| E shtune, 29.12.2012, 12:38 PM |
Kosova alarmohet nga Islamistët Konservatorë
Nga Arbana Xharra
Besimtarët
të cilët si zë hapësira brenda xhamisë, janë ulur para portës, përgjatë një
trotuari të mbuluar me sexhde. Zëri i imamit dëgjohet deri në rrugë. Në lutjet
e xhumasë në xhaminë kryesore në Prishtinë, kryeqytetit të Kosovës, nuk ka më
vend për të gjithë besimtarët.
“Armiqtë
e Allahut po e prishin rininë myslimane”, paralajmëron imami. Ai përmend
alkoolin, drogat dhe ndikimin e rrezikshëm të internetit, si pjesë e
përpjekjeve të përbashkëta për “të penguar hovin e Islamit”. “Imoraliteti është
në ngritje”, ua kujton, ai dëgjuesve. “Kjo s’duhet lejuar. S’mund t’i mbyllim
sytë karshi kësaj dukurie”.
Nuk ka
nevojë të ecet shumë larg për të kuptuar shenjat e imoralitetit, të cilit i
referohet kleriku. Jo shumë larg nga xhamia, kafeteritë moderne janë të
mbushura përplot me të rinj e të reja, që pinë kafe e birra...
Aty afër
janë përmendoret që tregojnë historinë jo të largët të Kosovës. Një statujë e
madhe bronzi e Bill Clintonit, me dorën e ngritur në triumf ose përshëndetje,
stolis bulevardin që mban emrin e tij.
Ish-presidenti
amerikan është hero këtu, i brohoritur për nisjen e avionëve të NATO-s kundër
forcave serbe gjatë luftës së vitit 1999.
Një
skulpturë tjetër, model gjigant i fjalës angleze “Newborn” (I Porsalindur),
feston një gurthemel në procesin e vënë në lëvizje nga ato sulme ajrore të
NATO-s - shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.Mirënjohja ndaj
Shteteve të Bashkuara - dhe aleatëve të saj në fushatën e bombardimeve -
mbështet vizionin e këtij territori si komb i lirë në vete.
Por, një
tjetër pasojë indirekte e atij konflikti tani po shihet me dyshim. Një lëvizje
e rreptë e Islamit po tërheq besimtarët anembanë Kosovës. Rritja e saj është
sfiduese ndaj traditave dhe aspiratave të një shoqërie që është përkufizuar më
pak nga besimi Islam dhe më
Të
padëgjuar deri në vitin 1999, konservativët dhe fanatikët fetarë janë një grup
i vogël, por që po
Zyrtarë
të sigurisë kanë bërë me dije se format më të rrepta të besimit kishin zënë
rrënjë pas luftës, duke ndjekur fluksin e organizatave islamike të ndihmave dhe
shkollimin e klerikëve
Të
intervistuar nën kushte anonimiteti, zyrtarë të sigurisë besojnë së deri në 50.
000 njerëz në Kosovë, kanë filluar të ndjekin forma më konservative të
Islamit.Nuk ka mënyrë të pavarur të konfirmohet kjo shifër, që përfaqëson një
pjesë të vogël të popullsisë së përgjithshme në Kosovë, e llogaritur të jetë
rreth 1.8 milion banorë.
Rritja e
konservativëve i ka alarmuar kosovarët sekularistë si dhe klerikët e rrymës më
të moderuar Islame. Megjithatë, konservatorët gjithashtu ankohen se
kundërshtarët e tyre gabimisht i akuzojnë ata për lidhje me ekstremistët e
dhunshëm.
Është
konfirmuar që disa nga klerikët dhe besimtarët kanë tërhequr vëmendjen e
shërbimeve të inteligjencës. Por, nuk ka ndonjë dëshmi se ata përfaqësojnë tash
për tash ndonjë kërcënimi për sigurinë e vendit.
“Standardet Europiane”
Brezi i
ri i konservativëve fetarë thonë se kushtetuta laike e Kosovës diskriminon
besimtarët e devotshëm. Ata kanë kritikuar ligjet në Kosovë që e pengojnë
shprehjen e Islamit në arsim.
