| E shtune, 05.01.2013, 10:12 AM |
SHQIPTARËT E MAQEDONISË SË SOTME
Nga Kryengritja e Dervish Cares 1843 deri te Kryengritja e Dibrës 1913
Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili
KRYENGRITJA E DERVISH CARES
Për kryengritjen e Dervish Cares kishte me siguri shumë shkaqe. Mirëpo shkak i
drejtpërdrejt për këtë kryengritje ishte internimi e likuidimi i pashallarëve
të Tetovës. Si dihet, deri në fillimin e viteve '40 qeverisnin gjysmë të
pavarur tre vëllezërit: Havzi Pasha në Shkup, Hysein-Pasha në Qustendil dhe
Abdurrahman Pasha në Tetovë. Kjo familje shqiptare kishte ndikim të pakufizuar
mbi gjithë popullatën shqiptare, çdo fjalë e pashës në këtë kohë ishte ligj për shqiptarët besnikë të këtyre
trevave. Siç kemi thënë edhe brenda punimit, edhe të krishterët gjendeshin shpesh
nën mbrojtjen e këtyre pashallarëve që nuk lejonin që disa turq e shqiptarë të
padisiplinuar të prishnin rendin, rregullin dhe qetësinë në këto anë.
Pashallarët shqiptarë në këto anë të
Shqipërisë gati qeverisnin si gjysmë të pavarur. Kjo qeverisje nuk i
konvenonte pushtetit suprem të Sulltanit. Prandaj Qeveria e Stambollit donte të
organizojë administratë të re qendrore, të kryejë ndarje të re administrative,
t'i likuidojë pashallarët shqiptarë gjysmë të pavarur ndaj të cilëve ushqente
mosbesim, pasi ata refuzonin t'i kryejnë shpesh kërkesat e Sulltanit dhe
qeverisë turke. Sulltani priste vetëm momentin që ta dobësoj pakufizueshmërinë
e kësaj familje të fuqishme shqiptare që sundonte nga Tetova, Kërçova, Shkupi,
Kumanova e deri në Gjystendil, ky qytet sot i takon bullgarisë. Sunduesi i Tetovës
dhe ai i Shkupit edhe pse ishin vëllezër u zunë për pronat trashëguese.
Mosmarrëveshjet pronësore çuan deri te lufta në maj të vitit 1840, njëri kundër
tjetrit dërguan ushtri që u konfrontuan te fshati Llërcë i Tetovës. Mirëpo,
ndërmjetësit i pajtuan vëllezërit dhe kështu nuk shpërtheu lufta vëllavrasëse.
Me këtë rast ndërhyri Porta e Lartë dhe i thirri vëllezërit në Stamboll që t'i
pajtojë. Kur vëllezërit arritën në Stamboll ata u burgosën, ngaqë deklaruan
haptas se nuk janë në gjendje të mbledhin rekrutë shqiptarë për nevojat e
Perandorisë. Hyseini dhe Abdyrrahmani u internuan në Anadolli, kurse Havzi
Pasha vdiq në burg. Sipas disa të dhënave nga të afërmit e tij, atë e helmuan. Porsa arriti lajmi për
vdekjen e Havzi Pashës në Shkup, gjithë popullata shqiptare e pjesërisht edhe
sllavët e kësaj ane në fillim u çuan në kryengritje, në krye me Dervish Caren,
një nga njerëzit e afërm të Havzi dhe Abdyrahman Pashës. Pas internimit të tre
pashallarëve vëllezër u çuan Hasan-pasha, vëllai i Havzi Pashës dhe Qamil
Pashës, djalë i Havzi Pashës. Këta të dy ishin të internuar në Azi të Vogël.
Hasan Pasha pas gjashtë vjet vdiq në internim. Qamil Pasha u kthye në Stamboll
ku edhe vdiq. Në vend të Havzi Pashës së
Shkupit u dërgua si mëkëmbës i Sulltanit Qor Mehmed Pasha, kurse Abdyrrahman
Pasha u trashëgua nga vëllai Xheladin Beu, i cili ishte si sundimtar tejet i
paaftë për qeverisjen e Pashallëkut të Tetovës. Këtë dobësi të tij e shfrytëzoi
dhëndri i Havzi Pashës, Dervish Care nga fshati Pallçiisht, i cili në këtë kohë
mbante postin udhëheqës në kazanë e Gostivarit e cila ishte pjesë e
administrative e Tetovës, e cila
njëkohësisht ishte edhe qendër e pashallëkut në kohën e qeverisjes së Koxha
Rexhep Pashës dhe Abdurahman Pashës.
Dervish Cara ka qenë një ndër kryengritësit kryesorë të kryengritjes
antiosmane, ai ka lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës. Nën udhëheqjen e
tij u organizua kryengritja e njohur në këto treva të Shqipërisë Lindore. Prandaj edhe u njohë me
emrin e tij, Kryengritja e Dervish Cares.
Në
vjeshtë të vitit 1843 Dervish Cara shpalli mos dëgjueshmëri në Gostivar dhe më vonë me ushtrinë e tij u rebelua. Në tetor Cara u drejtua me
ushtarët e tij dhe vullnetarët e ardhur nga fshatrat e Gostivarit me rrethinë
kah Tetova, që në atë kohë kishte 24 000 banorë. Synimi i tij ishte që ta dëboj
Xheladin Pashën si sundimtar i fundit i kësaj dinastie. Me Dervish Caren dhe
vullnetarët e tij u bashkuan edhe shqiptarët e Tetovës me rrethinë.
Dervish Cara u bë shpejt i njohur në tërë territorin që qeverisej më parë nga
pashallarët e Tetovës. Në këto rrethana të reja të rezistencës Tetova u shpallë
edhe qendër e kryengritjes shqiptare. Në teqenë e Tetovës “Arabati Baba” u
vendos shtabi kryengritës në krye me Dervish Caren. Pasi ky e morri qeverisjen
në Gostivar e Tetovë, Dervish Cara i informoi pashallarët e trevave lindore për
veprimtarinë e tij kundër dhënies së redifit (regrutimit). Ai dërgoi korrierë
te pashallarët e Dibrës, Prizrenit, Prishtinës Kumanovës dhe Vrajës. Në anën
tjetër Dervish Cara bënte para përgatitje
për të sulmuar edhe Shkupin, pasi kishte njohuri se në Shkup ka ithtarë të
lëvizjes së tij për liri. Mijëra luftëtarë të udhëhequr nga Dervish Cara, pasi
e morën Tetovën u nisën në drejtim Shkupit, ku u bashkuan me vullnetarët e
Kumanovës. Pastaj së bashku nga Presheva vazhduan për në Vrajë, ku pasi arritën ti largonin nga
pushteti qeveritarët turq i ngritën organet e vetëqeverisjes lokale shqiptare.
