Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Behar Gjoka: Bahri Myftari - “Pasha i Elbasanit”

| E diele, 13.01.2013, 06:58 PM |


Përmasat atdhetare dhe njerëzore të një figure historike, në librin me tregime “Pasha i Elbasanit” të Bahri Myftarit.

Nga Behar GJOKA

Historia moderne e kombit shqiptar, e cila dihet se kulmon me datën 28 nëntor të vitit 1912, si një gur themeli i shtetit shqiptar, pamëdyshje për të nisur dhe vijuar udhën krahë për krahë me kombet e tjerë të përparuar të Europës, me uljengritjet dhe arritjet e fatit, të popullit shqiptar, nuk mundet që të kuptohet, kurrësesi pa praninë dhe rolin e Aqif Pashës, birit të mençur të Elbasanit, burrshtetasit që me kurajo ia doli që të mbetej një figurë e shquar në të gjitha rrethanat dhe ngjarjet, jo vetëm për të hedhur themelet e sigurta të Pavarësisë, por sidmos për të konsoliduar prirjet moderne të ekzistencës së shtetit shqiptar. Në pjesën e parë të shekullit të njëzet, e veçanërisht në harkun kohor 1909-1926, nuk ka ngjarje të historisë së popullit dhe të shtetit shqiptar, ku ai të mos jetë i pranishëm, me mendje dhe me shpirt, me dashurinë e pakufijshme për atdhe dhe për popullin shqiptar, me ofrimin e dinjitetit dhe të përgjegjesisë për të ndihmuar atdheun dhe bashkëkombasit në të gjitha format, duke u bërë kështu pjesë e plejadës së burrave të shquar, si Ismail Bej Vlora, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, për të mbërritur tek pavarësia. Libri që po merrni në duar, titulluar jo rastësisht, Pasha i Elbasanit, një botim special në kuadër të njëqind vjetorit të Pavarësisë, është një dritare rrezatuese nga ku mundet të shohim figurën e madhe të historisë së Pavarësisë dhe të mbijetesës së kombit, atdhetarin e pashuar, shtetarin e pashoq, Aqif Pashë Elbasanin. Fatet e Pashës dhe të qytetit që e lindi, të qytetit të dijes dhe atdhesisë, të qyteit të Kristoforidhit,Lef Nosit, Xhuvani, S Shuteriqit, të qyteit të shkollës së parë Normale, pra të qytetit të Elbasanit duken si të bashkëlidhura, mbase si fate dhe mbijetesë, ku e shohim të gjallë rrugën që ka bërë shteti shqiptar nga momenti i shpalljes së pavarësisë e gjerasa pati frymë pasha i shqiptarisë. Kuptohet se libri Pasha i Elbasanit,i tregimtarit të mirënjohurBahri Myftari duke vënë në qendër figurën e nderuar, njërin nga njerëzit kyç të pavarësisë dhe të vetë ekzistencës së shtetit shqiptar, përpiqet që të hedh dritë edhe më tepër mbi këtë figurë, të njohur si rol, por edhe të pazbuluar ende në të gjitha përmasat, atdhetare dhe njerëzore, në rolin dhe peshën e tij në ngjarjet që rodhën në pjesën e parë të shekullit të njëzet. Pikërisht, për të mbushur këtë hapësirë, të jetës dhe kontributit të tij madhor, në interes të kombit dhe popullit shqiptar,skrimtari se bashku me avokatin S Mazreku,si bashkëpunëtor në këtë libër,i dhurojnë qytetit të tyre, s po të qytetit të Elbasanit, pra dy pasardhës të Pashës së ndritur, shkrimtari i njohur, sidomos në lavrimin e prozës, Bahri Myftari dhe një veprimtar i spikatur për të promovuar vlerat e qytetit të Elbasanit, Serxhoi Mazreku, bën të mundur që ta sillin, figurën madhore të Pashës, në këtë 100 vjetor të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Qysh në krye, nisur vetëmse nga natyra e librit, brendia dhe qëllimi, tekstet dhe natyra e tyre e dyfishtë, pra i konceptuar edhe si një dëshmi e jetës dhe veprës së Pashës, figurës së nderuar të Elbasanit, njëherit edhe si një shkrim i mirëfilltë letrar, në shumicën e prozave që i gjemë në faqet e tij, duhet theksuar se bart dhe shpalon dy tipare thelbësore të realizmit si i këtillë:

