Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Shtegtimet shqiptare të një poeti

| E enjte, 03.01.2013, 08:54 PM |


Shtegtimet shqiptare të një poeti kosovar

(Rashit Gashi, Rrugët e shtegtimit, ArsPrint, Prishtinë, 2012)

Poezia e Rashit Gashit qëndron nën ndikimin metaforik të fillimit të përjetshëm, duke invokuar vendlindjen dhe atdheun si një vlerë sublime e ekzistencës. Tema qëndrore e frymëzimit të tij është lirika patriotike. Duke e shfletuar biografinë dhe duke e kundruar portretin e tij, autori duket inteligjent dhe i ndershëm. Ai shkruan me admirim për historinë të përbujshme, nga e cila ka përvetësuar dinjitetin, thjeshtësinë dhe modestinë.

Nga Baki Ymeri

Dikur, gjatë ëndërrimeve takohesha me një vashë të bukur në një kishë të braktisur. Zakonisht arrija unë i pari, duke u mahnitur pse nuk hynte askush në atë kishë që e kishin shembur anadollakët tanë pas invazionit osman në Kosovë. Kisha dukej e bukur, me piktura të Shën Marisë, Jezu Krishtit, Gjergj Kastriotit, Gjon Buzukut etj., ndërsa shkallët e saj prej mermeri të bardhë, thuajse të ftonin të ngjitesh deri në qiell, përmes lutjes Ati Ynë. Dhe ja tani, takohemi për herë të parë me poezinë e një krijuesi të nga kjo zonë e prekur 500 vjet nga inkuizicioni osman dhe 100 vjet nga kolonialzmi serb: E kur zbres në Breg të Kishës/ Shikoj Lagjen e Gjurgjicës/ Ara e male të Bytyqve/ Ngjit me fushat e Balincës/ E kur kthehem nga Tërpeza/ Fluturojnë larg mendët e mia/ Si në ekran më dalin përpara/ Arta, Parga e Preveza/ Bujanovci e Presheva/ Shkupi,Tetova e Manastiri/ Hot e Grudë, Plavë e Gucia/ Rreth e qark trojet shqiptare/ Cep më cep tërë Arbëria...

Edhepse jemi kundër teorisë banale të krijimit të një kombi të ri (kosovar), apo të një flamuri artificial pa simbolet e kombit, siç është ai që e miratuan përkohësisht analfabetët e servilizmit tonë politik, ne nuk kemi asgjë kundër sintagmave tetovar, korçar, kërçovar apo kosovar, sepse këto nuk janë sintagma përçarëse, por dëshmi historike të zonave tona të banuar me një shpirt të përbashkët, me shpirtin shqiptar. Kush është kundër këtij mendimi, le ta rilexojë poemën e Mitrush Kutelit kushtuar Kosovës, që e qëndisi në Bukuresht, në mëshon më të mirë të pjekurisë së tij intelektuale dhe patriotike. Poetin e ri, Rashit Gashi, që pas shtatë muajsh i mbush 80 pranvera, e kemi njohur përmes një poeti tjetër që pas një muaji i mbush 70 pranvera, Adem Zaplluzha. Përmbledhjen e poezive të këtij libri (Rrugët e shtegtimit), zoti Gashi ua kushton fëmijëve të tij, nipave e mbesave, si dhe mbarë farefisit e dashamirëve, me rastin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë .

Poezia e Rashit Gashit qëndron nën ndikimin metaforik të fillimit të përjetshëm, duke invokuar vendlindjen dhe atdheun si një vlerë sublime e ekzistencës. Tema qëndrore e frymëzimit të tij është lirika patriotike. Duke e shfletuar biografinë dhe duke e kundruar portretin e tij, autori duket inteligjent dhe i ndershëm. Ai shkruan me admirim për historinë të përbujshme, nga e cila ka përvetësuar dinjitetin, thjeshtësinë dhe modestinë. Në vargjet e tij defilon kronika e iluzioneve, disa personalitete legjendare dhe lista e shpresave. Në krahasim me do popuj tjerë që na i braktisën trojet, shqiptari i Rashit Gashit nuk inkorporohet në spektrin e një populli të lodhur nga historia. Përkundrazi, sipas Mursel Gashit, “Të gjitha shtegtimet, shpërnguljet, dëbimet apo eksodet, në histori, rrallëherë ishin të rastësishme, por në përgjithësi ishin të dhunshme, madje mjaft të dhunshme dhe çnjerëzore, siç ngjau me popullin tonë gjatë historisë. Prandaj, sot më shumë shqiptarë ka anë e kënd botës se sa në vendin amë autokton, në Shqipëri, në Kosovë dhe vende të tjera shqiptare denbabaden.

