| E premte, 28.12.2012, 01:22 AM |
“LIBRI I SINOPSEVE” I MOIKOM ZEQOS, ANKTHI I
EKZISTENCËS
Nga Fatmir Minguli*
Libri më i ri i Moikom
Zeqos “Libri i Sinopseve” (EUGEN, 2012) plotëson disi ndryshe
koleksionin e librave të tij me proza të shkurtra. Është sërish një sfidë e
radhës dhe ndoshta vepra më e arrirë dhe më e rëndësishme e këtij autori
befasues. Libri mozaikon 125 sinopse të shkruara në harkun kohor 1979-2009. Në
parafjalë shkrimtari nënvizon: “nuk e di se kush e ka thënë idenë tunduese
se dorëshkrimet janë të plleshme pafundësisht. Çdo shkronjë mund të jetë një
amebë, qenie fillestare e gjallë, për të krijuar të gjitha qeniet e mëdha dhe
të ndërlikuara më pas. Dorëshkrimet, duke qenë në dukje, grafikisht të
kufizuara, për çudi nuk janë të tilla, sepse prej tyre lindin papushim, në
mënyrë të pandalshme dorëshkrime të tjera, që tejkalojnë identitetin e
dorëshkrimeve më të hershme. Ose mund të ndodhë edhe e kundërta, që
dorëshkrimet më të vona, duke u kthyer mbrapsht në kohë, të shtojnë
fertilitetin dhe kuptimshmërinë e dorëshkrimeve më të hershme. Kjo është një
dialektikë mendore”.
Duke e rilexuar me
kujdes “Librin e Sinopseve” mendoj se vështirësia e interpretimit zbërthyes
bëhet nëpërmjet disa problematikave substanciale. Për mendimin tim këto
problematika fokusohen në vetë zhanrin e sinopsit, në idenë e subjektit me një
shumësi variantesh, pra jo thjesht një variant, në hibridizimin e rrëfimit me
historinë, letraren dhe filozofiken, me strukturat rrëfimore të zhdërvjellta
përherë të pambaruara por njëkohësisht përherë potencialisht të vijueshme, me
alternimin e temave shkrimore me konotacione shqiptare dhe universale, me
konceptin e kohës, përtej çdo metafizike, aq sa mund të thuhet se koha
paraqitet realisht si kryepersonazhi i patjetërsueshëm i librit.
Një libër i këtillë,
në dukje i vështirë për shkak të shumëkuptimshmërisë ka edhe një forcë të
parezistueshme grishjeje dhe zotërimi të vëmendjes. Përshtypja fillestare
kur njihesh me “Librin e Sinopseve” është se në të vërtetë nuk kemi të bëjmë
thjesht me një libër, por me një koleksion librash embrionalë. Ideja e sinopsit
të përfton kështu mendimin se në çdo sinops hetohet edhe një gjenezë për
skenarë filmikë, sepse realisht dhe konkretisht tek “Libri i Sinopseve” ka
potencialisht shumë kinematografizëm. Nga ana psikologjike sinopsi sipas Moikom
Zeqos nuk është thjesht sinopsi si abstrakt, si nxitim për të shënuar disa
mendime që në të ardhmen t’i kthesh në roman… Sinopsi sipas Moikomit është një
apo më shumë shprehje të gjendjeve të caktuara të shpirtit të tij. Përveç se
është një formë e re e caktuar letrare ajo del jashtë ngurtësisë së objektit
dhe kthehet në një organizëm të gjallë.
Sinopsi është
ambiguiteti i shkrimtarit. Është komenti që ai vendos apo nuk vendos t’i
shkruajë e pastaj gjen një zgjidhje momentale, një situatë oportune dhe shkruan
vetëm disa rreshta, disa mendime të shpejta me nxitimin e asaj që do të kapë e
të mos i ikin. E lënë si një bimë “in vitro”, harrohet diku në një qoshe të
dhomave të mendjes e diku në mes faqesh dorëshkrimesh e letrash të tjera të
zverdhura nga koha. Por sinopsi i Moikomit, duke qenë qenie e gjallë ndërkohë
rritet e nxjerr filizat klorofiliane plot me gjethe të reja të fletëve të një
tregimi të madh. Shkrimtari ka rënë në kurthin e sinopsit dhe kërkon të falur
duke bërë një libër të ri, tashmë një kopsht i gjelbër i një letërsie të re.
