| E diele, 23.12.2012, 05:53 PM |
Shënime kritike
Rreth librit: HAJREDIN ISUFI: “FEJA DHE FLAMURI” – Dom Nikollë Kaçorri
Nga Daniel Gàzulli
1. PARATHANJA
Libri i Hajredin Isufit “FEJA DHE
FLAMURI” ka tre vjet që asht botue, por megjithate ka kalue pothuej në
heshtje. E pra, në llojin e vet, atë të letersisë historike dokumentare, ky
libër i ka të rrallë shokët.
Historiani Hajredin Isufi na ka sjellë një shembull
të studimit të historisë të qëmtueme ndër arkiva me përkushtim e dashuni. Ai do
të mbetet një liber model që ndriçon shumë skuta të errta të historisë
sonë të fillimit të shek. XX. Kushdo që do të ulet me hartue Historinë e
Shqipnisë për këte periudhë, nuk mund të mos ketë në të djathtë të tryezës së
tij të punës këte libër shumë të vlefshëm, i historisë siç asht, jo si e kanë
masakrue pseodohistorianë të ideologjizuem apo edhe të pamoral, jo rrallë edhe
antishqiptarë.
Pasqyrimi i jetës, e sidomos veprimtarisë së Imzot
Kaçorrit, nëpërmjet dokumentave origjinalë, asht një kontribut shumë i
randësishëm jo vetëm për ndriçimin e kësaj figure, por të vetë historisë sonë
të asaj periudhe.
Libri paraprihet nga një parathanje e shkrueme poaq
me pasion e përgjegjësi shkencore nga Prof. Dr. Shaban Sinani. Pikërisht për
këte parathanje do të doja të thoja dy fjalë. Ma vonë do të dëshiroja t’i
paraqisja lexuesit vepren e Hajeredin Isufit në kandvështrime të ndryshme
kohore.
***
Prof. Dr. Shaban Sinani nuk e fillon me pompozitet,
siç ndeshim random, parathanjen e tij. Ai natyrëshëm e me sinqeritet na thotë
se “Emri i Dom Nikollë Kaçorrit më ka shoqëruar qysh nga fëmijëria.
Kënga popullore që i kishin ngritur bashkëvendësit e tij në Lurë, prej së cilës
mbaja mend gjithnjë vargjet “Dom Nikolla, shqipe malit / n’krah të djathtë të
Ismail Qemalit”, për një kohë të gjatë ishte i vetmi njoftim historik rreth
figurës së tij”. E ma tej vazhdon se “… ishte dhe s’ishte nënkryetar i qeverisë
së parë kombëtare, ishte dhe s’ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit …”.
Sa i përket thanjes së Prof. Sinanit se “nuk
ishte veshja klerikale ajo që i bënte hije rolit të tij”, por “… një pëshpërimë
tinzare ..”, nuk jam krejt i një mendje, por le të lamë të rrjedhë bukur
parathanjen plot mirënjohje të Profesorit për këte figurë madhore të histroisë
sonë kombëtare.
Thotë Prof. Sinani: “Dom Nikollë Kaçorri
kishte bashkuar në vetvete të gjitha vetitë më të mira të atdhetarëve shqiptarë
të periudhës së Rilindjes dhe të kohës pas saj. Jo rastësisht qe gjendur në
kuvendin e shpalljes së pavarvsisë në Vlorë më 1912. Jo rastësisht dhe aspak si
klerik qe zgjedhur prej
Ma tej Profesori shtjellon me argumente përse kjo
“jo rastësisht”. Duke arrijtur në përfundimin se “Ai ishte i së njëjtës
gjedhe me mendimtarët dhe veprimtarët e periudhës romantike, tek të cilët është
vështirë të njësosh se cila është parësore e cila dytësore. Iluministi dhe
misionari, kleriku dhe dijetari, kryengritësi dhe paqëtuesi ishte e vështirë të
veçoheshin e të përshkruheshin tek ai”.
Atëherë, si shpjegohet që ai “… ishte dhe
s’ishte nënkryetar i qeverisë së parë kombëtare, ishte dhe s’ishte krahu i
djathtë i Ismail Qemalit …”, sa kohë që “Me mendimin dhe veprimin e
Dom Nikollë Kaçorrit lidhen nisma, zhvillime, protagonistë, ngjarje, procese
historike, fare pak të studjuara në shkencën historiografike shqiptare”? Ai,
në “rolin e një rabini … meshtarë dhe mësues njëherësh, prift dhe mësues i
shqipes …”, Ai, pra, pjesëmarrës në ato zhvillime të vrullëshme, deri edhe
në “një akademi shqiptare kushtuar çështjes së alfabetit qysh në vitin
Këtë, me gjithë vullnetin e mirë, pra këtë “
…vullnet të mbrapshtë përbaltjeje”, Prof Sinani nuk arrin ta shpjegoj
si duhet, prandaj, ndoshta, mendimi i tij shumë i respektueshëm se “nuk
ishte veshja klerikale ajo që i bënte hije rolit të tij”, mendoj se
çalon. Vullneti i mbrapshtë i lanjes në harresë të njenes prej figurave ma të
panjollë të të gjithë historisë sonë kombëtare qendron pikërisht tel veladoni,
që Ai mbajti me nder e përkushtim deri sa ndrroi jetë në dhè të huej.
Kjo mungesë nuk ia ulë aspak vlerat parathanjes së
shkelqyeshme të Prof. Sinanit, i cili me ndershmëni prej hisoriani shkencëtar,
e jo sharlatan – si shumë para tij -, thekson se si ato pëshpërimat e mbrapshta
për të varrosë këte figurë madhore kishin vetëm paragjykim ideologjik, sa kohë
që “… relacionet e tyre (Austro-Hungarisë – shënimi i imi, DG) e
denoncojnë si klerik të pabindur, që nxit veprime që prekin barazpeshat
delikate midis dy kryeqyteteve perandorake”, e se, megjithate, “…
Dom Nikollë Kaçorri arriti të trondisë jetën e sulltanit dhe të
ndërkombëtarizojë përmes një kryengritjeje lokale çështjen shqiptare”. Pra,
qoftë edhe në mënyrë të pavetëdishme, por me ndershmëni intelektuale, Prof.
Sinani na sjell në dritë të diellit se “pëshpërimat e mbrapshta”
nuk mund të kishin zanafillë tjetër, veç asaj ideologjike, sa e hoqen nga çdo
vepër arti që nga Monumenti i Pavarësisë, ku ishte në variantin maket; e thanë
ndrysh, figura e tij madhore u sakrifue për hir të veladonit, ashtu si edhe
Luigj Gurakuqi “i paveladon”.
Në vijim Prof. Sinani shtjellon shkurt, por i
shkëputun tashma nga çdo trysni, rolin e Imzot Kaçorrit në Kongresin e
Manastirit, në atë të Elbasanit e të Dibrës, në themelimin e Klubit patriotik
të Durrësit, ashtu edhe shumë veprimtarive të tjera ku ai ishte protagonist i
dorës së parë, tue analizue me kompetencë shkencore arrestimin e dënimin nga
Turqia në vitin 1911, por mbi të gjitha tue cilësue se ai proces gjyqësor ishte
i jashtëzakonshëm e se “Mbrojtja që i bëri vetes, … është njëherësh një
apologji e çështjes shqiptare jashtë kuadrit perandorak”.
Mbasi vlerëson nalt (ashtu si e meriton plotësisht)
punën aq të përkushtueme e shkencore të autorit Hajredin Isufi, arrin në
konstatimin shumë të drejtë se tue u mbështetë ma shumë në arkivat e hueja,
ndërkohë që janë të pastudjueme arkivat tona – siç asht rasti i dokumetacionit
origjinal që ka sjellë autori -, “është një provë se historia e popullit
shqiptar njihet shumë pak, kryesisht në vija të përgjithëshme”. Ja përse
shënova ma nalt se “Kushdo që do të ulet me hartue Historinë e Shqipnisë për
këte periudhë, nuk mund të mos ketë në të djathtë të tryezës së tij të punës
këte libër shumë të vlefshëm ….”. “Një histori e Shqipërisë, si na e
dëshmon edhe monografia e Hajredin Isufit, – thekson Prof. Sinani – nuk
mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithë në ato burime që dihen, gjithë në
po ato dokumente që janë këshilluar deri më sot”; si të thuesh, ja ku e
keni historinë, tek këto dukumenta origjinale mbi veprimtarinë e Imzot
Kaçorrit, palcë e historisë sonë kombëtare të para një shekulli, “që e ka
shkruar me veprim historinë e jetës së vet”.
Sepse, siç e përfundon parathanjen e tij Prof. Dr.
Shaban Sinai, Dom Nikollë Kaçorri ishte “një vijues i traditës së herëshme
të klerikëve shqiptarë, të cilët e nisën rrugën e veprimit të tyre “en së
dashunit botës sanë”, për hir të dashurisë për këtë vend, për këte botë, për
Arbërin dhe dheun e tij, për shqipen dhe hijeshinë e saj, për viset shqiptare
që i krahasojnë me vendet e lashta biblike, për lirinë e bashkatdhetarëve. Në
gjuhën e tyre “të vetët” qenë dhe mbetën gjithnjë vëllezërit e një gjaku, të
një gjuhe dhe besimi kurrë s’u bë shkas për t’i kuptuar ndryshe … Ky është një
tipar themelor në historinë e Kishës Shqiptare dhe të klerikëve të saj, të
cilët iluminizmi dhe idetë përparimtare përgjithësisht i udhëhoqën në veprim
laik dhe doktrina kurrë nuk i pengoi të ngriheshin në lartësinë që i kërkonte
historia”.
Në ato naltësi, në pikën ma të naltë të historisë sonë kombtare, rri mrekullisht Imzot Nikollë Kaçorri, i mënjanuem nga politika, por kurrë i harruem nga populli i tij për të cilin u flijue.
2. FILLIMET E VEPRIMTARISË PATRIOTIKE
Nëse në pjesën e parë, ate me titull “Parathanje”,
folëm shkurt për vlerësimet dhe reflektimet e Prof. Shaban Sinanit mbi librin e
Hajredin Isufit “FEJA DHE FLAMURI”, në shkrimin e sotëm po kalojmë menjëherë
tek veprimtaria atdhetare e Imzot Kaçorrit. Kjo nuk asht një zgjedhje e imja,
por e historianit tonë, që fëmininë, përgatitjen e Imzot Kaçorrit në
Universitetin e Propaganda Fide në Romë e deri sa Ai emnohet meshtar në Durrës,
i kalon me një gjysëm paragrafi. Asht një zgjedhje e vetëdijëshme. Nuk ka qenë
synimi i Autorit të hartojë një biografi të atdhetarit të shquem, por thjeshtë
të dokumentojë veprimtarinë e tij, pse nëpërmjet paraqitjes së figurës së Imzot
Kaçorrit pasqyrohet ma së miri vetë historia jonë prej fundit të shekullit XIX
e deri në Luftën e Parë Botënore. Dora doras ai dokumenton e na befason se si
asht lanë pothuej në harresë për gati një shekull ky vigan i atdhetarisë.
Mbasi përshkruen shkurt gjendejn e Durrësit në fund
të shekullit të XIX, ndalet tek vendi e roli i dy institucioneve klerikale të
krishtena, ku nuk i shpëton dot një kandvështrimi tepër klasik për
historiografinë tonë: sikur ata funksiononin thjeshtë në shërbim të kësaj
apo asaj fuqie të huej, por shqisa prej historianit e ban të kthjellohet shumë
shpejt e të pohojë se “Fusha e parë e betejës u bë lëvizja arsimore”,
e se “Porta e Lartë lejonte çdo institucion klerikal dhe çdo fuqi të huaj,
duke përfshirë dhe monarkitë ballkanike, të organizonin shkolla në gjuhët
e tyre në të katërt anët e perandorisë. Përkundrazi, hapja e shkollave
shqiptare dhe përdorimi i shkrimit shqip në sistemin arsimor …. ishte
rreptësisht i ndaluar”. Pra, beteja arsimore, ku kleri katolik, si dëshmohet
në mbarë vendin, jo vetëm përpiqej e hapte shkolla, edhe me ndihmë të Austrisë,
në gjuhën shqipe, por mbi të gjitha të shërbenin ato për edukimin atdhetar,
sepse, siç e pohon edhe Hajredin Isufi, qellimi i meshtarëve katolikë ishte që
“krahas ushqimit shpirtëror, që merrnin në kishë, të ushqeheshin edhe me
ndjenjën e atdhetarisë, që për fenë katolike, feja dhe atdheu janë të
pandarë” (nënvizimi im, DG). Me këto fjalë mendoj se Autori ka
dëshmue qartë e premë kujt i shërbente Kisha Katolike; e natyrisht, meritë ka
historiani ynë që në titullin e librit “FEJA DHE FLAMURi”.
