| E premte, 04.01.2013, 08:25 PM |
Bisedë
me Rexhep Kekën në shtëpinë e tij në Karaçevë, më 10. 1. 2010
Rrëfimi i tij ishte i lirë edhe pse kohë pas kohe i bënim ndonjë pyetje.
Rexhep Keka, i lagjes së
Kekajve, me prejardhje nga fshati Priboc, ka
lindur në vitin 1925 në fshatin Karaçevë. Është dobësuar mjaftë sepse është
në moshë të shtyrë. Edhe të parit, gjithashtu iu është dobësuar në masë të
madhe.
Anëtar i NDSH-së. Nuk e ka
dashur kurrë komunizmin jugosllav, dhe në momente e kohë të volitshme, pas
LDB-së, ka gjet hapësirë për ta kundërshtuar. Babai i tij, Shaqir Keka ishte
ushtar-vullnetar i Mulla Idrizit, derisa edhe Rexhep Keka në moshën e tij të re
u kishte ndihmuar vullnetarëve për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar.
Ka tre djem. Jeton në Karaçevë
me Shaqirin, djalin e dytë. Alidemi, djali i madh, ka dy fakultete të kryera
dhe jeton e punon në Austri, ndërsa Besiri, djali i tretë është duke kryer fakultetin në
Prishtinë.
Biseduam me të për shumë çështje, për shumë probleme, histori e kujtime nga jeta e tij, për fshatin Priboc, për problemet e kohës, vuajtjen, sakrificat, përballje të banorëve pribocas me sfida të shumta gjatë periudhave të ndryshme historike. Pa përtuar na tregoi, me aq sa i kishte mbajtur në mend.
Në fillim e pyesim, mundësisht a mos e dinë se si i ka mbetur emri Priboc, a mos ka dëgjuar prej dikujt apo prej më të vjetërve?
Ai (Rexhep Keka) na
përgjigjet:
Priboj i thonë, Priboc i ka mbet. Ku është ky Priboj nuk e di as unë këndej dika?! Jo nuk di më shumë.
Kur u vendosën pribocasit në Karaçevë?
Nga Priboci në Karaçevë i
pari ka ardhur Selman Keka, para 150 viteve.
Sot në Karaçevë janë bërë 41
familje me prejardhje nga fshati Priboc. Ndërsa familjet e Kekajve në Priboc
kanë ardhur shumë herët nuk e di saktësisht. Kanë ardhur prej Huruglice të
brendshme, përtej kufirit. Huruglica, sot vend në brendi të Serbisë.
Shqiptarët, për shkak të “zullumit” (mizorive-I.T.) të Perandorisë
Osmane, e posaçërisht të serbëve, detyroheshin të largoheshin nga vatrat e tyre
për të kërkuar vende ku ka qetësi e ku nuk mund të arrijë dora e pushteteve të
huaja. Për këtë arsye, ata detyrimisht, vendoseshin në vendet kodrinore-malore
ku nuk mund të depërtonin lehtë xhandarët e pushteteve të huaja, po edhe nëse
ia mësynin ishte më lehtë që të mbroheshin. Ne,
armik e kem pas edhe Turqinë.
Deri në Nish ka qenë e banuar
me shqiptarë, por Serbia na ka përzënë me ushtri e xhandarmëri. Të parët tanë,
stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët tanë duarthatë, duke dashur t’i ikin
vrasjeve e maltretimeve, kanë dal prej aty dhe janë vendos në këto vise malore. Jemi detyruar me ik. Prej
atje kemi ardhur shumë. Ne mesin e tyre kemi qenë edhe ne, Keka.
