| E marte, 08.01.2013, 08:33 PM |
NË
SHQIPËRI, EKONOMIA SHQETËSIMI KRYESOR
Nga Frank Shkreli
Sipas një
njoftimi për media të botuar dhe shpërndarë me 27 Dhjetor, Instituti
Demokratik Kombëtar i Amerikës botoi një
raport mbi një studim të ri që vlerëson gjëndjen politike në Shqipëri, të ndërmarrë nga këjo organizatë
tetorin që kaloi, bazuar në mendimet e pjesëmarrësve të dhjetë grupeve në katër
qytete: në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.
Siç
dihet, Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan është një organizatë jo-qeveritare që ç'prej themelimit të tij më
1983 përkrahë institucionet si edhe zbatimin e praktikave dhe zhvillimin e
proceseve demokratike anë e mbanë botës, duke krijuar dhe duke mbështetur organizatat e shoqërisë
civile. Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan vepron në një numër vendesh
anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Institutit amerikan,
qëllimi i këtij raporti mbi Shqipërinë, siç ndodhë edhe në vende të tjera,
është për të identifikuar dhe për të komunikuar shqetësimet e qytetarëve,
udhëheqësve politikë, para zgjedhjeve të përgjithëshme që do të mbahen më 23
Qershor të këtij viti.
Në
njoftimin për media, Instituti Demokratik Amerikan thotë se pjesmarrësit
shqiptarë në studimin e bërë nga ky institut, kryesisht mendojnë se vendi i
tyre është në rrugë të gabuar. Në
mbështetje të këtij pretendimi ata përmendin papunësinë, rritjen e çmimeve,
pagat e ulëta dhe korrupsionin, si faktorët kryesorë që kanë një ndikim të
konsiderueshëm në cilësinë dhe standardin e jetës së tyre. Por, nga ana tjetër, në njoftimin për media,
Instituti Amerikan thotë se rekomandimi me kusht i Komisionit Evropian për t'i
ofruar Shqipërisë statusin e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian,
shikohet nga disa prej pjesëmarrësve si një shënjë optimizmi dhe përmirësimi
dhe si një tregues, për disa prej tyre, se vendi është në rrugë të mbarë.
Vihet në
dukje se pjesmarrësit në këtë studim, nga katër qytete të Shqipërisë, e kanë të
qartë se çfarë dëshirojnë për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Ata duan një të ardhme për vendin e tyre ku
ligjet respektohen, ku rregullat zbatohen dhe ku sundimi i ligjit të
funksionojë për të gjithë, pa dallim.
Ata u shprehën se dëshirojnë një shoqëri ku standardi i jetesës të jetë
më i lartë dhe preferojnë një sistem në të cilin vlerat, megjithëse nuk thuhet
se cilat vlera -- merret me mend se e kanë fjalën për vlerat kombëtare dhe
shpirtërore -- të nderohen dhe të kultivohen.
Në lidhje me shërbimet që presin nga sistemi politik, pjesëmarrësit
shprehen të zhgënjyer me politikën, duke thënë se sistemi politik nuk është i
interesuar dhe nuk merret me nevojat e tyre bazë.
Pjesëmarrësit
e grupeve të këtij raporti janë kritik sidomos ndaj asaj që ata thonë se është
distanca që ekziston midis tyre si qytetarë dhe politikanëve të vendit dhe
shprehen se do të dëshironin që politikanët të tregojnë një mirëkuptim më të
madh ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët. Pjesëmarrësit në këtë studim shprehen se politikanët
shqiptarë nuk kanë treguar asnjë interesim për problemet e përditëshme të
qytetarëve. Ata u bëjnë thirrje
politikanëve që të tregohen më mirënjohës ndaj shqetësimeve të tyre dhe
kërkojnë prej tyre më shumë llogari për premtimet e dhëna dhe për vendimet e
marra.
Në raport
ngrihet gjithashtu çështja e korrupsionit, që sipas pjesëmarrësve të grupeve,
është pjesë përbërëse e jetës së përditshme të qytetarëve. Sipas Institutit Demokratik Amerikan,
pothuaj çdo anëtar i katër grupeve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kishte një përvojë personale me korrupsionin,
pasi ata deklaruan se për të kryer një punë, ose për të siguruar një
shërbim, ishin detyruar t’i jepnin
ryshfet policit, infermjeres, mësuesit ose nëpunësve të tjerë të administratës
publike. Disa prej pjesëmarrësve thanë gjithashtu
për raportin e Institutit Amerikan se edhe sjelljet e tyre -- duke pranuar se
kanë dhënë ryshfet për shërbimet që kishin nevojë -- kanë kontribuar në
përjetësimin e korrupsionit në vend.
Ndër
përfundimet e tjera të raportit, thuhet se megjithse pjesëmarrësit e
konsiderojnë gjëndjen ekonomike si të vështirë, shumë prej tyre, përfshirë edhe
ata që ishin shprehur se vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, pranuan
se gjatë disa viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive në vend, duke përmendur
përmirësimet në infrastrukturën rrugore, në shkolla dhe në furnizimin e rrymës
elektrike. Shumë prej pjesëmarrësve në
këtë studim, thuhet në raport, fajësojnë ''ata në fuqi'' për gjëndjen e keqe
ekonomike, një çështje këjo që sipas tyre, ''është shqetësimi më i madh në
jetën e tyre të përditshme''.
Muajin që
kaloi, Drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Evropën
Jug-lindore, Robert Benjamin vizitoi Shqipërinë, ku ndër të tjerë, u takua edhe
me Presidentin Nishani, me ç’rast i përcolli udhëheqsit shqiptar përshëndetjet
nga Kryetarja e bordit të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dhe
ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan,
Madlajnë Ollbrajt. Përveç zonjës Ollbrajt,
ndër drejtuesit e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dallohen shumë ish-zyrtarë
të lartë të administratave demokrate të SHBA-së, të cilët kanë gjithnjë lidhje
dhe influencë në administratën e tanishme demokrate të Presidentit Obama.