Në të njejten kohë shkollat turke kishin si synim
themelor “të fanatizonin me anën e doktrinës islamike …. të osmanizonin me
anën e kulturës turke, nxënësit shqiptarë të fesë muslimane”, ndërkohë që
shkollat ortodokse i konsideronin nxanësit e tyne me kombësi greke, megjithëse,
siç pohon konsulli austro-hungarez Ippen në një relacion drejtue Vjenës, “Ortodoksët
e Durrësit … nuk janë në shërbim të propagandës greke”.
Në këtë kontekst, kur deskriminimi i shkollave
katolike e i çdo veprimtarie atdhetare ishte tejet i egër, fillon veprimtarinë
e tij si mësues, përveç se meshtar, Imzot Kaçorri. Ai ishte emnue meshtar
në Durrës në vitin 1893 dhe menjëherë, vetëm mbas një viti, pra më 1894, vihet
në shërbim të shkollës shqipe të hapun nga Vjena, ku përveç mësimit të shkrimit
të gjuhës shqipe, si dëshmon një prej nxanësve të parë të tij, pak vite ma vonë
edhe ai mësues në shkollën katolike, Agostin Serreqi, se Imzot Nikollë
Kaçorri “ishte i pari që na kalli në zemër atdhedashuninë”, e se “….
ai e trajtoi shkrimin shqip … si mjet që do ta çonte vendin drejt përparimit
dhe popullin shqiptar drejt bashkimit, në luftë për lirinë e atdheut”.
Për herë të parë Autori na sjell dokumenta se
përçapjet për një alfabet të përbashkët, veç përpjekjeve të Shoqnive “Bashkimi”
e “Agimi” në Shkodër, përkatësisht të drejtueme prej Imzot Prengë Doçit dhe
Imzot Lazër Mjedës, nuk asht Kongresi i Manastirit në nandor 1908, por në
mënyrë të institucionalizueme, qysh me Konferencën e Gjuhësore të
Shkodrës, e quejtun për t’u fshehë nga pushtuesit turq, Konferenca e
Arqipeshkvive (të Shkodrës, Durrësit e Shkupit), që u mbajt nga 30 prilli deri
me 7 maj 1902. Nuk asht rasti me u ndalë tek punimet e kësaj Konference të
injorueme nga historiografia, por duem të theksojmë rolin thellësisht atdhetar
që kishte ajo konferencë. Të mos harrojmë se në atë kohë, ndërsa lejohej
shkrimi në çdo gjuhë tjetër, “… shkrimi shqip dhe botimi i librave
shqip, ishte i ndaluar dhe cilido , që e thyente këte urdhëresë, ndiqej dhe
dënohej rëndë”. E megjithate, edhe në ato kushte të randa, vetëm Shoqnia
“Bashkimi” arrijti të botonte jo pak, por plot 35 tituj librash shkollorë dhe
letrarë në gjuhën shqipe!
Me dokumenta arkivore Autori vërteton rolin e Imzot
Kaçorrit në përhapjen e librit shqip në Durrës e rrethina, të gazetave të pakta
shqip që vinin nga shoqnitë e mërgimit, prej “Albania” e Faik Konicës, e
sidomos ato që i dërgonte miku i tij Shahin Kolonja. Përhapja e gazetës “Drita”
shërbeu edhe ndër ortodoksë e muslimanë edhe si abetare për të mësue shkrimin
shqip. Të gjitha këto, e tue marrë në sy edhe rreziqet që vinin prej kësaj
pune, i kishte marrë përsipër Imzot Kaçorri.
Veçanarisht ai solli për herë të parë nga Vjena
librin e botuem atje në gjuhën shqipe “Historia e Shqipnisë” qysh në vitin
1899. Libri shpërndahej në Durrës si trakt i vërtetë, tue kalue dorë më
dorë, por njëkohësisht të bahej nxitje libri edhe për mësimin e shkrimit e
leximit të gjuhës sonë.
Tue qenë se shumica e popullit nuk dinte të
lexonte, Imzot Kaçorri vetë, ashtu edhe bashkëpunëtorët e tij ma të afërt si
Stef Kaçulini, lexonin këtë libër në grupe të vogla njerëzish, në mënyrë
krejtësisht sekrete, me qellimin e vetëm edukimin atdhetar të popullit.
I vendosun në veprën e tij atdhetare, ai këtë libër
e dërgoi deri në zonat ma të thella malore; atje ngarkoi për leximin e tij
meshtarët që vareshin nga Arqipeshkvia e Durrësit.
Autoritetet turke nuk mund të mos vinin ore këtë
rizgjim të ndërgjegjes kombtare, prandaj, përveç propagandes zyrtare fe – komb
(nënkupto: muslimanë – turq), jo vetëm nuk penguen, por nxiten e bashkpunuen në
përhapjen e gazetes greke “Astir”, që shpërndahej lirshëm e falas, gazetë me
tendenca të theksueme antishqipatre, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si
shërbim i drejtpërdrejtë që Patriarkana i bante Stambollit.
Asht shumë domethanëse që populli patriot i
Durrësit, përfshi edhe pjesën ortodokse, e braktisen me përbuzje këte fletushkë
mjerane.
Ky dështim i plotë i bashkpunimit haptas ndërmjet
Portës së Naltë dhe Patriarkanës së Stambollit ishte vepër e Imzot Kaçorrit dhe
i nderimit që populli atdhetar i Durrësit kishte për meshtarin e vet.
Pranë tij, në çdo hap e në çdo rrezik, nuk u
gjenden vetëm bashkëpunëtorë besimtarë katolikë, por edhe të besimeve të tjera,
prej të cilëve nuk mund të la pa përmendë mikun e tij Saida Kërtusha, prej të
cilit kemi, gjithnjë simbas kujtimeve të bashkëpunëtorëve ma të afërt të Imzot
Kaçorrit, thanjen lapidare: “Nderi dhe liria mbrohet dhe fitohet me
gjak..”.
Nuk kishte si të ndodhte ndrysh: Durrësakët, jo vetëm katolikët e paktë që jetonin aty, por edhe ortodoksët e muslimanët, shikonin tek biri i urtë e trim i Lurës, Imzot Nikollë Kaçorrin, udhëheqësin e tyne, çka nuk do të vononte ta provonte edhe me vepra të mëdha atdhetare për liri, një ndër faqet ma të bukura të historisë sonë, siç ishte Kryengritja e Kurbinmit, edhe kjo e anashkalueme në historiografi.
3. KRYENGRITJA E KURBINIT DHE DOM NIKOLLË KAÇORRI
(1905-1907)
“Mendja dhe zemra asht gjithnji
në Kurbin e me kurbinas”.
Dom Nikollë Kaçorri
Imzot Kaçorri ishte përthithë i tani në veprimtari
nga ma të ndryshmet, gjithmonë i nxitun nga motive atdhetarie të pashoqe: nga
shërbimet meshtarake me theks kryekëput atdhetar, në shoqnitë kulturore,
përsëri me theks e qellim veprimtarinë kombtare, tek shpërndamja e librave e
gazetave shqip, tek pjesëmarrja aktive e me rol të dorës së parë në çashtje të
alfabetit e deri të njësimit të normës gjuhësore, deri tek pjesëmarrja direkte
në veprimtari politike, sidomos mbrenda juridiksionit kishtar të Durrësit. Kjo
e ndihmoi tëngrihej në shkallët ma të nalta të Lëvizjes Kombtare Shqiptare.
Vala e trazinave politike kishte fillue qysh në
fund të shek. XIX nën drejtimin e Murat dhe Refik Toptani, që në vitet e para
të shekullit të ri do të arrinte kulmin nën udhëheqjen e atdhetarit të shquem
Abdi Toptani, Kryetar i Komitetit të Rezistencës, formue në Valias në dhjetor
1901. Përfaqësues të Durrësit në këtë lëvizje ishin Imzot Kaçorri dhe Mustafë
Ali Beshiri.
Komiteti e shtriu ndikimin e lidhjet e tij në
gjithë Shqipninë e Mesme, ate Veriore e deri në Prizren, Pejë e Gjakovë.
Ishte hera e pare në historinë e kombit tone, mbas
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një bashkëpunim kaq i gjanë ndërkrahinor.
Do të pyesë lexuesi: A i dinë historianët tanë
këto, se nuk i kemi lexue kund? Natryrisht që i dine, dhe i dinë shumë ma mire
se unë, por na vazhdojmë ta trajtojmë historinë me paragjykime.
Kërkesat e qarta politike dhe bashkëpunimi me armë
në dorë ndaj çdo përpjekjeje raprezaljesh nga autoritet turke, siç ishte ajo e
Shëngjergjit, e detyruen adminsitraten të tërhiqej përkohësisht.
Por paqja e rremë nuk do të zgjaste shumë. Valiu i
Shkodrës vendosi të fillonte shtypjen e lëvizjes me nënshtrimin e kurbinasve,
zona ku tyrqit kishin humbë krejtësisht autoritetin shtetnor. Ekspedita barbare
iu ngarkue pinjollit ma të mbrapshtë të fisit të Toptanëve: Esat Pashë
Toptanit, që në shkurt 1903 ndërmori një nga aktet ma të turpshmë të të
shitunve. Forcat e tij jo vetëm vranë njerëz të pambrojtun, dogjën e plaçkitën
gjatë ekspeditës në zonën e Kthellës, por edhe përdhunuen vajza e gra të
traumatizueme nga barbaria e tyne.
Imzot Kaçorri, tue u veshë e mbrojtë nga një
mandate i misionit austriak për verifikimin e ankesave që arrinin nga çdo anë,
me 26 mars 1903 niset drejt Kurbinit dhe “grumbulloi shumë fakte rrënqethëse
të veprimtarive të dhunëshme, që kishte kryer Esat Pasha me forcat e tij”,
na thotë historiani ynë.
Gjatë misionit të tij, që zgjati deri me 5 prill
1903, ai çfrytëzoi rastin të vihej në kontakt me parinë e Kurbinit për
organizmin e kryengritjes. Ajo filloi menjëherë, porsa u kthye në Durrës Imzot
Kaçorri, aq sa forcat osmane të udhëhequna nga faqeziu Esat Toptani, u detyruen
të tërhiqeshin me turp, por tue lanë mbrapa një gjendje tejet të randë, qoftë
ekonomike, ashtu edhe morale.
Bashkimi e bashkërendimi e veprimtarive luftarake u
ba edhe ma i fortë në zonat ku kaluen hordhitë esadiste, si në Krujë,
Tiranë etj. Tashma shqiptarët e kishin të qartë se historia i kishte thirrë të
shpreheshin me grykën e armëve.
Kulmin e këtij rebelimi do të ndeshim pak ma vonë,
në Kryengritjen e gjatë dhe heroike të Kurbinit në vitet 1905-1907.
Kurbini, që bante pjesë në Kazanë e Krujës, jetën e
mbrendëshme e kishte organizue simbas dokeve të veta, i njohun si “Kanuni i
Kurbinit”. Përpjekjet e Turqisë që ta detyronin popullin e panënshtrueshëm të
Kurbinit simbas ligjeve kuranike, normave të administrates osmane, dështun për
gjithë shekujt me rradhë; përpjekja e tyne e fundit, raprezaljet e vitit 1864,
e kishin përgjakë, por jo përulë. “Kurbini – thekson
historiani Hajredin Isufi – vazhdoi të qeverisej rregullisht në bazë të
Kanunit të vet. Kurbinasit nuk paguanin as taksa, as nuk jepnin ushtarë. Ata i
paguanin pushtetit qendror osman vetëm tributin vjetor tradicional”.
