Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Përroi qante në mesnatë

| E diele, 13.01.2013, 06:57 PM |


KRISTAQ TURTULLI

 

PERROI QANTE NE MESNATE - fragment romani

 

kapitulli i pare

 

Ngjarja e jashtëzakonshme, e tmerrshme dhe ndoshta e paralajmëruar ndodhi pas mesit të natës, në të katërtën ditë të raportimit të Mark Totës, rojës së shërbimit më të largët të repartit, të vendrojës numër një:

-Pasha zotin o Drin Shalësi, mbase është turp ta them,- filloi të fliste me zë të ulët Marku, me  shikim të ngulur përdhe:- Por un dua me fol, he burrë, nuk mund të hesht, nuk kam si ta mbaj përbrenda.

- Fol Mark, fol pa ndrojtje, thuaj çfarë shqetësimi dhe halli ke,- e inkurajoi Drin Shalësi, mbështeti shpinën në mur dhe hodhi këmbën mbi këmbë.

Marku picërroi sytë dhe tërhoqi kokën pas me një pendesë të lehtë. ‘Hëm, si tha, fol pa ndrojtje...’ ia bëri me vete dhe u kapërdi me vështirësi. Nuk i pëlqeu pozicioni i marrë, ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe inkurajimi gati i papeshuar i komandantit të truprojës. ‘Hëm, shqetësimi dhe halli...’

Ndoshta dhe ai vetë nuk e filloi bisedën mençurish, siç e kish menduar dhe peshuar më parë, në shërbim, në vendroje apo kur ish i gatshëm. U nxitua nga që nuk mundej dhe kish nevojë të shprehej, të zbrazej. Po çfarë saktësie e mprehtësie e kërkonte ajo gjë që e torturonte, që e shitoftë zana e shitoftë! Paralajmërimi dhe rreziku i vërtetë. Kaq.

Marku menjëherë u bë nervoz me veten. Të shprehej, të thoshte një pamundësi që nuk mund të kish vetëm paralajmërim por edhe një realitet të pritshëm, por që nuk mund të parashikohej aq shpejt, pa kapërcyer bregun e lagësht dhe të rrëpirët të vështirësisë. Sigurisht hallet dhe shqetësimet janë për burrat, por disa që janë me spec dhe kur në qoshe të rrugës ka parathënien, nuk mund të bëhen pazar. Gjithsesi duhej  ta saktësonte, çka ish e rëndësishme të thuhej, sepse ish ai, Marku që e mbarte mbi supe dhe duhej të gjykonte nëse përbënte shqetësim, dert, mundim, turbullire, kokëçarje, ankth, pasiguri, frike, tmerr, kob, gjëmë, hata, mort. Hëm...eh sikur të ish një gjë e thjeshte, gati e rëndomtë kalimtare, tejet rastësore që nuk ia vlente të bëhej për fjalë. Eh, o Mark u mbështolle vetëtimthi si fëmi me fillin e lëmshit të pasigurisë, ia bëri me vete.

Drini si për tu  gjendur në punë ngriti gotën e alumintë dhe piu disa gllënjka të vogla duke vështruar qetësisht nga tjetri. Marku fërkoi llapën e veshit të majtë dhe me ton të rëndë tha:

-Sa për dijeni o Drin Shalësi, nuk kam kurrfarë shqetësimi dhe halli...Mendoj se është konkluzion shërbimi, ndoshta thjesht një konstatim, pak acarues dhe krejt ndryshe nga shërbimi që kam kryer më parë.

Marku foli me rrëmbim sikur të kish frikë se mos i harronte fjalët që kish menduar e zgjedhur dhe, bile, krejt ndryshe nga ç’donte të thoshte. Anoi kryet dhe brodhi vështrimin gjetiu me indiferencë të shtirur.

-Ashtu!- ia bëri Drini turbullt pa e kuptuar se ku kërkonte të dilte ushtari, iu duk lojë e pakuptimtë fjalësh e vështroi ngulët në mënyrë pyetëse:- the se bëhet fjale për konkluzion shërbimi,  që mund të jetë thjesht konstatim, veçse pak acarues, kështu? Mirë Mark, mirë, është pak e çuditshme, por nuk ka gjë, do ta shohim këtë punë, mos e lodh shumë kokën. Për një moment kujtova se mos kishe ndonjë shqetësim,  hall, merak, a problem andej nga fshati, nga shtëpia, familja.