Në “Librin e
Sinopseve” gjejmë si gjithmonë te librat e Moikom Zeqos, “kundërshtimet e
vetvetes” që nuk është gjë tjetër veçse aplikimi i stilit alternativ, në një
farë mënyre do ta quaja post-konvencional në shkrimin e prozës së shkurtër. Një
studiues kritik por dhe një lexues i zakonshëm do gjejë në këtë libër sinopse
të shkurtra që përbëjnë shumicën e subjekteve, por do gjejë dhe pjesë të gjata
që dhe ato të kërshërojnë me megasinopsin apo multisinopsin
brenda tyre. Kemi të bëjmë me një dinakëri të autorit apo me një elasticitet të
një sinopsi të ri, në paraqitje, përmbajtje dhe kuptim letraresk? Qoftë
dinakëria, qoftë elasticiteti na çojnë në prodhimin e një forme të re të prozës
së shkurtër. Ndryshe, kemi të bëjmë me një magmë eseje, sinopsi, tregimi të
shkurtër (ose të gjatë), e lexuesi papritmas njihet me një novitet letrar të
pandeshur më parë.
Le të shohim dy
sinopse që “kundërshtojnë” njëri-tjetrin e që janë “Fytyra” me dy faqe libër e
që është uvertura e tërë librit dhe tregimin sinops të gjatë, “Hadi ndryshe” me
rreth 30 faqe. Janë sinopse të bukur me origjinalitet të personalizuar si në dy
faqe ashtu dhe në 30 faqet e subjektit të gjatë. Tek shkruaj këto radhë më
kujtohen përsiatjet e para të Moikom Zeqos për veprat pindarike, ku lëkundjet
marrin karaktere sa filozofike, aq të teknikës së shkrimit dhe po aq të guximit
“pa fre” në botën e letërsisë. Te “Fytyra” flitet për një ngjarje të Luftës
Nacionalçlirimtare e për dëshmorin Manush A. Lexuesi nuk gjen aspak heroizmin e
zakonshëm që shkrimtarët, edhe sot, u veshin epikisht personazheve të vërtetë
apo të krijuar. Moikomi me anë të një grotesku të tipit kafkian na jep dy
sinopse brenda një sinopsi, ku tentohet ndryshimi i fytyrës me operacion
plastik të heroit. Guximi krijues i autorit e jep në dy pamje këtë shpërfytyrim
duke e bërë lexuesin vetëm të pyesë e të habitet.
Në fund të shkrimit
heroi del tejet madhështor jo për shkak të groteskut, por të kthjelltësisë
kompozuese të subjektit të paramenduar nga autori drejt qëllimit final. Ndërsa
tek “Hadi ndryshe” midis personazheve të vdekur, të legjendave shqiptare, të
motiveve popullore shqiptare, të historisë botërore dalin koncepte të forta
filozofike mbi jetën e gjallë.Dhe ja si fillon multisinopsi:«Sinops romani: rikonceptimi
i Hadit. Një Had i tjetërfartë. Jo Hadi i kryeveprave letrare të njerëzimit. As
i feve. Një tjetërsim i Hadit të njohur. Një kundërHad. Një sfidë konceptimi.
Sinopsi i fragmentuar i një romani që në substancë nuk mund të shkruhet dot”.
Ç’do të thotë autori
me këto radhë? Ka blasfemi? Ka përjashtim nga rregulli i rendeve kushdo
qofshin? Zor që të japësh një përgjigje të saktë! Por duke lexuar faqet njëra
pas tjetrës kupton që përgjigjen e gjen nëpër to. Kështu Konstandin K. nuk e
mban dot premtimin ndaj nënës se do ta sillte të motrën edhe po të vdiste,
sepse ringjallja nuk ka kuptimin e miratuar në konceptin kohor, apo Makabe
Zaharia ngatërrohet në konceptimin e saktë të teorisë së letërsisë së sotme,
dhe Ukbar T. jeton midis dy sistemeve politikë që ndryshuan dhe ai nuk i takon
asnjë sistemi. Mendimi im shkon dhe për nga një objektiv i fshehtë që Moikom
Zeqo e synon pa e treguar, atë të fatit të letërsisë në kohën e sotme.