Jeta e kurbinasve rregullohej simbas vendimeve (të
detyrueshme për të gjithë) të Kuvendit Krahinor të Kurbinit, krejtësisht i
pavarun nga adminsitrata turke.
Me kalimin e Kurbinit nga vartësia prej sanxhakut
të Shkodrës në vartësi të Sanxhakut të Durrësit, u dekretue edhe “që të
vendoste në Kurbin adminsitratën shtetërore turke dhe t’i detyronte banorët të
dërgonin nizamë, … të dorëzonin tatimin e së dhjetës mbi prodhimin bujqësor dhe
të paguanin taksat e tjera shtetërore …….. të cilat ishin pezulluar që nga viti
1846.
Aksionin për likuidimin e venomeve të Kurbinit e
drejtoi personalsiht valiu i Shkodrës, Hajdar Pasha……
Përfshirja e tyre në sistemin e administrates
burokratike perandorake, nënkuptonte …. Fundin e vetëqeverisjes, fundin e
autonomies së tyre locale dhe fillimin e zgjedhës administrative osmane. ……….
Krerët e Kurbinit e njoftuan mytesarifin e Durrësit
se nuk kishin ndër mend të pranonin asnjë qeveritar turk .……”.
Konflikti politik i pranverës 1903 mbas dy vjet
mosnënshtrimi do të kthehej në një nga konfliktet ma të ashpra ushtarake, që do
të trondisnin perandorinë e kalbun osmane.
Në ato çaste jetike Kleri Katolik, si gjithmonë, u
gjend pa mëdyshjen ma të vogël pranë besimtarëve.
Do të duhej, si e kërkonin marëdhanjet e kohës, që
Arqipeshkvia e Durrësit t’i kundërvihej mosbindjes së armatosun.
Kundër mosbindjes? Natyrisht, por në një mënyrë
tjetër. Imzot Kaçorri doli haptas për luftë të armatosun deri në çlirimin e
plotë. Me të u rreshtuen plot klerikë të tjerë atdhetarë, prej të cilëve na ban
nder të kujtojmë të madhin At Shtjefën Gjeçovi.
Rreth tij e me të, në mbrojtje të popullsisë
katolike të Kurbinit, nuk ishin vetëm luftëtarët e shquem vendas, me në krye
Gjin Pjetër Pervizin e Skurajve, por edhe disa atdhetarë durrsakë, që nuk
kursyen asgja në ndihmë të tyne, si Neki Libohova, Stef Kaçulini, Hafiz Ali
Podgorica, Pavli Terka, Abaz Çelkupa, Saida Kërtusha, Sabri Dermani, Sulejman
Kadiu, Musta Haxhiu, Jahja Ballxhini, Ilia Llavda etj. I shënova disa prej tyne,
sepse i kërkova në famëkeqen Enciklopedi Shqiptare, ku mjelses Lenka Çuku i
kushtohet një faqe, kurse këtyne atdhetarëve të flaktë s’u zihet në gojë as
emni.
Imzot Kaçorri gjet menjëhjerë edhe mbështetjen e
trimave të Shëngjergjit, me në krye Xhafer Shtërpanin, vëllazënve atdhetarë
tiranas Abdi e Refik Toptani; përkrah tyne u gjenden edhe Ishmi, Shijaku, Kruja
e Hajdar Belegut, Mati, Dibra, Lura e tij, Mirdita, Kavaja, Lezha, sepse kudo
ai kishte miq, kudo e donin dhe e nderonin.
Edhe pse përkohësisht, u detyruen të tërhiqeshin si
Valiu i Shkodrës, ashtu edhe mytesarifi i Durrësit.
Ajo tërheqje i kushtonte shumë në karrieren e tij
Teofik Pashës, prandaj edhe ndërmori një sulm të përgatitun me kujdes ndaj
anmikut të tij numur një, Imzot Kaçorrit. Administrata e tij, nëpërmjet
hafijeve, kishte mbledhë informata të mjaftueshme për lidhjet dhe rolin e Imzot
Kaçorrit me kryengritësit kurbinas. Tentativat për arrestimin e tij qysh në
vitin 1903 kishin dështue, veç prej cilësisë së tij të rrobës ekumenike, edhe
pse ai kishte përkrahje të plotë jo vetëm nga pjesa e krishtenë, por edhe nga
muslimanët e Durrësit e deri tek familja e bejlerëve të Tiranës, familje me
autoritet në popull, por edhe në administraten osmane.
Më anë tjetër, randimi me taksa, pse vendosja e
autoritetit adminsitrativ turk kishte dështue, vështirësonte shumë gjendjen e
kurbinasve të vorfën, ashtu si edhe të zonave të tjera.
Në prag të konfrontimit ma të egër Imzot Kaçorri
denoncon para opinionit vendas, por edhe të huej, me një letër të hapun që e
boton në gazetën “Drita” të Sofjes miku i tij Shahin Kolonja në mars 1905.
Deklarata e tij denoncuese publike shkaktoi, ashtu
si pritej, reagime të forta në Durrës. Më atë rast duhet thanë se edhe Vjena,
protektore e katoliçizmit në Shqipni simbas marrëveshjes me Stambollin, u
tërhoq dhe nuk përkrahu rebelimin e meshtarit të Durrësit. Kjo u dha aq
zemër otomanëve që sundonin në Durrës, sa ai u rrah nga xhandarët në një
rrugicë të qytetit barbarisht e pa asnjë shkak. Qellimi nuk ishte ta vrisnin,
por ta trembnin e ta zhburrnonin.
Imzot Kaçorri ishte aq i zgjuet të kuptonte se
tashma ishte krejt i pambrojtun, por ishte edhe poaq trim sa të mos i shkonte
mendja të tërhiqej; përkundrazi, ai e shtoi veprimtarinë e tij në një kuadër ma
të gjanë të Lëvizjes Kombtare.
Bashkë me mikun e bashkëpunëtorin e tij ma të
ngushtë, Gjin Pjetër Previzin e Skurajve (Kurbin) ideoi dhe ndërmori
përgatitjet për një aleancë ndërkrahinore ku do të përfshihej shumica e Veriut
e me një bërthamë kryesore në krahinat katolike të Kurbin, Lezhë, Mat, Mirditë,
Lurë. Nën petkun e meshtarit e me atë cilësi, ai shkel vetë gjithë Veriun; nga
Bregu i Matës në Lezhë te vëllaznit atdhetarë Gjeto Coku e Dedë Coku, tek
vëllaznit ma të famëshëm në Tiranë, Murat e Refik Toptani, deri në Mirditë apo
Lurën e tij tek Baftjar Doda, deri te organizimi i Kuvendit që u mbajt në
Delbinisht (Kurbin) në vjeshtë 1905.
Ndër vendimet e tij themelore ishin:
Të mos paguenin asnjë taksë administratës turke –
çka do të thonte praktikisht mosnjohjen e saj
Vendimet e Kuvendit u banë publike: Ato iu dërguen
adminsitratës në Durrës, Valiut në Shkodër, i cili tregoi një shpërfillje fyese
dhe si kundërpërgjigje urdhënoi adminsitratën e Sanxhakut të Durrësit, që të
vilej me çdo kusht taksa e bedelit ushtarak në Kurbin. Sanxhaku mendoi ma së
pari arrestimin e Imzot Kaçorrit, që simbas Konsullit austriak Karl “ishte
shpirti i qëndresës antiosmane dhe frymëzuesi i luftës së armatosun të
kurbinasve”.
Imzot Kaçorri, për t’i ikë arrestimit, strehohet në
mes kryengritësve në Kurbin. Tentativa për arrestim kishte ba efektin e
kundërt: shpirti i kryengritjes tashti ishte në mes të kryengritësve.
Shkodra dhe Durrësi gjendeshin në prag të një
dështimi të turpshëm para kurbuinasve trima. Atëherë menduen me vu në lojë
diplomacinë, aty edhe ate austriake.
Si dështoi çdo përpjekje për të shue kryengritjen,
e fundit ajo e Kajmekamit të Krujës, që mori përgjigjen trimoshe të Gjin Pjetër
Pervizit, se “Populli i Kurbinit ishte i vendosun mos me i pague asnjë
takes qeverisë, sepse nga taksat, që ishin mbledhë për dekada me rradhë, nuk
ishte rregullue një urë, …..nuk ishte hapë asnjë shkollë në gjuhën shqipe”.
Gjin Pervizi, flamurtari i 28 Nandorit 1912 në Milot, në kulmin e kryengritjes
e të një mjerimi ekonomik të skajshëm, kujtohet edhe për shkollat shqip.
Mbas këtij dështimi ishte i pritshëm një operacion
i gjanë ndëshkimor prej Valiut të Shkodrës.
Për t’i dale para punës, Imzot Kaçorri organizon
një Kuvend të ri me datë 31 maj 1906, po në Delbinisht, ku ishte transferue
edhe Arqipeshkvia e Durrësit, si rezultat i përndjekjeve turke. Në këtë Kuvend
për herë të parë në mes kryengritësve, merr pjesë edhe vetë Arqipeshkvi Prengë
Bardhi.
Ashtu siç pritej, vendimi ishte një: Rezistencë
deri në fund dhe bashkëpunim me krahinat tjera. Me këtë rast Imzot Kaçorri
hartoi dhe u lexoi të pranishmëve një promemorie për Perandorinë e
Austro-Hungarisë për t’u dhanë ndihmë. Përgjigja e Vjenës nuk vonoi, por ajo
ishte negative.
Atëherë vetë Imzot Kaçorri, në bashkëpunim me Gjin
Përvizin, ashtu edhe me meshtarë të tjerë si Dom Zef Nikaj, Dom Luigj Kroqi,
Dom Zef Shllaku, morën përsipër sigurimin e armëve nga tregjet e Europës dhe
sjelljen e tyne fshehtas me anije të ulqinakëve e të durrësakëve. Të hollat për
blemjen e armëve i kishte dhanë atdhetari brilant Gjin Pervizi.
Ndonse lajmi u muer vesht dhe Valiu i Shkodrës mori
të gjitha masat e mundëshme që armët të mos arrinin, ato përsëri arrijtën
nëpërmjet Durrësit dhe prej aty në Kurbin.
Me 5 gusht 1906 e për tri dit rresht organizohet
Kuvendi tjetër i Delbinishtit, që ishte jashtë kontrollit të adminsitratës
turke. Organizatorët kryesorë janë përsëri Imzot Kaçorri, At Shtjefen Gjeçovi,
Gjin Pervizi, sidhe Beg Ali Vokrri nga Malbardha.
Në atë Kuvend u përvijue kërkesa për autonomi
kombtare, me sa di unë, hera e parë që ndeshet një kërkesë e tillë e qartë.
Aty u morën edhe një seri vendimesh që kishin të
banin me raprezaljet e mundëshme të sundimtarëve turq, sepse autoritetet e
Shkodrës, Durrësit e Krujës, ma shumë se sa mosaftësia për të mbledhë taksat, i
shqetësonte lëkundja e autoritetit të tyne para Stambollit dhe ndikimi i
rebelimit të Kurbinit në krahinat tjera.
Me 4 shtator 1906 forca të shumta osmane iu drejtue
Kurbinit. Paria dha alarmin. Çdo mashkull i aftë për pushkë doli në mal. Forca
aleate të besëlidhuna me Kurbinin gjithashtu iu afruen nga të gjitha anët.
Batalioni ndëshkimor, mbas një demostrimi
frikësues, u ndrye në Krujë, sepse hafijet i kishin njoftue se nuk do të mund
ta përballonin zemrimin e kurbinasve. Aq u tremb komandanti i garnizonti, sa
mori masa për sigurimin e qytetit nga një sulm i mundëshëm prej fshatrave
përreth, aleatë të kurbinasve.
Komandanti i garnizonit shpalli shtetrrethimin, në
mënyrë që asnjë fshatar të mos mund të hynte në treg.
Me 20 shtator ai thirri gjithë kryepleqësitë e
fshatrave të kazasë për bisedime në Krujë. Përgjigja e kruetanëve qé e preme:
“…. As edhe një kokë për katund nuk do ta japim, sepse ju u mjafton një
pike e zezë mbi letër të bardhë, për të na marrë gjithë pasurinë”.
