Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Sefaj: Poezi e një spektri të gjerë

| E enjte, 03.01.2013, 02:07 PM |


Poezi e një spektri të gjerë tematik...

Nga Ilir Sefaj

Është thënë që ngaherë se një poezi e mirë e cilësisë së lartë, rëndom vjen si rezultat i një meditacioni të thellë, por në radhë të parë një vepër e arrirë artistike pa mëdyshje vjen edhe si rezultat i një përqasjeje serioze drejt një letërsie të krijuar nga njerëz pasionantë të cilët jetën e tyre e lidhen me artin letrar, apo më mirë jeta e tyre është sinonim i këtij arti.

Është thënë po ashtu ngaherë se vlera artistike si e tillë nuk qëndron në interpretime, por ajo është në vet veprën letrare. E themi këtë meqë gjykimi kundrejt një krijimi të caktuar, në cilën do kohë e në cilën do rrethanë që jepet, ai është kryekëput subjektiv, ani pse ekzistojnë shkolla e metoda e dije të tjera mbi të cilat mbështetemi parimisht.

Gjithsesi, letërsia bashkëkohore shqiptare, në veçanti ajo e dy dekadave të fundit të shekullit pararendës u karakterizua në radhë të parë për nga gjerësia tematike e saj, pastaj mjetet e saja shprehëse ishin të çliruara nga rregullat e ngurta e strikte që në njëfarë mënyrë ngufatin atë lirinë shprehëse e cila është e domosdoshme për secilin krijues, po ashtu karakteristikë tjetër e kësaj letërsie është edhe fakti se autorët që krijuan në këtë periudhë po edhe më herët kërkonin krijimin e një individualiteti krijues, dhe doemos të sillnin diçka të re në letrat shqipe.

Prurjet e reja letrare të dekadave të fundit të shekullit XX, në veçanti ato të viteve ’90, dëshmojnë për një pjekuri krijuese të autorëve tanë të cilët medoemos në artin letrar në përgjithësi e në atë poetik në veçanti, sollën vlera të çmuara letrare e artistike të panjohura më parë në letrat shqipe.

Duhet thënë se shfaqjen e disa krijuesve në këtë periudhë do konsideruar fatlume ngase letërsia bashkëkohore shqiptare u shpërblye me art të mirëfilltë dhe me vlera tejkohore. Njëri ndër këta krijues që me penën e tyre dëshmuan se dinë të shkruajnë poezinë dhe jo vetëm atë, pa mëdyshje është edhe poeti i “Bjeshkëve të Nemuna”, Azem Shkreli.

Jo rastësisht u vu në pah prejardhja e këtij poeti, ngase ajo natyrë e bukur ku zanat kuvendojnë me njerëzit e hedhin valle së bashku me ta, do ta frymëzonin edhe një zemër tejet të ngrystë e lerë më që poeti ynë kishte një botë të pasur shpirtërore e cila e kombinuar me një talent të rrallë dha kurdoherë vlera të mirëfillta artistike të cilat u mirëpritën nga kritika  letrare e kohës, dhe vazhdojnë të zgjojnë kërshërinë e lexuesit edhe tani kur poeti nuk jeton më. Poezia e Azem Shkrelit tingëllon e freskët dhe aktuale ngase gjerësia e saj tematike, shprehja e pasur gjuhësore, përdorimi me masë i figurës letrare, vënia në pah e disa reflekseve metafizike, ka dëshmuar se ky autor është i mishëruar me artin letrar e në veçanti me atë poetik.

Azem Shkreli është i pranishëm në komunitetin e letërsisë shqipe qysh në fillim të viteve ’60, mbase edhe më herët, por intencë e punimit tonë është vënia në pah e disa refleksioneve unike të kësaj poezie të mbështjellë me një dozë të theksuar ironie, e cila u botua në dekadën e fundit të shekullit XX, dhe posaçërisht ndjenjës indiferente të mbushur herë-herë përplot mllef të poetit ndaj realitetit ekzistues.

 

Lirika personale

 

Azem Shkreli është ndër ata poet tek i cili haset në mënyrë permanente gërshetimi mes lirikës personale dhe asaj të dashurisë pa lënë anash lirikën refleksive dhe atë atdhetare e cila do të dominojë në veçanti në dy përmbledhjet e tij të fundit: “Lirikë me shi”, dhe “Zogj dhe gurë”, kjo e fundit e botuar pas shuarjes së autorit. Poezia e tij e cila u botua në dekadën e fundit të shek. XX karakterizohet në radhë të parë për gjerësinë e saj tematike si dhe shprehjen e pasur gjuhësore. Azem Shkreli është nga ata poet që shquhen për jokonvencionalën ngase ai është kujdesur gjithnjë që të jetë në rrjedhën e kohës më artin e tij letrar e në veçanti  me atë poetik. Në fillim të viteve ’90 (konkretisht me 1990) poeti shfaqet para lexuesit me librin e tij poetik “Nata e papagajve” vepër kjo e cila shënon një kthesë të madhe (në kontekstin e vlerës) jo vetëm në opusin krijues të tij të publikuar deri në atë kohë, por edhe në poezinë shqipe përgjithësisht.

