| E diele, 30.12.2012, 02:45 PM |
„Rreth
flamurit të përbashkuar“ festuan
nxënësit të shkollës shqipe „DITURIA“
Nga Shqipe Gara-Berisha
Një ditë
e ftohtë vjeshte, temperatura nën zero e gjeti shkollën tonë në atmosferë të
ngrohtë festive. Si çdokund në botë ku jetojnë shqiptarët, ashtu edhe nxënësit
e shkollës shqipe „DITURIA“ në Heidelberg, Schwetzingen dhe Neulußheim kishin
përgatitur një program të larmishëm për nderë të 100 vjetorit të shtetit
shqiptar. Në hyrje të shkollës ndjehej ngrohtësia e gjakut të shqiptarit, e
kuqe si ajo e flamurit. Dëgjohej të flitej gjuha e mirë dhe e bukur shqipe.
Ajo, e cila vinte e përcjellur me tingujt e një melodie të veçantë, që shkëlqen
si rreze dielli, të freskon si valë deti, të ëmbëlson si mjalti, vjen e lirë
sikurse shqiponja dykrenare në flamur, i cila sot valvitet e lirë në çdo cep të
globit ku ka gjak shqiptari. Në koridorin e shkollës kishte gjallëri. Ca nxënës
të emocionuar përsëritnin materialin që do prezantonin para publikut artdashës,
ca lodronin, ca luanin me njëri-tjetrin, disa prej tyre ishin ulur pranë
tavolinës dhe shkëmbenin aventurat e ditës që tashmë po errësohej. A ka gjë më
të bukur, më tërheqëse, më argëtuese sesa të jesh në mesin e atyre që burojnë
nga e njëjta rrënjë, përkulen dhe i këndojnë të njëjtit flamur, flasin të njëjtën gjuhë dhe e çmojnë si
margaritar. Sa kënaqësi të jesh ne mesin e shqipfolësve edhe pse me mijëra
kilometra larg atdheut.
Këtë
kënaqësi kishim ne që do të paraqiteshim me programin festiv, poashtu dhe
mysafirët. Ata që e mbushën sallën e zbukuruar me flamuj, balona kuq e zi dhe afishe kushtuar 100 vjetorit të krijimit
të shtetit shqiptar. Prindërit e nxënësve ishin përkujdesur që ngjyra kuq e zi
të dominonte në çdo cep të sallës, ashtu siç dominonin edhe nxënësit me veshje
të bukura kombëtare.
Akti i
shpalljes së pavarësisë ishte ai që hapi programin. Ninulla dhe djepi ishin ato
që zotëronte Brikenë Berisha e shoqëruar nga Laura Beqiri në rolin e Marigonës,
Djellëza, Leonora, Donjeta, Albina etj. të cilat me kujdes qëndisnin flamurin.
Endrit Velija si Ismail Qemali u paraqit në mënyrë të shkëlqyeshme i përcjellur
nga Mentor Selimi, i cili me përkushtim kishte marrë rolin e Luigj
Gurakuqit. Madje edhe mustaqet, kostumet
e tyre përkonin me vitet 1912. Bashkëpunëtorët e tij ishin Floriani, Tregimi,
Kujtimi, Fatlumi etj. Më pas Isë Boletini erdhi në Vlorë dhe u përkul para
flamurit me ndihmën e Blegin Berishës, i cili mjaft mirë e luajti këtë rol. Pas
tij të gjithë nxënësit radhazi me dashuri dhe respekt u përkulën dhe përqafuan
flamurin, duke pasuar intonimi me zemër
i himnit në shenjë respekti për të gjithë dëshmorët, të cilët u flijuan
në mënyrë që ne sot të festojmë të lirë dhe të jemi krenarë për ta. Aty ku
valon një flamur kuq e zi, aty ku flitet shqip, e ku ninullat këndohen shqip, e
në ballë të oxhakut është plisi i bardhë, mu aty gjen historinë tonë, e cila na
solli edhe një ditë të veçant për ta shënuar
Me fjalën
e rastit u paraqit aktivisti dhe veprimtari i njohur Halit Berisha. Ai ndër të
tjera citoi: „Secili nga ne duhet të ndihet fatlum që ka prekur ëndrrën e shumë
gjeneratave që sakrifikuan dhe u flijuan për këtë ditë. Viteve që do vijnë pas,
nderimi dhe respekti për ata që ranë për liri do të jetë i pafund e ne nuk do
të rrimë fjetur në dit?lidjet e p?rkujtimet e dëshmorëve t? cil?t jetërat e
tyre i bën? themel të këtij shteti.“
Kishim
nderin që edhe kësaj radhe në mesin tonë të kemi zëvendës konsullin Imer
Lladrovci së bashku me familje. Ai përshëndeti të pranishmit dhe në pika të
shkurtëra elaboroi historinë e popullit shqiptar ndër shekuj.
Me
modesti programin e prezantuan nxënëset: Laura Beqiri dhe Blerta Pantina.