Së pari: Është një libër i shkruar nga dy autorë, madje që të dy të lidhur ngushtësisht me qytetin, por edhe njohës dhe adhurues të veprës prej shtetari dhe atdhetari, njeriu dhe vizionari për ta bërë Shqipërinë, të Pashës së Elbasanit. Shkrimi i librit, tregon se në këtë sipërmarrje, i bashkon vetëm fati i dashurisë dhe mirënjohjes, që kanë për atë figurë të shquar të historisë moderne shqiptare. Pra, më tepër se sa një rastësi e zakonshme, e shkrimit të librit me dy autorë, jemi në një rast konkret, Bahri Myftari, një shkrimtar i njohur me disa libra në gjininë e prozës, një lëvrues i veçantë i tregimit të shkurtër, shpesh madje edhe me qasje të magjikës shkrimore, si dhe Serxhio Mazreku,avokat dhe botuesi i revisre ‘Bota femerore”.

Së dyti: Kemi të bëjmë, po ashtu edhe me një libër që ka të ndërthurura faktet historike dhe krijimet letrare, që kanë vënë në qendër figurën e Pashës së Elbasanit, ëmblema e qytetit dhe shqiptarisë, duke u ndalur gjerësisht në përmasat njerëzore dhe atdhetare. Situatat e gërshetimit të historikes me letraren, pra të një shqyrtimi, faktik dhe shkrimor, krejt të detajuar me momentet më thelbësore të jetës së këtij, burri të shquar të historisë shqiptare, të mbrojtjes së shtetit dhe të aspiratave për liri të popullit shqiptar, njëkohshëm e bën edhe më të përveçëm si një qasje e thukët, si dhe po kaq, ka gjasa edhe më interesant si një paraqitje e këtillë, e dyfishtë dhe e dyzuar. Mbi të gjitha, megjithatë raporti ndërmjet këtyre anëve, pra të rrafsheve jetësore, faktike dhe letrare, si me thënë këtyre aspekteve të formatimit të figurës, pra të dëshmisë faktike dhe letrare, ku pesha e trajtimit anon nga e dyta, por gjithnjë duke patur në fokus figurën e Aqif Pashës, bën që teksti të vijë me një larmi të rrokshme.

Në aspektin historik, pra e parë tashmë si një dëshmi faktike, merr vlera të posaçme lidhja e drejtë dhe oraganike, që i bëhet kësaj figure, me familjen e madhe të Biçakxhinjëve, që siç dihet nga historia ka nxjerrë gjeneral dhe komandant të zot, profesor dhe arkitekt, pashallarë dhe vezir të perandorisë, çka na e formaton atë jo si një shpërfaqje rastësore, por si një pinjoll i denjë i asaj pjese të fisnikërisë shqiptare, që në të gjithë historinë e vetë ka qenë në pararojë të mbrojtjes së kombit, të vlerave civilizuese të shqiptarëve, të përpjekjeve dhe sakrificave për ta përfaqësuar dhe dëshmuar me krenari qenien shqiptare. Roli i tij në shpalljen e pavarësisë, si një akt madhor që pati në qendër Ismail Bej Vlorën, ku Pasha i Elbasanit ishte miku dhe bashkudhëtari i afërt, po ashtu prania e tij në stinën e mbrapshtë të luftërave ballkanike, po kaq edhe të mbrapshtisë së Haxhi Qamilit,dhe vargut të rerebelëve të mëvonshëm, pati ndikim të drejtpërderjtë për të ulur ndjeshëm forcën e shkatërrimit të shtetit dhe të vetë shqiptarëve, për të mbërritur deri në kongresin e Lushnjes, ku Pasha bëhet kryetar i Ansamblesë, hedhin dritë mbi madhështinë e kësaj figure, që erdhi në skenën politike në kohët më të vështira të ekzistencës së shtetit shqiptar, duke qenë përherë i papeur dhe qëndrestar, ideator dhe atdhetar i pakundshoqëshëm.