Dashje apo pa dashje,
veçse me bindje të plotë ai i jep një përgjigje kritikut George Steiner të
ditëve tona në artikullin e tij “Vdekja e Muzave”, ku sheh një zvetënim të
letërsisë krahasuar me sukseset e shkencës dhe teknologjisë. Makabe Zaharia
pohon:“… megjithatë, nuk besonte se letërsia mund të shpërbëhet, se roli i
shkrimtarit është thjesht ai i kataloguesit të absurditetit. Ai priret nga
humanizmi i shekujve. Për ta ringjallur atë humanizëm”. Jo pa qëllim lind
personazhi simpatik i të diturit Ukbar T., personazh kafkian që me nota të një
stili modern sillet disi çuditshëm me ngjarjet që ndodhin për rreth tij, por që
ai i konverton me koefiçentin e diturisë. Kështu, personazhet të largët në kohë
vinë e bashkohen në optikat konverguese të shkrimtarit në një pikë të vetme.
Krijohet një kohë tjetër, fizikisht e papërcaktuar por gjithsesi dominante në
mendimet e personazheve, mendime që përcillen këndshëm tek lexuesi e duke
devijuar drejtime e rryma të njohura deri më sot. Ndryshe, pra është ky tregim
e ashtu si tregimi “Fytyra”, koncepton alternativat jo si hobi por si domosdoshmëri
e vazhdimit të jetës drejt vertikales.
“Libri i Sinopseve”
është unikal. Në letrat shqipe nuk është botuar asnjë libër i këtillë dhe i
ngjashëm. Subjektet vetë mëtojnë të jenë të pangjashme. Tek sinopse të
pazakontë si “Vrasësi i dhëmbëve prej floriri”, “Njeriu i ëndrrave”, “Ungjilli
i Kolodit”, “Magjistarët”, “Prifti i Isisës”, “Ëndrra e Paul Emilit”, “Kali i
Kaligulës”, “Estetika e Xhingis Khanit”, “Gjumi i Konstandinit të Madh”, “Jeta
e ndërlikuar e Makabe Zaharisë”, “Libri i Thotit”, “Filip Fluturuesi”, “Sizifi
dhe Krishti”, “Zezaku i Libohovës” etj., Moikomi befasinë e subjektit e
virtualizon me imazhe dhe ndjeshmëri të hollë intelektuale. Tek sinopsi “Dy
personazhe në një” flet për perandorin romak Trojanin, me dy identitete, në
fillim si persekutues i të krishterëve dhe më pas si apologjet i krishterimit.
Personazh evolues, ciklik, ndryshe nga tipologjia e personazheve letrarë në
përgjithësi.
Harold Bloom-i ka
shkruar: “Prozat e shkurtra si gjini anojnë nga e pathana, ato e ngucin
lexuesin të jetë aktiv, në mënyrë të tillë që të arrijë vetë në shpjegime që
autori vetë i shmang. Lexuesit duhet të dëgjojnë me “veshin e brendshëm”
pra, të nisin të dëgjojnë edhe ato që personazhet nuk arrijnë t’i artikulojnë
me fjalë, t’i shohin ato që personazhet sikur të ishin krijesat e tyre dhe të
mendojnë e të përpiqen të gjejnë nëntekstet, çfarë fshihet pas frazave të thëna
nga këto personazhe. Kjo mundësi e imagjinatës për të kaluarën, ose për të
ardhmen e një personazhi, për të fantazuar vetë në bazë të shtysave që jep
proza e shkurtër, nuk jepet dot në gjininë e romanit, ku çdo gjë është e
parashikuar dhe e plotësuar me informacion.” Pikërisht në këto koordinata janë
sinopset e Moikomit.
