| E enjte, 03.01.2013, 07:33 PM |
XHORXH H.
W. BUSH DHE PARALAJMERIMI I KRISHTLINDJES
20-VJETË MË PARË
Nga Frank Shkreli
Të enjten
u njoftua se ish presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh H.W. Bush vazhdon të
qendrojë në pavionin e kujdesit intensiv në spitalin Metodist të Hjustonit në
Teksas. Fillimisht ai u shtrua ne
spital me 23 Nëntor sepse vuante nga bronkiti por, siç duket gjendja e tij ka ardhur duke u
përkeqsuar dhe tani është nën mbikqyrjen intensive të mjekëve pas një seri
ndërlikimesh mjekësore, përfshirë edhe ethet.
Megjithë gjëndjen e rëndë shëndëtsore, media amerikane citon zëdhënsin e
ish-presidentit Bush se ai është në gjendje të komunikojë me mjekët e tij dhe
mjekët në përgjithësi janë optimistë se ish-presidenti do të mund ta kalojë
edhe këte sfidë.
Ish
presidenti 88 vjeçar u shtrua në spital muajin e kaluar nga bronkiti. Zëdhënësi
i tij tha se zoti Bush u transferua në pavionin e kujdesit intensiv të djelën
pas një seri komplikacionesh, përfshirë edhe ethet e vazhdueshme. Pritet që ai të vazhdojë të qendrojë në
spital, ndoshta për një kohë të pacaktuar megjithëse sipas shefes së stafit të
ish-presidentit Bush, atij është duke iu berë "perkujdesja më e mirë
mjekësore në botë. "
Ish-presidenti
republikan Xhorxh Bush, i cili eshte në moshen 88 vjecare, ka shërbyer si
presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një afat
presidencial, prej vitit 1989 e deri ne vitin 1993. Në historinë amerikane dhe botërore ai do të
njihet për udhëheqjen e koalicionit të gjerë të kombeve, koalicion ky që
detyroi tërheqjen e forcave irakiane të diktatorit Sadam Hussein nga Kuvajti në
vitin 1991. Zoti Bush, si rradhë ndonjë
udheheqës tjetër amerikan, ka pasur një karjerë të gjatë prej katër dekadash me
detyra të ndryshme me rëndësi në qeverine federale dhe në Kongresin amerikan.
Ai ka shërbyer si anëtar i Kongresit, si ambasador i Amerikës pranë Kombeve të
Bashkuara, si ambasador në Republikën Popullore të Kinës pas rivendosjes së
marrëdhënjeve diplomatike midis Pekinit dhe Uashingtonit, si drejtor i CIA-s
dhe pas një fushate të ashpër për president mekundërshtarin e tij republikan
Ronald Reagan. Kur ky i fundit zgjidhet president, Zoti Bush shërben si
zëvendës-president i Presidentit Ronald Reagan për dy afate, nga viti 1981 e
deri ne 1989.
Por për
ne shqiptarët, ish-presidenti Xhorxh H. W. Bush do të mbahet mendë për të ashtuquajturin
"paralajmërim i Krishtlindjes", një letër secrete këjo që ai i pat
dërguar presidentit të atëhershëm serb, dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan
Milloseviç. Ishte ekkzaktërisht 20-vjetë
më pare këtë javë, më 25 Dhjetor – Ditën e Krishtlindjes të vitit 1992. Mesazhi i ish-presidentit Bush ishte i qartë
dhe i përpikët dhe nuk lente hapësirë për dyshim: "Në rast se në Kosovë ndodhë një
konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë
të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe
mbrenda vetë territorit të Serbisë."
Këjo
deklaratë e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj
Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë
1990-ave. Këjo politikë e Uashingtonit,
e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, u përsërit here pas here gjatë 90-ave
nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së
tij. "Jemi të gatëshëm të
përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i
provokuar nga Serbet", pat thënë
Sekretari i Shtetit në administraten e ish-Presidentit Klinton, Uorren
Kristofer me 13 Shkurt 1993. Dhe,
"Politika amerikane nuk ka ndryshuar" pat deklaruar më 4 Mars të
vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqsues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u
pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush. Dhe më në fund, vet ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të
vitit 1999 tha në Uashington se, "Vija e kuqe ishte shkelur....dhe nuk besoj
se duhet të rrimë duarkryq ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen
në fusha topi, para se ne të bejme diçka", pë t’I ndaluar ato. Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton
urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë
dhe anë e mbanë Serbisë.
Ishte pra
këjo politikë amerikane, e përcaktuar dhe e deklaruar nga ish-presidenti
republikan Xhorxh H. W. Bush -- dhe e
zbatuar nga ish-presidenti demokrat Bill Klinton, e cila më në fund bëri të
mundur përdorimin e të vetmit opcion që kishte Amerika dhe aleatët e saj
evropianë kundër forcave serbe, e që ishte përdorimi i forcës ushtarake kundër
Serbisë për masakrat në Kosovë dhe për shpërnguljen e detyrueshme të qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e
veta. Ishte këjo një politikë që më në fund vendosi fatin e Millosheviqit
dhe të Serbisë -- por më me rëndësi për historinë e kombit shqiptar është se
këjo politikë e durueshme dhe serioze e
prononcuar nga presidenti Xhorxh Bush dhe e përkrahur nga republikanët dhe
demokratët, dy partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara -- ajo që më në fund
çoi në çlirimin e Kosovës nga forcat ushtarake dhe policore terroriste serbe
dhe përfundimisht, në pavarësinë e shtetit të Kosoves, 5-vjetori i së cilës
festohet brenda disa javëve.
Duke i
uruar shërim të shpejtë dhe shëndet në ditët që i kanë mbetur në këtë botë --
në këtë 20-vjetor të paralajmërimit të Krishtlindjes që ai bëri më 25 Dhjetor,
1992 kundër shkeljes së vijes së kuqe në Kosovë nga forcat ushtarake dhe
policore të Millosheviçit -- me
mirënjohje dhe falenderim përkujtojmë dhe lutemi për shëndetin e ish-presidentit
Xhorxh H. W. Bush.