Nga ana tjetër, materia letrare, që përbën edhe shumicën e hapësirës së librit, ka vënë në qendër të vëmendjes  figurën njerëzore dhe atdhetare të Pashës, ku pesha e natyrës së shkrimit letrar, bie më tepër mbi Bahri Myftarin, duke skicuar dhe plazmuar anën humane, butësinë dhe forcën e karakterit, bujarinë dhe shpirtmadhësinë e Pashës, duke nxjerrë kështu edhe më në pah vlerat më të rrokshme të njeriut, si dhe duke përmbushur kështu një pamje të munguar të natyrës së tij. Në prozat letrare, tashmë të ngjizura përmes rrëfimit dhe përshkrimit, dialogut dhe mjeteve të tjera të njohura artistike, figura e burrshtetasit të Shqipërisë, njeriut dhe figurës së madhe të pjesës së parë të shekullit të kaluar, na vjen e protretizuar në disa nga momentet më pikante të ekzistencës së tij. Fakti që edhe në këtë libër është lëvruar më shumë tregimi, si një lloji letrar i prozës së shkurtër, që ka në qendër vetëm një çast, por të zbërthyer dhe ndriçuar në përbërësit e vetë kryesor, ka bërë që njeriu dhe njerëzorja e tij, të zbulohet e plotë dhe po kaq ta na shpaloset e besushme, pa stistje dhe sfrocime, madje në jo pak raste duke ruajtur tiparet jetësore dhe karakteriale të Pashës, pavarësisht këndit të rrëfimit dhe pranisë së ngjyresave me të cilat operohet më së shumti në prozat e pranishme në këtë libër. Kështu, tregimi Urtësia e të urtit, një tekst i befasishëm si gjetje dhe shkrim letrar, ka vënë në qendër mençurinë e burrit të vyer, ndonëse në sfondin e tij, ndjejmë po kaq edhe aromën e luftës së Vlorës, ku madje na sillet e plotë atmosfera e kohës, brenda dhe jashtë vendit, kryesisht është ngritur në këmbë si tregim duke u bazuar në rrëfimin, që përshkruan ndodhitë dhe po kaq skicon vetë protagonistin, sidomos pjesën njerëzore të tij, për çka edhe është shkruar ky libër. Duke e vendosur figurën e tij pikërisht në ato rrethana, ekzistenciale për fatin e shtetit shqiptar, vetiu mendja fluturon pak më tutje, në motin e Pavarësisë, si me thënë në nevojën e rikujtimit të plakut të urtë, Ismail Qamali, ideatorit dhe realizuesit të aktit të pavarësimit të shtetit shqiptar, ku pra hidhet vështrimi në një të kaluar, me qëllimin e vetëm, që të vendosë marrëdhënie të qarta ndërmjet kohëve të ndryshme. Mesazhi që përçon tregimi, i përpunuar dhe paraqitur bukur artistikisht, se pavarësia pati në themel sakrificën e madhe njerëzore, madje që shkon deri në sakrifica të pazakonta, aq sa nusja e re dhuron për shpalljen e pavarësisë, edhe unazën e martesës. Këtu, në fakt dhe befasishëm, zë e shpërfaqet, përveç konfliktit të njohur në mes aspiratës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi dhe përballë saj, interesat e otomanëve dhe fqinjëve tanë, që në të gjitha momentet përpiqen të shkëpusin diçka nga trojet shqiptare, edhe konflikti brenda familjes së saj, pikërisht për shkak të sakrificës së bërë. Ky çast, mençurisht shpërndërrohet nga humaniteti, përgjegjësia dhe madhështia e Pashës së Elbasanit, në një rrethanë të bukur dhe të natyrshme pajtimi dhe harmonie, madje ku unaza zëvendësohet me flamurin e pavarësisë, duke u mbështjellur si tekst edhe me një tis magjie shkrimore. Në tregimin Teodori,jo me  me pak mjeshtëri,është venë në qendër një ngjarje tjetër, jetike për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar, siç ishte Kongresi i Lushnjes, në të cilin dihet se Pasha ka rol dhe peshë kryesore, si dhe tanimë jemi në momentin kur ai mbërrin në kulmin e shtetit shqiptar, të projektuar mrekullisht po në atë kongres. Në faqet e kësaj proze, vihet re se pesha më e madhe bie mbi rrëfimin, si një mjet thelbësor i poetikës që përmend T. Todorov, në faqet e librit Poetika e prozës, si mjeti