„Me vite
jam larguar i dashur atdhe, por kurrë s’të kam harruar se i ëmbël je“. I ëmbël
ishte edhe zëri i më të voglës së shkollës shqipe Auresa Zhegrova, e cila
recitoi këto vargje të bukura dhe mallëngjyese. Ndërsa Florian Selimi ashtu si
vet Naim Frashëri me mjaft dashuri përcolli tek publiku vargjet për gjuhën tonë të bekuar. “Një
shekull dritë” ishte titulluar poezia e Gonxhe Begishollit, të cilën e recituan
dy vajzat e saj si dy yje plot shkëlqim, Donika dhe Rita. Tingujt e çiftelive
të Tregim dhe Kujtim Ramaj e bënë për vete publikun dhe ngjallën emocionet e
muzikës folklorike. Iu bashkangjit grupi i nxënësve me refrenin e njohur „
Shqipërinë e dua se jam shqiptar, Kosovën e dua se jam kosovar“. Më pas kaluam
tek modernja me tingujt e këngës „Shqipëri o, vendi im“ kënduar dhe intrepretuar me mjaft sukses nga Brikenë (flautë), Bledar
(kitarë) dhe Blegin Berisha(piano).
Këngët „
O, trima luftëtarë“ dhe „Kënga e flamurit“ u realizuan nga grupi i nxënësve nën
dirigjimin e mësuesit të muzikës Luan Zabërgja, i cili qysh nga fillimi dha
mbështetjen dhe përkrahjen e tij maksimale.
Me pjesën
e shkurtër skenike „Shokët e idealit” i kënaqën prindërit dhe mysafirët: Arian
& Brikena Halilaj dhe Fatlind Rexhepi. Aty nga fundi i kësaj pjese, me
vargjet „O, sa mirë me qenë shqiptar“
grupi i aktorëve të vegjël u mbështet edhe nga Argëtim e Andi Zabërgja.
Nga
duartrokitjet e publikut shpeshherë u ndërpre Djellëza Sadrija gjersa recitonte
vargjet e Gjergj Fishtës „Gjuha shqipe“, e përcjellur me tingujt e flautës së
Brikenë Berishës. Sa ndjenjë e bukur kur
dëgjon këta fëmijë të shqiptojnë fjalët rrjedhshëm në gjuhën e nënës. Edhe pse
të lindur në mërgim me zemër dhe shpirt ndjejnë se janë afër atdheut. Këtë e
dëshmuan vëlla e motër Gentrit dhe Gentrina Bytyqi me vargjet „ O, atdhe më je
i dashur sa më s’ka…..“
Ndërsa
„Nëntori buzëqesh“ siç buzëqeshi dhe
interpretoi e sigurt e me një zë kumbues
Albina Xheladini.
Në mesin
e nxënësve vërehej një vajzë me veshje gjakovare. Ishte kjo Olsa Sylaj, e cila
dallohej në grup jo vetëm me kostumin,
por edhe me sigurinë e saj gjatë
prezantimit të këngëve dhe valleve.
Flamurtarë të palodhur gjatë gjithë kohës sa zgjati
programi, qëndruan si burra dy djem të pashëm, sypetritë, krenarë si shqiponja
me dykrerë, e cila valonte në flamujt e dy shokëve Gentrit Zhegrova dhe Fisnik
Rexha.
“ O,
malet e Shqipërisë” ishte poezia me të cilën u paraqitën tre kushërinjtë
çapkënë: Andi, Ermir dhe Gentrit Zabërgja. Në një atmospferë të këndshme
festive, programi vazhdoi me poezinë “Rrënjë arbërore” nga motër e vëlla Albina
dhe Adonis Hajdari. Mesazhin e mirësisë, për të cilën kemi shumë nevojë në
ditët e sotme, e përcolli tek publiku i përkushtuar Ariana Halilaj. Radha i
erdhi edhe poezisë “Tomori” të interpretuar nga Leonora Zhegrova. “Gjithçka të
shumtë ai e pati, të vetmen
Shkolla
jonë gjithmonë u ka ofruar mundësinë
edhe fëmijëve që nuk ndjekin mësimet në shkollën shqipe, por kanë dëshirë të na
bashkangjiten në festa të tilla. Kësaj radhe nga Eberbachu u paraqitën binjakët
Fortesë dhe Betim Neziri me poezinë “Urime dita e flamurit” si dhe motra e tyre
Tradita me një pjesë baleti.
Programi
I shkollës u përmbyll me një valle popullore, në të cilën u përfshinë pothuajse
të gjithë nxënësit. Për 100-vjetorin e
mëvetësisë së Shqipërisë, nxënësit përveç programit artistik, kishin përgatitur
edhe një ekspozitë. Vizatimet më të bukura u shpërblyen nga donatori Halit
Berisha. Vlerësimi i jurisë së përbërë nga Besa Neziri, Selvete Terstena dhe
Hasan Zekaj i takoi Brikenë Berishës, ndërsa çmimet mbi nivelin e cikleve i
fituan: Florian Selimi(kl. II), Gentrit Zhegrova(kl. VI) dhe Alisa Goçi(kl.
VIII).
Kësaj
radhe në mbështetje të shkollës shqipe nga Sinsheimi me muzikë të mirëfilltë
shqipe, këngë kushtuar festës së flamurit na argëtuan vëllezërit Mrijaj me
motrën Klaudia.
Kurse
nënat dhe motrat tona duararta e të vyeshme kishin përgatitur ushqime të
shijshme tradicionale, të cilat begatuan tavolinat e stolisura kuq e zi.
Ishte kjo një ditë e veçantë për të gjithë ne dhe si të tillë do ta përcjellim në tërë brezat pas nesh.