Ky çlirim i këtyre krahinave nga administrata turke zgjati për disa muaj, nga
janari 1844 deri më 21 maj të të njëjtit vit, kur u zhvillua beteja e
Katllanovës, nën komandën Hajredin
Pashës. Pas Betejës së Katllanovës të cilën e humbën shqiptarët më 21 maj 1844 u shtyp kryengritja shqiptare
e trevave lindore, kundër këtyre udhëheqësve shqiptarë Stambolli mori masa të
ashpra. Pasi i zuri rob nga Shkupi deri në Selanik i ka çuar në këmbë dhe duar
lidhur të gjithë. Procesi gjyqësor u
mbajt në Stamboll, ku Dervish Cara
mbajti një qëndrim burrëror duke e marrë mbi supet e tij tërë përgjegjësinë e organizimit të kryengritjes. Ai bashkë me 28
udhëheqës të tjerë u dënuan me vdekje nga i gjyqi special i Stambollit. Por më
vonë pas disa viteve, dënimin e Dervish Cares e shndërruan në burg të
përjetshëm, ndërsa disa nga bashkëveprimtarët
e tij pas disa viteve burg ua falën dënimin.
Pjesëmarrja
e Shqiptarëve të trevave lindore në Lidhjen e Parë të Prizrenit 1878
Lidhja
e Shqiptare e Prizrenit është edhe çelësi i Shqipërisë së Re, pas atij që
themeloi Skenderbeu në Mesjetë. Pasi Lidhja në këtë kohë për herë të parë pas
vdekjes së Skënderbeut paraqiti programin e saj për çlirim e bashkim kombëtar.
Kjo ishte ngjarje më e rëndësishme e shqiptarëve dhe krerëve të saj në historinë më të re, e cila paraqet formimin
e kombit shqiptar. Lidhja pati karakter
progresiv për kombin shqiptar, e cila trajtoi platformën e luftës
nacionalçlirimtare për çlirim e bashkim kombëtar. Me këtë program të unifikuar
u njohën të gjithë shtet demokratike të Fuqive të Mëdha, poashtu u njoh edhe
kryesuesi i Traktatit të Berlinit Oto Fon Bizmarku, se kombi shqiptar ka
ngritur zërin për çlirim e bashkim kombëtar.
Ky
program mbarëkombëtar është injoruar në radhë të parë nga Rusia dhe disa
satelitë të saj që posa kishin krijuar shtetet e tyre midis Ballkanit, të
ndihmuara nga vetë Peterburgu. Këto shtete sllave vrapuan të njollosin Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare duke iu mëvesh në
radhë të parë epiteti panislamik. Ndërsa Lidhja e Shqiptare e Prizrenit u
pagëzua se ideologji me karakter reaksionar, për themelimin e Shqipërisë së
bashkuar ku bënin pjesë katër vilajetet shqiptare. Ky projekt panshqiptar nga
qarqet e shteteve sllave është cilësuar me ide ekspansioniste. Kjo platformë
mbarë shqiptare është eksploatuar nga pansllavizmi si kërkesë për krijimin e “Shqipërinë
së Madhe”. Kjo terminologji sllave i ka shërbyer politikës shoviniste
të shteteve sllavo-serbe- malazeze dhe
greke si ushqim për të mbajtur gjallë nacional-shovinizmin e tyre për të
pushtuar tokat shqiptare nga Lufta e Parë Ballkanike 1912 deri më sot kur
mbushen njëqind vjet. V.Xh).
Siç
dihet në vjeshtë të vitit 1877 në Stamboll u themelua Komiteti Qendror i
atdhetarëve shqiptarë për mbrojtjen e të
drejtave historike të Shqipërisë dhe
shqiptarëve, të cilët në programin e vetë kërkonin autonominë për të
gjitha vilajetet shqiptare ku përbënin mbi 60% të popullsisë.
Burri i madh i
Kombit Abdyl Frashri, qysh në dhjetor të
vitit 1877 e organizoi në Stamboll parinë shqiptare që përfaqësonin të gjitha
krahinat shqiptare. Në këtë mbledhje u vendos që të themelohet Komiteti i
Stambollit për kryetar u zgjodh Abdyl Frashëri. Nga kjo mbledhje u dërgohet
ambasadorëve të Fuqive të Mëdha një memorandum
ku kërkohej bashkimi i katër vilajeteve të Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe
Kosovës në një shtet kombëtar shqiptar. Pasi në këto katër vilajete jetojnë me
shumicë popullsi shqiptare, ku ata duhet të udhëheqin vetë dhe tu lejohet gjuha
shqipe nëpër shkolla. Pra udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillim
kërkonin autonomi, në kuadër të Perandorisë Osmane.
Siç
dihet shqiptarët në luftërat serbo-turke dhe turko-ruse luftuan në krahun e
Turqisë. Ata luftuan në krahun e tyre pasi ishin të rrezikuara trojet shqiptare
nga hegjemonizmi sllavo-rus, pasi Rusia i kishte shpallur luftë Perandorisë dhe
elementit jo sllav, për zgjerimin e pansllavizmit në Ballkan e cila shkonte
direkt në dëm të vilajeteve shqiptare dhe vetë Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja që
shqiptarët luftuan në anën e Turqisë për mbrojtjen e tokave të rrezikuara
shqiptare në krahinën e Leskovcit dhe të Nishit. Prandaj shqiptarët pritnin që
interesat e tyre tokësore të mbroheshin nga Qeveria Osmane. Por rrethanat
ndryshuan pas disfatës së ushtrisë turke nga forcat e kombinuara
ruso-ballkanike, me paqen e nënshkruar në Shën Stefan, ku toka të pastra të
Shqipërisë iu dhanë Bullgarisë si dhuratë nga Rusia. Bullgaria me këtë paqë fitoi territore të mëdha
shqiptare duke e krijuar Bullgarinë e Madhe mbi një pjesë territoreve të vilajetit të Kosovës dhe
vilajetin e Manastirit deri në Dibër e Elbasan,
kjo ishte një ndër shkaqet kryesore që Komiteti i Stambollit e thirri
Kongresin e Parë Shqiptar i pagëzuar në historinë tonë kombëtare si Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, e cila u mbajt në Prizren disa ditë para fillimit të
Kongresit të Berlinit.
Më
10 qershor 1878, në Prizren fillon me punë Kongresi panshqiptar i Lidhjes së
Parë të Prizrenit, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ku merrnin pjesë
80 delegatë nga vilajeti i Kosovës, Shkodrës, Manastirit, dhe Janinës,
referatin kryesor e lexoi Kryetari i Komitetit Abdyl Frashri.