thelbësor i realizimit të prozës, bashkëshoqëruar edhe me lartsynimin për të shënuar të vërtetën historike, të ndërthurur këtu edhe me shenjëzimin e mirëfilltë letrar, e ku shpalimi i dytë, pra dëshmia artistike është edhe më kryesorja për të vizatuar personazhet, ndodhitë dhe uljengritje e pranishme të kohës. E veçanta e këtij tregimi, interesant nga fabula dhe parashtrimi, madje edhe nga gërshetimi i faktologjisë konkrete dhe letrare, padyshim që lidhet në mënyrë të rrokshme me praninë e dialogut, mbase i formatuar edhe si një shans për të ndjerë peshën e fjalës, mendjes dhe shpirtit të Pashës, që në fakt në hapësirat e tekstit na zbulon edhe personazhin tjetër me emrin Teodor, që na sjell pranë një miqësi të hershme dhe të ngjizur në kohëra të vështira, që duket se i ka kapërcyer dasitë fetare në emër të shqiptarësisë, atdheut dhe pavarësisë. Në faqet e tregimit tjetër, me titullin Hotel Pashai,  na vjen pranë një kohë tjetër, mbase ka më shumë gjasa se këtu jemi më tepër në kohën e kujtesës dhe të nderimit të Pashës së Elbasanit, si një përnderim i posaçëm, që e nxjerr në një dritë tjetër figurën e tij të madhërishme. Prania e tij e tërthorët, pamëdyshje një gjetje e përveçme shkrimore, nuk bën asgjë tjetër vetëmsa na rizbulon tiparet madhore të tij. Këtu më shumë se sa tjetërkund prekim në mjeshtërinë e gdhendjes së portreteve të protagonistëve të prozës së shkurtër, natyrisht të një portretizimi të thelluar, fizik dhe moral. Proza Hotel Pashai, krejt ndryshe nga tekstet e tjera të tregimeve që kemi në këtë libër, artistikisht lodron mjeshtërisht në hapësirat e tre kohëve, e kohës së tanishme, kur prona ka Zot dhe trajtohet si e shenjtë, e një kohe tepër të largët, që të shpie diku në vështirësitë fillimshekullit të kaluar, kur për shkak të rreziqeve që i kanoseshin vetë atij personalisht, mërgon nga atdheu, po kaq në hapësirat e tekstit kemi të gdhendur edhe e një të kaluar paksa më të afërtë, pra koha e rendit komunist, kur prona u shkërmoq së ekzistuari, ku bie në sy se protagonist i trinitetit kohor është Genc Marsi, një pinjoll i fisit dhe gjakut të pashës, por në të faniten edhe figurat historike, si Luigj Gurakuqi dhe Pasha i Elbasanit. Nga ana tjetër, në faqet e tregimive Autoriteti,Vendim,Djemte nga Kosova, që na zbulojnë një pamje tjetër, po kaq thelbësore të figurës, ngjarjet janë vendosur në qytetin e lindjes, në Elbasan, djepi që përkundi Pashën dhe fisin e tij të dalluar në histori, ku tashmë kemi të shpaluar marrëzinë e shqiptare, ku secili nga shqiptarët rreket që të ndërtojë Shqipërinë e vetë, duke e gardhuar, një aspekt që në tekst na vjen prej bëmave të gjeneralit dhe që vetvetiu të përkujton amullinë e shkaktuar prej qamilistëve. Kurse tregimi që ka për autor Bahri Myftarin, me titullin identifikues Mitralieri,apo tregimi magjik Tjegulla e famshme që shpalohet me një rrëfim të ngjyresave kuteliane,si dhe të sjellin në shije e emocion Dino Bucatin,duke mbajtur për bukuri pamjen e mjedise të qendrës së famshme të  Elbasanit historik ku mbi të gjitha veçohet Bezisteni, ku spikat po ashtu edhe forca e përshkrimit, tashmë hidhet në atmosferën e mbrapshtë të horrave dhe rebelëve anadollak të Haxhi Qamilit,plot  nota të groteskut dhe sarkazëms së hollë,ashtu sin ë pëeballje dhe kundërshtikemi të pranishëm edhe figura të tjera historike, si Bajram Curri dhe shumë patriot të ati qyteti.Po kaq me shije dhe art trajtohet edhe lirika nje tipar i qënësishëm i librit si cështë linja e dashur midis dy të rinjëve, në qendër ka vënë Xhezar Sulën, që përfaqëson njeriun që nuk duron padrejtësinë dhe kundërshton veprmiet e qamilistëve, e prandaj gëzon mbështetjen e Pashës.

