| E premte, 28.12.2012, 01:00 AM |
Mjerimi
ynë intelektual!
(Reagim)
Nga Nuhi Ismajli
Ç’po
ndodh me intelektualët shqiptarë?! Ku janë ata?! Ç’bëjnë?! Mbase, kanë harruar
obligimin dhe idealin e tyre dhe, pa farë brengosjeje, janë fundosur në gjumin
më të thellë të pavetëdijes njerëzore e kombëtare. Kështu mund të pohohet, pa
asnjë dyshim, kur vërejmë se ç’po ndodh në mesin tonë, në njërën anë, dhe
heshtjen absurde të intelektualëve, në anën tjetër. Një heshtje e pakuptueshme,
absurde, tepër çnjerëzore e intelektualëve shqiptarë kjo, në rastin e
përpjekjes së kryeministrit dhe ministrit të arsimit të Kosovës, për të
ndryshuar historinë e popullit shqiptar, përmes teksteve të historisë, sipas
kërkesave të qeverisë turke!
Qeverisë
së Turqisë, që e paraqet veten si pasardhëse të P. Osmane, nuk i pëlqyeka që
shqiptarët e konsiderojnë pushtuese P. Osmane dhe, që, natyrisht, në harmoni të
plotë me natyrën dhe arsyen njerëzore, urrejnë robërinë dhe pushtuesin osman.
Prandaj, nëpërmjet qeverisë së tashme të Kosovës, kërkojnë t’ua ndryshojnë
mendjen e bindjen shqiptarëve nëpërmjet teksteve, në mënyrë që, shqiptarët, në
kundërshtim me natyrën dhe arsyen njerëzore, në vend të urrejtjes, ta duan
pushtuesin dhe robërinë, në këtë rast ta duan pushtuesin dhe robërinë osmane!
Dhe, një rast i volitshëm për qeverinë turke, ta bëjë një gjë të padëgjuar,
pasi gjeti kryeministrin dhe ministrin e arsimit të Kosovës, për një gjë të
tillë!
Pse e
bëjnë ata një gjë të tillë?!
E kemi
bindjen e plotë se kryeministri dhe ministri i arsimit të Kosovës, që pranojnë
të bëjnë tekstet e historisë së popullit shqiptar, sipas diktatit të qeverisë
turke, nuk janë të vetëdijshëm për peshën e kësaj të keqeje tejet të tmerrshme.
Ata, thjesht, nuk e dinë se ç’është kjo. Ata nuk e dinë se tekstet e historisë,
si çdo tekst tjetër, nuk janë tekste të denja për njerëzimin, kur hartohen nën
diktatin e pushtetit e, aq më tepër, kur hartohen nën diktatin e pushtetit të
një vendi tjetër. Ata nuk janë të vetëdijshëm se nuk duhet bërë tekste të tilla
në të cilat njeriu mëson ta dojë atë që është e keqe, antinjerëzore, ta dojë
robërinë dhe pushtuesin. Ata nuk janë të vetëdijshëm se me aktin e krijimit të
teksteve të historisë, sipas diktatit të qeverisë turke, po i fusin shqiptarët
në një robëri të re, në robërinë neootomane. E të tjera të këqija.
Pozita e
kryeministrit, që e mban njëri, dhe pozita e ministrit të arsimit, që e mban
tjetri, nuk lejojnë që ata të luajnë me historinë e popujve që udhëheqin,
sepse historia është përbërës i identitetit të popullit dhe nuk luhet me të.
Pra, edhe sikur të mos ishin fare shqiptarë, kryeministri dhe ministri i
arsimit të Kosovës, nuk do të pranonin të ndryshonin historinë e popujve që
udhëheqin, sepse detyra e tyre është të mbrojnë identitetet e popuve dhe jo t’i
zhbëjnë ato me forcën e pushtetit.
Në
situatën tonë, kur tekstet shkruhen sipas diktatit të pushtetit dhe ndërhyrjeve
më absurde, sikur të ishim në rrethanat e pushtimit osman, ne nuk na habisin aq
logjika dhe veprimi i qeverisë së Kosovës, as ndërhyrjet e jashtme absurde, sa
na habisin veprimet tejet të ulëta, pandiesia dhe pasiviteti i intelektualëve
tanë përpara së keqes së paimagjinueshme, siç është tani loja djallëzore me
tekstet dhe identitetin shqiptar.
Për ne,
veprimi i ulët antinjerëzor dhe antishqiptar i kryeministrit dhe ministrit të
arsimit të Kosovës, për të bërë tekstet e historisë shqiptare, sipas kërkesave
turke, nuk është aq i ulët dhe tronditës, sa është i ulët dhe tronditës veprimi
i disa “dijetarëve, intelektualëve e patriotëve shqiptarë”, të cilët i hyjnë me
zell punës për të bërë gënjeshtra
politike të historisë, sipas kërkesave të
pushtetit dhe të qeverive të vendeve të tjera. Sipas shtypit (shih:
Jeton Musliu: “Ndryshimi i historisë zbut P. Osmane”, “Gazeta Jeta në Kosovë”,
17 dhjeror 2012), tekstet, jo sipas rezultateve të shkencave, po sipas kërkesave
të pushtetit dhe qeverive të vendeve të tjera, i kanë bërë: prof.dr. Shkelzen
Raça (historian), prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi
(kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë
osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.
Ç’është
kjo?! Secili autor i tekstit të ardhshëm diktatorial të historisë së popullit
shqiptar dhe, jo vetëm të historisë, po edhe të letërsisë, gjuhës, muzikës,
gjeografisë, ka përpara titullin dr. ose mr.!!! Ndonjë prej tyre, mbase, edhe
lavdërohet se i ka “kontribuuar” historisë dhe kulturës shqiptare, përmes
ndonjë shkrimi të tij! Pra, mund të quhet krijues. Intelektual. I vetëdijshëm.
Patriot.
Për ne,
veprimi i ulët antinjerëzor dhe antishqiptar i kryeministrit dhe ministrit të
arsimit të Kosovës, për të bërë tekstet e historisë shqiptare, sipas kërkesave
turke, si dhe
ndërmarrjet e disa “dijetarëve, intelektualëve e patriotëve shqiptarë”, të
cilët i hyjnë me zell punës për të bërë gënjeshtra politike të historisë, sipas
kërkesave të pushtetit vendës dhe të
qeverive të vendeve të tjera, nuk është aq i ulët e tronditës, sa është e ulët
e tronditëse pandiesia, heshtja dhe pasiviteti i intelektualëve shqiptarë, para
një mjerimi të tillë kulturor për shqiptarët.
Deri më
tash, në Kosovë, lidhur me krijimin e një historie të pandershme, të
panjerëzishme për shqiptarët, ka reaguar vetëm ndonjë intelektual, ndër të
cilët edhe intelektuali Adem Demaçi.