Tipike është sinopsi
“Personazhet A, B dhe C”, ku personazhi A rikthimin në të kaluarën e quan të
ardhme dhe jo lëvizjen e kohës pas të kaluarës, Personazhi B është ai i të
jetuarit në disa botë, hapësira dhe kohë të ndryshme njëherësh dhe Personazhi
C, berklian e krijon vetë botën nëpërmjet shqisave të tij, kështu ai ndodhet në
skenën e autodofesë së djegies së Zhan D’Arkës dhe kur xhelati ofrohet me
pishtar në dorë për t’i vënë flakën turrës së druve Personazhi C mbyll sytë,
skena ndërpritet dhe fakti i djegies së Zhan D’Arkës bëhet absolutisht i
paqenë. Dhe autori shënon: “Nëse letërsia nuk e ka ende këtë hero të
jashtëzakonshëm, kjo vjen nga vetë mangësitë rudimentare të vetë letërsisë.
Është më i saktë mendimi se, nuk është letërsia që i shpik heronjtë e saj, por
janë heronjtë që e shpikin letërsinë, sidomos atë të së ardhmes.” Moikomi
tërhiqet shumë mbas temave të Bizantit. Kjo duket tek sinopset “Endokria e
Bizantit”, “Mihal Apostoli”, “Njëqind kokat”, “Bisedë plot herezi” “Ipati,
perandori pesëditësh i Bizantit”, “Tubëzat prej papirusi” “Murgjit alfabetikë”,
“Ekstathi i Durrësit”, “Murgu Teodor”, “Psalmi 28” etj.
Autori gjen kështu
minierën e artë, çel Suzamin e mbyllur të shekujve perandorakë bizantinë.
Gjithashtu autori përdor teknologjinë shkrimtare të çmitizimit të miteve të
mëdhenj arketipalë tek “Centauri”, “Njeriu i ëndrrave”, “Një roman përrallë”,
“Mark Park Sopatri”, “Pëlhura e Penelopës”, “Kali i Kaligulës”, “Delet e
Diellit”, “Vetëvrasja e Brienit”. Por edhe nga mistika e madhe gnostike e
Lindjes Moikomi poetizon alegorisht subjekte të tilla si “Ismail Saferi, princi
i shiitëve”, “Admirali Gedik”, “Princesha Rugina”, “Dy strategët”, “Njerëzit me
fytyra kafshësh”, “Mensur Hallaçi”, “Shemsi Tabrizi”. Qytetërimet, fetë e mëdha
gjuhët e vdekura dhe të gjalla kthehen në laboratorin e krijimit moikomian.
Në sinopsin “Në kafenenë
në “Serapis”” dialogët e imagjinuar të Faik Konicës me Gijom Apolinerin janë
fantazmagorikë, tek “Dandoni pesëqind vjeç” flitet për një burrë ilir me moshë
mbi pesë shekujsh, tek “Djalli” jepet debati i peshkopit të përkorë Xhorxh
Berkli me Djallin që beson një filozofi krejt të ndryshme”, tek “Ungjilli sipas
Judës” jepet një variant krejt i ri dhe ndryshe i Krishterimit, tek “Letra e
shkruar me gjakun e lakuriqit të natës” përshkruhet në mënyrë groteske takimi i
një emigranti shqiptar me vetë Jorge Luis Borgesin në Buenos Aires të
Argjentinës, tek “Perseu dhe mosbesimi” heroi mitik Perseu intervistohet nga
gazetarët e mediave botërore dhe kur ata nuk i besojnë fjalëve të tij, Perseu
nxjerr kokën e Meduzës dhe i nguros në vend që të gjithë mosbesuesit delirantë.
“Libri i Sinopseve” mbyllet me “Avatar”, të idesë hinduse për zbritjen e Zotit në tokë në forma njerëzore, ose në format e zogjve, gjarpërinjve, peshqve, të kafshëve reale dhe të imagjinuara. Kjo ide e transformimit të pafund përbën sekretin konceptual të krijimtarisë shumëdimensionale të Moikom Zeqos. Por “Libri i Sinopseve” është ankthi përvëlues dhe filozofik i ekzistencës. Me këtë libër të rrallë autori ngjitet në kuota të reja të letërsisë në përgjithësi. (*Autori i këtij reçensioni është kritik letrar, eseist dhe autor i disa librave për letërsinë shqipe)