Më parë kanë ardhur
Konesha (Konesha emër mashkulli) dhe Foniqi- dajë e nip. (Ky
mendim përkon me rrëfimet edhe të disa bashkatdhetarëve
tjerë pribocas, se në Priboc, të parët
kanë ardhur të lagjes së Kekajve, që sot është bërë lagja më e madhe, e sipas
të gjitha gjasave i pari i tyre e ka pasur emrin Keka apo ndoshta edhe e ka
pasur Konesha ashtu siç deklaron Rexhep Keka. Me kalimin e kohës, shqiptimi i
kësaj fjale ka gjasë se ka ndryshuar. p.
sh. Konesha-Kon – Ken- Kek – Keka. Më vonë, thuhet se ky Keka ose Konesha, ka
shkuar dhe e ka marrë nipin e tij të vogël
dhe e ka sjellë në. Ky nipi i tij, mund ta ketë pasur emrin Foniq-i, që
më vonë pasardhësit e tyre, pas përhapjes së fesë nga Perandoria Osmane, e kanë ndërruar edhe fenë-I.T.).
Dega e jonë, dega e Kekajve
nga Priboci, prej se unë mbaj mend, e di se kanë ardhur nga Serbia e sotshme.
Ata janë përzënë nga tokat e veta. Sa e sa janë vrarë, por disa kanë shpëtuar.
E njëjta gjë ka ndodhur nga pushteti i Milloshit i cili deshi të na zhduk të
gjithëve: disa me i vra, e të tjerët duke ua hapur dyert, me i përzënë në
shtete tjera, e Kosova me mbet e Serbisë. Mirëpo, vëllezërit tanë, djemtë tanë,
luftuan dhe derdhën gjak, po edhe perëndia na ndihmoi. Të gjithë nuk kanë mund
të futen në luftë, disa kanë ik prej zorit.
Ata i ka përzënë Serbia (e
ka fjalën për Kekajt-I.T.). Këto Huruglicë janë, Huruglicë. Krejt ne çka
kemi ardhur në Kosovë, nuk kemi ardhur prej Shqipërisë, siç thonë disa, ato
janë gënjeshtra. Ne nuk kemi ardhur nga pjesët e Shqipërisë së sotme
londineze. Kjo tokë është jona den baba
den, nuk dua të ik edhe me tutje, më thellë në brendi të
Kosovës. Ne, duhet t’i kërkojmë vazhdimisht tokat tona deri në Nish, të
vërtetën e të drejtën tonë. Edhe më
1912, herën e fundit, na e kanë
shtyrë kufirin këndej, se ne kemi qenë më tutje. Edhe sot po vazhdon e njëjta
metodë. Vendi i jonë është ky.
Unë e mbaj mend gjyshin. Ai më tregonte se shumë herë ka hy
në Serbi në vendin e vet, ka sulmuar, duke tentuar të mbrojë tokat e veta në
Huruglicë prej kah i kishte përzënë pushteti. Kështu, ai i ka sjell probleme
pushtetit serb përtej kufirit, në Huruglicë.
Huruglicë është deri në Nish.
Njëri, njëherë më pyeti: A më të vjetër janë në Kosovë
serbët a ju?
Thash, jo bre, serbët më 1925
i ka pru agrari nëpër pasuritë tona, na i ka pru neve, me qëllim me na
shpërngulë, ashtu si na kanë shpërngulë përpara me forcë (e ka fjalën nga
tokat shqiptare deri në Nish –I.T.).
Mirë tha, po shumë kisha kishte
në Kosovë?
Po, por asnjë kishë nuk është
në vend të tij, (të serbit-I.T.) krejt janë tonat se ne kemi qenë
katolikë para 500 viteve. Katolikë kemi qenë krejt, a po kupton? Ato kisha janë
katolike, bile një kishë këtu në Karaçevë, qe, mund të dalim ta shohim, është
si një tumë në breg. Sot me dal me e pa,
ende gjinden pjesë të mureve aty. Kisha të katolikëve kanë qenë, të shqiptarëve
katolikë. Edhe në Priboc ka qenë një kishë, sot janë themelet e saj
ende, edhe një në Zarbicë. Kisha e Pribocit, nuk e di saktësisht sa është e
vjetër, por është mjaftë e moçme. Është që kur kanë ardhur në Priboc,
familjarët tonë.
Kur i ka pru agrari serbet,
ato kisha i kanë uzurpuar. Duke e pasur forcën e pushtetit, ata kanë shkruar
dhe kanë thënë vazhdimisht se “këto kisha janë të tonat” (serbëve-I.T.).