Markut iu tha gjuha dhe u grind me veten, prapë ky, në një vërë vazhdon ti bjerë fyellit. Ngandonjëherë të vërtetat e papërballueshme të acarojnë. Drini e shtynte enkas të hapej si vaji në uthull, vallë të dijë gjë, s’ma merr mëndja. U bë nervoz me veten, nuk donte të shkelte pragun e pështjellimit, por e kish të pamundur të fliste saktë dhe prerë siç e donte detyra e ushtarit. Nga shtëpia, oh, kulla e vjetër lart mbi kodër që kish filluar të rrëgjohej dhe ka nevojë dorë burri për disa meremetime të vështira. Nga familja eh, nga e mira e shumëvuajtura loke, nga vajza, e bukura, fisnikja e ëmbla që i ka robëruar zemrën dhe e do aq shumë...psherëtiu me vete, gjithë dhembje dhe përdëllim. Ishte gati të ngrihej dhe të largohej prej dhomës së komandantit të truprojës pa e bërë të gjatë. Ushtarët tek shtëpia dhe familja e kanë mendjen gjithë ditën, përflitet shpesh dhe me nënvleftësim prej oficerëve. Heshti një hop, u kapërdi me vështirësi. Sa të hidhur dhe të thatë e ndjente gjuhën. U mbush me frymë dhe me zë të dridhur tha:

- Jo... nuk kam asgjë andej nga fshati...shtëpia... familja!

-Fort mirë- ia bëri Drini.

-Hëm... jo o Drin Shalësi, jo, jo,- Marku heshti një copë herë. Oh sa të rëndë e kish kokën dhe duke zvarritur fjalët si ti kish të lidhura me zinxhirë, e ndryshe çka mendonte e çka donte të thoshte, foli:- Bëhet fjalë për vendrojën numër një, ku kreva shërbimin.

- Ashtu,- foli i habitur Drini dhe i interesuar,- doni të thoni se ka ndodhur gjëkafshë gjatë shërbimit tuaj në vendrojën numër një?

-Po, ashtu dhe mendoj, se është krejt e veçantë.

-Krejt e veçante, hë, je i sigurt! - gati sa nuk lëshoi një piskamë Drini dhe përqendroi vëmendjen tek ushtari. E kuptoi menjëherë, Markun duhet ta kish lodhur shërbimi i pa ndërrueshëm dhe ngaqë e ka të vështirë të thotë më ndërroni, më largoni, se është burrë malësie me namus, po gjen shkaqe të ndryshme me gjoja konstatime të veçanta dhe acaruese. Hëm, konstatimi i vetëm dhe acarues është mospërballimi i pagjumësisë. Por ai, Drini ka vetëm kyçet e kashtës në dorë, ndaj nuk mund të heqë rojet prej shërbimit sa herë tu shkrepet atyre. Mbi të gjitha ushtarët ishin larg, me punime operative.

-Po, - murmuriti Marku dhe vështroi  pjerrtas nga Drini. Heshti një moment, pastaj si me përtesë por me nervozizëm vazhdoi:- Të them të drejtën nuk e besova kur ma thanë, e morra me indiferencë dhe moskokëçarje të plotë...

-Prit një sekondë, Mark, se këtu ka një ndryshim, ta thanë apo e dëgjove vetë? - e ndërpreu Drini, duke e vështruar drejt në sy dhe me dyshim.

- Drini, të lutem, mos më ndërprit,- foli me zë të grindur Marku, - e dëgjova, më duket se ta thashë...po...e dëgjova me veshët e mi.

-Aha, kështu po.

-Siç u thashë në fillim, e morra me moskokëçarje të plotë, - filloi të fliste Marku

me ton të zvargur: - Siç e dini, jam ushtar i vjetër, me eksperiencë të gjatë shërbimi në vendroje dhe i di fort mirë si janë lojnat e verbëta e djallëzore të natës,  si shfaqen një natë nuk duken natën tjetër. Ajri u lëkund prej erës së fortë si pëlhurë e ndehur në tel dhe pastaj u shkund me zhurmë prej kuisjes së leqendisur të qenit, ktheva kryet me bezdi nga ana e përroit. Mesa di qentë zbythen prej territ të natës, lehin me zë të përvuajtur, me këmbë të këputura, të shtrira përpara si ulokët. Por kur nuk e prisja dhe akoma nuk e kisha mbledhur veten dhe larguar përfytyrimin e zbehtë të qenve, një zë i zgjatur si shpirt i munduar u ngrit me vrundull e qëndroi pezull mbi përrua, vendroje dhe kudo. Në çast sa jap e mbyll sytë humbi, zëri u tret. Gjithë ankth u përqendrova i teri. Tëmthat më punonin me vrull dhe ishin gati sa të më shpërthenin. Pas shushurimës së zgjatur, u ndje përsëri dhe ish një zë i cingërisur  fëmije, që vinte prej thellësisë së luginës të Shestanit. U rrëqetha, nervat e ngjethjes u vunë në përgjim, në lëvizje të çorganizuar. Por e qara e fëmijës atë natë ish tjetër gjë, ish një dënesje e pataksur, që shkundi gjithë luginën dhe trupi mu mbush me mornica. Kjo ish me pak fjalë,- foli i lodhur, i djersirë  Tota dhe prej gishtit të madh zhvoshkte me dhembë copëza të vogla lëkure.

