Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Puntorie Ziba

| E premte, 28.12.2012, 01:05 AM |


PUNTORIE ZIBA

NJË IMAZH I NDRYRË

Nga dhembja për ty u bëra çupkë terse
nuk i prisja në ag
piklat e vesës në faqëzat kadife
as zërat e pranverës s’i dëgjoja
ngarendja porendeve pas manaferrash
ngulja vështrimin në kotësitë e asaj fushe
mbi ugarë kërkoja gjurmët e një shpute
ku ti nuk kaloje,
... kurrë ti nuk kaloje.
Në mbrëmje s’e doja as të bardhin Dri
hënën e beftë me nepc e pështyja
e shtrirë si mumie
krahërori më pëlciste
trajtë gjitarësh merrte
kur çdo qelizë vdiste.
Kotesha si dallëndyshet pa strehë
që mbi një degë kumbulle
me sqepin e ndryrë
pa pështymëbardhën
përpijnë natën me hënë e yje.
Dy sytë e mi të gjelbërt plot mëri
ruajnë imazhe zemre nën dry
një rrënojë torzo
pa këmb, pa sy
nga ankthi i pritjes
sa një grusht mbeta,
sa e nxirë rruga
sa e gjatë pritja
sa e ngathët jeta.
Unë e vogëlth u bëra
e vogëlth mbeta
duke ëndërruar
hirin e tij...
Fatin që e desha ma rrëmbeve, o Perëndi
më le të vetme
një jetë të trishtë
pa valën mikluese
pa peizazhe dimri
larg të bardhit Dri
larg të Ziut Dri.

HËNA (Moon)

Mbete nimfë,mbete nimfë
të shikoj me qesëndi:
... një gërshetë hedhur përtej
njërën vetull ngre mbi ball
njërën buzë ngjyrë trëndafili
mbete nimfë mbete nimfë…
Bëhesh nuse nga mesnata,
e vejë mbetesh sapo zbardh.
Mbete nimfë, mbete nimfë
ia zë vendin errësirës
e ditës kur i bën hije
ti mashtruese prej argjendi
ia gjerb sytë ndonjë vashe
që e trete në merak,
i fute në kthetra dashurie
të rinjtë e gjorë dhe ndonjë plak.
Mbeç nimfë, mbeç nimfë
nuri yt kur reflekton
drejt teje ngre duart kjo botë.
Kur shtrin rrezet mbi suprinë
liqeni të bëhet shtrat
për kokë të dritës tënde,
mbyten ata që nuk dinë not.
O, të vraftë një rrufe
e të rrëmbeftë një ujvarë
ashikut tim çka i the
se për kokën tënde bën be’...

AJËR

… heshtja mes territ
njerëzit përpin,
ata nuk platiten
derisa ngjizen mes fijesh metafizike
dhe rrotullimesh luftarake
prej qensh stani të përjargur;
zëshëm lëshojnë ikra
që mitra i gllabëron
dhe lindin sirenatpeshq e njerëz të tjerë pas nesh
ah, lindnin sirenatpeshq e ca njerëz tjerë për t’u përpëlitur,
për t’u sorollatur…
@
Sa çelin sytë
kur errë e zbardh
druajnë nga kafshimi i dheut
e dromca luspash lëkure ju dalin nga sytë
prej jehonës së kohës që shpërthen tajfune.
@
Ëndërrojnë luftën dhe krimbat mbi plagë
majëstepet ku vdekja dhe jeta mbeti ballgam
dhe pjellin imazhe të reja
për orbitën që përcjell kuisje orgjish
mbi re e nën re, mbi tokë e nën tokë
tek livadhet mugulluar:
Një mision për mua
një mision për ty
dy religjione për mua
një religjion për ty
po mbeta unë gangë
kurm i zgavërt
pa shqisa e pa tajitje;
nën zverk do të mbetesh ti…
mbase do ta lajmë turpin
me terpentinë unë, si ti.
@
…dhe epshet murmurojnë portë më portë
ëndërrojnë të bëhen sundues
tempujsh hyjnor.
@
Gjunjëzohen,
ngjyejnë të panjohurën
pasi gjerbin me buzë lëng frutash
tagjiten shijshëm
hyjnizojnë veten
ngjallen tebdil
muçiten mbi kërthizë fronesh
dhe grishin demat
në dy luftim,
në pellgje gjakrash frymorësh
kërkojnë çelësin e thesareve
dhe shungullojnë
e shpresojnë
se deri në amshim
do të futen në altar
hyjneshash të shuguruara,
pastaj një zë të thekshëm pështyjnë
si blegërimë tamblakesh kacavjerrës
krekosen, përqeshin, urrejnë frymorë
dhe dergjen në limonti
derisa mortja
si kasnec arratiset
e mugullon në dyer livadhesh
dhe vdesin sirenatpeshq e njerëz tjerë pas nesh
dhe vdesin njerëz të tjerë ...

VJESHTË E TRISHTË

(Vëllait Gipi)

“O moj motër, o moj motër zeza motër,
sa vjet zi, sa vjet zi do t’mbanë për mu?
... Der’ sa t’zbardhen, der sa t’zbardhen pendlat e korbit
aq vjet zi, aq vjet zi do të mbaj për ty.” populli

Të kërkoj edhe në këtë vjeshtë të trishtë
...kur netëve errcake mistikja jep shpirt
se jeta nuk shndrit kur bëhet mortje
e të mirin vëlla ma rrëmben nga sytë.
Hullitë e ballit dhe hullitë e zemrës
as kjo erë,
as ky shi pika-pika s’i flladitë.
Retë thërrime, thërrime më ronisin në palcë
sytë e mi të gjelbër mungueshëm hedhin shikime
kërkojnë gjelbërimin e shikimit tënd
mbi lotët si sumbulla vese
që rrëshqanthi bëhen ortek.

Jehona e erës rend e nuk më flet
nuk ma kthen një çast zërin tënd
dhe atë shikim hyjnor,
ah, ti o mall që më përvëlon
mall vëllai që më ndez ngadalë
e rritesh
sa një mal
e rritesh sa një det,
kur ditët ikin e ikin
e ti nuk e përkëdhelë më, truallin e babait
as flokun e mëndafshtë të sat bije.
Të urtët në prehër të Zotit
gjejnë prehje
por mua më venit malli për ty…
O vjeshtë koloritesh dhe puhizash
unë shijoj një tjetër vjeshtë
një tjetër jetë, tani
në makthet e natës
pushtuar nga një angështi.
Stinët do të venë e do të vijnë
do të rresh borë
e do të rigojë shi,
deri sa do s’zbardhen
ato pendla korbi
në zi të thellë motërmadhja
do t’jetoj me ty.