Ata
kërkojnë të lejohet mbulesa në shkollat publike. Klerikët konservativë po
kërkojnë të drejtën e praktikimit të besimit të tyre lirisht. Pasuesit e tyre,
ndërkohë, thonë se përballen gjerësisht me diskriminim në shoqëri, veçanërisht
në tregun e punës.
“Pas
luftës, fillova të mësoja më shumë për Islamin”, thotë një vajzë e re, e cila
mbante mbulesë teksa udhëtonte në një autobus lokal të Prishtinës, e cila nuk
pranoi t’i bëhej publik emri.
“Mendoja
se jam e lirë nga regjimi serb dhe mund ta praktikoj besimin tim pa frikën e
paragjykimit”, thotë ajo. “Por njerëzit prapëseprapë më ngulin sytë për shkak
se mbaj mbulesë. Është e vështirë të gjej punë, apo të aplikoj për ndonjë vend
pune në sektorin publik, për shkak të mbulesës”.
Megjithatë,
ankesat e konservativëve i kanë bezdisur shumë gra me botëkuptim laik.
“Jam
myslimane, siç kemi qenë gjithmonë”, thotë Linda, 27-vjeçare e ulur në një
kafeteri në qendër të Prishtinës, e cila tregoi vetëm emrin. “Por nuk shkoj në
xhami. Jam vërtet e shqetësuar për këtë Islam të ri që erdhi pas luftës”. “Nuk
kishim parë të rinj me mjekra dhe pantallona të shkurta deri atëherë”, thotë
ajo, duke iu referuar pamjes dhe veshjes së aplikuar nga shumë besimtarë të
formave më strikte të besimit.
Marrëdhënia
mes shtetit dhe konservativëve karakterizohet nga pasiguria dhe trazimi. Të
dyja palët kanë nxjerrë në tavolinë dispozitat ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut, ose si mbrojtje për pozicionin e vet, ose si pengesë kundër veprimit.
“Nëse
dikush thotë se ne kemi liri fetare, kjo nuk është e vërtetë”, thotë Shefqet
Krasniqi, imami i xhamisë kryesore në Prishtinë. “Ne kërkojmë të njëjtat të
drejta që kanë myslimanët në Londër apo ShBA”.
Ndërkohë,
ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, thotë se shqetësimet lidhur me të drejtat
e njeriut i kanë penguar përpjekjet e tij për të mos lejuar veprimtaritë e
fanatikëve të dyshuar islamistë. Ai ka thënë se është përpjekur të promovojë
një ligj kundër “sekteve radikale”, gjatë mandatit të tij të parë si
kryeministër i vendit, nëntë vjet më parë. Por, tha se iu pre rruga nga
“ndërkombëtarët” – zyrtarët e misionit të Kombeve të Bashkuara që administroi
Kosovën nga viti 1999 deri më 2008. “I pyeta ata se a do t’i toleronin sektet
fetarë të rrezikonin shtetin e tyre. Ata më thanë se këto ishin standardet
evropiane”.
Zyrtarët
e misionit të OKB-së në Kosovë thonë se në atë kohë nuk ka pasur nevojë për
masa të tilla. “Bazuar në një vlerësim sigurie nga bashkësia ndërkombëtare në
Kosovë për atë kohë, nuk ka pasur nevojë për ligje kundër grupeve radikale
myslimane”, thotë Olivier Salgado, zëdhënës i misionit.
Behxhet
Shala, kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj), tha se
rreziku i ekstremizmit është nënvlerësuar nga zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë.
“Ndërkombëtarët janë këtu sot, por do të ikin nesër. Ata po na e lënë bombën e
pashpërthyer”, ka thënë Shala. Sipas tij, varfëria dhe kufijtë lehtë të
kalueshëm e bëjnë Kosovën një vend të përshtatshëm për radikalizëm.