Kur kryepleqësitë po largoheshin prej qytetit,
komandanti i garnizonit Shefqet beu u dha sinjalin forcave që ishin në kala të
hapnin zjarr mbi të ftuemit. Fshatarët, të gjithë të paarmatosun, të premë me
pabesi, mbetën të vdekun nga breshëritë që vinin nga kalaja: 22 të vdekun.
Masakra e 20 shtatorit çoi peshë gjithë fshatarët.
Ata prenë rrugët nga mund të vinin përforcime prej Tirane apo prej Durrësit,
prenë linjat telefonike, dhe u organizuen për vetëmbrojtje nga ndonjë
raprezalje e matejshme.
Mbas kësaj masakre osmanët sulmuen Zhejen, ku u
ndeshen në prita të organizueme me forca të pakta nga Gjin Pervizi.
Mbasi morën Zhejen, turqit iu drejtuen fshatit
Skuraj, kryeqendër e Kurbinit, djep i Lëvizjes Kombtare Shqiptare. Akti i parë
ishte djegëja e kullës-kështjellë të kryetrimit Gjin Pervizi. Mbas saj u dogjën
fshatra të tanë, u shkretuen me gjithçka.
Mbi masakrat e turqëve mbi popullsinë e pambrojtun
kemi një dokumentacion të tanë nga dëshmitarë okularë, prej Imzot Kaçorrit, tek
At Shtjefen Gjeçovi e shumë të tjerë. Përballë kësaj mësyemje të egër, që
kishte shkrumbue shtëpi e të mbjella, u vunë në lidhje me fuqitë e mëdha të
kohës personalitete si Imzot Kaçorri, At Gjeçovi, Imzot Prengë Bardhi, Gjin
Pjetër Pervizi etj., por edhe ndërhymja e tyne pranë Stamollit nuk pat sukses.
Kur armët e kurbinasve e të zonave përreth iu kundërvunë deri në pikën e fundit
të gjakut të paktë që u kishte mbetë, Valiu i Shkodrës kaloi në premtime për
marrëveshja dhe praktikisht pezulloi si veprimet ushtarake, ashtu edhe vjeljen
e taksave.
Siç pasqyrohet në korrispondencën e dendun e në
protestat e Imzot Kaçorrit, shqiptarët ishin të vetëdijshëm se Stambolli donte
vetëm të merrte kohë për sulme edhe ma të egra e nuk u rrejten nga premtimet e
Valiut të Shkodrës, por edhe kurbinasit, mbas katër vjet lufte krejtësisht të
pabarabartë e të rreskapitun veçanarisht nga ana ekonomike, u detyruen të
pranonin marrëveshje e 29 prillit 1907, që u nënshkrue në Milot.
Edhe pse nuk ishte ky qellimi i vërtetë i
kryengritjes, duhet thanë se ajo nuk i uli armët pa sukses: Stambolli u detyrue
të pranonte shumicën e kërkesave të kryengritësve, ndër to, të drejtën me u
administrue simbas venomeve vendase e jo nga adminsitrata turke.
Kryengritja e Kurbinit, që zgjati katër vjet, e udhëhequn nga Gjin Pjetër Pervizi, me frymëzues, organizator dhe armator Imzot Nikollë Kaçorrin, ishte kushtrimi ma i fortë në prag të Pavarsisë.
4. KONGRESET DHE NDIKIMI I TYNE
Revolucioni xhonturk, që solli ramjen e
absolutizmit sulltanor, ma shumë se një erë lirie, për shqiptarët ishte një
rast për t’u çfrytëzue për një organizim të fuqishëm, që tashma ua njihte
kushtetuta e re. Imzot Kaçorri ua bani të qartë durrësakëve e ma gjanë se nuk
ishte fjala për fitimin e lirive të trumbetueme nga xhonturqit, por rasti me u
bashkue edhe ma shumë, pavarësisht nga besimi fetar, që të organizohej e të
shpejtohej verpimtaria në dobi të çashtjes kombtare, sa kohë që edhe
sundimtarët e rij nuk kishin kalue ende në raprezalje kundër shqiptarëve si
paraardhësit e tyne. Ai nuk humbi rastin në riorganizmin e Klubit patriotik
të Durrësit (edhe pse ende fshehtas e të paligjëruem), shtrimjen e veprimtarisë
së tij nga Kurbini në Kavajë, futjen e gjuhës shqipe edhe në shkollen e mesme
turke e hapjen zyrtarisht të shkolles shqipe, por sidomos krijimin e lidhjeve
të ngushta me atdhetarë kudo shtrihej veprimtaria e Arqipeshkvisë së Durrësit.
Shkolla e gjuha shqipe, të ndalueme prej shekujsh,
tashti duhej të kapërcenin ngutshëm një vështirësi të madhe: alfabetin e
njësuem.
Ja përse Kongresi i Manastirit do të mbesë një
ngjarje e madhe për kombin tonë. U mblodhën aty burrat ma të shquem të kombit,
e ndër ta Imzot Nikollë Kaçorri.
Ndërsa delegatët e tjerë të Kongresit ishin
përfaqësues të 23 klubeve të krijuem në trojet tona e jashtë tyne, Imzot
Kaçorri u thirr përjashtimisht pikërisht për personalitetin e tij zamadh, që
kishte krijue në të gjithë lëvizjen atdhetare e sidomos në Kryengritjen e
Kurbinmit. Kongresi për të ishte
në radhë të parë një rast “për të hedhë themelet e
bashkimit e të vëllaznimit”.
Tashma ai ishte figurë qendrore e shumë e
respektueme në gjithë lëvizjen kombtare.
Xhonturqit, si kundërpërgjigje të Kongresit të
Manastirit, menduen dhe organizuen në Diber një kongres, që duhej të ishte
përkrahës i politikës “së re”, pra me të zgjedhun nga klube xhnturke, që mbin
si këpurdha helmuese në çdo kaçubë. Por Durrësi njëzashëm zgjodhi në mes katër
delegatëve atë që tashma kishte autoritet absolut në qytet, rrethina e ma
gjanë, Imzot Kaçorrin.
Komiteti Xhonturk sidhe qeverisja e vilajetit në
Shkodër refuzuen pjesëmarrjen e Imzot Kaçorrit në Kongres. Ky kundërshtim ishte
heqja përfundimisht e maskës së “politikës së re”, që Imzot Kaçorrin nuk e
kishte pengue kurrë me pa fytyren e vërtetë të pushtuesëve “të moderuem”.
Imzot Kaçorri e kishte pranue mandatin e
përfaqësuesit të Durrësit me qellim që të shkonte në Dibër e të luftonte dhamb
për dhamb me “përfaqësuesit” e Komiteteve Xhonturke, ardhë deri nga Selaniku,
po që vetëm përfaqësues të idealeve kombtare nuk ishin. Në shej proteste
dorëzuen mandatin e tyne të delegatit edhe atdhetarët durrësakë Dr. Neki
Libohova dhe myftiu u Durrësit Myrtesim Këlliçi.
Gjatë zhvillimit të punimeve të kongrsit të
Dibrrës, atdhetarët durrsakë i durëzuen mytesarifit një deklaratë ultimative ku
e paralajmronin se do të krijonin një klub për mbrojtjen e interesave të
qytetarëve durrsakë. Ishte kjo një kundërpërgjigje flakë për flakë ndaj
veprimtarisë së dhunëshme të adminsitratës së re nacionalsite xhonturke kundër
shqiptarëve të vërtetë. Në gusht 1909 ata formuen edhe dy komitete mbrojtëse
dhe sigurie. Kryetar nderi u zgjodh Imzot Kaçorri, kurse kreytar efektiv Dr.
Neki Libohova.
Stambolli gjatë vitit 1909 u angazhue me zjarr e
hekur që të pengonte çdo lëvizje kombtare shqiptare, por edhe ma e fortë ishte
kundërpërgjigja e atdhetarëve për bashkim e përparim të lëvizjes kombtare. Hapi
ma i randësishëm ishte Kongresi Arsimor i Elbasanit në shtator 1909.
Përsëri adminsitrata xhonturke pengoi pjesëmarrjen
e Imzot Kaçorrit në këtë Kongres. Ai dhe delegatët e tjerë të Durrësit, të
penguem nga sundimtarët e sanxhakut, munden të arrinin në Elbasan vetëm në dy
ditët e fundit të punimeve mbas presionit të fortë të organizatorëve të
Kongresit. Në kujtimet e tij atdhatari Jahja Ballhysa përshkruen se me sa
emocion e duertrokitje të pandërpreme u prit në sallën e Kongrsesit arritja e
Imzot Kaçorrit.
Në fjalën e tij, që e mbajti sa arrijti në Elbasan,
ai doli haptas për çashtjen e autonomisë së Shqipnisë, për shkollimin në gjuhën
shqipe e me alfabet latin, për hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit, e si
kundërshtar i rreptë i çdo rryme pseodoreformiste proxhonturke.
Pavarësisht tensioneve politike të krijueme nga
xhonturqit, Shoqata “Vëllazënia”, që vepronte në fshehtësi, e palegalizueme,
kontrollonte e dominonte mbi veprimtarinë e autoriteteve zyrtare turke. Por kjo
nuk mjaftonte, prandaj u ba i domosdoshme legalizimi i Klubit patriotik
“Bashkimi”. I ngarkuemi për nxjerrjen e lejes për legalizmin e klubit,
atdhetari Jahja Ballhysa, iu imponue mytaserifit deri në ballafaqim kërcënues
dhe e detyroi ate të pranonte legalizmin. Përurimi i Klubit “Bashkimi”
zyrtarisht u kthue në një festë të vërtetë popullore, ku në fjalën e tij, që
pritej nga durrësakët si shiu në ditë të gushtit, Imzot Kaçorri vuni theksin
tek mesazhi jetik për kohën e të gjitha kohnat: dashuninë e vëllaznimin e popullit
pa dallime fetare.
Suksesi i Klubit ishte i jashtëzakonshëm:
durrësakët, pa dallim feje, u mblodhën të gjithë rreth tij e rreth frymëzuesit
kryesor të të gjithë lëvizjes kombtare, Imzot Nikollë Kaçorrit. Me
thjeshtësinë, çiltërsitë e mënyren aq të ngrohtë të komunikimit, ai kishte
arrijtë të bante për vete deri edhe ata që dikur kishin qenë kundërshtarë të
tij, sepse ai kishte një ideal, që ndoshta të tjerët nuk arrinin ta shihnin
ende; ideali i tij ishte FLAMURI.
Vërtetë në qendër të veprimtarisë së klubit ishte
çashtja e arsimit shqip, por nëpërmjet kësaj veprimatria ngërthej shumë ma
gjanë gjithë shtjella e lëvizjes kombtare.
Nuk ia vlen të ndalemi këtu gjatë mbi reagimin e
turpshëm të administratës xhonturke ndaj Klubit, për metodat vandale, nxitjen e
rrugaçrisë kundër Klubit, manipulimin e mjeranëve që manifestonin nëpër rrugë
se “s’duem shqipen”, “rroftë gjuha turke”, “shqipja na ban kaurrë”, deri tek
thyemja e xhamave apo rrahja e atdhetarëve për t’i poshtnue e trembë të hiqnin
dorë nga rruga atdhetare.
Po ata që u tremben ishin të tjerë, prej bimbashit
e mytaserifit të sanxhakut të Durrësit, deri tek valiu i Shkodrës, Bedri Pasha,
që erdh vetë në Durrës, gjoja “të zbuste gjaknat”, por u gjend para akuzava të
drejtpërdrejta e të ashpra të Imzot Kaçorrit: shqiptarët, i tha ai, nuk kanë
asnjë lidhje me ato abetare me alfabet arab që na keni dërgue. Asht vonë,
Pashë, me i imponue përsëri një vullnet të huej popullit shqipatr, që tashma e
ka zgjedhë rrugën e tij.
Ndeshja e ashpër në mes atdhetërëve e adminsitratës
përditë e ma të egërsueme, çoi në krijimin e Komitetit të Fshehtë, që shumë
shpejt do të ndikonte gjithë jetën politike e shoqnore të Durrësit. Në atë
Komitet banin pjesë atdhetarë të sprovuem, si Imzot Kaçorri, Neki Libohova,
Jahja Ballhysa, Stef Kaçulini, Saida Kërtusha etj.