Kjo është brenga më e madhe e autorit që e mundon, prandaj edhe e shpreh nëpërmjet vargjeve të poezive në këtë përmbledhje „Rrugët e shtegtimit”. Autori shkruan për vendlindjen, për Drenicën si rajoni më i dalluar dhe i vetëm në Kosovë në mes të Rrafshnaltës së Fushë Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, të cilën siç thotë autori, e kanë zvogëluar e rrudhë shumë, e besa edhe duke shpifë e pagëzuar shpesh herë edhe emra e terma të ndryshëm, pa kurrfarë baze reale e shkencore. Kjo e brengos shumë autorin. Rashit Gashi shkruan për vuajtjet e popullit nën pushtimin e pushteteve të huaja të njëpasnjëshme, për shpërnguljet në masë, për torturat, dhunimet e vrasjet individuale e kolektive, për luftat e njëpasnjëshme, për katastrofat natyrore, për heronjtë e dëshmorët, për artistët e shkrimtarët, për shokët, miqtë e dashamirët.”

Disa mendime të autorit

Poezinë e kam dashur që nga mosha rinore, por nuk mund të them së kam pasur ndonjë prirje apo talent të theksuar që të merrem me të, apo të bëhem poet apo shkrimtar.  Kjo dëshirë ka mbetur më tepër hobi se sa ambicie, që të thurrë, kohë pas kohe poezi apo vargje të rastit. Si i ri, në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar, derisa isha semimaturant në Prizren, rashë në kontakt me do libra të vjetra, që nga koha e Shqipërisë, siç thonim ne dikurë, të hedhura si mbeturina apo vjetërsira, që për ne ishin të ndaluara. Në një shtëpi të vjetër, në Qafë të Pazarit, te Kisha e katolikëve, ku e kishim edhe konviktin, përmes disa shokëve i blemë disa libra me ato pak para që kishim. Në mesin e tyre i gjeta edhe dy fletushka me vjershat e Spiro Floqit: „Kosova e lirë” dhe „Bajram Curri”, të cilat për një kohë të shkurtër i mësova përmendësh. Këto ndikuan që përzemërisht ta adhuroj dhe ta dua poezinë e mirëfilltë, e sidomos atë me karakter kombëtar, sikurse janë poezitë e Naimit, Mjedës, Çajupit, Vaso Pashës, Hilë Mosit, Filip Shirokës, e më vonë të Fishtës, Nolit, Martin Camajt, Azem Shkrelit etj.

Në vitin e dytë të Normales në Gjakovë (1952), u sëmura dhe për nja gjashtë muaj qëndrova i shtrirë në spitalin e Pejës.Aty u takova me një burrë të fortë e patriot të madh, Ismail Krasniqin nga Juniku. Për çudi, ai ishte milic (polic) i kohës, por i shtrirë në spital sikurse edhe unë. Kur e vërejti se unë kisha dëshirë të madhe të lexoja shumë, ma solli në besë „Lahutën e Malcisë” të Fishtës, e botuar në Romë, e cila për çdo këngë kishte edhe argumentet. Kur dola nga spitali, Ismail Krasniqin e lashë aty, dhe kurrë më nuk e takova, edhepse shumë kohë kam qenë i interesuar që ta takoj dhe t’i shprehi falënderimet e mia të sinqerta për atë shërbim të vlefshëm e burrëror, por edhe aq të rrezikshëm për kohën. Prej atij momenti që e lexova në tërësi „Lahutën e Malcisë”, vetveten e konsideroja më të fortë dhe më krenar, madje edhe më të ditur. Edhe sot, në këtë moshë të shtyrë (në moshën 80 vjecare), më kujtohen shumë vargje të këngëve: Oso Kuka, Marash Uci, Ali Pashë Gucia etj.