Megjithatë,
zyrtarët e huaj sugjerojnë që kërcënimet e mundshme të sigurisë të mos
mbivlerësohen që të rrezikojnë shkeljen e lirive individuale.Jean-Francois
Fitou, ambasadori francez në Prishtinë, thotë se këto kushte nuk janë unike
vetëm për Kosovën. Ai tha se të gjitha kërcënimet e mundshme duhen marrë shumë
seriozisht. Por, shtoi se, edhe përgjigja duhet të peshohen kundër çdo dëmi të
mundshëm ndaj lirive individuale.
“Është
gjë e ndërlikuar. Gjithmonë është çështje balanci”, tha ai, duke përmendur se
edhe Franca - vendi me popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore
- kishte provokuar debate të ashpra pas miratimit të ndalimit të bartjes së
mbulesës nëpër shkolla.
Rezistimi ndaj “sekularizmit”
Shpërbërja
e Jugosllavisë socialiste u shoqërua nga një ringjallje fetare në rajon. Kishat
katolike dhe ortodoke në Kroaci e Serbi tani janë më të forta nga ç’ishin para
luftërave të viteve 1990-të.
As Kosova
s’është përjashtim. Anembanë vendit janë ndërtuar xhami të reja, shpesh të
financuara nga donatorë prej vendeve islamike.
Por,
ashtu si pjesa tjetër e rajonit, nacionalizmi i ka dhënë formën të shkuarës së
afërt, më fort sesa besimit. Popullsia etnike shqiptare, më e madhja në Kosovë,
shpesh e shihte veten si pakicë të persekutuar brenda Jugosllavisë së sunduar
nga serbët.
Në fund
të viteve1990-të, ata në mënyrë masive mbështetën një luftë guerile kundër
serbëve. Ndërhyrja e NATO-s i zgjeroi synimet e asaj përpjekjeje dhe bindi
shumë shqiptarë se aleatët e tyre më të ngushtë ishin në Washington dhe
Bruksel.
Shumica e
kosovarëve janë myslimanë dhe praktikojnë një formë të butë të Islamit, me
ngjyra nga tradita otomane dhe sufiste mistike. Shumica prej tyre duan ta
shohin vendin e vet si një vend laik brenda Bashkimit Evropian, ashtu siç është
e definuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.
Për ata
që nuk shohin ndonjë kontradiktë mes besimit dhe vlerave liberale, shtimi i
fanatikëve fetarë është trazues.“Është e turpshme që të thuhet se kemi radikalë
në mesin tonë, sepse shumica e kosovarëve nuk i mbështesin të tillët”, thotë
Luljeta Shala, ekonomiste në Prishtinë. “Jemi pro-amerikanë, e dinë të gjithë”.
Fanatikët duket se ndikohen më shumë nga interpretimet arabe të besimit, sesa
nga traditat osmane, që janë më të zakonshme në Kosovë. Ata shpesh quhen
vahabistë apo salafistë, megjithëse shumica e tyre i hedhin poshtë këto
etiketime.
Këta
terma rrjedhin nga sektet e Arabisë Saudite që janë bërë sinonime të Islamit
puritan. Fanatikët priren ta përshkruajnë vetveten si mbrojtës të besimit që i
kundërvihen imponimit të sekularizmit “perëndimor” mbi Kosovën...
Fuad
Ramiqi, përfaqësues i lëvizjes “Bashkohu”, thotë se grupi i tij favorizon
protestat publike dhe rezistencë jo të dhunshme për të theksuar kërkesat e
veta. Ata janë ankuar për ndalimin e mbulesës në shkolla, si dhe për rëndësinë
që u jepet përmendoreve të krishtera në Prishtinë.
“Ne i
kërkojmë klasës politike… të respektojë të drejtat e shumicës myslimane në
Kosovë”, i tha ai BIRN-it. “Ata po diskriminojnë shumicën, duke u përpjekur ta
paraqesin veten si pro-perëndimorë”.
“S'mund të jetë demokratik një
shtet që ma imponon sekularizmin”.
