| E shtune, 26.04.2008, 11:23 PM |
Rezultatet shqetësuese të një hulumtimi që flet për rreziqet që i kanosen shqipes në Malin e Zi
Nga Fran Camaj - Koha Javore
Studimi socio-linguistik "Rrezikimi i gjuhës shqipe", i autorit Haxhi Shabani, i cili trajton dygjuhësinë tek shqiptarët e Ulqinit, e jo dygjuhësinë në komunën e Ulqinit, me sa e kam të njohur, është i pari i këtij lloji në Mal të Zi, që padyshim zgjon interesimin e studiuesve të kësaj problematike, jo vetëm në Ulqin dhe mjediset tjera shqiptare në Mal të Zi, por në gjithë rrafshin shqiptar. Temë thelbësore e studimit është dygjuhësia në Ulqin me rrethinë, gjegjësisht rrezikimi i gjuhës shqipe nga shkaqe e rrethana të ndryshme, historike, shoqërore, sociologjike etj. Studimi ndahet në nëntë kapituj, të ndarë në nga disa pjesë, të ndërlidhura mes vetes me kujdes e mjeshtri, e të cilat përbëjnë një tërësi logjike, gjegjësisht një vepër të plotë dhe me mjaft interes. Libri fillon me një vështrim historik mbi shqiptarët në Malin e Zi gjatë shekujve, me theks të veçantë në shqiptarët e Ulqinit dhe fatin e tyre, pothuajse gjatë tërë historisë së tyre nën sundimin e të huajve. E tërë kjo ka ndikuar edhe në shpërnguljen e tyre gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të vet, megjithëse herë me intensitet më të madh e herë më të vogël. Studimi vazhdon pastaj me dygjuhësinë si dukuri socio-linguistike; me aspekte të sociologjisë së gjuhës; pozitën e gjuhës shqipe në Mal të Zi; dygjuhësinë e folur e të shkruar; ndikimet ndërgjuhësore e kapituj të tjerë që trajtojnë çështje të ndryshme nga kjo fushë. Në kapitullin e katërt trajtohet pozita ligjore e gjuhës shqipe, e cila nuk është aspak e kënaqshme, posaçërisht nëse e krahasojmë atë me pozitën e gjuhëve të pakicave në Zvicër, Suedi, Itali dhe në vende tjera të Perëndimit. Në kushtetutën e deritashme të Malit të Zi nuk përmendet fare gjuha shqipe, si as në shumë dokumente tjera ligjore me përjashtim të Ligjit mbi të drejtat e pakicave dhe të ligjeve mbi arsimin në të gjitha nivelet. Madje, as nuk ekziston një ligj për përdorimin e gjuhëve të pakicave, që do të përcaktonte nivelin e përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe, konstaton autori i studimit.
Në këtë vepër vend të veçantë zë përdorimi i gjuhëve në situata të ndryshme dhe i dygjuhësisë në të folur dhe në të shkruar. Hulumtimet e bëra të autorit tregojnë se shqiptarët ulqinakë janë më pak dygjuhësor në familje sesa gjetiu. Ata në familje komunikojnë kryesisht shqip, kurse në vendet e punës, në veçanti në institucionet e nivelit shtetëror, gati në të gjitha rastet, në gjuhën malazeze. Pra, në komunën e Ulqinit, gjuha malazeze në administratë ka përdorim superior në krahasim me gjuhën shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për komunat e tjera me shumicë ose me një pjesë të konsiderueshme të banorëve shqiptarë. Interesant është edhe kapitulli i tetë, në të cilin flitet për ndikimet ndërgjuhësore, të cilat janë të paevitueshme në të gjitha mjediset ku gjuhët e ndryshme janë në kontakt me njëra-tjetrën. Sipas hulumtimeve që i ka bërë autori, huazimet nga sllavishtja në shqip janë të panumërta në fushën e politikës, gjykatës dhe administratës në përgjithësi, në atë të sportit, të teknikës... Huazimet e tilla, të cilat me plot gojë mund t` i quajmë edhe barbarizma në gjuhë, janë aq të mëdha, saqë shpeshherë përdoren, jo vetëm në formën e fjalës dhe të togfjalëshit, por edhe të fjalive të tëra. Edhe një dukuri tjetër mjaft interesante e ka vërejtur autori i studimit. Në objektet afariste dhe objektet tjera private, në mbishkrime dygjuhësia përdoret vetëm simbolikisht, ose nuk përdoret fare, natyrisht në dëm të gjuhës shqipe. Në institucionet shtetërore situata është e kundërt. Në to mbishkrimet janë në të dy gjuhët. Pse ndodh kështu, nuk është vështirë të supozohet. Edhe pse ky studim trajton rrezikimin e gjuhës shqipe vetëm në një territor shqiptar në Mal të Zi, konkretisht në Ulqin, me plot gojë mund të thuhet se i alarmon të gjitha subjektet relevante për nevojën e marrjes së masave