Shqipëria në Kongresin e Berlinit
Me
iniciativën e Austro-Hungarisë u thirr Kongresi i Berlinit, qëllimi kryesor i
Kongresit ishte që të revidoheshin vendimet e mara në Shën Stefan. Kongresi
filloi punën më 13 qershor 1878 ku merrnin pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të
Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës paraprake vendimet do të
merreshin unanimisht. Në Kongresin e Berlinit mori pjesë edhe një delegacion
qeveritar i Perandorisë Osmane i kryesuar nga Ministri i Jashtëm Kara Teodor Pasha,
me ndihmësin e tij Mehmet Ali Pasha. Poashtu në këtë kongres ishin të pranishëm
edhe përfaqësuesit e shteteve ballkanike si: Serbia, Mali i Zi, Greqia,
Bullgaria dhe Rumania. Vetëm shqiptarët nuk kishin të drejtë pjesëmarrje në
Kongres.
Me
fillimin e Kongresit të Berlinit defacto të gjitha vendimet e nënshkruara në
Paqen e Shën Stefanit shpalleshin të pavlefshme dhe duhej të silleshin vendime
të reja. Porta e Lartë në fillim kishte shpresë se do ndihmohej nga disa shtet
të Fuqive të Mëdha që Kongresi ti kthej Perandorisë status quon e mëparshëme që
kishte mbi disa shtete të Ballkanit, por hasi në rezistencë të fuqishme nga
diplomacia ruse dhe ajo franceze, ndërsa diplomatët anglez mbanin qëndrim
pozitiv në lidhje me pretendimet greke. Ndërsa vetë Bizmarku fare nuk e pranoi
problemin shqiptar si çështje që duhej diskutuar në Kongres.
Diplomacia
turke për të përfituar nga rasti në fjalë luajti një rol diplomatik të
dyfishtë, në një anë pranoi të zbatojë të gjithë urdhrat e Kongresit, ndërsa në
anën tjetër i armatosi shqiptarët duke e ndihmuar edhe me financa Lidhjen
Shqiptare, që përsëri ato territore të ngelin nën ombrellën Perandorisë Turke.
Por tani më çdo gjë ishte e qartë se shqiptarët duhej të mbronin vetë ato
territore shqiptare, që Turqia i kishte miratuar në Kongresin e Berlinit.
Pas
përfundimit të Kongresit të Berlinit më 13 korrik 1878, Lidhja shqiptare fillon
të radikalizohet. Ajo në vitin 1879, kërkon autonomi të plotë administrative,
por Porta nuk e pranoj këtë kërkesë të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Shqiptarët organizojnë demonstrata kundër Turqisë në disa qytete. Në mbledhjen
e Lidhjes në qershor 1879, u mor vendim që pushteti turk të largohet me forcë
nga tokat shqiptare, ku u kërkua që Lidhja ta merr me forcë pushtetin në duart
e veta në të gjitha qytetet e Vilajetit të Kosovës dhe Manastirit. Kundrejt
këtij veprimi institucional të Lidhjes, Porta do të tentoj që me ushtri të
rikthej pushtetin e saj në shumë krahina që deri tani më e kontrollonte Lidhja
Shqiptare.
Në
prill të vitit 1880, në tubimin tre ditor që u mbajt në Shkodër, midis
myslimanëve dhe katolikëve, ku u vendos ti dërgohej një ultimatum Sulltanit, ku kërkohej nga ai që ushtria
turke dhe nëpunësit e saj ta lëshojnë vendin, që populli të zgjedh princin e
vetë. Këto kërkesa ishin shumë më radikale se sa kërkesat serbe në vitin 1804
dhe ato t vitit 1813, për autonominë e
tyre. Lidhja duke mos pritur përgjigjen e kërkesave filloi me aksionet
luftarake duke e çliruar tërë Shqipërinë Veriore, pastaj një pjesë të vilajetit
të Kosovës me qytetet, si: Shkodër, Prizren Tetovë, Gjakovë, Pejë dhe
Prishtinë. Këto qytete u pastruan nga nëpunësit turq dhe ushtria e tyre. Me
fillimin e vitit 1880 Turqia i filloi operacionet luftarake kundër Kosovës dhe
qendrës së saj në Prizren me komandantin e shquar antishqiptar Dervish Pasha.
Goditjen
e parë ushtria Osmane ia dha Degës së Lidhjes Shqiptare në Shkup. Pushtimi i
Shkupit në mars të viti 1880 nga forcat
turke pati jehonë të madhe për moralin luftarak të Lidhjes Shqiptare në
përgjithësi, pasi Shkupi ishte një pikëmbështetje e fortë e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit. Pasi merret Shkupi,
ushtritë turke iu drejtuan Ferizajt të cilin e morën në pjesën e parë të
Prillit. Tani më Dervish Pasha me të gjitha forcat e tij iu drejtua qendrës së
Lidhjes, të cilin e mori më 23 prill. Pas shuarjes së Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, Porta e Lartë bëri terror të pa parë për 3 vjet me radhë. Deri në
vitin 1882 në Azi të Vogël u depërtuan mbi 3000 kryengritës. Ndërsa pa gjyq vetëm në Prishtinë u dënuan
mbi 4000, që kishin vepruar për çlirimin e Shqipërisë Etnike. Por edhe pse u
ushtrua një terror nga ushtria turke, ajo nuk arriti të nënshtroj shqiptarët.
Kryengritja
e Ilindenit ishte veprim kundër
interesave të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare për bashkim kombëtar
Qysh
në fillim të shekullit XX kishin filluar kombinatorikat për ndarjen e re të
Ballkanit. Në vitin 1902 Mali i Zi dhe Serbia ishin marrë veshtë që Serbisë ti
takoj vilajeti i Kosovës, Malit të Zi Shkodra, ndërsa me Bullgarinë ndarja
kishte kundërthënie të mëdha, pasi Serbia kërkonte pjesën e Vardarit deri te lumi Bregallnica.
Ndërsa me Greqinë marrëveshja ishte xhentlemene, ku pjesa e Shqipërisë Veriore
deri te lumi Shkumbin i takonte Serbisë, ndërsa ajo jugore Greqisë.
Falë
interesave të mëdha që kishin Fuqitë e Mëdha për Ballkanin, ajo filloi të duket
në praktikë aty nga fillimi i vitit 1903. Fuqitë e Mëdha e kishin projektuar
programin e tyre për Ballkanin, më të interesuara për ndarjen e sferave
dominuese ishin Rusia dhe Austro-Hungaria. Në këtë kohë më kishte filluar të
rritej tensioni i komitëve bullgarë në vilajetin e Selanikut dhe të Manastirit.