Më vonë kam pasur mundësinë që t’i kem veprat e Fishtës në tërësi dhe t’i lexoja e përsëris kohë pas kohe. Kjo ishte edhe një nxitje edhe më e fortë që ta dua dhe ta kultivoj poezinë e mirëfilltë, duke shkruar apo shkarravitur, aty-këtu edhe ndonjë varg si hobi. Vargjet e para i shkrova në klasën e tretë të Normales, derisa isha në Gjakovë. Ato vargje më tepër kishin përmbajtje adoleshente/nostalgjike. Përshkruhej malli për vendlindjen, për prindër e familje, për shokë, miq e dashamirë. Sidomos e përjetoja rëndë ndarjen e shokëve të shkollës, dhe për një periudhë të shkurtër, të bashkfshatarëve dhe të moshatarëve të mi, me të cilët kishim kaluar fëmijërinë. Kishim lujatur e rritur si barinj, të cilët tani ishin të detyruar që ta lëshonin vendlindjen, e për të shkuar në mërgim, për ta siguruar kafshatën e bukës dhe ekzistencën e familjeve të tyre, duke lënë vendlindjen, familjen dhe shoqërinë e të tretur në kurbet për një kohë të gjatë, duke marrë botën në sy, e që të mos shiheshim më kurrë, ose shumë rrallë. Ky grusht i vjershave të mia, të asaj periode, do të thoja adoleshente, mbeti për një kohë të gjatë nën përkujdesjen e vëllaut tim, poashtu veteran i arsimit, deri sa e vranë forcat serbosllave më 26 mars 1999, dhe e dogjën shtëpinë e babait tim me themel, më 1 prill 1999.

Në vitin 1953/4, u diplomova në gjeneratën e parë të Normales në Prishtinë. Me padurim pritnim që ta marrim ditarin në dorë, për ta mësuar e edukuar brezin e ri. Por, që në hapat e parë të punës u zhgënjeva rëndë dhe u demoralizova deri në palcë. U ballafaqova drejtpërsëdrejti, si shumë shokë dhe kolegë të mi, me peripecitë e jetës së përditshme, me të gjitha tragjeditë e komeditë e kohës. Përcilleshim e provokoheshim në çdo hap, në punë e jashtë saj, nga punëtorët e sigurimit (UDB) dhe të shërbëtorëve të tyre që nuk ishin të paktë. Na provokonin vazhdimisht, madje drejtpërsëdrejti kërkonin që të bëheshim bashkëpunëtorë e shërbëtorë të tyre, e çka jo tjetër. E kurë nuk e arrinin atë, atëherë pasonin kurtha e metoda të tjera të provokimeve, të demoralizimeve e të etiketimeve të llojllojta, madje edhe kërcënimeve e formave të tjera që s’mund t’i marrish me mend. Të etiketonin si shovenistë, irredentisë e nacionalist, madje edhe armik të sistemit, të shtetit e të popullit.

Mua, në një mbledhje të Sindikatës së punëtorëve të arsimit për rrethin e Rahovecit, posa kishte përfunduar gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 1954/1955, e që për mua ishte hera e parë si mësues i ri që merrsha pjesë, shefi i UDB-së për rrethin e Rahovecit, Millosavi (mbiemri i të cilit s’më kujtohet), në praninë e të gjithë punëtorëve të arsimit më shpalli si nacionalistin dhe shovenisitin më të madh që e edukon brezin e ri. Kjo më preku shumë thellë dhe u demoralizova saqë vendosa që të jap dorëheqje nga pozita dhe detyra si mësues. Mirëpo, do udhëheqës të Sindikatës dhe veteranë të arsimit, sidomos kryetari i Sindikatës të punëtorëve të arsimit, Xhemajli Esatinga Retia, më bindën se nuk duhet të jap dorëheqje, sepse armiku e ka mu këtu qëllimon. Dhe bëra mirë që i dëgjova dhe nuk dhashë dorëheqjem. Në të vërtetë, nuk ma pranuan dorëheqjen, sepse përndryshe do ta kisha pësuar më keq. Unë në atë mbledhje reagova duke i kundërshtuar thëniet dhe pohimet e shefit të UDB-es, por sa pare bënte kur ai as nuk u turpërua dhe as nuk u skuq për gënjeshtrat e tij të paskrupullta.