Kanë shkuar aty dhe e kanë mbajt saborin (ceremonitë e tyre fetare-I.T.). Në këtë mënyrë i kanë bërë
si të vetat, e në fakt ato janë tonat, të shqiptarëve. E tillë është edhe një
në Breznicë.
Qe 100 vjet jemi të burgosur, rob, nën thundrën e Serbisë. Nuk kemi guxuar në rrugë të dalim: me i thënë si je, të rrihte, mos me i fol, përsëri të rrihte. Po, sot jemi më mirë, por ende Kosova nuk ka forcë, se jemi shtet i ri e nuk jemi forcuar sa duhet, por shtetet që na ndihmuan deri tash, besoj se do të na ndihmojnë edhe më tutje dhe me punën tonë e me ndihmën e tyre do të jemi të gatshëm të ekzistojmë dhe të bëjmë shtetin e fortë pas shpalljes së Pavarësisë. Për këtë i falënderoj shtetet që na përkrahën, dhe që u pajtuan për me u bë pavarësia e Kosovës.
Përballja me ushtrinë bullgare
Priboci ka përjetuar pushtete
të shumta të huaja. Një kohë të shkurtër ka qenë me bugarin, deri para fillim
mesit të vitit 1944, kufiri kalonte nëpër katundin tonë. Një pjesë kah Sedllari
ka qenë në Kosovë, e atëherë Kosova ishte me Itali e me Gjermani. Ka qenë
një Ramush i Hajdarit, ai ishte matanë. Ne, atëherë e kemi
pasur edhe ushtrinë shqiptare. Po, po, ushtrinë shqiptare.
Unë kam luftuar kundër
bullgarëve.
Tjetër, aty nga ana e Karaçevës ka qenë Selim Genga si i parë, pastaj Lot Vaki.....
Pjesë rrëfimesh nga lufta për Mbrojtjen e kufirit Kombëtar
Më vonë, në luftën për
Ruajtjen e Kufirit Kombëtar, të cilën e ka udhëhequr Mulla Idrizi, luftëtarë të
tij nga Priboci, përkatësisht luftëtarë të Luftës për Mbrojtjen e Kufirit kanë
qenë Tali, Azemi i Kekëve, babai im Shaqir Keka. Nga Ramabuqa kanë qenë Sahiti,
Faiku etj. Ndërsa nga Zarbica ka qenë edhe Velia i Zarbicës, kushëri i Sylë
Zarbicës. Atëherë ishte me Sylën, e më vonë e ka ndërruar drejtimin.
Këtë luftë e kanë udhëhequr
edhe Mulla Syla, Muharrem Sali Fejza, ai ka qenë me shkollë, pastaj Sylë
Zarbica, Lif Maloku i Suharrnës. Me Mulla Idrizin ka pas shumë. Ka qenë edhe
një, ai s’ka lënë askënd…, (kujtohet…) Shaban Toku ai ka qenë Huruglicë,
ka qenë në luftën e Qarrit, luftë që zhvilloi Mulla Idrizi me luftëtarët e vet.
Mulla Idrizi ka luftuar kundër partisë komuniste, e cila na okupoi më 1945.
Edhe nga Priboci kanë qenë
shumë. Kanë qeeenë, kaaanë qeeeenë: baci Tal, Azemi i Tahirëve ( mixha i Zahës), Sahiti-Huruglicë, ka
qenë edhe Zahiri i Ramës. Me Mulla
Idrizin, ka qenë edhe baba im, Shaqir Keka, i cili ka luftuar në Qarr dhe ka qëndruar me të deri
në pikë të fundit.
Tani ka qenë Haxhi Syla, Jetë Rainca etj.
Muharrem Sali Fejzën e kanë
vra, shpiunllaki i ynë. Syla e ka pas shokun më të ngushtë. Muharrem Sali Fejza
shkrimtar, shkollën e ka pas të kryer në
kohën e Serbisë. Babën, Sali Fejzën, e ka pas kryetar të komunës.
Shiko çfarë është bërë!