Në këtë kohë Manastiri me veprimet e veta nacionaliste ishte bërë qendra e
Shqipërisë, ku vepronin krerët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në
gusht të vitit 1903 shpërtheu Kryengritja e Ilindenit, e cila u shtyp ashtu si
e kishin parashikuar edhe bejlerët shqiptarë në mënyrë të ashpër, në takimin e
tyre me përfaqësuesit austro-hungarez. Edhe pse kjo kryengritje zgjati vetëm
disa ditë dhe pësoi fiasko të plotë, ajo la pasoja shumë të rënda për
zhvillimin kombëtar dhe unitetin e krerëve shqiptarë në Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare dhe luftën e saj për çlirim e bashkim kombëtar.
Me
shuarjen e Kryengritjes së Ilindenit, Rusia insistonte me çdo kusht realizimin
e reformave në këtë vilajet shqiptar me qendër në Manastir. Fuqitë e Mëdha e
intensifikuan trysninë e tyre në këtë pjesë të Shqipërisë lindore. Mbi të gjitha do të kulminoj takimi i
ardhshëm midis Austro-Hungarisë dhe
Rusisë, që u mbajt në Myrstag më 22 tetor 1903, në këtë takim të dy fuqitë u
morën vesh më në fund për të vendosur një status quo në këtë qytet të
Shqipërisë Lindore dhe hartuan një program reformash, do të thotë për të gjithë
apo për një pjesë të tre vilajeteve të
Kosovës, Manastirit, dhe Selanikut, në këtë të fundit bënte pjesë edh krahina e
Maqedonisë.
Ky
program solli rritjen e pranisë së huaj në terren, me këtë marrëveshje u
shpërthye hallka e programit kombëtar nga Lidhja e Prizrenit për bashkimin e katër vilajeteve
shqiptare. Me marrëveshjen e Myrstagut, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
morën një grusht të fuqishëm në luftën e tyre për çlirim e bashkim kombëtar.
Tani më rrugëtimi drejt autonomisë dhe bashkimit të katër vilajeteve në një
shtet kombëtar pengohej me të madhe nga Fuqitë e Mëdha. Në veçanti me këto
reforma të shpallura midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, në fillim të vitit 1904
në vilajetin e Manastirit zbarkuan oficerë dhe xhandarmëri; ruse, austriake,
franceze, italiane dhe angleze, me kompetenca të pakufizuara.
Evoluimi
i shqiptarizmës drejtë Autonomisë së Shqipërisë
Krerët
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të arritur qëllimin e tyre kombëtar vepronin
në dy fronte: E para luftonin ditë e natë në internacionalizimin çështjes
shqiptare te Fuqitë e Mëdha dhe e dyta Lvizja Kombëtare kurrë nuk hoqi dorë nga
kërkesat e saja për realizmin e autonomisë së plotë në kuadër të Perandorisë
Osmane. Këto kërkesa të shqiptarëve ku dominonte kërkesa për gjuhën shqipe e
detyruan Qeverinë turke që në korrik të vitit 1902 të urdhëroj mbylljen e
shkollës shqipe në Korçë, të cilën e kishte hapur vetë sulltani në vitin 1887,
ndërsa mësuesi i saj u arrestua.
Në
planin e përgjithshëm valinjtë kishin marrë urdhra të mbikëqyrnin patriotët
shqiptarë, lëvizjet e tyre, opinionet e tyre; të ndalonin përhapjen e botimeve
në gjuhën shqipe, të konfiskonin letërkëmbimet dhe librat e shtypur; të
kontrollonin karvanët e qiraxhinjve dhe të mbikëqyrnin kafazet e konsullatave
të huaja për shkak të kontrabandës së librave të shtypur shqip. Autoritetet
osmane kërkonin të shkatërronin çdo lidhje me Perëndimin.
Komiteti
sekret shqiptar për çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin e katër vilajeteve
shqiptare u krijua në vitin 1905, ky Komitet jo vetëm që mori të njëjtën formë
që e kishin Ethniki Hetairia, ORIM ose KBP (Komiteti për Bashkim dhe Progres),
por më e rëndësishmja është se ajo u
krijua edhe në Manastir. Pra shqiptarët edhe në këto rrethana të vështira
vepronin ndaras nga lëvizjet bullgaro-maqedonase. Edhe pse Manastiri tani më
ishte i njohur si vendtakim i propagandave të ndryshme nacionaliste dhe një
vatër e rëndësishme e xhonturqve por edhe shqiptarëve.
Figurat
kryesore të shqiptarizmit të dhjetëvjeçarit
që parapriu revolucionin xhonturk
të 1908, ishin pothuajse të bashkuara, pasi qëllimi i tyre ishte rruga
drejtë autonomisë shqiptare, qoftë edhe për një kohë të caktuar me lëvizjen xhonturke. Ndonëse disa
veprimtarë të shqiptarizmit u bënë kundërshtarë të rreptë të xhonturqve,
marrëdhëniet midis shqiptarizmit dhe xhonturqve
ishin shumë të ngushta në fillim, siç mund të vërejmë nëpërrmjet deklaratave të Ismail Qmalit,
Ibrahim Temos, Dervish Himës, Shahin Kolonjës, Nexhib Dragës dhe shumë të
tjerëve.
Sulltani
dhe pushteti turk morri masa të ashpra ndaj çdo lëvizje shqiptare. Në vitin
1906 u ndalua çdo gjë e shkruar në gjuhën shqipe, bile sa edhe kartolinat,
përmbajtja e të cilave shpjegohej në
gjuhën shqipe. Edhe pse me ligj ishte lejuar përdorimi lokal i gjuhës shqipe,
ndërsa në përhapje të shqipes me përmasa të përgjithshme, autoritetet osmane
përdorimin e shqipes e konsideronin si tejet të rrezikëshm. Përderisa gjuhët
tjera të rajonit greqishtja, bullgarishtja, serbishtja, turqishtja nuk ishin
objekt i këtyre masave.
Politika
turke kërkonte me këmbëngulje që të ndëshkuarit të dënoheshin shumë rëndë,
ose të internoheshin. Për këto veprime një nacionalist shqiptar dënohej mbi tre
vite burg, ndërsa një bullgar për vendosjen e një bombe dënohej vetëm me disa
muaj heqje lirie. Në këto rrethana të veprimit të pushtetit turk, Manastiri
dhe Shkupi u bënë në të vërtetë dy qendrat më të rëndësishme të nacionalizmit
shqiptar. Shumë veprimtarë të shqiptarizmit në këtë kohë vepronin në këto dy
qytete, për të mirën e kombit dhe të Shqipërisë.
