| E enjte, 03.01.2013, 01:00 PM |
SKËNDER R. HOXHA
NJËQIND KUJTIME
(Përkon me 100 Vjet Shtet Shqiptar)
Sivjet –
m’u kujtuan
njëqind ëndrra të trishta
për njëmijë vjet të prangosura
kalëruar dreqërish ogurzi!…
Sivjet –
i belbëzova njëqind fjalë
njëqind vargje
i bëra bashkë
njëqind ninulla
për shekujt e pagjumë!
Sivjet –
për të njëqindtën herë
e vesh këmishën e shkyer
të Atdheut!
Për të njëqindtën herë
puth hartën e copëtuar
të Atdheut…
Shqiponja në flamur –
nuk mplaket kurrë…