcat amerikane nuk do të jenë
më të pranishme në fshatrat afgane, se tani është detyra e forcave afgane që
popullit afgan t’i sigurohet paqëja dhe siguria.’’
Në
fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama dha hollësi të tjera në
lidhje me bisedimet me udhëheqsin afgan,
duke thënë se objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara, që fillimisht e çoi
vendin në luftën e Afganistanit është drejtë realizimit, dmth, qëllimi amerikan
që Al Kaida të mos e përdorë më Afganistanin si një bazë nga ku organizon dhe
kryen sulme kundër Shteteve të Bashkuara, do të arrihet dhe lufta në atë vend,
sipas Presidentit Obama, do të marrë fund në mbarim të vitit të ardhëshëm. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio,
Presidenti Obama tha se megjithëse misjoni amerikan në Afganistan mbetet
gjithnjë shumë i vështirë, ai shtoi se tani duhet të përqëndrohemi në detyrën
që kemi përpara dhe në ''misjonet e vështira'', siç tha ai, për ri-ndërtimin e
Amerikës, për forcimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar forcat tona ushtarake
dhe veterantë tanë trima, duke thënë se ''vendi që ne duhet të rindërtojmë
tani, është vendi ynë.''
Deklarata
e Presidentit Obama për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani aty nga
mbarimi i vitit 2014, shihet me skepticizëm nga disa vërejtës politikë dhe ushtarakë si edhe nga disa media
amerikane, duke thënë se tërheqja e plotë e forcave amerikane nga Afganistani
mund të rrezikojë arritjet e deritanishme në atë vend, pasi forcat ushtarake
afgane nuk janë ende në gjëndje të luftojnë talebanët, ndërkohë që dhuna
vazhdon në shumë pjesë të atij vendi.
Gazeta
amerikane Nju Jork Tajms, në një editorial në lidhje me bisedimet
amerikano-afgane në Washington midis Presidentit Obama dhe udhëheqsit afgan
Karzai, shkruan se “Plani amerikan për t’i dhënë fund luftës varet shumë nga aftësia e forcave afgane për të siguruar
vendin. Zoti Obama e ekzagjeroi
përmirësimin e situatatës në Afganistan
dhe anashkaloi mangësitë serioze të
sigurimit në atë vend. Por ai me të drejtë zvogëloi rolin dhe
objektivat amerikane në Afganistan. Dhe
tani ai duhet të tërheqë sa më parë që të jetë e mundur 66,000 ushtarët nga ai
vend’’, përfundon editorialin gazeta Nju Jork Tajms.