Pas
vitit 1905 Komiteti
“Bashkim dhe Progres” po përgatiste “revolucionin”, duke nisur nga Selaniku dhe
Manastiri. Krahas këtyre zhvillimeve edhe nacionalizmi shqiptar do të merrte
trajta të reja të veprimit. Në Manastir u krijua “Komiteti i Fshehtë”, ndërkohë
që u shfaqën edhe çetat e para nacionaliste. Shqiptarizmi i viteve 1899-1908 u
transferua në mënyrë të konsiderueshme. Përveç evoluimit të gjendjes të jashtme
politike dhe të brendshme, i cili bëri për shembull që vatra nacionalizmit
shqiptar të zhvendosej nga vilajeti i Janinës në vilajetin e Kosovës e të
Manastirit. Rrënjët e këtyre transformimeve gjenden në ndryshimet që pëson
shoqëria osmane dhe në mënyrë të veçantë
evoluimin që pëson shoqëria shqiptare myslimane, ku kërkesat e saj për një
Shqipëri autonome po bëhej gjithnjë e më shumë radikale, para organeve dhe
administratës turke. Në veçanti kërkesat për arsim kombëtar me alfabetin latin.
Në këto rrethana të reja vend të rëndësishëm zuri zhvillimi i arsimit, rritja e
burokracisë në të cilën po integroheshin gjithnjë e më shumë intelektual,
formimi i një “klase të mesme” të arsimuar që rivalizonte me bejlerët dhe
agallarë, që ishin pronarë tokash, autoritarizmi i sulltanit dhe shfaqja e një
lëvizje opozitare, rritja e theksuar e fenomenit të emigracionit, të gjitha
këta faktorë ushtruan peshën e tyre mbi
zhvillimin e shqiptarizmit në mesin e brezave të rinj shqiptarë. Kjo periudhë e
re kohore në të vërtetë u karakterizua nga dalja, në krah të qeverive të huaja,
të rinjve të arsimuar në fushën e shqiptarizmit, midis të cilëve edhe shumë
shqiptarë myslimanë. Kësisoj do të kemi formulime të reja të shqiptarizmit, siç
tregon përmbajtja e botimeve me frymë patriotike për myslimanët shqiptarë,
fjala ishte të këmbëngul për të kërkuar një identitet evropian, një identitet
mysliman evropian. I ndryshëm nga ai i myslimanëve turq, duke synuar kështu të
legjitimonin në trevat e tyre kur perandoria do të detyrohej të tërhiqej nga
Ballkani. Rrjetet e veprimtarëve të
shqiptarizmit u bënë më të larmishme, sidomos në funksion të grupeve fetare
në vilajetin e Manastirit dhe atë të Kosovës, ku fillon një fazë e re e
nacionalizmit shqiptar drejt çlirimit e bashkimit të kombit shqiptar.
Nijazi
Resnja ushtarak me origjinë shqiptare që më vonë në revolucionin e 1908 u bë
një nga heronjtë më të shquar shqiptar. I lindur në vitin 1873 në rajonin e
Resnjes në jug perëndim të Manastirit, ai kishte studiuar në shkollën e mesme
ushtarake “Idadije” të Manastirit, ku
profesorët i kishin futur ndjenjën e patriotizmit osman. Më vonë në vitet
1894-1897, kishte ndjekur shkollën ushtarake të Stambollit. Në 1897, kishte marrë pjesë në luftën
greko-turke. Më tej ishte emëruar në Ohër dhe që prej 1904, bënte pjesë në
batalionin e tretë të ndjekësve të çetave antiqeveritare. Ai u ndikua nga
reformat e bëra nën presionin e Fuqive të Mëdha pas revoltës së Ilindenit.
Për të dhe të gjithë atdhetarët shqiptarë ku bënte pjesë edhe Kristo Dako,
Evropa i shtynte të krishterët të ngriheshin dhe me ta ajo dëshironte humbjen e
Turqisë. Turqit nuk mund t’i linin më kështu rusët dhe austriakët që të zhvillonin më propagandën e tyre në
Shqipërinë Lindore me qendrat e saj në Manastir dhe Shkup. Bullgarët njëlloj si
edhe armenët, kishin arritur ta sillnin opinionin evropian nga ana e tyre,
ndërsa shqiptarët ende nuk kishin fituar simpatitë e evropianëve për të fituar autonominë
e tyre. Pra, Fuqitë e Mëdha ishin epiqendra, ata diktonin hartën e re që do të
krijohej në Ballkan, por pa Shqipërinë. (V.Xh)
Kryengritjet e mëdha në Kosovë dhe trevat Lindore të Shqipërisë 1910-1912
Kryengritjet
e një pas njëshme të Kosovës dhe trevave lindore ishin objekt studimi jo vetëm
të shteteve ballkanike por edhe të Fuqive të Madha. Tani e tutje interesimi i
tyre për çështjen shqiptare zë një vend me rëndësi, e dyta shqiptarët midis
Ballkanit kishin një pozitë të favorshme gjeostrategjike.
Pas
revolucionit xhonturk, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u bindën se erdhi
çasti edhe për shqiptarët të rimëkëmbnin ndjenjat dhe vlerat e tyre kombëtare.
Mirëpo periudha e liberalizimit i dha shkak zënkave ndër shqiptare për
arsimimin e pavarur nga kultura arabe–turke, e veçanërisht me kërkesat
themelore të atdhetarëve shqiptarë, të cilët me të shpejtë hapën klube dhe
shkolla në gjuhën shqipe.
Por
pas konsolidimit deri diku të pushtetit xhonturk, e cila pason me një fazë të re të regjimit shumë të egër të turqve të
rinj, të përkrahur edhe nga ushtria e Turgut Pashës, që nga atdhetarët
shqiptarë u quajt diktator i kulturës dhe i arsimit shqiptar. Në këto rrethana duken shenjat e para të
grupimeve ekzistuese në mesin e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë që e
shfrytëzuan turqit e rinj, të cilët u vërsulën kundër arsimit dhe kulturës
shqiptare,
Këto
rrethana të acarimit të marrëdhënieve të sunduesve të rinj duke pasur si
mbështetje disa mercenarë shqiptarë. Në veçanti u eksploatua shumë Kongresi i
Dibrës nga ana e turqve të rinj në vitin 1909. Kjo ishte një fazë e zënkave
midis shqiptarëve në patriotë dhe tradhtarë, e cila zgjatë disa vite me radhë.
