| E diele, 13.01.2013, 06:56 PM |
Nga libri i saj me lirika që pritet të botohet së shpejti në Kosovë...
Angjelina Krasniqi
MËNGJESPRITJET E MIA
Mëngjespritjet ngjyros me ngjyren e rrezes së parë,
Mbushur elan, brigjet e zemrës shtroj rrugë e urë.
Krahët e një pupëze shtrij të flatroj qiellit rebardhë,
Përtej shtrëngatës mbart vegimin peng mbetur dikur.
Shpirti u lodh duke bredhur ëndrrash si zogu i natës,
Ndaloni ju trokitje të stuhishme pritjeje mes mërzisë.
Shpresa ime, në shtratin foshnjor zbrit erës së valës,
Puhizëtingullin nise të vrasë mallpeshën e largësisë!
VALËT E PRUSHTA
Në diellin e veres shikimin kam tretur,
Dhe shpirtin kam ngulur dëshirë aty,
Më kaplon valëprushi mbi trup hedhur,
Më zhurit malli, që të të kam pranë ty.
Mes valës së detit lundroj parreshtur,
Trishtimin në pritje e prek loti mbytës,
Ndjehem notuese përjetësisht e etur,
Në vështrimin e butë të syve mallpritës.
Mes dallgëve të pashuara të pres, eja...
Dashurinë të largojmë nga blic - rrufeja.
ËNDERRA E BRISHTË
O ëndrra ime e brishtë dhe trishtë ,
Pagjumësive gjakdhembje shkund,
Prek thumbueshëm timin shpirtë,
Si gjethe vjeshte, lëkundem pa fund!...
Përse gjumin ma vjedh çdo natë,
Përse murëve më shfaqesh si hije?
Mëngjeseve syhapur me gjenë prapë,
Dhe prapë aty rrapëllon kur terri bie!
Përse rrahjet e zemrës shpejtojnë,
Përse duart më dridhen si një tel?
Pse frymarrjet e thella më shpojnë,
Përse shpirti nga trupi fluturon e del?
Si perde mendafshi endet hapësirës,
Përlahet me mua,akuzon e bërtet:
“Deshe të njohësh ç’është dashuria,
Në këtë moshë,ku floku i thinjur flet” ?!
DITË VJESHTE
Nata derdh mbi trupat tanë hijet e pemëve
Të zdeshura nga vjeshta qëndrojnë heshtur,
Nuk na ndaloi fëshfërima orkestrike e fletëve
Nuk përfillëm fare misterin e stinës që ka reshtur.
Unë rend pas trugut të tyre të gjerë e lekurëtrash
Fshihem bëje loje ngazellyese mes gjethesh tutje,
Ti më ndjek ,kot fshihem,ndjekja bartë plot afsh
Ti, edhe mes pemeve më rrëmben me ethje-puthje.
Flokëspërkatur nga gjethet e rëna,vesë mëngjesore
Drithërima të tejskajshme vibrojnë trupin e djesitur,
Të gjitha së bashku i thonë një ritmi e melodi gazmore
Ëndërr dashurie , çerdhe e zjarrtë çdo ditë duke u rritur!...
Edhe pse vjeshtë,pranvere jemi NE,bulëzojmë papritur!...
RRUGËZEMRA
Shpirtthirrjen e ndjek parreshtur si ëndërr,
Rrugëtoj përgjumshëm,symbyllur, pa frikë,
Pa e ndjerë e prek erën e të ftohtit të vërbër,
Pa mbrojtje dalim e lozim në të fortën dritë .
Drita vërbuese e mëngjeseve që agojnë,
Udhëndjekje e artë e shpirtit të dashuruar,
Fluska të qeta ajri nga thellësia pluskojnë,
Pa turbulluar kaltërsinë e qiellit të pasqyruar.
Shpirtrat lënë linjat e kristalta mbi pasqyrë,
Perla të ndritshme rrjedhin ujin e ngrohtë,
Me mijra fjalëzili hidhen përmbi fytyrë,
Buste të pathyer bëhemi, nga syri rrjedhin lot.
Por loti, shpirtin e dashuruar nuk e mposht dot!..