Por “përparimet që shënoheshin në Durrës nga
përpjekjet e rretheve patriotike – na thotë historiani Hajredin
Isufi – nuk ishin gjithçka për Dom Nikollë Kaçorrin. Ai synonte që
arritjet në Durrës dhe vendimet që ishin marrë në Kongresin e Manastirit dhe të
Elbasanit, t’i popullarizonte edhe në zonat më të thella e të izoluara ….”.
Ai, meshtari i Durrësit, nuk ishte thejshtë propagandues i fesë, por një
misionar i vërtetë e i përkushtuem në mbrojtjen dhe përhapjen e ideve atdhetare
shqiptare, sidhe realizimin e tyne me veprimatri praktike. Për të realizue
këte, ai kishte përzgjedhë me shumë kujdes miq personalë e shumë të shtrejtë
kudo, në Ishëm, Sukth, Bizë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Milot. Një ndër “të zgjedhunit”
e tij ishte edhe djaloshi kruetan, 20-vjeçari Jahja Kovaçi, financier në
nënprefekturë të Krujës. Bashkëqytetar e mik me Mustafa Krujen, qysh heret, 17
vjeç djalë, ishte aktivizue në lëvizjen patriotike përkrah Muharrem Tagës,
Hysen Kalloshit, Xhemal Belegut etj. Me Imzot Kaçorrin e kishte lidhë pikërisht
Mustafa Kruja tue ia përshkrue si “patriot i madh dhe me besë dhe të gjithë
shqiptarët, pa dallime fetare, i quante vëllezër”. Këto janë shenimet që ka
nxjerrë Hajredin Isufi nga ditaret e Jahja Kovaçit. “Ne ishim të
bindun, se …. ai që do të na drejtonte, me këshillat dhe udhëzimet, si të
vepronim për çashtjen kombtare shqiptare, kishte vetëm një drejtues kryesor dhe
fjala e tij kishte peshë, ai ishte Dom Nikollë Kaçorri” – shkruen Jahjaj në
kujtimet e tij.
Imzot Kaçorri, ashtu si meshonte në Kishë për fe,
ashtu edhe meshonte në çdo shtëpi e në çdo takim për Atdhe.
Jahja Kovaçi u ba një dishepull i dejë i Imzot
Kaçorrit në Krujë. Letërkëmbimi i tij i pasun e kujtimet, janë një burim i
randësishëm historik autentik. Vetë ai mund e duhet të konsiderohet një prej
figurave të shqueme të Lëvizjes Kombtare Shqiptare.
Veçanarisht roli i tij në përhapjen e abetareve
shqipe e mësimin shqip në shkolla në Krujë asht i dorës së parë. Represioni
xhonturk në prag të kongrsit të Dibres ishte ba i egër. Pikërisht ato ditë J.
Kovaçi njoftonte mikun e tij Mustafa Kruja në Stamboll: “…. shumicën e
abetareve i kemi shpërnda ….. Të gjtihë i kanë marrë me gëzim …. Posë disa
fanatikëve, këtu shumica e madhe e popullit e çmon nevojen dhe shejtninë e
gjuhës amtare …. thuejse të gjithë këtu dëshirojnë me gjithë zemmër ta nxanë
shqipen”.
Në letërkëmbime, por mbi të gjitha në veprimtarinë
konkrete, shpirti patriot i Jahja Kovaçit shpaloset madhërisht. Ai nuk njeh
frikën e presionin në rrugën e tij prej atdhetari; brenga e tij e vetme asht
mungesa e abetareve dhe një mësues i aftë që të përçonte arsimin kombtar në
zemrat e kruetanëve.
U ndalem veçanarisht tek kjo figurë atdhetare, pse
mendojmë se e meriton jo vetëm për fillimet e shkollës shqipe në Krujë, por për
gjithë rezistencën e rolin tij në rebelimin e Krujës e krahinave përreth gjatë
viteve 1909-1912.
Kajmekami i Krujës dhe myteserifi i sanxhakut të
Durrësit, të trembun nga kompaktimi i gjithë popullsisë në Lëvizjen Kombtare, e
kthyen Kruejën në një garnizon të mirëfilltë ushtarak, me rreth “6000 pushkë
zjarri”, siç njofton nëpunësi i ri i nënprefekturës, por kjo nuk e ul
optimizmin e tij se “çdo aksion që mund të marrin xhonturqit kundër
shkrimit shqip e alfabetit latin në Krujë, do të ishte i pasuksesëshëm”.
Forcat e shumta ushtarake u përqëndruen në Krujë pa
guxue të kryenin asnjë operacion ushtarak, sepse shpresonin që, në rast
përkeqësimi të gjendjes në pjesën katolike të krahinës, Kurbin e Kthellë, të
kishin mbështetjen e popullsisë muslimane të qytetit e të fshatrave përreth, të
paktën ata të mos bashkoheshin me kurbinasit kryengritës, që ishin ngritë
rishtas në revoltë. Priteshin ekspedita ndëshkuese kundër tyne e kjo e kishte
shqetësue shumë edhe Arqipeshkvinë e Durrësit. Valiu i Shkodrës u përpoq ta
qetësonte gjendjen tue dërgue në mes kryengritësve përfaqësuesit ma të naltë me
origjinë shqiptare, por gjithçka ishte e kotë. Konsulli austriak në Durrës
shkruente ato dit se “njeriu i vetëm që mund të qetësonte gjendjen do të
ishte Dom Nikollë Kaçorri”. Ai i sugjeronte kajmekamit të Krujës se “për
çdo kërkesë të zyrtarëve turq, së pari, të këshillohej me Dom Nikollë Kaçorrin
dhe propozimet e tij të mos refuzoheshin”. Arqipeshkvi Bardhi gjithashtu
dekalron se as ai, as ndonjë njeri tjetër, nuk mund të ndikonte te populli i
Krujës e i rrethinave për të ulë rezistencën ndaj osmanëve, përveç Dom Nikollv
Kaçorrit. Kjo dëshmon ma së miri ç’autoritet kishte tashma Imzot Kaçorri në
Shqipninë e mesme, ashtu edhe në mbarë Lëvizjen Kombtare.
Qeveritarët e Shkodrës, Durrësit e Krujës u
detyruen të uleshin në bisedime me Imzot Kaçorrin dhe vetë valiu, Bedri Pasha,
pranoi kërkesat e meshtarit të Durrësit dhe urdhënoi ndërpremjen e çdo
operacioni ushtarak. Nga korrispondenca e konsujve të asaj kohe kjo marrëveshje
konsideroeht si kapitullim i autoriteteve xhonturke para Imzot Kaçorrit. Ata e
njihnin personalitetin e tij dhe forcën për të ngritë në kambë krahina të tana
me një fjalë të vetme.
Autoritet u detyruen të ulnin presionin e tyne edhe
sa i përket mësimit të gjuhës shqipe. Tashma, në prag të Kryengritjes historike
në Kosovë, ata përpiqeshin të acaronin sa ma pak gjendjen në Shqipninë
bregdetare. Por nuk mund t’u shkonte në mend se në mes
kryengritësve kosovarë, për të dhanë edhe përvojen e tij si organizator i
Kryengritjes së Kurbinnit në vitet 1905-1907, sidhe mbështetjen e krahinave
fqinje të Krujës, Kurbinit, Kthellës, Mirditës, Lezhës etj., do të gjendej
pikërisht Imzot Kaçorri. “Don Nikollë Kaçorri ishte kryetari i famëshëm i
lëvizjes nacionaliste mes katolikëve. Ai mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë
në Kryengritjen e Kosovës më
Ky ishte meshtari i atdhetarisë Imzot Nikollë Kaçorri: i squet e trim, bujar e i besës, frymëzues e organizator, armator e udhëheqës.
5. VITET 1910-1912
Në prag të Kryengritjes së përgjtihëshme të vitit
1911, xhonturqit, ma me egërsi se paraardhësit e tyne, ndërmorën një valë
arrestimesh.
Ata ndiqnin me shqetësim veprimtarinë e Imzot
Kaçorrit. Në selinë e tij në Durrës vinin atdhetarë nga të gjitha anët: nga
Ohri e Tirana, Kruja e Shkodra, Kosova e Mati, Lezha e Mirdita.
Ndjekja e Imzot Kaçorrit nga ana e “hafijeve “
turke kishte fillue që më 1903, e sidomos gjatë Kryengritjes së Kurbinit në vitet
1905-1907, tue pa ndikimin e tij të madh në popull pa dallime fetare. Në fakt
ai ishte njeriu ma i përfolun si në Stamboll, ashtu edhe në Vjenë, që në vend
që ta mbronte, si shtet protektor i katolikëve shqiptarë, shikonte tek Imzot
Kaçorri “të pabindunin”, që po përshpejtonte ngjarjet. Vetë Veziri i Madh
(kryeminsitri) i kishte kërkue Vjenës të ndërhynte për të frenue veprimtarinë e
tij.
Pjesëmarrja dhe roli i tij në Kongrese, mbrojtja që
i bani alfabetit latin, roli i tij në ngritjen e shkollave në Durrës e Krujë,
mosbindja haptas ndaj çdo urdhëni të pushtetarëve, çoi në arrestimin e tij me
18 qershor 1910.
Imzot Kaçorrit iu mohua e drejta e fjalës në gjyq,
sepse e njihnin gojëtarinë dhe guximin e lurianit trim dhe e dinin se mund t’u
nxirrte shumë telashe gjatë mbrojtjes. Por i kishin ba llogaritë gabim. Avokati
gjirokastrit Dalip Efendiu i bani Atij një mbrojtje të shkëlqyeshme, aq sa
proçesi i Tij u zgjat për rreth gjashtë muej e në të gjitha instancat, tronditi
Durrës, Shkodër e deri Stambollin, aqsa u detyruen ta lironin nga burgu në mars
1911.
Imzot Kaçorri nuk humbi kohë: Sa u njoh me
zhvillimin e ngjarjeve prej miqëve të shumtë që erdhën ta përgëzonin në Durrës,
si vizitoi Kthellë, Selitë e Bushkash, u nis menjëherë në Lurën e tij, që të
takonte atdhetarët e të ndihmonte në organizmin e Kryengritjes.
Para se të niste Kryengritja, Ai bani gjithçka, që
me urtësinë dhe autoritetin e Tij, të ndikonte në dy drejtime:
a) Heqja dorë nga përçamja dhe gjakmarrja;
b) Bashkërendimi i veprimtarisë në mes krahinave,
që kryengritja të ishte e përgjithëshme dhe një e vetme.
Hapi i parë që Ai ndërmori ishte organizmi i një
kuvendi për një Besëlidhje të re, që u mbajt në Lurë me pjesëmarrjen e parisë
së Matit, Dibrës, Kurbinit, Lezhës e deri Shala e Shoshi.
I shoqnuem nga dy djem besnikë, Hilë Kançi e Stefë
Kaçulini, Ai shkeli pothuej gjithë Veriun, deri në zonat shqiptare në Mal të
Zi. Tashma votrat e zjarrit që ishin ndezë në mbarë vendin, duheshin
bashkue. Ishte koha kur turqit, të gjendun nën zjarr të gjithanëshëm, u
përpoqen të banin paqë me kryengritësit, një paqë dinake, me secilen krahinë
veçmas, por kudo propozimet e tyne u hodhën poshtë e këtu pat një rol shumë të
randësishëm mendja dhe guximi i Imzot Kaçorrit. Ai, përkundrazi, u kthye në
Durrës më një mision shumë të randësishëm: të siguronte armë për kryengritësit.
Aksioni i çarmatosjes se popullsisë, i ndërmarrë
gjatë vitit 1910, e kishte gjetë, veçanarisht sanxhakun e Durrësit, të
çarmatosun. Gjithçka bani Imzot Kaçorri për sjelljen e armëve nga Trieste asht
një vepër gjigande, që do të meritonte studim të veçantë. Po kufizohem të them
se në këte ndërmarrje të jashtëzakonshme (ai siguroi armët për pothuej gjithë
Veriun e Shqipnisë) pat mbështetjen poaq të jashtëzakonshme të atdhetarëve
durrsakë Saida Kërtusha, Jahja Ballhysa, Hysen Fani, Sabri Dermani etj., të
cilët besonin verbnisht tek idealet e Imzot Kaçorrit, e ndiqnin dhe e
mbështetnin Atë pa iu trembë asnjë rreziku, qoftë edhe me jetë. Jo vetëm në
kushtet e terrorit ma të egër turk, por edhe në rrethana të tjera krejt të
favorshme, zbarkimi, transportimi dhe shpërndamja e armëve nga Shqipnia e Mesme
e deri në Malësi të Mbishkodrës do të ishte një ndërmarrja e pamundun;
natyrisht, jo për një gjigand si Imzot Kaçorri, që nuk e njihte të pamundunën
kur fjala ishte për liri të Atdheut.