Krerët
e Lëvizjes Kombëtare u bindën se me
lutje dhe kërkesa ishte e pamundur të mbroheshin të drejtat e shqiptarëve para
qeverisë turke, siç ishin kërkesat e shqiptarëve për arsim dhe njohjen e një
autonomie në kuadër të Perandorisë Osmane. Kjo situatë i detyroi popullin
shqiptar që të rrok armët dhe të marrë pjesë aktive në Kryengritjen e vitit
1910-1912. Në këto beteja kanë marrë pjesë edhe shqiptarët e Luginës së
Preshevës, Gjilanit, Kumanovës, Tetovës, Manastirit, Gostivarit, të Dibrës e
tjerë.
Prandaj
krerët e lëvizjes kombëtare shqiptare vendosën të dilnin me një kërkesë më
radikale për një autonomi të plotë dhe të pavarur të kombit shqiptar. për këtë
qëllim ata u mblodhën më 21 maj të vitit 1912 në fshatin Junik, në një kuvend
ku morën pjesë mbi 300 përfaqësues nga
trevat verilindore të Kosovës dhe manastirit. në këtë kuvend u mor vendim që të
rroknin armët deri në shpalljen e autonomisë së plotë të Shqipërisë.
Pjesëmarrja
në këtë kuvend i krerëve shqiptarë të trevave lindore ishte i rëndësishëm, pasi
në të morën pjesë edhe udhëheqësit më të njohur të kësaj pjese të Shqipërisë.
trevat lindore me seli në manastir morën pjesë aktive në kryengritjen shqiptare të Kosovës dhe dhanë kontributin e tyre
të çmuar, duke filluar që nga
tubimi i Prishtinës, Kuvendi i Ferizajt, deri në hyrjen triumfale të
kryengritësve shqiptarë më 12 gusht të
vitit 1912 në Shkup, ku forcat kryengritëse e ngritën flamurin e Skënderbeut.
Por,
pas premtimeve që ua dha Ibrahim Pasha krerëve të Lëvizjes Kombëtare në krye me
Hasan Prishtinën ata e lëshuan Shkupin
duke u besuar premtimeve të qeverisë turke. Në këto rrethana, kur ende po
zvarriteshin bisedimet shqiptaro–turke në Shkup, shtetet ballkanike i kishin
intensifikuar bisedat diplomatike midis tyre e në veçanti ato ushtarake, ku pas
tre muajve, më 8 tetor të vitit 1912, i shpallën luftë Turqisë, nën parullën
për “çlirimin e vëllezërve të jugut”. e cila luftë kryekëput u zhvillua në
territorin shqiptar.
Luftën
e Parë ballkanike e para e filloi Mali i Zi më 8 tetor 1912. Ndërsa më 14
tetor krerët e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare mbajtën një mbledhje në Shkup në shtëpinë e Sali Gjukës, ku morën
pjesë krerët më të shquar të kombit, si: Hasan Prishtina Mit’had Frashëri, Sali
Gjuka, Sahit Hoxha, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Idriz Seferi. Ndërsa me mbledhjen udhëhiqte Nexhip Draga, i cili
e lexoi edhe referatin kryesor. në fund të mbledhjes ata dolën me kushtrimin
për mbrojtjen e Shqipërisë. ata më 16 tetor me anën e një qarkore njoftuan edhe përfaqësuesit e fuqive të mëdha
që ndodheshin në Shkup, se do luftojnë për pavarësinë e Shqipërisë dhe do të rrokin
armët për të mbrojtur atdheun tyre nga invaduesit e huaj.
Në
këto rrethana tepër kritike për vendin, me veprimet ushtarake të luftës së
Parë Ballkanike, gjërat u ndërlikuan
edhe më shumë, sepse këto veprime ushtarake kundër turqve u bënë në trojet shqiptare. Ata me operacionet luftarake po i
afroheshin Prizrenit dhe në anën tjetër pas betejës së Kumanovës më 26 tetor e
morën Shkupin pa luftë. Pjesa tjetër e Kosovës dhe e trevave tjera lindore deri
në Dibër ishin ende pjesërisht në duar të kryengritësve shqiptarë, ku bënin
përpjekjet e fundit për të ndaluar marrshmin e ushtrive serbe nga Ferizaj dhe Tetova, Luma e Dibra. Mehmet
pashë Derralla, Isa Boletini, Elez Jusufi, bënin përpjekje të jashtëzakonshme
për mbrojtjen e çdo pëllëmbë toke nga agresioni serbo-malazez.
Në
këtë kohë Ismail Qemali ndodhej akoma në Stamboll. Diplomacia turke i kishte
ofruar post Ismail Qemalit për ta dërguar në Tripoli, në çastet më të vështira,
kur Kosova digjej në flakë nga ushtria serbo–malazeze. Kjo ishte arsyeja pse
Ismail Qemali nuk e pranoi postin e ofruar nga Qamil Pasha, pasi ai tanimë
ishte i bindur se Turqia do të dëbohet nga Ballkani dhe i kishte vënë vetes për
detyrë parësore që të luftojë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Prandaj
Ismai Qemali me djalin e tij u nis për në Bukuresht ku u takua me grupin e
atdhetarëve që vepronin në Bukuresht. Në këtë takim u themelua një Komitet
Drejtues për organizimin e vendit drejt shpalljes së pavarësisë. Pas këtij takimi
ai u takua me ministrin e Jashtëm, kontin Berthold, dhe me ambasadorët e
Anglisë dhe të Italisë. Pastaj përmes Triestes, i shoqëruar nga një grup
atdhetarësh zbriti në Durrës, prej nga vazhdoi rrugën për në Vlorë.
Shqiptarët
kësaj radhe ishin të bindur e të vendosur për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin
mbarëkombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor, ku
morën pjesë 83 përfaqësues nga të tre besimet dhe ngritën lartë flamurin
kombëtar të Skënderbeut, që përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha
trevave shqiptare, prej Rrafshit të
Dukagjinit në Veri, deri në Çamëri në Jug, prej brigjeve të detit Adriatik në
Perëndim, deri në Fushën e Kosovës dhe Shkupit me pellgun e Tetovës dhe në
Lindje deri në Veles. Këto treva, duke marrë pjesë aktive me pushkë në dorë në
luftën për çlirim kombëtar, vunë
themelet e pavarësisë së shtetit të bashkuar shqiptar me kufijtë etnikë të
saj, duke e çimentuar atë me gjakun e
bijve më të mirë të atdheut, hapën rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë. Ata
ishin të bindur gjithashtu se Fuqitë e Mëdha kësaj radhe do të vendosnin drejt
në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare. Me aktin e njohjes së Pavarësisë,
pjesërisht sanksionohej e drejta e pamohueshme
historike e kombit shqiptar për vetëvendosje, si popull i lirë e i
pavarur midis popujve të Ballkanit.
