| E diele, 13.01.2013, 11:48 AM |
HOSSANA,
BARJABA!
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ
Është
vërtet lehtësi stilistike ta shoqërosh mbiemrin Barjaba me atë të personazhit
të njohur biblik, aq popullor tek ne nga poezia e famshme e Nolit, "Marshi
i Barabajt", ku thirrja "Hossana, Barabba" përsëritet disa herë
në çdo strofë.
Opozita
vetë, në përpjekje për të kaluar në kundërakuzë, tha se Kosta që u kap në
dyqanet e Kalifornisë duke vjedhur është Barjaba, ndërsa Barabbajt e vërtetë
janë pushtetarët aktualë të Shqipërisë.
Në
Testamentin e Ri, në të katër ungjijt, Barabba përmendet si një i burgosur ose
kriminel i liruar për ta kënaqur kërkesën e turmës para kryqëzimit të Jezusit.
Barabba, në të gjitha shkrimet e shenjta, është përshkruar si një vjedhës apo
si një i pabindur ndaj ligjit. Sipas zakonit të asaj kohe që në Pashkët të
lirohej një i burgosur, Pont Pilati sugjeroi lirimin e Jezusit, por turma
protestoi dhe kërkoi lirimin e Barabas. Pilati e liroi atë dhe e dërgoi Jezusin
për ekzekutim me vdekje.
Do
pranuar që, përveç ngjashmërisë tingullore, pra, personazhi Barjaba, ka edhe
përbashkësi të tjera me personazhin biblik Barabba. Ai është kapur duke
vjedhur, madje sende të shtrenjta, në një dyqan luksi, në një shtet luksi të
Amerikës, në Kaliforni. Nëse Amerika është ëndërr për të gjithë, Kalifornia
është ëndërr brenda vetë ëndërrës. Atje Barjaba ka provuar edhe prangat dhe
arrestimin nga policia amerikane.
Në
kontekstin e tillë, ngjarja nuk do të kalonte pa bujë as në rastin e një emri
të padëgjuar. Buja do të ishte e veçantë kur Barjaba është anëtar korespondent
i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Doktor i Shkencave
Psikologjike dhe Sociale dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike e të
Administrimit Publik në një universitet të Tiranës, (Universiteti Mesdhetar)
emrin e të cilit nuk e lakon asnjë nga mediat e atjeshme, asnjë nga
institucionet e atjeshme. Në një shoqëri dhe vend të komprometuar nga krimi në
çdo qelizë është diçka normale që të mos ketë kurrë informacione të plota.
Falë
ndjeshmërisë së qytetarisë së standardit të lartë që ka vendosur shoqëria
amerikane, posaçërisht ajo kaliforniane, vjedhja e kryer nga Kosta Barjaba me
të shoqen dhe të bijën, u publikua nga mediat e atjeshme. Dhe, falë mediave
online, zllapat e lajmit erdhën edhe tek ne.
Kompleksin
e fajtorit të kapur në faj e manifestuan menjëherë të gjitha palët në Tiranë,
si ata që heshtën, si ata që bënë akuza e kundërakuza. Tirana ia ofroi
televizionet e saj Barjabës për ta përgënjeshtruar lajmin e dhënë nga mediat
amerikane dhe për të mashtruar opinionin publik, siç i thuhet ndryshe asaj
pjese të popullit që është më e ndjeshme ndaj zhvillimeve.
Barjaba
është anëtar korespondent i Akademisë, pra është emërtesë e vetë Kryetarit
aktual të Këshillit të Ministrave. Akademia, pothuaj gjatë gjithë tranzicionit,
është dalluar si institucion politik i çdo qeverie në fuqi. Akademia,
normalisht, do të ishte adresa e parë ku mediat të trokisnin dhe të pyesnin: Ku
e keni Kostan, dini gjë për të? Adresa e dytë do të ishte universiteti ku ai
është dekan. Adresa e tretë Qeveria. Adresa e fundit - Partia Socialiste. Kjo e
fundit do të ishte e pritshme të gjendeshin edhe njoftimet më të plota e më të
sakta.
E
vërteta, në kushtet e Shqipërisë, do të vazhdojë të mbetet e përciptë. Të dhëna
nuk jep asnjë nga burimet e mësipërme. Në përpjekjet për distancime, për
heshtje, apo për fajësime të ndërsjellëta, në fakt shihet përpjekja e të gjitha
palëve për t'u treguar dorëjashtë jo aq ndaj individit Barjaba apo familjes
Barjaba, por ndaj kategorisë sociale që përfaqësojnë ata dhe dukurisë që
përfaqësojnë ata.