Si u asiguruen armët, me 3 qershor 1911, rreth 500
kryengritës, mirditorë, lurianë, matjanë, kurbinas etj., sulmuen forcat osmane
në Lezhë, arrijtën të shtinin në dorë një depo armatimi tue marrë armatimin dhe
municionin që gjendje aty. Ishte aksioni i parë i randësishëm i atij viti, që
do të ndizte flakë mbarë vendin në luftë kundër pushtuesëve.
Si kundërmasë të parë turqit arrestuen pothuej të
gjithë atdhetarët katolikë të Durrësit, tue mendue se kishin qenë ata që kishin
mbështetë Imzot Kaçorrin për armatosjen e kryengritësve, pa u shkue në mend se
atdhetarët muslimanë të Durrësit e të rrethinave kishin vu në dispozicion të
Imzot Kaçorrit djemtë e tyne ma të mirë, anijet, pasuninë e gjtihçka tjetër që
u kishte kërkue meshtari trim. Gjithçka e organizonte Ai, e frymëzonte Ai, edhe
pse fizikisht ato dit gjendej në mes kryengritësve në krahinën e Fanit tue
organizue përgatitjet për të përballue ushtrinë e Shefqet Durgut Pashës prej
rreth 70.000 vetësh, që ishte drejtue kundër zonave kryengritëse.
Por me gjithë gjakun e derdhun, kërkesa kryesore e
kryengritësve për autonomi të trojeve shqiptare nuk u plotësue nga Stambolli.
Në këto rrethana, Komiteti i Përgjithëshëm i Kryengritjes, ku bante pjesë edhe
Imzot Kaçorri, në vjeshtën e vitit 1911 u muer intensivisht me organizmin e një
kryengritjeje të re e të përgjithëshme pranverën e vitit 1912. Duhet thanë se
lëvizja e armatosun nuk kishte pushue një çast, por ajo nuk ishte e
bashkërendueme: luftohej në Kosovë, luftohej në Hot e në Mirditë, në Dibër e në
Kurbin, por pa një drejtim të unifikuerm, siç do të kishte dashtë e kambëngulte
gjithmonë Imzot Kaçorri. Përpjekjet e turqëve për t’i përça kryengritësit
nëpërmjet disa pashallarëve shqiptarë, dështuen, sepse ndikimi i fjalës dhe respekti
që gëzonte Imzot Kaçorri tek ata, ishte shumë ma i fuqishëm sesa e disa
pashallarëve të nënshtruem ndaj osmanëve.
Me 12 mars 1912 malësorët e Bregut të Matës, të
Ishmit e të Kurbinit, kryen sulmin e parë të fuqishëm te Kepi i Rodonit. Sulmet
vijuen në Shijak, Zadrimë, Kthellë e kudo ishte e mundun që të siguroheshin
armë, që të bahej i mundun sulmi i përgjithëshëm.
Ndërkohë edhe Kosova, e prime prej legjendarit Isa
Boletini, ishte ngritë rishtas në kreyngritje.
Administrata turke, e bindun për rolin e Imzot
Kaçorrit në organizmin e kryengritjes, bante gjithçka të siguronte të dhana për
ta sulmue, po ai lëvizte në të gjithë Veriun e kthehej herë mbas here në
Delbinisht, qendër e përkohëshme e Arqipeshkvisë, i mbrojtun nga gjithë
populli, sidomos bashkëpunëtorët e tij besnikë Hilë Kançi e Stefë Kaçulini.
Duhet thanë se Imzot Kaçorri gjatë kësaj periudhe
nuk pat as përkrahjen e duhun të Vjenës, ashtu si do ta kishte për detyrë, si
shtet protektor i katolikëve (H. Isufi këtu e tepron tue u mbështetë në relacionet
e ndonjë konsulli, që nuk përfaqësojnë gjithmonë makropolitiken e një shteti, e
thotë se “Qëndrimi i Vjenës ndaj Dom Nikollë Kaçorrit, nuk ishte më pak
armiqësor, se sa ai që kishin qeveritarët e administratës osmane në sanxhakun e
Durrësit dhe në vilajetin e Shkodrës”. Mbasi shtjellon disa intriga jo fort
bindëse kundër Imzot Kaçorrit, Isufi sjell edhe pjesë nga relacioni i konsullit
austriak në Durrës, Lovental, drejtue MPJ në Vjenë, lidhun me propozimin për
emnimin e Imzot Kaçorrit arqipeshkëv i Durrësit: “… Marr leje që të
rakomandoj nga ana ime për një mbështetje në mënyrën më të nxehtë …. që të
bëhet një pëfrkrahje energjike e kandidatruës së Imzot Kaçorrit”.)
Pavarësisht nga mbështetja austrohungareze apo jo,
lufta kundër sundimtarëve turq aty nga fundi i prillit bahet përditë e ma të
shpeshta, qoftë në sanxhakun e Durrësit, ashtu edhe në Mirditë, Zadrimë etj.
Lidhja me Luigj Gurakuqin në Shkodër ishte
gjithashtu një hap i randësishëm drejt kryengritjes së përgjtihëshme. Në këto
marëdhanje, ashtu si në gjithë veprimtarinë atdhetare të Imzot Kaçorrit, një
rol shumë të randësishëm pat rishtas Stefë Kaçulini.
Nga Durrësi e drejt Durrësit lëvizjet e atdhetarëve
baheshin gjithnjë e ma të shpeshta. Një ndër ata që shkoi tek Imzot Kaçorri në
atë periudhë ishte edhe Hilë Mosi, përfaqësues i Komitetit të Kryengritjes në
Podgoricë, përfshi edhe një pjesë të madhe të Malsisë së Mbishkodrës.
Ndërkohë, lëvizja atdhetare në Durrës e rrethina
vazhdonte ma me vendosmëni drejt kryengritjes së përgjtihëshme, por duheshin
ende armë, një ndër arsyet kryesore që atdhetarët nuk përshpejtonin ngjarjet.
Imzot Kaçorri, që nga Biza, ku ishte strehue për
t’i ikë një arrestimi tjetër, organizoj furnizmin me armë, kësaj here jo ma nga
Trieste, por nga Korfuzi. Pa hy në hollësi të kësaj ndërmarrje të
jashtëzakonshme, mjaftohem të them se Ai ka qenë armatori numur një ne vitet
1905-1912 për zonën nga Durrësi deri në Lezhë, Mirditë, Fan, Lurë, Kurbin etj.
Kjo dëshmohet edhe nga relacionet e shumta Durrës-Stamboll, apo Shkodër-Stamboll,
të burimeve konsullore, por sidomos të administratës osmane.
Ndërkohë Ai lëvizte me bashkëpunëtorët e tij Saida
Kërtusha, Hilë Kançi e Stefë Kaçulini nga një krahinë në tjetrën me synim
bashkërenditjen e veprimeve nëpërmjet një lidhje të re e të fortë. Këtë qellim
pat edhe Kuvendi i Zejmenit i datës 11 maj 1912 i organizuem me mbështetjen e
vëllazënve Coku ku morën pjesë përfaqësues të Mirditës, Kthellës, Selitës,
Malësisë së Lezhës, Kurbinit e Bregut të Matës, besëlidhje së cilës pak ma vonë
iu shtuen edhe Dibra e Mati. Menjëherë filluen edhe sulmet kundër turqëve, si
në Kurbin e në Breg të Matës.
Tashma qellimi kryesor i Imzot Kaçorrit i
kapërcente shumë organizmin e sulmeve luftarake në zona të veçanta. Komiteti i
Kryengritjes për Shqipninë e Mesme, me Imzot Kaçorrin mendje e frymëzues, e ku
banin pjesë atdhetar si Abdi Toptani, Sali Nivica e Stefë Kaçulini, i vuni
vehtes si qellim kryesor lidhjen në mes komiteteve ndërkrahinore. Këte detyrë
jetike për kryengritjen e morën përsipër pikërisht Imzot Kaçorri dhe Sali
Nivica.
Biri i Kurveleshit Sali Nivica, i emnuem mësues në gjimnazin e Durrësit më 1909 (atëherë vetëm 19-vjeç djalë), u lidh me mish e me shpirt me lurianin trim, që çashtjen e lirisë e kishte kthye në qellim të vetëm të jetës së tij. Askush, në vitet 1903-1912, nuk qé ma aktiv se Ai në lëvizjen kombtare për liri. Ndërsa lëvizja e armatosun në qershor 1912 kishte shpërthye pothuej se kudo, dy miqtë e bashkëpunëtorët, Imzot Kaçorri e Sali Nivica, shkelen anë e kand Shqipninë për të koordinue veprimet luftarake. Ndërsa i pari shkeli gjithë Veriun e deri në Kosovë, Sali Nivica nisej për në Berat, Vlonë, Delvinë e Gjirokastër. Korrispondenca e këtyne dy atdhetarëve gjatë asaj periudhe asht një burim autentik e shumë i randësishëm për historinë.
6. DREJT PAVARSISË
“Qela e Dom Nikollë Kaçorrit ishte një votër, rreth
së
cilës çdo zemër shqiptari mblidhej me afsh
atdhetarie
dhe mund të shprehej lirshëm.”
Mustafa Kruja
Situatën që u krijue në vjeshtë 1912 historiani
Hajredin Isufi e përshkruen qartë: Shpërthimi i Luftës së Parë
Ballkanike, më 8 nëntor 1912, krijoi një situatë të ndërlikuar në Shqipëri.
Monarkitë shoviniste fqinje … kishin vendosur për ta fshirë Shqipërinë nga
harta politike e Ballkanit”. Pra, ndërsa shqiptarët, kudo në trojet e tyne
po luftonin për çlirimin nga pushtuesit osmanë, një rrezik tjetër shumë i madh,
siç do ta dëshmonin vitet në vazhdim, po u kërcënohej shqiptarëve. Që me 14
tetor 1912, tue parapa rrezikun e ri e tejet të madh, mbahej në Shkup një
mbledhje e përfaqësuesëve të Komiteteve të Shpëtimit për të vendosë si do të
veprohej në rrethanat e reja “sesi mund t’i dilej para rrezikut të vdekjes,
që po i kanosej kombit tonë”. Aty u vendos të njoftoheshin Fuqitë e Mëdha,
“se populli shqiptar do të rrokte armët … për t’i dal zot mbrojtjes së
territoreve tokësore shqiptare”. Barra për drejtimin e mbrojtjes së trojeve
tona iu ngarkue në fillim atyne që u gjenden në Shkup: Mit’ha Frashërit, Sali
Gjukës, Rexhep Mitrovicës e Bedri Pejës. Me lëvizjen e tyne drejt Tiranës
udhëheqjes mbarëkombtare iu shtuen edhe Abdi Toptani, Mustafa Kruja e Imzot
Nikollë Kaçorri. Në mbledhjen e tyne të parë në strehen e Imzot Kaçorrit u hodh
ideja t’u kërkohej Fuqive të Mëdha autonomia e Shqipnisë nën mbrojtjen e
Austro-Hungarisë. Por shqipja e malit, Imzot Kaçorri, nuk ishte i atij mendimi.
Ia vlen të sjellim një fragment nga fjala e Tij: “Pasha bukën, or shokë e
vllazën, po qé puna për nji autonomi me proje (mbrojtje, DG) të
dikujt e jo indipendencë, un kishim me pëlqye ma parë vetë Turqinë, e cila ….
herët a vonë, asht e dënueme me u shporrun këtyne viseve t’Europës ….. nuk na
ka hije me i thanë nji tjetri: Eja na sundo ti, qi je zotni ma i mirë se ai qi
kemi, mbasi na s’jemi të zotët me sundue veten”.