LËKUNDJE RITMIKE
Gjithë trupi im ka shkundje harmonike,
Është lule trëndafili që luan mes erës,
Lëkundet hovshëm nën tinguj muzike,
Shpërndan erëngrohtën si dielli i verës.
Në buzëmbrëmje gjethet fëshfërijnë,
Gjuhë flaka vibron zërin e një kënge,
Varem krahut tënd, dashuri këmbejmë,
Akordet e shpirtit shtrihen me ëndje.
Çdo tingull, fëshfërimë, gëzim i gjithësisë,
Është malli, dëshira dhe ëndrra ku kam hy,
Luan nën krahët e erës, këngen e lumturisë,
Flladfreskun e nisur mbi gishta, buzë dhe sy.
Dashuria ime, bohçe petal trëndafilash për ty!...
ERË TË ACARTA
Me duar të akullta sot thurë streh vargjesh
Fletën e ujisin pikat nga të shkrirat e shpirtit
Të ftohtit është ndryrë në terrin që ngjesh
Ja kalojnë ngricës , akullit e acarit të dimrit .
Bëjnë gara njëra e tjetrA,ngrica me erërëndën
Dhembjen ta ngrejnë në pidestalin e të keqës,
Fërshfëllejnë erëftohtën,marazin errtas endën
Me akullin thikë ,shpojnë e ngulin zemërdrejtës.
Hejjjjjj acar,që nuk njef rreze të ngrohta e dritë,
Do vijë prap koha e diellit,të shkrijë tënden thikë!...
NJË DRITË PARAJSE
S'dua të mbetëm pjesë e pasqyrës së thyer,
Me qelqin e njollosur që koha e gërryen,
Dua xhama të fiksuar, të bronzta korniza,
Dhe pjesë të thesarit të psalmuar si shtiza.
S'dua çelës para portës së madhe të shpirtit,
Thirrja e saj është më e fort se loja e prillit,
E cytur nga besimi në formulen e shenjtë,
Dashurinë e entimemuar e kërkoj të denjë.
Si t'i gjejmë ngjyrat vezulluese të shpirt
Sidomos atë blunë e kthjellët që ndritë,
Dhe dielli të shikojë nga lart pa bërë naze
T'u hedhë trupave tanë një dritë parajse.
PORTRETI IM
Një rreze shfaqet mbi horizontin e purpurt,
Rëshqet ngazëllyeshëm nga një dorëlehtë,
Është portreti im i dlirë, që të flet gojëurtë
Shkrin akullin, të ftohtit që bart këndi i errët.
Atëherë kur dielli fsheh hënën, rrezon dritë,
Perdet e ndjenjës valvisin shkëlqim mbi sy,
Gjurmët e drithërimave vijëzojnë pa frikë
Rrezengrohtën lëshoj afshpërqafim mbi ty.
Edhe atëherë kur hëna lart qëndron harkuar,
Të ëmblat ninulla në krahtë harrimit përkund,
Është thirrja e shpirti, në këngë e shëndrruar,
Pluhurin e kohës, me zëlutjen lëkund e shkund.
Kur qiellin e mbulon një hije që frikë bart,
Çarçafin e shyqejnë krisma të egra, rrufe.
Shiu i ndjenjësë i kulluar pikon nga lart,
Shpërlan retë e zymta, ndrisin të bardhat re.
Nga lart buzëqshja thërret, mes heshtjes
Ylber me ngjyra të arta harkohet praruar,
Fytyrëbuta, nga peneli i artë i vjeshtës
Të flet mes diellit, hënës, shiut, ngazëlluar.
Fjala ime, ninullë e dashuris' së panjollëzuar.
BUZËLAGIA
Me tingullin e buzëputhjes akordoj ritmin
Nën efektin e mirazhit të zërit të harpës,
Hidhem mes fije-fijesh drite, vallëzoj himnin
Dridhem nën dritën e ultësuar të pragnatës.
Më erdhi dhe drodhi e ëmbla këmbanë puthje,
Lule qumshtore qeli dhe më buzeqeshi në buzë,
Hija e fluturës krahlehtë ceromoninë e solli si lutje
Guackat e porcelanta të zemrës i ktheu në muzë.