Ramiqi
thotë se së pari e konsideron vetveten si mysliman, e pastaj si kosovar. Ai ka
luftuar në Bosnjë gjatë viteve 1990-të dhe ishte në bordin e anijes “Mavi
Marmara”, e cila u zbulua nga ushtria izraelite në vitin 2010, teksa dërgonte
furnizime humanitare te palestinezët në Gaza.
Ramiqi
është tejet kritik ndaj Qeverisë së Kosovës, si dhe ndaj Bashkësisë Islame të
Kosovës. Megjithatë, ai këmbëngul që grupi i tij nuk e pranon dhunën dhe nuk
përbën kërcënim për askënd.
“Jemi të
kujdesshëm, sepse armiqtë tanë duan të na portretizojnë si faktor destabilizues
për rajonin”, thotë ai. “Nuk ka absolutisht asnjë rrezik në dhënien e të
drejtës dhe lirisë njerëzve për të praktikuar besimin e tyre fetar”.
Reagimi sekular
Disa
klerikë konservatorë kanë folur edhe kundër asaj që ata i konsiderojnë si
kufizime të një shteti laik dhe rreziqet e një shoqërie të pafe.
Por, ata
hedhin poshtë sugjerimin se janë vahabistë. Krasniqi, imam i xhamisë kryesore
në Prishtinë, thotë se nuk beson në asnjë dallim apo ndarje mes myslimanëve.
Ai nuk
beson që ka ekstremistë të dhunshëm në Kosovë. “Më tregoni një grup ekstremist,
radikal vahabist”, kërkon ai, në mënyrë retorike.
Mesazhi
konservativ ka depërtuar tek ndjekësit në zonat e varfra rurale, madje edhe pse
ka provokuar reagim të kosovarëve me botëkuptim laik.
Në vitin
2010, Ajnishahe Halimi, një aktiviste nga qyteti i Skenderajt, organizoi një
peticion kundër një imami të një fshati fqinj, i cili thuhej se i nxiste vajzat
dhe gratë të vinin mbulesë.
Peticioni
i Halimit mori me mijëra nënshkrime dhe mbështetjen e politikanëve vendas. “Kam
pasur informacione se gratë e fshatit po mashtroheshin dhe se po mësohej një
formë jotradicionale e Islamit”, ka thënë ajo për BIRN-in.
Shumë
nënshkrues të peticionit ishin të shqetësuar nga veprimet e imamit, të cilat
edhe pse nuk ishin të jashtëligjshme gjykoheshin si përpjekje për t'u imponuar
veshje fetare fëmijëve të vegjël.
Imami në
fjalë, Kastriot Duka, u dëbua në Shqipëri, prej nga kishte ardhur në mars të
vitit 2010.
Një
deklaratë nga Policia e Kosovës thotë se ai u dëbua sepse kishte shkelur
kushtet e lejes së qëndrimit, që ishin dhënë specifikisht për ndihmë
humanitare.
“Leja e
qëndrimit lëshohet për zhvillimin e veprimtarive humanitare dhe jo [për]
veprimtari të tjera, që z. Duka ka zhvilluar në vend”, thuhej në deklaratë. Nuk
është e qartë se a lidhej dëbimi i Dukës me ankesat në peticion, apo jo.
Fshati
Marinë ku kishte qëndruar Duka, është një nga zonat më të varfra në Kosovë.
Rajoni ishte qendër e konfliktit ndërmjet luftëtarëve shqiptarë dhe forcave
serbe dhe ka një numër të madh të vejash dhe familjesh pa baballarë.
Gjatë një
vizite në Marinë këtë verë, disa banorë flisnin mirë për imamin e dëbuar. Ata
konfirmuan që Duka iu kishte mbajtur leksione për islamin fëmijëve dhe thanë që
veprimet e tij ishin krejtësisht në përputhje me rolin e tij si klerik.
Puna e
Dukës në Marinë financohej nga një organizatë bamirëse islamike britanike
“Rahma Mercy”. Përfaqësuesi i saj, Khalil Patel, thotë se organizata e tij i ka
dhënë ndihmë humanitare fshatarëve qysh prej luftës, më 1999.