U vendos ashtu si kërkoj Imzot Kaçorri. Mbledhja i
drejtoi një memorandum mbretit të Austro-Hungarisë, tekstin e të cilit e hartoi
Imzot Kaçorri: “Shqipnia me katër vilajetet: Shkodër, Kosovë, Manastir dhe
Janinë, të mbetej e paprekun, e pazvoglueme …. Që me katër vilajetet e
përmendun ma sipër, me tre milion e sa shqiptarë, të bahej mbretni (shtet,
DG) më vete ….. dhe po të ishte e mundun të merrej parasysh dëshira jonë,
të bahej një mbretni e paanëshme si Belgjika e Zvicëra”.
Ja si e përshkruen Mustafa Kruja kundërshtimin e
Imzot Kaçorrit për të qenë nën protektorat të Austro-Hungarisë:
“Shqipnia për Dom Nikollë Kaçorrin, Atdheu, liria e
saj, ishte ideali i tij, kurse Austria ishte (për të) një shtet
i huej …. Dom Nikollë Kaçorri ishte shqiptar plot gojën …. “.
Sa mbaroi mbledhja e Durrësit dhe i
nisën memorandumin Vjenës, ata u shpërndanë: Sali Gjuka në Elbasan,
Abdi Tpotani në Tiranë, Dom Nikllë Kaçorri në Mirditë, Mustafa Kruja në Krujë,
Mit’hat Frashëri në Vlonë.
Ndërkohë Ismail Qemali njoftonte se së shpejti do
të arrinte në Shqipni e do të shpallej Pavarsia.
Po një gjamë e zezë vinte nga Veriperëndimi: armata
serbe pushtoi zonat nga Shëngjini deri në Krujë.
Pikërisht në këto rrethana arrijti me 21 nandor
Ismail Qemali me shokë në Durrës. Ai u prit nga Imzot Kaçorri, Abdi Toptani e
Mustafa Kruja. Veçanarisht në rrethanat dyfish të randa, të pushtimit turk e të
invazionit serb, lindte nevoja e shpalljes së mënjëherëshme të Pavarsisë
pikërisht në Durrës, pavarësisht se një pjesë e madhe e popullsisë muslimane,
kryesisht e rrethinave, ishte jo mirë e informueme, e se gjykonin veprimatrinë
e atdhetarëve me në krye Ismail Qemalin si agjentë e provokatorë.
Por Imzot Kaçorri lëshoi kushtrimin e tij historik:
“O SOT, O KURRË MA”!
Turma fanatikësh, të mbështetun e të ndërsyem si
nga mytaserifi i Durrësit, ashtu edhe nga metropoliti Jakov, mbushën rrugët e
qytetit tue rrezikue edhe jetën e Ismail Qemalit e të atdhetarëve të tjerë. Por
kjo nuk bani që ata të tërhiqeshin: Me 23 nandor u organizue një takim
madhështor me popullin e Durrësit, që të shpalosnin planin e tyne për
Pavarsinë. Bashkë me Ismail Qemalin, në një tribunë të improvizueme, dolën edhe
Abdi Toptani, Mustafa Kruja e Dom Nikollë Kaçorri, që mori fjalën: “Sot
asht dita ma e shënueme në historinë e kombit tonë. Për të ardhë në këte ditë,
asht dashtë të bajmë shumë sakrifica të gjithë shqiptarët, musliamnë, ortodoksë
e katolikë, që gjithëherë kanë qenë në krah të njeni tjetrit si vllazën, kur
ishte fjala për çashtjen kombtare …”.
Mbas tij foli Ismail Qemali, që shpalosi qellimin e
ardhjes së tij në Durrës.
Por nuk ishte e thanë që entuziasmi i popullit të
zgjaste shumë: Të ndërsyem nga myftiu, por sidomos nga mytaserifi e metropoliti
Jakov, populli sulmoi ashpër Ismail Qemalin, që atë situatë të mjerë e kujton
me trishtim: “Kishim ndër mend të bënim në Durrës punën që bëmë këtu
(në Vlorë), por …. pa kuptimi i durrësakëve na dha të marrim vesh se një punë e
atillë nuk mund të bëhej atje. E mjerisht nuk u ndamë me kaq, po ….. na
përgjigjeshin “Ju jeni tradhëtarë”…….”
Në fakt ngjarjet e Durrësit do të kishin marrë edhe
ma për keq, nëse komandanti i garnizonit të vogël turk, Hamid Toptani, nuk do
të vihej plotësisht në shërbim të atdhetarëve, të pushtonte telegrafen e të
njoftonte gjithë atdhtarët të niseshin për “në VLonë, ku do të mbahej
Kongresi i madh për vetëqeverimin e Shqipërisë sonë ….”, siç do të
shkruente Dhimitër Zografi pesë vjet ma vonë.
Ndërsa Ismail Qemali detyrohej të nisej për në
Vlonë në rrethana jo pak dramatike, atdhetarët durrsakë Stefë Kaçulinin, Jahja
Ballhysën, Hafiz Ali Podgoricën etj., merrnin të gjitha masat që, gjithësesi,
të ngrihej flamuri i Pavarsisë edhe në Durrës.
Me 26 Nandor 1912, kryetari i bashkisë, Hafiz Ali
Podgorica, ngriti mbi konakun e administratës turke Flamurin Shqiptar.
Podgorica kishte dëshmue vendosmëninë e tij prej
atdhetari qysh heret, e bashkë me atdhetarët e tjerë durrsakë si Abaz Çelkupa,
Jahja Ballhysa etj., kishte qenë pranë Imzot Kaçorrit në të gjtihë veprimtarinë
atdhetare. Kur erdhën xhonturqit në fuqi, gjoja për të dëshnmue se pushteti
tashti do të ishte në duert e shqipatrëve, e caktuen kryetar bashkie. Po kjo
nuk e largoi as edhe një çast Podgoricën nga bashkëpunimi me miqtë e tij
atdhetarë, çka e dëshmoi edhe me këte akt historik. Ishte hera e parë që
valvitej Flamuri ynë, mbas atij të ngritun nga legjendari Dedë Gjo Luli në
Deçiq.
Flamurin e Durrësit e pikturoi Stefë Kaçulini dhe e
qendisi motra e tij Maria Kaçulini. Simbas gjithë gjasave, Kaçulini njihte
flamurin e ngritun nga plaku i urtë Dedë Gjo Luli, sepse ngjashmënia e tyne
asht shumë e madhe.
Ngritja e Flamurit në Durrës pat jehonë në të
gjithë trojet shqiptare, ashtu edhe në Europë. Ishte lajmi ma i gëzueshëm që
merrnin Ismail Qemali e Imzot Kaçorri, të porsaarritun në Vlonë natën e 27
nandorit, e që pak ditë ma parë ishin largue zemërthyem nga kundërshtimi që
kishin ndeshë prej rretheve reaksionare e fanatike.
Por gëzimi i durrësakëve do të ishte tepër i
shkurtë.
Qyteti u pushtue nga forcat serbe, që do të largoheshin vetëm në fund të dhjetorit simbas vendimit të marrun nga Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër.
7. PAVARËSIA
“ … sot për të gjithë shqiptarët ka ardhë një ditë e bardhë, që na mbushë me gëzim dhe shpresë. Të gjithë bashkë, pa dallim feje, si vëllazën që jemi, sot e tutje do të jemi zotë të vendit dhe të panënshtrueshëm askujt, veç të madhit Zot.” Imzot Nikollë Kaçorri, Vlonë, 28 Nandor 1912.
Atdhetarët ma të shquem të të gjitha trevave
shqitare u mblodhën në Vlonë dhe po përjetonin ngjarjen ma të shqueme të
historisë së kombit: ngritjen e Flamurit Kombtar, Shpalljen e Pavarësisë dhe
krijimin e Qeverisë së Përkohëshme. “Ishte realizuar ëndërra e Dom Nikollë
Kaçorrit, e klerikut katolik patriot, që kishte punuar e sakrifikaur nga jeta e
tij aq shumë për Shqipërinë dhe kishte bërë ç’ishte e mundur për Atdheun, që e
kishte në zemrën e tij më afër se Kisha, prelat i së cilës ishte”,
thekson historiani Hajredin Isufi. “Ishte hera e parë, pas Kuvendit të
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që patriotët më në zë të krahinave të
Shqipërisë, të ishin aq pranë njeri-tjetrit dhe të gjtihë së bashku”, vijon
ai. “Ata ishin grumbulluar në Vlorë, jo për t’i treguar njëri-tjetrit kush
kishte luftuar e vuajtur më shumë, por vetëm e vetëm të përjetonin çastet e
lumtura, që sakrificat që kishin bërë shqiptarët dhe ëndërra e madhe për të
cilën kishin luftuar, po realizohej”.
Nuk asht rasti të përshkruejmë Ditën e Madhe të 28
Nandorit 1912. Atë e di çdo njeri në të cilin rreh zemër shqiptari.
Dëshiroj të kujtoj me këtë rast se Imzot Kaçorri u
zgjodh Nënkryetari i Qeverisë së parë të Shqipnisë së pavarun, jo rastësisht
apo për kombinacione, por sepse ishte njeriu ma në za sa i përkiste
veprimtarisë atdhetare mbrenda vendit dhe me aftësi të shqueme. Asht
domethanëse për ata që kanë dëshirën e mirë të kuptojnë simbolikën e aktit, se Imzot
Kaçorri u zgjodh në atë detyrë me propozimin e delegatit të Gjirokastrës Veli
Efendiu. Nuk besoj se ka nevojë të komentohet. Krahu i djathtë i Ismail
Qemalit, si thotë një kangë e Lurës së Tij, ishte “… i mendshëm, i
kulturuem, energjik, i dashun dhe njeri i thellë për botën. Ky burrë punoi
gjithmonë për Shqipninë e bani ç’mundi …. Atdheu i tij qëndronte në zemër ma
afër se Kisha, prelat i së cilës ishte”, do të shkruente Amali fon Godin,
që kishte ndjekë nga afër gjithë veprimtarinë e tij dhe ishte e pranishme gjatë
gjithë kohës në Vlonë.
Sa u shpall Pavarësia, Imzot Kaçorri dhe Luigj
Gurakuqi dërguen letra anembanë Shqipnisë Veriore, e pushtueme nga forcat
serbe.
Imzot Kaçorri, përveç impenjimeve ato dit në Vlonë,
udhëzonte me letra e me korrierë që dërgonte si të organizoheshin me i ba ballë
pushtuesit të ri, Serbisë, sidhe në mbrojtje të Qeverisë së Vlonës. Menjëherë u
mbajt një besëlidhje e re në mes prijsave të Dibrës, Matit, Bishkashit,
Kurbinit, Krujës, Ishmit, Bregut të Matës, Mirditës e Lezhës. Organizatorë të
kuvendit për besëlidhje në kushtet e reja e të randa kishin qenë
përsëri miqtë e Imzot Kaçorrit, Gjin Pervizi, Saida Kërtusha,
vëllaznit Çoku etj.
Qeveria e Përkohëshme ndërkaq gjendej para sfidash
të reja e të randa. Nuk ishte kohë festimesh. Shumica e Shqipnisë
Veriperëndimore ishte pushtue nga Serbia. Jugu kërcënohej nga Greqia, armata e
së cilës kishte arrijtë deri në Tepelenë. Popullsia shqiptare e krahinave të
pushtueme kalonte çaste tmerri.
Vështirësive të jashtme të Qeverisë së Ismail
Qemaliot iu shtuen ambiciet e Esat Pashë Toptanit. Nuk mund të duronte që
Kryetar i Qeverisë të ishte Ismail Qemali e ai, “gjenerali” i Turqisë, vetëm
një “copë” ministër. E për ardhjen e tij në pushtet, jo thjeshtë me marrëveshje
“teknike”, por me lëshime konkrete, ai u mbështet tek Serbia, së cilës i
dorëzoi Shkodrën, dhe Greqia, së cilës i njohu të drejtën mbi një pjesë e madhe
të Jugut. Qeveria e porsaformueme e Ismail Qemalit po humbiste kështu besimin
tek popullsia.