Pas përfundimit të viti shkollor 1954/1955, vendosa që të mos punoj më në Kijevë, as në arsim, por të vazhdoja studimet. Mirëpo, në shkollën e vendlindjes sime, në Arllat, në munges të kuadrit arsimor duhej që të mbylleshin klasët e larta e të shpërndaheshin nëpër qendrat e tjera në Komoran e Gllogovc (Drenas). Prandaj vendosa që për një moment që t’i lë studimet edhe për një vit shkollor të punoj në Arllat, për hirë të nxënësve. Në vitin vijues (1956/1957), vazhdova studimet në Shkup, kurse klasët e larta në Arllat u mbyllën dhe u shpërndanë dhe vazhduan në qendrat tjera. Meqenëse nuk kisha bursë dhe as të ardhura të tjera për të vazhduar studimet, u detyrova që krahas studimeve edhe të punoja. Në fillim punova si mësues në një fshat të Hanit të Elezit, në Palivodenicë. Më vonë edhe në qendër si drejtor i shkollës. Në Han të Elezit edhe në Kaçanik punova më se tri vjet, derisa e ndërpreva punën me qëllim që të përfundoj studimet, tani në shkollën e Lartë Pedagogjike (Grupin e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe). Po ato vite që punova në Han të Elezit dhe në Kaçanik u njoha drejtpërsëdrejti me rrethanat shoqërore e politike, ekonomike e sociale, si dhe me mentalitetin e këtij mesi dhe të kësaj popullate. Madje u inkuadrova aq shpejt, sikurse të isha pjesë përbërëse vite më rradhë e kësaj treve dhe e kësaj popullate prandaj, edhe punova me tërë qenien time, siç thotë populli, me mish e me shpirt.

Vendi ishte i pazhvilluar në çdo pikëpamje. Popullata e varfër. Skamje e madhe, gati-gati ekstreme. Por njerëzit e mirë e shumë bujarë, të ndershëm e të respektuar, mikpritës e punëtorë. Edhepse pushtuesit e huaj, të herëpashershëm, kishin lënë gjurmët dhe ndikimet e tyre, ata përpiqeshin që t’i mbanin e t’i kultivonin traditat e të parëve. Për ta edhe pushteti aktual nuk ishte më i mirë se pushtetet e kaluara. Shpresa e vetme e kësaj treve ishte fabrika e cimentos ‘‘Sharr’’, ku punonin pjesa dërrmuese e punëtorëve të kësaj treve si punëtorë krahu dhe në punë të rënda e të vështira, sepse punët më të lehta e më të mira i kishin zënë ardhacakët dhe të huajt, nga të gjithat e trevat e Jugosllavisë, madje edhe shoferat e të gjitha kategorive. Në këto rrethana unë e ndjeja vetin mjaft keq, jo vetëm si mësues, arsimtar e drejtor shkolle, por edhe si njeri sepse asnjë kuadër arsimor në këtë shkollë, me të gjitha paralelet fizike të ndara (tetë sosh) nuk kishte kuadër vendas. Ne, tani i nxirrnim kuadrat e para, me shkollë të plotë tetëvjecare. Në këto kushte dhe rrethana fillova t’i qes në letër disa përshtypje të mia, ashtu si unë i shikoja, i përjetoja dhe në fund si i vlerësoja në çdo aspekt. Meqenëse koha ishte shumë e ndjeshme dhe delikate, madje me rreziqe të mëdha e fatale, kërkohej maturi e mjeshtëri e madhe. Në këto rrethana dhe kushte i shkrova disa poezi, të veshura e të mbështjellura me petkun e metaforës dhe të alegorisë, me figura alegorike e stilistike, me personazhe Ezopike nën veprimin e gjëkafshëve dhe të gjësendeve, duke e përdorur edhe gjuhën e tyre, pra të personazheve.

Veprimet e kafshëve dhe të gjësendëve tjera ishin të imagjinuara, por që përkonin me jetën reale. Ky kamuflim bëhej me qëllim që të mos bien në sy të hetuesit apo të shërbëtorëve të pushtetit aktual. Mirëpo në një moment, në rrethana të caktuara të gjitha poezit dhe shënimet i zhduka, duke u frikësuar nga ndonjë befasi e papritur, të ndonjë kontrrolli apo arrestimi nga ana e shërbimit sekret. Frika, thuhet në popull, është shah në veti. Derisa isha student i vjetër (1957-1959), kur banoja në konvikt, e pata strehuar dy vjet më rradhë një student, të ardhur nga fakulteti i Beogradit si ilegal, Hamza Shalën nga logja e Pejës. Por në ndërkohë, Hamza u arrestua dhe u dënua me disa vjet heqje lirie. Kjo ishte arsyja që i zhduka të gjitha shënimet. Të them të drejtën, m’u dhimbtën shumë. Më së shumti më vjente keq për një poezi të cilën e pata titulluar ‘”Besnik banu e besën kujt mos ia nxin!”. Prej atëherë e deri në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar (XX), nuk kam provuar që të shkruaj, më përjashtim të ndonjë vargu në retrospektiv sa për hobi, siç është rasti me rrëfimet e muhaxherëve të shpërngulur nga Toplica e Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-1881, apo Aksioni i armëve në vitin 1956, e të ngjashme. Realisht „pushova” më se dy dekada, 1960-1980.