Ai tha se
hixhabet u ishin ofruar vajzave që po studionin besimin, por nuk kishin qenë të
detyrueshme për t’i veshur ato jashtë xhamisë. “Ne krijuam një mjedis të
mrekullueshëm atje”, thotë ai. “U dhamë uniforma djemve dhe mbulesa vajzave.”
Prozelitizmi
nuk është i paligjshëm në Kosovë. Shumica e bamirësive që veprojnë në vend kanë
lidhje me institucione të krishtera, apo myslimane, dhe përfshijnë haptas një
element fetar në punën e vet humanitare.
Myslimanët
konservativë në gjithë rajonin, megjithatë, ankohen se në të shumtën e rasteve
atyre u vihet nofka e ekstremistëve.
Bekir
Halimi, imam shqiptar, ka një dyqan dhe shtëpi botuese në Shkup, kryeqyteti i
Maqedonisë fqinje, jo shumë larg nga Prishtina, më pak se dy orë me makinë.
Policia e bastisi pronën e tij në vitin 2008 dhe i konfiskoi kompjuterët dhe
materialet e tjera fetare.
Bastisja
në fillim u raportua në shtypin vendas si goditje kundër terrorizmit,
megjithëse Halimi e kishte mohuar çdo lidhje të mundshme me radikalët e
dhunshëm. Policia më vonë ia ktheu materialet e konfiskuara. Halimi s'u akuzua
kurrë për asnjë shkelje, por ai thotë se dëmi ndaj reputacionit të tij nuk
është riparuar.
“Askush
nuk raportoi në lajme që ne nuk ishim të përfshirë në radikalizëm”, thotë ai.
Halimi beson se akuzat ndaj njerëzve si ai motivohen më shumë nga rivalitete të
dobëta, sesa nga një frikë e vërtetë për ekstremizëm.
“Nuk ka rrezik për radikalizëm”
Disa
kritikë të ekstremizmit ankohen se janë sulmuar, apo që u janë shkatërruar
pronat, për shkak të pikëpamjeve të tyre. Ata akuzojnë vahabistët për
banditizëm dhe frikësim. Por, motivi i saktë për sulme të tilla mbetet ende i
paqartë.
Incidentet
shfaqen sporadikisht - tri raste brenda një periudhe trevjeçare - dhe vetëm
njëri prej tyre rezultoi me përndjekje të suksesshme ligjore.
Musli
Verbani, ish-imam në qytetin e Kaçanikut, zhvilloi një predikim më 2007, duke
paralajmëruar xhematin për ekstremizmin. Menjëherë pas kësaj, makinës së tij të
parkuar iu vu flaka. Në janar të vitit 2011, një person nga ai vend u dënua për
këtë incident me tre muaj burgim.
Sulme të
tjerë kundër njerëzve që kanë folur kundër ekstremizmit nuk kanë përfunduar me
arrestime. Xhabir Hamidi, profesor i Fakultetin e Studimeve Islame dhe kritik i
njohur i vahabistëve, u rrah nga njerëz me maska në vitin 2008. Ai beson se
është sulmuar për shkak të bindjeve të tij.
Osman
Musliu, imam nga qyteti i Drenasit, u rrah brenda xhamisë në vitin 2009. “Humba
vetëdijen dhe mu thye dora”, tha ai për BIRN-in. “Gjithmonë kam folur kundër
vahabistëve në mesin tonë”.
Një
zyrtar i lartë policor ka bërë me dije se me këto raste është marrë policia,
porse nuk ka ende prova të mjaftueshme për të ngritur akuza për sulmet kundër
Hamidit dhe Musliut.
Musliu
dhe Verbani thonë se u zhgënjyen nga mosreagimi i Bashkësisë Islame të Kosovës
ndaj sulmeve të tyre. Të dy thonë se institucioni duhej t'i kishte dënuar
sulmet ndaj anëtarëve të saj, me më shumë forcë.
Megjithatë,
Ahmed Sadria, zyrtar i lartë nga Bashkësia Islame e Kosovës, hedh poshtë
pohimet që institucioni duhej të kishte bërë më shumë në lidhje me sulmet, duke
thënë se kjo është detyrë e policisë.