Konferenca e Londrës me vendim arbitrar e copëtoi Shqipërinë Etnike më 22 mars 1913
Konferenca
e Londrës me vendimin e 22 marsit 1913 i fali Serbisë, vilajetin e
Kosovës dhe viset e Shqipërisë Lindore me qytet: Manastir, Strugë, Ohër deri në
Dibër. Malit të Zi i fali Pejën e Gjakovën. Ndërsa Greqisë Janinën me Epirin.
Me këtë ndarje të re politike pavarësinë
e fitoi vetëm një pjesë e popullit shqiptar, përafërsisht 800 000
shqiptarë e cila përfshinte një sipërfaqe vetëm prej 28 000 km2,
ndërsa më shumë se 1,5 milionë shqiptarë të tjerë që jetonin në atë kohë në
tokën e tyre etnike mbetën jashtë atdheut të vetë nën robërinë e shteteve
sllave të Ballkanit e sidomos të Serbisë duke i dhënë asaj 39 000 km2
territor, me një popullsi mbi 1 700 000
shqiptarë.
Siç
shihet, Fuqitë e Mëdha edhe kësaj
radhe përsëritën të njëjtën lojë
diplomatike si në Kongresin e Berlinit. Në
këtë Konferencë Fuqitë e Mëdha ranë nën diktatin franko–rus, duke
dëmtuar shumë rëndë Shqipërinë dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në
kufijtë etnikë të saj. Shqiptarët, kudo që ishin, protestuan kundër kësaj
padrejtësie. Në tërë qytetet shqiptare, në Shkodër, në Korçë, në Durrës, në
Vlorë, etj. u mbajtën mitingje proteste. Krerët e Lëvizjes Kombëtare dhe
shoqatat e ndryshme patriotike nga Egjipti e Amerika, dërguan memorandume për
bashkimin e katër vilajeteve, duke filluar nga Ismail Qemali, Isa Boletini,
Mehmet Tetova, Qerim Begolli, e shumë atdhetarë të tjerë. Ismail Qemali, së
bashku me Isa Boletinin, Dhimitër Beratin dhe Luigj Gurakuqin, shkuan
personalisht në Konferencën e Londrës dhe te qeveritë e Fuqive të Mëdha, duke
protestuar kundër padrejtësisë që iu bë popullit shqiptar, me vendimin për
ndarjen e tokave shqiptare në mes Shteteve të Ballkanit: Serbisë, Malit të Zi
dhe Greqisë.
Kryengritja e Dibrës 1913 dhe gjenocidi serbomadh
Krerët
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të udhëhequr nga Isa Boletini, Hasan Prishtina,
Mehmet pashë Tetova, Elez Jusufi, Halim Gostivari, nuk i pranuan kurrë kufijtë
e rinj politikë të caktuar në
Konferencën e Londrës nga Fuqitë e Mëdha
dhe që këto vise krejtësisht shqiptare iu falën sunduesve serbo–malazez. Ata i bënë
thirrje popullit të ngriheshin në kryengritje, e cila filloi në shtator të
vitit 1913. Nga shumë historianë bashkëkohës kjo është quajtur si “Lufta e
Tretë Ballkanike” ose si luftë “shqiptaro–serbe”. Kryengritja e Përgjithshme
Shqiptare arriti të dëbonte sunduesit serbë përtej Shkupit e Kumanovës, ku në
viset e çliruara u ngrit lart flamuri shqiptar dhe u themelua edhe Qeveria e
Përkohshme, në krye me Sefedin Pustinën.
Komanda
serbe për fitoret e kryengritësve shqiptarë u mundua të fajësonte
Austro–Hungarinë dhe qeverinë bullgare, sikur ato ishin si iniciator të
fillimit të kryengritjes mbarë shqiptare me qendër në Dibër.
Edhe
pse kjo kryengritje shqiptare nuk dha rezultatet e pritura deri në fitore të
plotë, pasi agjentët e Nikolla Pashiqit, arritën përmes Esat pashë Toptanit dhe
Arif Hiqmet Kumanovës me mercenarët e vetë në Tetovë dhe në Gostivar të
dobësonin nga brenda Kryengritjen e
Shtatorit, e cila pati jehonë më të madhe në trevat lindore: Dibër,
Ohër, Strugë, Resnjë, Kërçovë, Krushevë, Gostivar, Tetovë deri në Shkup. Forcat
serbe, pas shuarjes së Kryengritjes së Shtatorit ushtruan dhunë dhe terror të
papaparë, me djegie të fshatrave, dhunime dhe djegie për së gjalli edhe të
fëmijëve, raste që deri në atë kohë ishin të papara, duke vrarë dhe zhdukur mbi
25 000 shqiptarë, ndërsa dogjën më tepër
se 180 fshatra shqiptarë të Maqedonisë, nga Shkupi, Gostivari, Kërçova,
Krusheva, Ohri, Struga deri në Dibër.
Në
këto rrethana kur sunduesit serbë bënin terrorr të paparë ndaj popullatës
shqiptare, e cila ndodhej nën sundimin e egër serbo–malazes dhe grek, në
Shqipërinë autonome filloi lufta për pushtet ndërmjet fanatikëve myslimanë, që
mbanin krahun e turkofilëve të udhëhequr nga Haxhi Qamili dhe rryma çifligare e
udhëhequr nga Esat Pasha, të cilët
kishin deklaruar se ishin kundër qeverisjes së Princ Vidit. Esat Pasha, për të
ardhur në pushtet, deklaronte se luftonte kundër Princ Vidit, i cili nga ana
tjetër kishte edhe përkrahjen e Serbisë,
të Italisë e të Greqisë.
Por,
në këto rrethana të rrezikshme për Shqipërinë autonome, shumë shpejt doli hapur
tradhtia e Esat Pashës, i cili kishte nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me
Nikolla Pashiqin, në Nish, ku sipas deklaratave të sekretarit personal të tij,
Shahin bej Dinos, Nikolla Pashiqi i kishte premtuar Esat Pashës 300 000 franga
ari, për një ndihmë reciproke luftarake që do të bënte Esati për rrëzimin e
qeverisë së Princ Vidit, dhe pas ardhjes së tij
në pushtet, me ndihmën e ushtrisë serbe, ai u
premtoi se do të luftonte deri në fund për likuidimin e krerëve të Lëvizjes Kombëtare, që luftonin
kundër sundimit serbo–malazez në Kosovë dhe trevat tjera lindore në luftë për
çlirim e bashkim kombëtar.