Kur hyri partia e komunistit,
tanët nuk u pajtuan të jetë komunizmi këtu, dhe dolën në mal. Por, pati njerëz
që u mashtruan nga komunistët, duke ua dhënë edhe nga një automat: një e pat
marrë edhe Veliu i Zarbicës, të cilin Syla e kishte kushëri. Unë atë e njoh
edhe e kisha parë atëherë.
Komunistët dhe ata që i
shërbenin, sigurisht, kanë biseduar e kanë analizuar, qysh me ia bë, si me e
zënë Sylën e shokët e tjerë të tij. Me bë luftë me ta, apo me përdorë metoda
tjera?
U ka thënë Velia atyre, (
sigurisht aludon në komunistët –I.T.) “Unë
Sylën e kam kushëri, unë po shkoj te ai”. E ka marr automatikun edhe ka shkuar
te Syla dhe te shokët tjerë që kanë qenë në mal.
Pasi bashkohet me ta (edhe
me Sylën), ai (Veliu), u
thotë: “ua kajta belan komunistave, ua mora qet automat, e unë po bie në
mal me ju”. Këtë e thoshte sa me e bind Sylën e shokët tjerë me
qëllim që të rrijë me ta e t’i spiunojë,
t’i qes në kurth më vonë, një nga
një.
Po, po.
Duke lëvizur, duke u munduar
të fshihen prej komunistëve, ata një kohë ndalen te shtëpia e Dulahit. Pasi
ishin të lodhur dhe kishin nevojë për ushqim, ishin të detyruar të dërgojnë
dikë për të marrë bukë. Duke biseduar se kush do të shkoj, Velia kish pas
thënë: “unë po shkoj i pari”. Mirëpo, ai e kish pas rregulluar me e qit
“Narodno Odbranën”. Ata, (njerëzit e Mbrojtjes Popullore) ishin pas
pozicionuar në vendin e caktuar, gjegjësisht, poshtë shtëpisë së Dulahit, një
teposhtëze te disa shtëpi të lagjes së Kekajve të fshatit Priboc. Aty ka qenë
si “gollovinë” (vend i hapur-I.T), s’ka pasur kaçuba e as lisa.
Pas tij është nisë Muharremi.
Ka thënë, unë po shkoj, se jam ma i riu. Pak mbi Priboc, jo larg shtëpisë së
Tahirëve, te shtëpia e bacit Zah poshtë në të djathtë, ishte një rrafsh. Në atë
vend ia kishin zënë pusinë. Nga kjo pritë vritet Muharrem Fejza. Pasi e kanë
kap plumbat, Muharrem Fejza ka ec edhe
Po.
Muharrem Sali Fejza sot e ka
djalin gjallë. E ka pas lënë të vogël. Skender emrin e ka. Është profesor.
Pas kësaj, 1 javë apo më
shumë, nuk e di saktësisht, Syla me disa shokë ka qëndruar në shtëpinë e
Dulahit të Hajrës.
Çka me bë? Syla u mërzit
shumë, me të kishin qenë shokë të ngushtë (me Muharrem Fejzën-I.T.).
Syla nuk ka ditë sikur
Muharremi, nuk ka pasur shkollë.
Pas kësaj vrasje, ata (Syla
me shokët) e krijojnë bindjen se Veliu, kushëriri i Sylë Zarbicës, tashmë
ishte armiku i tyre. Ai ua vrau shokun më të mirë.
Edhe Veliu nuk u kthye më te
“shokët” e vet, po shkoi diku në Ramabuqë.
Te këta që kishin filluar të kthehen me komunistët jugosllav. Sigurisht
ka qëndruar disa ditë.
Veliun, në fund, e ka vra Sylë
Zarbica.
Kështu serbët me njerëzit tanë,
(nga radhët e shqiptarëve), kanë arritur të depërtojnë edhe në pjesën tonë,
në të njëjtën kohë serbët kanë bërë
propagandë vazhdimisht, duke thënë se kufiri është këtu dhe Kosova është
e jona etj. Por, kurrë, këtu kufiri nuk ka qenë. Ushtria e “Saveznikit”, pastaj
Hitleri, Italia edhe Bullgaria na i kanë caktuar kufijtë.