urgjente për shpëtimin e asaj që mund të shpëtohet, jo vetëm në Ulqin, por kudo që jetojnë shqiptarët në këtë republikë. Aq më parë për faktin se hulumtimet që i ka bërë autori tregojnë se shqipfolësit në Ulqin, në vitin 2006, në krahasim me vitin 1996, pra për një periudhë dhjetëvjeçare, e përdorin shqipen më pak për 61 herë, gjegjësisht sllavishten më shumë për 50 herë. Kur situata është e këtillë në Ulqin, ku popullata dërmuese i takon nacionalitetit shqiptar, vetëm mund ta marrim me mend se sa është e rrezikuar shqipja në qytezën e Tuzit, pastaj në Plavë e Guci, e mos të flasim për pjesën urbane të Tivarit dhe për fshatrat e Malësisë së Rozhajës, ku shqipja flitet gjithnjë e më pak, kurse harta gjuhësore e saj ngushtohet dukshëm e në disa mjedise është zhdukur plotësisht. Shqetësues është edhe konstatimi i autorit, në hyrjen e këtij studimi, se "Hulumtimi në terren i kësaj dukurie, sidomos me realizimin e shumë anketave, më ka shkarkuar nga paragjykimi, që kam pasur, duke menduar se pozita e shqipes në raport me gjuhën malazeze gjatë 4-5 vjetëve të fundit (2000-2005) ka filluar të përmirësohet. Ky studim vërteton të kundërtën. Ajo jo vetëm që nuk ka fituar terren, por është zmbrapsur nga gjuha e dytë që flasin shqiptarët, gjuha malazeze, gjegjësisht edhe nga ndikimi i tërthortë i anglishtes". Nuk është më pak alarmuese as e dhëna se shumica e shqipfolësve ulqinakë thonë se gjuhë më e bukur, për ta, është anglishtja se shqipja dhe se më shumë dhe më me shije dëgjojnë këngë sllave sesa shqipe. Nga rezultatet e hulumtimeve, të cilat, po përsëris, janë mjaft shqetësuese dhe alarmuese, shtrohet pyetja se çka duhet të bëhet për të dalë nga kjo situatë dhe për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, meqenëse vetëm konstatimet nuk ndihmojnë shumë. Konstatimet, gjegjësisht rezultatet e hulumtimeve të bëra të autorit, mund të shërbejnë vetëm si diagnozë, kurse ilaçet duhet kërkuar e gjetiu. Edhe për këtë ka menduar autori i studimit në fjalë. Ai në kreun e nëntë dhe të fundit preferon marrjen e masave konkrete: krijimin e një ekipi profesionistësh, që do të merrej me përshkrimin e problemeve që i ka gjuha shqipe në Malin e Zi dhe hapave që duhen marrë për ruajtjen, studimin dhe zhvillimin e saj; përcaktimin e pozitës së gjuhës shqipe në aspektin ligjor në bazë të standardeve të përparuara evropiane; shndërrimin e saj në gjuhë zyrtare në nivel të Malit të Zi; përdorimin e detyrueshëm të dygjuhësisë që nga institucionet vendore dhe qendrore ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi; studimin e gjuhës shqipe në nivel të të folmeve, marrëdhëniet e folme, dialekt, standard; zhvillimin e mëtejmë të rrjetit shkollor në gjuhën shqipe; themelimin e gazetës ditore, të kanalit televiziv, teatrit dhe shtëpisë botuese me financim nga qeveria; sigurimin e fondeve nga qeveria, e donacioneve private, ndërkombëtare dhe nga diaspora për realizimin e këtyre veprimeve dhe zhvillimin e veprimeve dhe marrjen e masave të tjera që do të ndjehen të nevojshme gjatë organizimit të veprimtarive të sipërpërmendura. Këto dhe masa të tjera janë më se të domosdoshme nëse duam ta mbrojmë gjuhën shqipe nga rreziqe të shumta, të cilat i kërcënohen me bastardimin e deri te zhdukja e plotë e saj nga harta gjuhësore. Nëse nuk veprohet shpejt dhe me kohë, kjo me siguri do të ndodhë, natyrisht diku më shumë e diku më pak, diku më shpejt e diku më ngadalë, por rezultati do të jetë i njëjtë.
Për të bërë këtë studim autori ka përdorë metodën e anketës dhe atë të kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit e profesioneve, moshave, gjinive dhe niveleve të ndryshme të shkollimit. Hulumtimet janë bërë për një periudhë relativisht të gjatë kohore dhe kisha thënë me mjaft kujdes e durim, duke u bazuar vetëm në burimet shkencore. Thashë në fillim se hulumtimet janë bërë vetëm në komunën e Ulqinit, por do të ishte mirë që studime të tilla të bëhen edhe për mjediset tjera shqiptare në Mal të Zi edhe pse rezultatet do të ishin përafërsisht të njëjta, në mos edhe më dëshpëruese dhe më alarmuese.