“Nuk
është e vërtetë që nuk kemi reaguar në lidhje me rrahjet. U kërkuam
autoriteteve të gjejnë se kush i kreu ato”, thotë ai, për të shtuar se sulmet
ishin shqetësuese, porse motivet pas tyre mbesin të paqarta.
“Nuk mund
të lejojmë që kjo të kthehet në dukuri”, thotë ai, “por unë s'mund të komentoj
mbi këto raste, pa i ditur arsyet [e sulmeve]”.
Zyrtarët
e ligjit në Kosovë thonë se e mbajnë një sy çelë mbi fanatikët islamistë dhe
janë vigjilentë për çdo kërcënim të mundshëm të sigurisë.
“Ka pasur
disa arrestime, të përcjella nga hetime të departamentit të terrorizmit”, thotë
Shpend Maxhuni, shefi i policisë në Kosovë.
Megjithatë
nuk ka pasur ndonjë dënim të shquar për terrorizëm. Shumica e njerëzve të
dyshuar për ekstremizëm janë akuzuar për mbajtje të paligjshme të armëve, një
problem i përhapur në vend dhe relativisht shkelje e vogël.
Zyrtarët
kosovarë të sigurisë, në kushte anonimiteti, i thanë BIRN-it se ekstremistët e
dyshuar kanë qenë në mbikëqyrje në 30 nga 650 xhamitë e vendit.
Këta
zyrtarë kanë bërë me dije se kishin hetuar shtatë imamë për dyshim të nxitjes
së radikalizmit. Megjithatë, nuk ishte ngritur asnjë akuzë kundër ndonjërit
prej klerikëve.
Shumica e
imamëve në listën, të cilën e ka parë BIRN-i, punojnë në xhamitë nën kontrollin
e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Sadria,
zyrtari i lartë i bashkësisë, hodhi poshtë çdo sugjerim që në xhami të kenë
depërtuar radikalë të rrezikshëm.
“Nuk shoh
ndonjë rrezik këtu dhe nuk ka nevojë të theksohet kjo çështje”, i tha ai
BIRN-it.
Edhe pse
s'ka pasur dhunë serioze ekstremiste në Kosovë, disa ekspertë besojnë se
autoritetet duhet të vazhdojnë të dëgjojnë me kujdes se çka po thonë fanatikët,
edhe në mungesë të ndonjë veprimtarie ilegale.
“Do të
thosha se shprehjet e urrejtjes dhe predikimet radikale, ekstremiste,
definitivisht mund të çojnë drejt dhunës”, thotë Usama Hasan, hulumtues i
njohur në “Quilliam Foundation”, një institut i Londrës që bënë fushatë kundër
ekstremizmit. Hasan tregon raste kur myslimanët britanikë janë radikalizuar
përmes predikimeve.
Megjithatë,
legjislacioni në këtë fushë shpesh mund të jetë e mjegullt, bile edhe në
Britaninë e Madhe. Ndërkohë që nxitja për dhunë është e paligjshme, ligjet e
lirisë së fjalës i japin liri të madhe kritikave të bazuara mbi arsye fetare.
Për t'u
kthyer në Prishtinë, fanatikët nga lëvizja “Bashkohu” e Ramiqit vazhdojnë ta shfaqin
armiqësinë e tyre kundrejt zyrtarëve shtetërorë.
Më 8
tetor të këtij viti, ceremonia për hedhjen e gurthemelit të xhamisë së re në
Prishtinë u ndërpre për pak kohë nga një grup prej kësaj lëvizjeje, që kishin
mjekrat dhe pantallonat tradicionale të fanatikëve.
Aktivistët
fishkëllyen dhe bërtitën gjatë fjalimit të presidentes, për t'u larguar më pas
nga policia.
Arbana
Xharra është gazetare nga Kosova. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës
Ballkanike për Gazetari Cilësore, nismë e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE
Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN.
U redaktua nga Neil Arun.