Tek kjo përmbledhje vihet re përpjekja e autorit që të bëjë atë çlirimin mes subjektit lirik dhe botës kolektive, duke i dhënë poezisë së tij ngjyrime intime, mirëpo që lidhen me kolektivitetin e që kanë për qëllim të vizatojnë ndjesitë e poetit karshi një bote të egër e trazuar që po parandiente:

 

Pritet të ndodhin ngjarje të ziret hëna

Çakajt t’i trembim me lodra e këmbana

 

***

Vëllai vëllait t’ia shesë paj gjinjtë e sëmës

Në çdo Luftë Kosove të fitojnë vetëm lulëkuqet

Këtu vargut m’i  ra një gur e kërrokën korbat

 

Nëpërmjet këtyre vargjeve poeti ka dhënë atë ndjesinë ogure që parandiente bota imagjinatave e tij në fillim të viteve ’90, ku vërtetë pas më  pak së një dekade nga publikimi i këtyre vargjeve, qiellit të Kosovës i zihet hëna dhe dielli, pikërisht sikurse e hetonte ai intuitivisht. Mirëpo, sa dilema kishte poeti karshi situatave që parandiente se do të ndodhnin flasin vargjet e fundit të kësaj poezie ku autori ka shfaqur si një lloj dyshimi në unitetit e kombit përballë furtunave të cilat përgatiste koha.

Azem Shkreli është konsideruar me të drejtë si njëri ndër zërat më autentik të poezisë moderne shqipe, i cili ka gërshetuar në mënyrën më mjeshtërore, dijen me talentin, dhe ka mbajtur një vijë poetike tejet të konsoliduar në raport me rrethanat dhe kohën në të cilën ka krijuar ai. Poezia e këtij autori herë-herë merr nuanca të theksuara intime, herë-herë vizaton mentalitete e ambiente të caktuara, e jo rrallë merr edhe konotacione patriotike, mirëpo pa sharruar asnjëherë në folklorizëm estradesk, pra poeti është modern edhe kur i këndon atdheut, edhe kur i thur elozhe dashurisë, por edhe kur fotografon pamje reale e abstrakte të cilat janë rezultat i imagjinatës së tij tejet të pasur.

Shkreli shfaqet si mjeshtër i rryer dhe i jep dimension universal fjalës së tij poetike edhe kur vizaton peizazhe, edhe kur në artin poetik shkrin unin e tij, por edhe kur komunikon direkt me “natyrën” dhe njerëzit që e rrethojnë.

Poeti është ithtar i fjalës së frymëzuar, ai kërkon me ngulm gjetjet që zgjojnë kërshërinë e lexuesit, megjithatë edhe vargjet që lindin spontanisht nga pena e tij, sikur ngërthejnë në vete atë nektarin e një krijuesi pasionant vargun e të cilit e përshkon ritmi dinamik dhe figura letrare.

Me termin lirika personale duam të shënjojmë llojin, diskursin, por edhe kodin tematik. Vargu poetik i Azem Shkrelit tek një numër jo i vogël i poezive shquhet për atë zjarrin që vlon në gjirin e poetit kur bën gërshetimin e unit personal me njerëzit dhe gjërat që e rrethojnë. Te ky lloj vargu autori definon edhe pozicionin e vet si pjesëmarrës i të ndodhurave apo thënë ndryshe subjekti Unë transmeton të ndodhurën. Poezi të natyrës intime apo personale e konsiderojmë poezinë Bari s’është bari ynë (Sime shoqe) ku poeti përveç që i thur elozhe dashurisë jep edhe rolin mesianist që e ka një çift:

 

Të rrojë ajo etje e këndshme etje shtarë

Nga e cila mirret frymë rritën fëmijë

Nëse i dhamë faunës pakëz Kosovë dhe farë

Në një lule hithe do të çelim përsëri

 

Sa do që në vështrimin e parë vargjet duken paksa hermetike, lexuesi kap në esencën e tyre mesazhin që përçojnë ato, pra autori i drejtohet bashkëkohësisë për rolin që duhet ta ketë ndaj brezave të ardhshëm, ngase farën që mbjellim sot frytet e saj do t’i shijojmë nesër, e poeti lutet që këto fryte të jenë të shëndetshëm ngase nëse janë të tillë ne do të çelim prapë mbase edhe në një  lule hithe...

Sigurisht se për receptuesin e rëndomtë uni lirik apo poetik jo rrallë shkakton edhe telashe në të kuptuarit drejt të“çështjes”, ngase siç do të shprehej studiuesja gjermane Kate Hamburger gati një shekull më parë: ”Nuk ka asnjë kriter ekzakt, as logjik as estetik, që do të mund të na sqaronte nëse mundemi ta identifikojmë subjektin rrëfyes, folësin e poezisë me vetë poetin”, mirëpo poetit ynë sa do që ka ecur tehut të shpatës kur ka thurur vargje të kësaj natyre nuk ka rrëshqitur asnjëherë në hermetizëm, siç jo rrallë mund të ngjajë te një numër i konsiderueshëm krijuesish.

Arti poetik i Azem Shkrelit siç e vë në pah edhe studiuesi A. Vinca: Është seriozë dhe autokton, edhe kur krijon vargje me motiv nga e kaluara jonë edhe kur rreket pas temave intime a personale edhe kur denoncon njerëz, kohë e vizione, ngase sipas të njëjtit, poeti është i vetëdijshëm se universalja në art dhe letërsi nuk mund të arrihet pa lokalen dhe nacionalen....