Ngjarjet e vitit 1981 më xigluan dhe ma hoqën pluhurin e plogështisë. Demostratat e rinisë, të studentve, të minatorëve e më vonë e tërë popullit në tërësi, e shkyen perden e dembelisë dhe sadopak i nxuarrën në shesh preokupimet e mia, muzat e mia edhe ashtu mjaft të varfura e të plogështa, të jetura më se dy dekada. Tani në moshë të shtyrë, thuaja se kah fundi i moshës së tretë, marr guximin që të botoj e të publikoj këtë tufëz poezish për hir të fëmijëve, mbesave e nipave të mi. Këtë tufëz poezishë e kam ndarë në katër pjeëse apo kapituj: Në pjësën e parë apo kapitullin e parë hyjnë poezitë që paraqesin rrethanat politiko/shoqërore, duke filluar nga demostratat e rinisë e të studentëve, minatorëve e të punëtorëve 1981-1991, Lëvizjet popullore, Deklaratën e Pavarsisë 2 Gusht 1990, Kushtetutën e Kaçanikut me 7 Shtator 1990, aksionin e armëve 1956, luftën e UÇK-së, grykën e Llapushnikut, Pranvera 1999 dhe Eksodi 1999, Luftëtarët dhe dëshmorët e UÇK-së, TMK-ja, festat dhe datat e rëndësishme, personalitet historike, letrare e humanitare, traditat e vendit e të ngjashme.

Në pjesën e dytë hyjnë përkujtimet për më të dashurit, të çmuarit dhe të respektuarit e mi, që i kam dashur e më kanë dashur: Prindërit, vëllezërit, xhaxhallarët e kushërinjë, dajë e shokë, miq e dashamirë. Të gjitha përkujtimet janë botuar kohë pas kohe në gazetën ditore ‘‘Zëri’’. Në pjesën e tretë hyjnë urimet, për nipat e mbesat e mia, me rastet e ndryshme të gëzimit. Në pjesën e katërt hyjnë poezitë të tjera më përmbajtje fabuliste/edukative. Në fund këtë tufëz poezish ua kushtoj, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, si shtet i pavarur, i lirë dhe sovran, njerëzve të mirë e të sinqertë, njerëzve bujarë e fisnik, njerëzve punëtorë dhe human, luftëtarëve dhe dëshmorëve të rënë në altarin e kombit e të lirisë dhe brezave që do të vijnë pas nesh. Tani këto poezi, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, po e shohin dritën dhe për herë të parë botohen në dy vëllime të veçanta: ‘‘Rrugët e shtegtimit’’ (Poezi) dhe ‘‘Malli i pashuar’’ (Përkujtime).

BOX

Rashit A.Gashi u lind më 11 korrik 1933, në Arllat të Drenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin e ulët në Carrallukë të Malishevës, semimaturën në Prizren, shkollën normale në Gjakovë e Prishtinë. Studimet i filloi në Shkup,  në Fakultetin e shkencave natyrore (Dega e Gjeografisë) dhe diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike, në grupin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Prishtinë (1961/1962). Punoi si arsimtar në Kijevë, Arllat, Han të Elezit,  Carrallukë,  Malishevë dhe Drenas. Kreu detyrën e Zëvendës/drejtorit në Arllat, Kaçanik, Malishevë e Drenas, atë të drejtorit të shkollës në Han të Elezit dhe në Drenas. Në ndërkohë ligjëroi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në gjimnazin e Drenasit, duke qenë  edhe përgjegjës në paralelen e ndarë të gjimnazit në Çikatovë të Re, në Drenas. Kreu edhe detyra e funksione të tjera shoqërore në komunën e Drenasit. Ishte drejtor i Drejtoratit për Administratë të Përgjithshme dhe Veprimtaritë Shoqërore, për arsim e shëndetësi. Ishte sekretar i BVI-së, për Mbrojtjen Shëndetësore dhe Sigurimin Social, sekretar i BVI-së për Kulturë dhe Kulturë Fizike në Drenas. Për veprimtarinë e tij u nderuar me shumë mirënjohje, medalje e dekorata, madje edhe me dekoratën më të lartë “Për meritat në punë”. “Rrugët e shtegtimit” dhe “Malli i pashuar” janë përmbledhjet e para të poezive që e shohin dritën e botimit me rastin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (2012).