Pas largimit të tyre, këta
kopilë (e ka fjalën për serbët-I.T.) i kanë vënë kufijtë, dhe Kosovën e
kanë marrë, dhe thoshin e po thonë se
është e tyre.
Po kësaj here ka rrëshqit
Serbia, si duket i besuan Milloshit, e
ai i hupi.
(Mixha Rexhep pasi pushon pak thotë,-I.T.): qe nja dy vjet i kam harruar bukur shumë, se i kam ditë të gjitha.
Lidhja e Rexhep Kekës me Pribocin
(Në pyetjet tona se çka dinë
për fshatin Priboc në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore, ai nuk jep
informacione, me arsyetim se nuk ka jetuar aty dhe nuk ka pasur punë shumë me
njerëz që kanë qenë në pushtet atëherë-I.T.).
Di diçka di, por jo shumë. Për
odborrët (udhëheqësit e katundit) nuk di, ata i dinë vetë, të Pribocit.
Unë nuk kam pas lidhje shumë me i ditë ato. Ata çka i kanë 65-70 vjet e që
jetojnë e kanë jetuar deri në momentin fundit në Priboc, ata i dinë, cili ka
qenë i pari i katundit, kryeplaku etj.
Nuk i di as të partisë
komuniste kush janë kanë, s’ka pas nevojë, unë nuk i di ato punë. Unë këtu kam
jetuar, këtu në Karçevë. Nuk e di as kush e ka vijuar shkollën, a ka pas
mejtep, kush ka mësuar aty. Bajramin e Arifit, veç e kam njohtë, po më shumë
nuk di për të, nuk jam interesuar shumë se nuk kam pas nevojë atëherë të di për
të. Ai, ka qenë i Bajramovitëve. Më i afërt me të kanë qenë Ismajli e Xhemaili…
Me të thënë të drejtën, unë kam qenë kudër komunizmit jugosllav.
Unë më shumë, që i kam njohtë
e që kam qëndruar te ta, e ndonjëherë edhe kam kaluar natën, kanë qenë baci
Tal, e posaçërisht Tahiri i Muratit, babai e Raifit. E kam njohtë mixhën Murat,
Asllanin e Ramadanin.
Ato i dinë edhe Tefiku (i
Dervishit I.T.)
Këtu në Karaçevë, pribocasit,
kanë qenë të njohur veç për të mirë. Që prej ardhjes tonë këtu, kemi kontribuar
në fusha të ndryshme me kuadro. Ky vend, në fillim kishte qenë “llugë”, krejt
ferra.
Nga lagja jonë, e Kekajve, pra, kanë dal kuadro të shumtë.
Kush ka qenë Rexhep Keka
(Rrëfimin për vete e fillon në
kohën kur ka qenë në luftën për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar).
Po, unë, atëherë, te Fusha e
Kerreve kam pasur rastin ta takojë mulla Idrizin. Mulla Idrizin e njoh, sikur
juve. Ushtarëve të tij u kam dërguar edhe bukë. Unë atëherë i kam pasur 22
vjet. Baba ka qenë me mulla Idrizin. Kanë qenë edhe Lot Vaki, Shit Mareci, Sylë
Zarbica, Shaban Toki e shumë e shumë të tjerë. Ka qenë edhe një… po e harroj,
një i Preshevës, po, qe ia harrova emrin, është vrarë mbi Tërnoc.
Në prag të mbarimit të Luftës
së dytë Botërore, në emër të përzënies së armikut, na kanë mobilizuar
komunistët jugosllav. Atëherë, neve një Gigë Lenka, shka i Kolloleqit, na ka
marrë në mobilizim, ku kam qenë edhe unë, Qëllimi, i tij po edhe i shovinistëve
serbë, ishte me na mbytë. Ata na kanë nisë për diku. Në fillim nuk e dinim, por
na thoshin se po shkojmë ta përzëmë gjermanin.
Po, po. Ne kemi qenë grupi i
parë, ka qenë me mua edhe Latifi (Dervishi-I.T.). Morëm vesh se po na
dërgojnë në Bar, atëherë kështu i thoshin. Tash i thonë Tivar.