-Hëm... ashtu hë, sikur the, dëgjove të qarë fëmije, në mes të natës, në vendroje!- ia bëri i çuditur dhe pak i acaruar Drin Shalësi, lëvizi prej vendit dhe vështroi ngulët nga tjetri. Oh, ç’më polli belaja, nga i gjejnë dhe i mbledhin gjithë këto fiksime, shpirtra, zëra të fshehura, klithma dhe ulërima, natën, të cilat janë thikë pas shpine për ushtarin e gjorë në vetmi, në vendroje, shtoi me vete.

-Jo plotësisht në vendroje, diku poshtë në luginë.., - foli ultas dhe me ton të pasigurt Mark Tota.

-Diku poshtë në luginë!- e përsëriti pa e kuptuar Drin Shalësi me dyshim të hapur,- ku poshtë në luginë, në ç’vend?

- Në përrua. Ndoshta diçka më pranë burimit të Shestanit - mërmëriti Marku.

-Ëhë, hëm,- ia bëri Drini, paditur ç’të thoshte diçka tjetër, luajti kryet i menduar dhe përsëriti fjalët e tjetrit,- diçka më pranë burimit të Shestanit, ashtu?

- Po, diku atje. Lugina dhe përroi e përcjellin jehonën. Jehona e zërit mund të zgjatet tutje, larg, shumë larg deri në malet e lartë, në bjeshkë..,- foli Marku me zë të shuar, me shikim të ngulur në zbrazëtirë, më pas murmuriti si të fliste me vete,- është pak e çuditshme. Tash mu kujtua, jo shumë larg katundit tonë, gjendet një përrua i vogël, në verë shteron, gati thahet, ndërsa në dimër fryhet,buçet, inatoset, bëhet i pakalueshëm dhe e ka emrin Shestan. Njëlloj si përroi i repartit tonë, të jetë vallë rastësi...ndoshta, nuk është çudi! Këta dy përrenj gjenden shumë larg njëri tjetrit, qindra kilometra. Shumë gjëra e ngjarje kanë ngjashmëri ose përsëriten dhe shfaqen në forma të ndryshme.

Marku heshti, ndërsa shikimi i qëndroi i zbrazët si të ndiqte pas shtegtimin e padukur të jehonës së zërit, nëpër fusha, male, bjeshkë deri tek kullat e hirta të katundit të tij në gji të maleve. Diku përtej duhet të ish përroi i vogël që dredhonte nëpër kreshta e brigje të thikta që në dimër egërsohej e çuditërisht ka emër Shestan, të njëjtin emër me luginën dhe përroin që zhurmëron e që ka çdo natë përballë kur kryen shërbimin.

Prej mallit të fshatit, familjes, maleve dhe bjeshkëve, ushtaret prodhojnë gjithfarëlloj fantazish. Ehë, e pastaj, dihet, emrat e përrenjve, lumenjve, maleve  kodrave, brigjeve, deteve, oqeaneve, qyteteve edhe të njerëzve, pra çdo gjëje që ekziston në botë, janë si puna e kapistallit, ia bëri Drini me vete, dhe për këto gjëra me emërtime kish të tjerë që vrisnin mendjen, prandaj nuk i hynin shumë në xhep atij.

Befas nga jashtë u dëgjua zëri grindur i Besianit, ushtarit të gatshëm:

- Dredharakë të ndryrë, të poshtër, kodoshë, gjithnjë mua ma ngjishni. Mezi prisni sa të kthehem nga vendroja dhe me zemërngushtësi më vini të laj tenxhere, pjata dhe garuzhdë. Së paku u hidhni ujë enëve të mos bëhen trokë, kur zbrazni pjata e tenxhere dhe mbushni barqet që gërritin nga uria.

Drini u zgjat në dritare, Besiani po lante me zhurmë pjatat prej alumini. Myslymi qe ulur në bisht dhe lëvizte sytë sa andej këndej gjithë djallëzi. Duhej të vendoste rregull në truprojë, ta bënin me radhë, në marrjen, shpërndarjen e ushqimit dhe pastrimin e enëve. Nuk është trimëri t’ ia lësh vetëm njërit barrën mbi shpinë. Tani, për dreq, i doli një çështje e ngatërruar dhe krejt e paparashikuar. Çfarë të ish kjo gjë e pazakontë, anormale? I duhet ta sqaronte, të mos e linte zvarrë. Ndoshta nuk është gjë. Kush i ka qejf telashet. Ngandonjëherë kundër dëshirës  behin hallet dhe kur të pllakosin nuk kanë kurrë të sosur. Qëndroi përpara Markut, i cili dukej i humbur, si të qe lidhur këmbë e duar me kthetrat e plogështisë.

-Mark.

-Hë...

-Të lutem përqendrohu Mark, mos më mundo. Ka mundësi të ma shkoqisni më mirë sepse nuk po i bie dot në të. Ç’është ky flamë zë që po më thoni se nuk të kuptoj!- i tha Drini dhe fërkoi ballin, e ngacmonte një dhembje koke, kish mundësi të ish sinozit. Ndërsa me vete shtoi, eh more Mark Tota eh, po fillon të më tronditë ky zë i çuditshëm që mbiu në vendrojë nga nuk pritet.