Në
këto kushte të vështira krerët e Lëvizjes Kombëtare nuk hoqën dorë në asnjë
çast nga lufta për çlirimin e vilajetit të Kosovës dhe trevae lindore.
Por
politika serbe e mbushur plotë urrejtje kundër popullatës shqiptare, pas rënies
së vendeve tona nën sundimin e saj, rreptësishtë ishte kundër
vlerave të civilizimit për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Kjo shihet më së miri në
rezultatet e politikës obskurantiste të administratës serbe, kundër kulturës
dhe arsimit në gjuhën shqipe, 1912–1915.
Me
rivendosjen e sistemit serb, pas Luftës së Parë Ballkanike fillon një periudhë
edhe më e vështirë, ku edhe ato pak shkolla u mbyllën brenda një nate dhe u
ndalua rreptësishtë përdorimi i gjuhës shqipe, i cili mund të përdorej vetëm në
shtëpi, brenda katër mureve.
Ndërkaq
sistemi arsimor që funksionoi në këto anë ishte një armë e fortë në dorë të
politikës hegjemoniste serbe. Ajo ëndërronte se nëpërmjet të kësaj politike
asimiluese do të arrinte qëllimet e saj,
për krijimin e Serbisë së Madhe, mbi themelet e kulturës shqiptare në këto
troje. Sundimi i egër i organeve serbe, që udhëhiqej paralel me politikën e arsimit, ishte
rezultat edhe e propagandës për shpërngulje të popullatës myslimane, duke
propaganduar se ky popull mysliman (shqiptar), sa më parë duhej të shpërngulej
për në Turqi.
Kjo
ishte një ndër arsyet kryesore të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga Trevat
lindore, si: Manastiri, Prilepi, Velesi, Shkupi, Tetova, Kumanova,
Gostivari Kërçova, Krusheva, Ohri,
Struga, Dibra, etj. Në bazë dokumenteve austriake, çdo muaj nga këto territore
shpërnguleshin mbi 4 mijë familje, të cilët shkonin nëpërmes Shkupit me tren, e
shumica nga këta kur nuk kishte tren, ishin të detyruar të niseshin në këmbë
kah Bullgaria. Ka pasur edhe shumë raste
që nënat me fëmijë në gji të niseshin në këmbë kah Qustendili e Sofja,
ku shumica ngelën përgjithmonë rrugëve, midis Ballkanit dhe shkretëtirës së
nëmur të Anadollit. Sipas të dhënave të komisionit ndërkombëtar të kontrollit, “vetëm nga fundi i vitit 1912 dhe gjatë vitit 1913, nga
trevat Lindore të Shqipërisë me qendër në Manastir dhe Shkup, janë shpërngulur
mbi 200 mijë banorë”.
Qeveria
serbe, për të shtuar intensitetin e
shpërnguljes të shqiptarëve në fillim të vitit 1914 nënshkroi Marrëveshjen
Serbo-Turke, me të vetmin qëllim që sa më parë të ndryshoj strukturën e
popullsisë në këto anë në favor të shtetit serb. Pushteti ekzekutiv i qeverisë
serbe, si formë tjetër për grabitjen e tokës shqiptare, shpalli “Reformën
agrare” si masë shtetërore dhe metodë tejet
e favorshme për “grabitje legjitime” të tokës shqiptare.
Kësaj grabitje i dha impuls edhe marrëveshja serbo-turke e cila parashihte
shpërnguljen e “turqve” dhe “myslimanëve” për Turqi. Pasi të gjithë shqiptarët
në këtë kohë trajtoheshin si turq dhe për këtë duhej deklaruar para organeve të
pushtetit deri në vitin 1917 dhe mund të
largoheshin lirshëm me leje të organeve serbe për në Turqi. Ky Traktat për
shqiptarët ka qenë me dimensione të katastrofave politike. Me këtë marrëveshje de
jure Turqia merrte mbi vete pa të
drejtë ti konvertonte shqiptarët për shtetas të saj. Me këtë të drejtë
ndërkombëtare Turqisë de jure i lejohej të bënte rekrutimin e të rinjve
shqiptarë në ushtrinë e saj. Ndërsa nga ana tjetër për politikën serbe kjo
konventë ishte e mirëseardhur, pasi këto vise zëvendësoheshin me ardhacakë dhe
kolonistë serb duke ndryshuar në favor të Serbisë strukturën e popullsisë, për
krijimin e Serbisë së Madhe, në dëm të Shqipërisë Etnike.
Me
ndarjen e Shqipërisë Etnike në dy pjesë, trevat lindore mbetën edhe më pas nën
robërinë e shtetit serbo–sllav. Shqiptarët e këtyre trevave e vazhduan luftën
e tyre çlirimtare krah për krah me
banorët e viseve të tjera të Kosovës deri në çlirimin përfundimtar të vendit
nga robëruesit e huaj. Por, edhe pse
shqiptarët e këtyre trevave luftuan pandërprerë që nga viti 1912 deri në
mbarimin e Luftës së Parë Botërore, Fuqitë e Mëdha përsëri në Konferencën e Parisit vendosën kundër
vullnetit të popullit shqiptar, ku ranë dakord që viset tona të mbeteshin edhe
më tutje nën sundimin e ri të Mbretërisë SKS.
Me
vendimin e njëanshëm politik të Fuqive të Mëdha nuk u pajtuan asnjëherë forcat
e shëndosha nacionaliste e patriotike, të cilat u zotuan se do ta vazhdonin
luftën për çlirim e bashkim kombëtar
deri në jetësimin sa më parë të Shqipërisë Etnike.
Përpjekjet
e krerëve për çlirim kombëtar, që e kishin zanafillën nga Kryengritja e Dervish
Cares, në Tetovë e Gostivar, hynë si program i shkruar me gjak nga atdhetarët
shqiptarë në Lidhjen e Prizrenit, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri duke e
vazhduar luftën pandërprerë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vazhdon me “Besa–Besën”
e Haxhi Zekës në Lidhjen e Pejës, ku
morën pjesë edhe krerët e trevave Lindore të Manastirit, Strugës dhe Dibrës.
Në
fund kjo luftë u kurorëzua me fitoren e
shqiptarëve pas marrëveshjes së
Prishtinës, ku kryengritësit shqiptarë të Kosovës dhe trevat tjera lindore të
Shqipërisë, hynë triumfalisht në Shkup,
ku ngritën Flamurin kombëtar. Ky Flamur
valoi përgjithmonë në trevat shqiptare pas ngritjes nga dora e Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912, me vendim
unanim të Kuvendit Historik të Vlorës, ku u proklamua Pavarësia e plotë e katër
vilajeteve të Shqipërisë.