Buzëlagia me shkëlqim sysh,të ftohtit e përbuzë!...
BUZËFJETURA
Hodha vështrimin mëngjesor mbi shtratin me diell,
Fytyra skeptike më mori ngjyrën e shëndritshmërisë,
Më pickojë si bletë, buzëfjeturën me ëmbëlsinë, shijen,
E ngazëllyer, të sotmen e nisa në krahët e lumturisë.
Eja ...eja..shuaje etjen në burimet e mia si dritë e agimit,
Me puthjet e lehta, të buta, me krahët e tu të fluturimit.
TINGËLLIMË E FILDISHTË
Ti erdhe në degën që lëkundej nga fortuna
Kujdesshëm me majën e gishtërinjëve çukite,
Shpërveshe ndërgjegjën time jashtë e mbrënda
Shkunde shtresat mbrenda shpirtit ,nuk prite.
Më gjete të papërgatitur si lule qumështi
Të djersitur nën dritën e bardhë si në ëndërr,
Rrënqethje të rrezikshme më rrëmbyen
Nga gota e mbushur me zërin tënd të ëmbël.
Tingëllite me delikates përkedheljet e fildishta
Me kujdes hape librin e frymarrjes së lehtë.
Eja të shfletojmë ëndrrën tone fletë për fletë!...
PLUSKOJ ME BUTËSI
Pa brerje të ndërgjegjës do vetëshërbej me duar,
Me mendim të hollësuar, nga guri do gdhënd fjalën.
Me kujdes do zgjedh ngjyrat, me vargun për të flirtuar,
Hiret e vibruara do hijëzojnë, do shtrihen në të shpirtit, arën.
Fjalëshpirti dhe ëmbëlfjala do rrjedhë në burimin - shtrat,
Thelbi im në përrua, edhe muzgon që aty do të shëndritë.
Do pluskojë butësi, të përzier me ëmbëltinguj që do bart,
Do vesojnë dhe ngrihen nga lugina gjelbëroshe dashuritë!
Qëndroj aty e fshehur, në rrjedhën e vargut të pikturuar,
Freskinë që mbush ndjenja, për ju e bëj dritë të pa shuar...
SHTRIJ KRAHËT E VALERIZOJ
Sot lëkurën time kam kostum dashurie,
Qumështore me të ngrohtat valë e me vesë.
Hidhem e arabeskoj në fluturim të virgjër,
Mëngjeset e bukura sërish i përshëndes.
Mos më vëzhgoni ju sy të shqyer e të inatosur,
Që gjoksin me këmishë të zezë keni ngjeshur.
E gurëzuar kënga juaj resht e thëngjillosur,
Errësirën përshkon, posi drurë të zhveshur.
Unë,shtrij krahët , qetë dhe lehtë fluturoj.
Mes fijeve të diellit të fshehur u rivalëzoj!...
NUK SHUHET DRITËDIELLI ME UJË
Mund të gezoheni se po më thyeni,
Sikur të isha e shprazet verë - gotë.
Mendoni, mund të më shkelni,ndyeni,
Por kuptoni se, do gjëmbohheni fort..
Ju shqeteson vrojtimi i thellë i timit sy?
Ose keni frikë se, kam puse me naftë,
Qe burojnë aty thellë në mbrendi?!...
Apo, kërkoni që të bëhem e paaftë?!...
Ngroh si diell, shëndris si hëna në natë,
Baticat harmonizoj me melodi të lehtë.
Njesoj si shpresa që ngrihet e sundon lart,
Ngrihem e fortë me mendjen e mprehtë.
Deshironi të më shihni të varë e të thyer,
Të përulur e me sy nga burojnë rrëkë lot,
Me supe të varuara si trëndafilat e tharë,
Grua e mjere që mbyllet,e një fjalë s’e thot?
Mund të më qelloni me fjalet e egra,
Mund t‘i plagosni e zhbironi sytë e mi.
Mund të më vrisni me urrejtje të vjetra,
Por njëlloj si era do ngrihem përsëri.
Nga kullat e forta dhe trurpi i historisë,
Kam marrë ngjyrën dhe aromën e bukurisë.