Na kanë marrë e na kanë nisë
për rrugë, sprevod (në përcjellje I.T.) për anash kanë qenë shkijet, në
mesin e tyre kanë qenë nja dy shkina partizanka. Emrat nuk ua di, veç njërit
nga Vraja ia di emrin, ka qenë “vodnik” (rreshter-I.T.) me “çin” (gradë
I.T.), Boshko e quanin. Ne kemi shkuar në këmbë. Jemi nisë prej këtu e kemi
kaluar nëpër Gjilan, Ferizaj, Shtime, Dulë, Prizren e kemi arrit në Kukës. Para
se me hy në Kukës ka qenë një urë, të cilën e kishin pas dëmtuar. Në Kukës kemi
fjet, atë natë. Një Cani i Zarbicës, Can
Ladini edhe nja dy tre shokë kanë pas ik, ndërsa ne shkuam. Ka qenë torturë e
madhe, gjithë rrugës na kanë torturuar. Nuk ka pasur as kamion, as kerr, kemi
shkuar në këmbë. Ata që nuk mundnin të ecnin ose vriteshin aty për aty ose i
hidhnin në lumin Drin duke ua lidhur duar e këmbë dhe duke ua futur një dru në
mes. Ndërsa, ne na thoshin se kanë ra, kanë rrëshqit e kanë ra në lumin Drin.
Ne, duke i dëgjuar e parë këto skena, shpirti i ëmbël, me forcën e fundit, me
përpjekje mbinjerëzore detyroheshim të ecnim edhe në gjunjë. Pra, prej zorit kemi ec në gjunjë. Na
rrinin anash e nuk na lejonin të
shikojmë as majtas as djathtas, nuk na lejonin të pinim as ujë.
Të gjithë ata që e kanë kryer
ushtrinë në ish Jugosllavi, ndoshta e
kanë mësuar serbishten: thonë serbet.
“Niko ne zna shto je muka teshka, samo
onaj ko proshao Allbaniu peshki”
(Askush nuk e di sa e madhe është vuajtja, pa e kaluar Shqipërinë në
këmbë I. T.). Sepse gjithë ditën ecje dhe përsëri të dukej se ishe në të
njëjtin vend.
Pastaj, nga Kukësi na kanë
dërguar në Pukë. Nga Puka jemi nisur për Shkodër, ku kemi arritur në mbrëmje.
Aty kemi qëndruar dy ditë. Ne kemi qenë grupi i parë plot me të ri e të moshave
tjera, që kanë dashur të na heqin nga Kosova.
Nga aty, na kanë kthyer dhe na kanë dërguar në Bar (Tivar).
Aty na kanë hip (ngarkuar), nga 40 njerëz në matorna çamaca (barka
me motor) dhe na kanë dërguar në
Dubrovnik. Ndërsa prej Dubrovnikut, me anije të mëdha kemi shkuar në Split. Spliti është për skaj
detit, ndërsa rreth e qark ishte gurishtë. Posa arritëm aty u njoftuam se,
ushtarët gjerman ishin mbi Split dhe rezistonin me ngulm. Ne krejt ishim civil,
s’kishim as pushkë, as napolona, me një fjalë ishim robiashë (të zënë
rob-I.T.). Duke i lidhur anijet për direk, erdhi urdhri që të nisemi për
Trogir. Pra, pasi i zgjidhën anijet nga direkët, jemi nisur për Trogir, aty na
kanë prit mirë, na kanë ushqyer mirë, kështu, kemi marrë frymë më lirisht, dhe
vërejtëm se nuk ishim në rrezik si më parë. Përkatësisht, në Trogir nuk ishim
më në duar të serbëve, gjegjësisht ishim në territor të Malit të Zi edhe të
Kroacisë.