Libri Pasha i Elbasanit, një rast specifik i ndërthurjes së fakteve konkrete jetësore të Aqif Pashës dhe të shkrimit të mirëfilltë letrar, pra i realizuar me disa tregime të shkurtëra, është një kontribut i vyer për të sjellë në qendër të vemendjes burrin e palodhur, në përpjekjet për të realizuar pavarësinë, si dhe për të forcuar themelet e shtetit shqiptar. Tipologjia e shkrimit të prozës letrare, që ka në qendër figurën e madhe të Aqif Pashës, një mënyrë e qasjes, sa interesante po aq e realizuar artistikisht, bën pjesë në rastet e shkrimit të prozës, që ka në qendër momentet dhe figurat historike. Në lëvrimin e këtij tipi proze letrare Lexoni me vemendje tregimet “Marsh i Pashait” si dhe tregimin dramatik ”M’i ruaj, çunat !”a nuk të bje në vëmendje lëndën letrare të hasur tek Kadare apo te S.Godo dhe të “gatuar” prej B.Myftarit po me atë përgjegjësi artistike? Prndaj pohojmë te libri me tregime Pasha i Elbasanit, i përket tipologjisë shkrimore të letërsisë që bazohet në faktoligjinë historike dhe në figura të rëndësishme, e në këtë rast është vënë në qendër një nga personalitetet më të shquara të shtetit shqiptar, në pjesën e parë të shekullit të kaluar, por njëherit edhe duke i mëveshur ato edhe me tipare estetike, mbi rolin dhe misionin e tij, duke u bërë kështu një tekst që lexohet me endje, së pari për shkak se ka në qendër një njeri të madhë të qytetit të Elbasanit, një burrshtetas të Shqipërisë, por, së dyti edhe për shkak të mjeshtrisë rrëfimore dhe sendërtuese të këtij teksti, realizaur nga ana e Bahri Myftarit dhe Serxho Mazrekut, që na e sollën kaq pranë njeriun, personalitetin, misionarin e pavarësisë dhe të shtetit shqiptar, Aqif Pashën, pikërisht në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Libri Pasha i Elbasanit, na e sjellë pranë burrin e shtetit, njeriun dhe atdhetarin, simbolin e qytetit, por edhe aftësinë e autorëve, për ta mbajtur në kujetës këtë figurë,  e prandaj duhet marrë në duar dhe lexuar, për të ndjerë më pranë personalitetin e Pashës, si njeri dhe atdhatar të pakundshoqshëm.