Jam ujvare e lartë, e bardhë, freskuese,
Por fryhem e derdhëm, po aq tmerruese.
Duke lënë pas frikën e natës së gjatë,
Bartë dhuntitë e të parëve lartë tek qielli
Në agim kuqalosh e mrekullisht të qartë
Jam vepra !...Që nga uji -nuk shuhet dritëdielli!...
ERDHA TË TË SJELLË PRANVERËN
Vrapon gjogu i mendimeve të bardha
Bashkë me erën e shiut dhe lutjeve,
Në trupin e shtegëtuar si në pranverë dardha,
U lëshuan shpirtrat në ishullin e zbutjeve.
Tingulli vinte i kapitur nga dihama e pritjes,
Me melodinë e erës së malit,me shushurimën,
Me flakën e ndezur si pishtarë rrugëdrejtues,
Me rrufepritësin,që lufton me vetëtimën.
Shpirtrat u bashkuan vetëtimthi sërish,
Të heshtur u derdhën në njëra - tjetrën.
I ulëm fletët si gjithmonë brishtësisht,
Puthja e sotme kerkon me të vjetrin.
Të zgjohemi në mbretërinë e qirinjve,
Të ngarendim me fytyrën e hyjnisë.
Shenjat e lëna nga nje rreshqitje stuhije,
T’i ngjyrosim me tingujt e melodisë.
Të mos mekatnojmë,t’i vëmi nje shtup gojës,
Të nemitur të mos heqim dorë, të hapim sy,
Ta përulim egon,të ulet serish mbi ne besimi,
Mbi gjithçka të ngadhnjejë qëllimi, që kemi të dy.
Erdha i dashur me gjogun, që erdhi me hingëllimë,
Erdha që qirinjtë e shpirtit ti mbajmë ndezur- pishë.
Drita e saj të jenë mëngjese që sjell lumturinë,
Së bashku të ruajmë mbreterinë e dashurisë.
Të dehemi nga jehonat e zërit të lumturuar,
Ta jetojmë jetës sikur është vetëm një ditë,
Gjethet e ndjenjës të lulëzojnë si pema,
Edhe pse është vjeshtë,mbi ne kemi perenditë.
Erdha hipur mbi gjogun e bardhë dhe të mbarë,
Aromën e pranveres sjell dhe në vjeshtë.
Me flladin e malit, me buzën e mjalit ngjyrë - ar,
Vargun e fjalës tënde mbi trup e mbaj vesh.
Andaj dhe ndjehem e vargut mbretëreshë.
I DHUROVA VETËS –VETËN TIME
Me dritë e dashamirësi të palëkundur
Vështroj e buzëqesh me vërtetësi.
Ulem dhe eci lirshëm pajtuar këndshëm,Kaq fshehurazi e kaq hapur,
Kaq fëmijërisht e kaq misteshëm.
Kaq vërtetësisht vështron dhe ecën
Vetëm njeriu që ka depërtuar
Në më të madhen thellësi të vetvetës.Aty ku prehet uni,
Dhe preket aroma e etjes.
Unë e bëra një rrugë të tillë,
Me moton e urtësuar,
Me të vetmin përballim,Të ulja sytë para vetës.Udhën e shpëtimit mbi mua ,
Të shoh të kthjelltësuar.
U bëmë një, unë dhe hija ime,
Mësova se fitova shpërblime,
I dhruova vetës – VETËN TIME!...
DASHURIA NUK ËSHTË GARË VRAPIMI
Dashuria nuk është predikim pa skaj,
Është e pashqiptueshmja, e pamësueshmja,
Ajo, që përjetohet në orën e ndiçimit të saj.
Përmes syve rrëshqasin ëmbël dritë dhe hije,
Përmes zemres vrapojnë lehtë hënë edhe yje.
Nuk është garë vrapimi për të arritur në zenith,
Është ndjenjë, lumturinë harmonizon, shpirtin e zgjidh.
Është thellësia e parrënueshme që secili bart?!...
Është mish e trup,mendim e ide që ngritet lart?!...
Jo!...Jo pra!...Dashuria është ndjenjë që nuk mësohet,
Është koncert, që nga shpirti i dashuruar dirigjohet!...