| E premte, 11.01.2013, 08:04 PM |
Koha
Shqiptare e një krijuesi kosovar
(Adem Zaplluzha, Koha ime dhe koha e jote, Shoqata e Shkrimtarëve Katriot, 2012)
Nga Baki Ymeri
Mbushe
një gjym me shpirtin e erës dhe erërat e qytetit tim, dhe zgjate dorën moj hije
madhështore, dhe pyet: “Kush është ai atje” dhe “Kush banon përtej teje!”. Me
vargje të këtilla briliante defilon Adem Zaplluzha në librin e tij më të ri,
përmes të cilit dëshmon se librat e kanë shpëtuar botën nga terri i skëterës,
nga heshtja mortore e asaj që s’flet, nga një gjeth i vyshkur që bie mbi tokë,
kur vjeshta “Hyri në fazën përfundimtare”.
Autori
është një plakush i mençur që pas një muaji i mbush 70 pranvera, pa e bezdisur
lexuesin me vargje apo sintagma që përsëriten në 77 veprat paraprake, apo, ku
ta dimë ne se sa ka botuar deri tani, gjithmonë duke i dhënë prioritet artit
poetik. Dimri vjen ngadalë, sipas tij, apo: “Si kërraba e gjyshit tim/ Çapitet
kalldrëmeve shqiptare/ Dhe futet diku të pushojë/ Nën ullukët e çative të
rrënuara”. Edhepse nuk ka një situatë financiare më të mirë se në kohën e
Titos, siç e kishin shiqptarët e kësaj zone të persektuar nga zullumi osman dhe
ekspansionizmi serb, Ademi nuk shkëputet nga libri dhe bën mirë, sepse bota pa
libra është si një kotar delesh pa dele, apo si një hergjele kuajsh pa kuaj.
Nuk janë
të befasishme erërat/ Ato përditë kalojnë këndej/ Vrapojnë si kuajt e drunjtë/
Deri te rropullitë/ E arkivoleve/ Vrapojnë e s’ndalen askund/ Shkojnë të flenë/
Mes eshtrave dinozaurësh/ Erërat e qytetit tim/ Fryma e mirë e maleve krenare.
Edhepse i moshuar, por ende i paplakur, Adem Zaplluzha ka një ambicje dhe një
vullnet pune për admirim. Autori e përkujton fëmijërinë pa fëmijëri, kur askush
si ne, nuk e kuptonte fërshëllimën e erës, kur “Herë këndonim/ E herë prej
lotëve të kristaltë/ Krijonim shiun/ Për t’i mbytur skamjet”. Për t’o kuptuar
mirë vargjet që e sajojnë këtë vëllim, është e domosdoshme t’ia njohim edhe
jetën, dhe pse jo, edhe moshën e njomë, kur “Shikonim nëpër rrugë/ Këpucët e
zonjave me taka”, kur “Shoqeve tona/ Shkruanim letra prej ere/ Dhe kur i
shihnim ato/ Ne bëheshim erë prej dëshpërimi”. E këtillë ka qenë e shkuara e
shqiptarit, me halle të vogla apo të mëdha, jo vetëm në Kosovë, kur “Mbushnim
mataranë me dhallë/ Dhe përtypnim misërniken bajate”.
Dhe
papritmas, pas një jete të bujshme, vjen pleqëria kur grindemi me bastunin dhe
kalojmë rrugëve, dhe na mundojnë disa mendime, dhe nuk dimë, a kemi qenë
ndonjëherë fëmijë, apo kemi lindur të rritur! Mendimet respektive i përkasin
autorit që e strukturon librin e tij në tre cikle me tituj të zgjedhur si,
Mbushe një gjym me shpirtin e jetës, Ishin zhveshur të gjitha yjet, dhe Ky shi
i zi i përzier me pluhur. Lirikë e pastër ku reflektohet jeta e shqiptarit të
ndarë e përçarë në dy shtete të “mëdha” (Shqipëri e Kosovë) dhe katër vilajete
pa mbret e mbretëri (Çamëria, Ilirida, Lugina e Preshëvës dhe një trung i
Shqipërisë Etnike që ka mbetur nën ombrellën e Malit të Zi). Vaj halli për ne
që ende nuk dimë të lozim si duhet, që “Pranë çdo kafeje/ Jemi në gjendje t’i
nxjerrim sytë/ Njëri tjetrit// Kur nuk mendojmë/ Se për çfarë na duhen grindjet
tona/ Mos vallë / Me këto mosmarrëveshje banale/ Jemi duke i plotësuar mungesat e fëmijërisë!”
Autori
t’i kujton vargjet e njërit nga titanët e lirikës sonë (Pas çdo gazi e
hidhërimi/ mbetet pas vetëm kujtimi/ ah dhe i shkreti mallëngjimi), duke e
ripërkujtuar kohën dhe moshën e saj,
“Kur u kthyem në shtëpi/ Na prite një pjatë me fjalë/ Sa pak patëm lozur
atë ditë/ Kur tek shtatë krojet/ Na zuri mbrëmja/.../ Sa pak qeshëm atë ditë/
Me fluturat e fushës”, kur çdo gjë e kishim të ndaluar, madje, edhe qeshjet
tona fëmijërore. Para nesh kemi një lirikë interesante subjektesh sociale dhe
meditative, ku defilon jeta me të gjitha të papriturat e saj. Jemi zogj apo
njerëz që u përngjajmë zogjve, pyet në kontekstin e një poezie dhe përgjigjet:
“Zogjtë i mbajmë në kafaz/ Si dekor të përditshmërisë”. Por ne, vazhdon më tej poeti, për dashurinë
tonë në thonjëza, mburremi te miqtë, se sa pendla të bukura kanë zogjtë tanë.
Tejet
impresionuese janë vargjet kushtuar aktualitetit shqiptare me konotacione
universale, kur murgjit dhe hoxhallarët
s’mbarojnë me lutjet e tyre: “Për një lek/ Edhe kriminelin e drejtojnë në
Parajsë/ Kështu e ka kjo jetë/ Por çfarë të bëjnë të varfrit/ Kur s’kanë asnjë
lek”. Po qe se japim vetëm titujt e poezive të shkëputura nga përmbajtja në
fund të librit, lexuesi nuk mund të na e zejë për të madhe pse i japim kaq
rëndësi këtij autori, ndaj po e përfundojmë me kaq, siç përfundon një ditë edhe
jeta jonë: “Në çastin kur vdesim/ Na i mbathin nga një palë këpucë të reja/ Dhe
dalim nga lëkura e jonë/ Mu ashtu/ Siç e zhvesh këmishën/ Gjarpri me zile// Të
dashurit tanë/ Na drejtojnë kah portat e Parajsës/ Kurse ne që sapo dolëm nga
Ferri/ Sërish hymë në Ferr/ E vetmja rrugë/ Të cilën e mësuam përmendësh që në
fëmijëri”.