Në vendin ku ishim vendos
ishte një pjesë-rrip i tokës i ngushtë që depërtonte bukur thellë në detin
Adriatik i cili nuk ishte më i gjerë se
sa deri te dyert e mia, 20-
Pas dorëzimit të gjermanit në
Ilirsko Bistricë, ne na ndanë nëpër jedinica (njësi –I.T.). Unë u
caktova izvigjaç (vëzhgues, vrojtues) në
“13 udarna divizia-çetvërta armia- përva çeta-shestok bataliona” (divizioni
i 13 sulmues, armata e katërt, kompania e parë e batalionit të gjashtë).
Aty e kam takuar Hamdi Pozdercin nga Klladusha e Madhe-boshnjak, komisar i
batalionit të tretë.
Luftën e kemi vazhduar edhe më
tej. Në këto fronte, në anën tonë të majtë të pozicioneve, ka qenë brigada e
Shqipërisë. Në atë brigadë kishte të plagosur të cilët i bartnin në krah. Në
takimet e rastit dhe të shkurtra na thoshin: “o vëllezër mos u frikësoni se nuk
fitohet liria pa gjak e pa vuajtje”. Gjithashtu na treguan se vendimet e
Konferencës së Bujanit, ku ishte vendosur që Kosova të bashkëngjitet me
Shqipërinë apo që të na japin Republikën e shtatë janë hedh poshtë, na kanë
mashtruar. Tani na kanë lënë Pokrainë (Krahinë).
Në këtë rrugë të gjatë e në
këto luftëra larg Kosovës ka pas edhe të tjerë nga fshati Priboc, po nuk i di
të gjithë, se, i kam harruar disa. Ka qenë Latifi i Dervishit, ka qenë Zaha i
Azemit të Tahirëve. Zaha ka qenë si kuzhinier. Pastaj Kadriu i Ilazit të cilin e kam pasur shok të
ngushtë. Kadriu është i Karadakëve. Prej Gjilanit kemi shkuar bashkë me të në
Tivar e tjera vende. Më vonë ai ka pas punuar në komunë në Zarbicë.
Pasi jam kthyer në shtëpi, pas lufte, kam punuar shumë si nallban (mbathtar). Më se 30 vjet e kam ushtruar këtë zanat. Çdo të premte kam dal në Zarbicë, Muhoc pastaj në Priboc. Te Tefiku (Dervishi), kushëriri, kam bërë konak, kam qenë në Suharrën, Ramabuq, Qarr etj. Krejt ato katunde i kam ec në këmbë. Dashamirë i kam krejt. Djemtë e tyre të ri, kanë punuar, këtu, te unë, krejt i falënderoj. Kurrë pa bukë nuk i kam lënë. Në Suharrën kam mbath në të gjitha anët, deri te një Shaqiri i Bushatit. Edhe aty kam qenë. Kurrë keq me ta unë nuk kam pasur. Kam punuar edhe pa pare. Ua kam ditë hallin, i kam njohur të gjithë se në çfarë gjendje janë. Të varfërve nuk u kam marrë pare edhe atëherë kur janë ngushtuar, kur kanë ngurruar të vijnë u kam thënë vet, ejani mbathni kafshët, e pare nuk ju marrë.
(Xha Rexhepin e pyetëm edhe
për mësuesit e parë në Zarbicë dhe
Priboc).
Po, në Zarbicë e di. Ka qenë Qemal Keka, kushëriri im. Ai ka qenë mësuesi i parë në shkollë të Zarbicës. Ai ka qenë para Tahir Berishës. Sa ishte mësues atje Qemali, më së shumti ka qëndruar te t’bacit Murat, te Raifi i Tahirit në Priboc.
Gjenealogjinë e familjes së tij e kujton deri në shtatë gjenerata
Alidemi, Shaqiri e Besiri janë djemtë e mi (Rexhep Kekës)
Rexhepi i Shaqirit
Shaqiri i Ajvazit
Ajvazi i Mehmetit
Mehmeti i Beqirit
Beqiri i Azizit
Azizi i Ismajlit
(Pas Ismajlit nuk i kujtohen
gjeneratat tjera).
Gjithashtu na i tregon edhe pasardhësit e tyre, por nuk i mban mend të gjithë emrat e anëtarëve të kësaj familje, sepse është zgjeruar bukur shumë.
Bisedën e zhvilloi Ismet Tafili