I
përkufizuar nga disa analistë si një prej pehlivanëve më të shkathët të
tranzicionit, që ka pirë në shumë nëna, Kosta Barjaba, në fakt, aktualisht,
ndodhej shumë më pranë opozitës. Në shkrimet, qëndrimet, hulumtimet, studimet e
tij, Barjaba ishte megafon i opozitës kundër shumicës, duke ia ngarkuar asaj
kriminalitetin e lartë, varfërinë e lartë, papunësinë e lartë, sfera këto të
fushinteresimit të tij si dijetar i sociologjisë.
Nga të
dhënat e përdorura në shkrimet e këtyre ditëve, del se Barjaba është nga ata
minoritarë (grek) që është pjesë e mirëfilltë e realitetit shqiptar. Nëse
minoritarët tanë do të ndaheshin në tri kategori - ata që gjatë tranzicionit
janë vendosur me të dyja këmbët në shtetin amë (Greqi etj.), ata që një këmbë e
kanë atje dhe një këmbë në Shqipëri, dhe ata që janë me të dyja këmbët në
Shqipëri - Kosta Barjaba duket se mund të klasifikohet në kategorinë e tretë.
Edhe nga
analistë më pranë opozitës pranohet që Kosta iu përket atyre që kanë përfituar
pa e merituar gjatë tranzicionit dhe është ndër të pasurit. Edhe fakti që
festat e fundvitit i kalon në Kaliforni, që shopingjet i bën në dyqanet më të
shtrenjta, që është me makinë private, kushedi - ka edhe vilë private në
Kaliforni, e tregon se Kosta nuk është për t'ia qarë hallin.
Kosta nuk
duket se është një 'vjedhës që e bëri rasti', siç e kanë një shprehje
italianët. Jo se i doli përpara një çantë e bukur, i pëlqeu gruas apo vajzës
dhe ia luajtën mendjen sa ta zgrapcte, por, siç thonë burimet hetimore
kaliforniane, ishte vjedhje e planifikuar.
Meqë
sendet e vjedhura, sado të shtrenjta, ishin të vogla, kjo edhe në mediat e
Shqipërisë u quajt 'vjedhje e vogël', ndërsa autori 'vjedhës xhepash'. Të tillë
ka, në fakt, edhe tek njerëzit e pasur. Vite më parë Winona Rider, një nga
hollivudianet më të talentuara, u kap duke vjedhur sende të zakonshme në një
supermarket në Los Anxhelos. Kjo është tamam sëmundje e 'kleptomanisë', e
'vjedhjes së vogël' e 'xhepistit'. Rëndom, sidomos në sferat e tilla të larta
të shoqërisë, ata me vese të tilla iu nënshtrohen rehabilitimeve.
Si
'vjedhës të vegjël pushteti' janë cilësuar prej shumë vitesh vetë politikanët
shqiptarë, madje nga një figurë e tillë e lartë amerikane si Robert Doll, i
cili akuzonte për 'kleptokraci' dhe i quante 'kleptokratë' të padurueshëm. Pra,
në një shoqëri ku 'pushteti' politik, ai 'ekonomik' ai 'mediatik', çfarëdo
pushteti tjetër janë gjëra që vidhen dhe futen në xhep, edhe kleptomania e
atyre që përbëjnë të ashtuquajturën 'elitë' të Shqipërisë është një gjë e
rëndomtë dhe e legalizuar.
Këto ditë
në Tiranë doli një listë për zyrtarët e lartë që nuk i kanë paguar taksat e
makinave. Një nga më të 'ndershmit' prej tyre tha 'kam harruar, thjesht është
një shkujdesje njerëzore'. Nëse vjedhja e Kostës do të kishte ndodhur në një
supermarket të Tiranës, pra, është e sigurt se ai mund ta hidhte me një 'epo
ishte një shkujdesje njerëzore' apo 'ishte një dobësi njerëzore'.
E vërteta
është se të ashtuquajturat 'shkujdesje' apo 'dobësi' të të ashtuquajturës
'elitë' të Tiranës, janë 'shkujdesje' çnjerëzore, janë 'dobësi' çnjerëzore.
Rasti Barjaba, tregoi se Barabajtë janë atje në çdo hap, në çdo zyrë, në çdo
shkallë të pushtetit, në çdo rang të administratës. Kjo tregon se Kostat, edhe
nëse bankat amerikane do të ishin sende që mund të futeshin në xhep, nuk do
t'ua falnin sekondën. Kjo tregon se Barabbajtë e Tiranës, çdo gjë që ua
përfshin rrezja e pushtetit, e shanseve që ua jep karrikja, e konsiderojnë të
tyren dhe nuk ia falin sekondën. Dhe, një shoqëri që vetëm iu këndon hossananë
Barabbajve të saj, ajo është e dënuar me vetëshkatërrim të pashmangshëm, sa dhe
të pandalshëm.