Imzot Kaçorri, i tronditun nga lajmet që mori për
raprezaljet e Esat Toptanit e hordhive të tij, sidomos mbi popullsinë katolike,
që prej Vlone u muer me organizmin e rezistencës, tashma ndaj “pushtusit” të
mbrendëshëm. Edhe pse kuptonte mundësitë e kufizueme të një qeverie të porsaformueme,
nuk mund të pajtohej me ngathtësinë e saj dhe tentativat për të
zgjidhë situatat jo nëpërmjet organizmit e ngritjes në kambë të popullit,
por nëpërmjet disa marrëveshjeve pak të qarta e pak të pastra me aleancat e
fshehta bulgaro-turke.
Në këto rrethana, Imzot Kaçorri, karakter i fortë e
i papajtueshëm me shumë mbrapaskena, u tërhoq nga qeveria, por e mbështeti ate
deri në fund. Ai e kishte kuptue se duhej të gjendej edhe fizikisht atje ku po
luhej fati i Atdheut: Në Shqipninë e Mesme, ku sllavofili Esat Pashë Toptani
rrezikonte përfundimisht fatet e vendit.
Me 18 qershor 1913, Esat Toptani shpalli Durrësin
kryeqytet të Qeverisë së Përkohëshme. Ai acaroi në kulm marëdhanjet aq të mira
ndërfetare që kishte kalitë Imzot Kaçorri ndër vite, akuzoi Qeverinë e Ismail
Qemalit se kërkonte t’u prishte fenë e se “Baba Dovleti” do të kthehej përsëri
në Shqipni. Në ndërmarrjen e tij tradhëtare Toptani gjet mbështetjen e plotë të
Greqisë e Serbisë e veçanarisht të metropolitanit grek Jakovi, me seli në
Durrës.Imzot Kaçorri e kuptoi menjëherë se përçamja ndërfetare po përdorej në
luftën për pushtet e se mund të kishte rrjedhoja të randa. Në një letër drejtue
MPJ të Austro-Hungarisë, më 4 korrik 1913, shkruen: “… Simbas mendimit tem,
ura e vetme e Shqipnisë qëndron në nji bashkim të përzemërt e të gjithë
elementëve të çdo feje që gjenden mbranda kufijëve të saj” (kupto:
kufijëve të Shqipnisë). Qellimi i kësaj letre ishte ma se i qartë dhe pa nevojë
komenti: përpjekja e këtij atdhetari të shquem për të krijue një unitet e
bashkim vëllazënor mes katolikëve e muslimanëve në të mirë të çashtjes kombtare
përballë rreziqeve, që i kanoseshin vendit prej anmiqëve të kombit, që
përpiqeshin të përdornin e të shfrytëzonin ndasitë fetare për interesat e tyne.
Një përfaqësi i Qeverisë së Vlonës e përbame prej Luigj Gurakuqit, Hysein
Vrioit e E’them Vlorës, me të cilët u bashkue edhe Imzot Kaçorri, përshkoi
pothuej gjithë Veriun dhe kudo gjetën mbështetjen për Qeverinë e Përkohëshme.
Por plaga që kishte hapë Esat Toptani në Shqipninë
e Mesme mblidhte përditë e ma shumë qelb: Ai po grumbullonte në Durrës
“vullnetarë” esatistë, që thërrisnin “Rroftë Esat Pasha!”, “Poshtë Ismail
Qemali!”, pikërisht kur ishte mbledhë Konferenca e Ambasadorëve në Londër,
që me situaten e krijueme njohu Qeverinë e Vlonës vetëm si qeveri lokale.
Gjendja e nderë e krijueme nga pasha Toptanas e
detyroi Imzot Kaçorrin t’u drejtohej edhe një herë atyne me të cilët kishte
organizue e drejtue kryengritket antiturke në vitet 1905-1912. Ai sihte
kundërshtar i pakompromis i Esat Toptanit tek i cili shihte anmikun e kombit.
Imzot Kaçorri kishte punue një jetë të tanë për Shqipninë: “Atdheu –
do të shkruente për të Amaliaia fon Godin – ishte në zemër të tij ma
afër se Kisha, prelat i së cilvs ishte ai”. E malësorët, megjithë se të
çorientuem prej të gjitha anëve, iu përgjegjen menjëherë Imzot Kaçorrit, si e
dëshmon letra publike e Gjin Pervizit dërgue gazetës “Shqipnia e Re” me 18
nandor 1913: “… Tradhëtari Esat Pashë Toptani kërkon ta vejë Kurbinin nën
sundimin e vet, gja të cilen Kurbini as e don, as e ka dashtv dhe nuk shkëputet
prej qeverisë shqiptare. Nëse qeveria tradhëtare e Durrësit, që asht në krah të
Esat Pashës, do të dërgojë mëkambësit e vet në Kurbin, përgjegja do të kthehet
në përleshje ………. ”
I pari i Kurbinit, Gjin Pjetri
Imzot Kaçorri, ndërsa lëvizte nga Kurbini në Breg
të Matit, nga Lura në Lezhë, tue pa rrezikun e madh që po i vinte Atdheut prej
Esatit, i dhanë atij besën se nuk do t’i nënshtroheshin kurrë “atij që
kishte shkaktue aq fatkeqësi në të shkuemen në ato anë”, siç shprehet
Hajredin Isufi, i cili vazhdon: “Fiset katolike ishin njerëz të pushkës, të
punës, të fjalës së dhanë dhe të besës”. Nën udhëheqjen e Imzot Kaçorrit,
Gjin Pervizit dhe vëllazënve Coku, lëvizja kundër Esatit u ba aq e fortë, sa ndali
vrullin e tij për të vendosë adminsitrimin e qeverisë së Durrësit në Veri.
Sfida e fundit e Imzot Kaçorrit ndaj qeverisë së
Esat Toptanit do të ishte festimi i njëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë,
pikërisht në Durrës, me 28 Nandori 1913. Mbas fjalës së mbajtun në një miting,
ai dha meshen përkujtimore, ku veç katolikëve, morën pjesë edhe muslimanë e
ortodoksë, si Jahja Ballhysa, Sulejman Kadiu, Pali Terka, Saida Kertusha, Sheh
Adem Roda, Abaz Çelkupa, Neki Liobohova, Hafiz Ali Podgorica etj.
Kisha e Durrësit, kjo seli e Zotit, ishte kthye në seli e Atdhetarie.
8. VITET E FUNDIT
Besoj se do të ishin të shumtë shqiptarët që do të
donin ta harroni vitin 1913: Sikur të mos mjaftonte babëzia e barbaria serbe e
greke, shqiptarët filluen një luftë vëllavrasëse në mes vetit, sa çdo
historiani i vjen vështirë ta përshkruej atë vit të mbrapshtë. Edhe burra
vetmohues e me durim të pamatë si Abdi Toptani, trim, i squet e
idealist si Imzot Nikollë Kaçorri, patriot deri në fund si Namik
bej Delvina, u gjenden ku e ku ma vështirë se sa kur luftonin kundër turkut. Po
tashti, kunder kujt e si të luftonin?
Tue pa zhvillimin e gjendjes mbrenda vendit, por
edhe ato ballkanike, me 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që
Shqipnia të gëzonte statusin e autonomisë e të qeverisej nga një princ i
caktuem nga Fuqitë e Mëdha. Edhe një herë, pra, fati paradoksal i Shqipnisë:
Nga Pavarësi, në autonomi.
U gjet edhe një princ, as mish as peshk, princ
Vidi, dhe me 7 mars 1914 ai u vendos në Durrës si kryetar i qeverisë shqiptare.
Pra në Durrës, jo në Vlonë. Qeveria e Ismail Qemalin kishte pushue së qeni, si
të thuesh, ishte shue; edhe vetë Plaku i Vlonës kishte marrë detin. E në Durrës
e priste Vidin një tjetër kryeministër i vetëshpallun: Esat Pashë Toptani, Por,
për hir të fateve të Atdheut, i rrezikuem nga sulmet në Veri e Jug, nga serbët
e nga grekët, aty kishin dalë ta prisnin Vidin edhe shumë atdhetarë të tjerë,
me shpresë se Fuqitë e Mëdha do të banin diçka për Shqipninë. Ishin pothuej të
gjithë, prej Hilë Mosit tek Abdi Toptani, ishte edhe Imzot Kaçorri, që për herë
të parë e të vetme kishte qenë i detyruem të pranonte kompromisin e pajtimit me
princin e huej. Ai nuk e kishte dashtë ardhjen e Vidit në Shqipni, si
dokumentohet edhe në shumë relacione diplomatike, por rrethanat e krijueme ia
kishin imponue pelqimin e tij.
Mungonte vetëm Gjin Pervizi, që kishte ndrrue jetë
pak dit ma parë, me 27 shkurt 1914, bashkëluftëtari i sa betejave përkrah Imzot
Kaçorrit.
Por shpejt do të shihej se “mbreti” i huej, i
pritun me ceremoni pompoze e me shumë shpresë, nuk do të humbiste kohë për t’i
zhgënjye. Akti i tij i parë, që zhgënjeu njerëzit, ishte emnimi si ministër i
luftës i një ish pashaj; e çfarë pashaj: pikërisht Esat Pashë Toptanin.
Esati nuk u kënaq as me kaq. Ai nxiti forcat ma të
errta, me në krye Haxhi Qamilin, që me parullën “Dum Baben” (Turqinë)
sulmuen Durrësin. Boshibozukët këdonin turpin tonë:
Pasha Din’ e fen’ e Tij,
S’fali vakth e s’hy n’xham?,
Pa pr? turkun edhe nji herë n’Shqipni…”
Në mbrojtje të Durrësit u vunë forcat atdhetare,
sidomos ato vullnetare, të organziueme nga Imzot Kaçorri, që prej Zadrime e
Bregut të Matit, deri tek trimat e Isa Boletinit, që së bashku me Imzot
Kaçorrin, Dervish Himen e atdhetarë të tjerë, iu ba barrikadë forcave të
errsinës, haxhiqamilistave; ndërkohë, pashaj Toptani bante flirt herë me
Italinë, herë me Serbinë dhe nxiste tërthoras rebelimin.
Në Durrës ishin në ato dit forcat e Fuqive të
Mëdha, që ngrinin barrikada në mbrojtje të Vidit, por edhe në mbrojtje të
ministrit “të ligjëshëm”, Esat Pashës. Forcat vullnetare, vërtetë shpëtuen
Durrësin nga shkatrrimi tue lanë aty 150 jetë të rijësh, por në fund nuk dinin
për cilin kishin ra: Ata kishin ardhë në mbrojtje të “mbretit”, Vidit, por
“mbreti” vazhdonte me mbante ministër lufte Juden.
Shkuen në ato dit në Durrës korrispondentë të huej,
personalitete si Mis Durham, që na kanë lanë dëshmi rrëngjethëse për vetmohimin
e mbrojtësve të qytetit, por edhe për barbarinë e rebelëve turkoshakë me vetë
Judën në përbamje të qevrisë. Mis Durham, kjo dashnore e çmendun e shqiptarisë,
na thotë se nëse Durrësi nuk u shkatrrua nga forcat e errësinës, merita u takon
dy vetëve: kolonelit anglez Tomson dhe Imzot Kaçorrit.
Por edhe rezistenca, e gjetun në mes të njëmijë e
një pabesive, aty nga fundi i shtatorit ra. “Mbreti” iku me vaporrin plot dhe
me 5 tetor Durrësi do të binte në dorën e Esat Toptanit. Boshibozukët e tij, që
shkuen të vrisnin “priftin kryqali”, meqë nuk e gjetën aty, dogjën bibliotekën
e tij, ndër ma të pasunat e kohës. Atyne nuk ua vriste shikimin nata, po drita:
ato libra ndriçonin, e ndirçonin mendjet.
Raprezaljet e Esat Toptanit kanë qenë ndër ma të
egrat që kishte njohë veçanarisht Veriu, zonat e “anmikut të tij”, Kaçorrit të
urryem sa askush tjetër nga pashaj: Kurbini e Bregu i Mates, Lezha e Durrësi,
Ishmi e Biza. Nga tetori 1914 deri me 27 janar 1916, kur në Durrës hynë forcat
austriake (Lufta e Parë Botënore), viktimat, me gjyq e pa gjyq, nuk kanë të
numruem; e në prag të ikjes, pashaj mbushi vaporrin me pasuni të palloagritshme
dhe u nis drejt Italsië. Nuk e vorfnoi Shqipninë grabitja e tij, por e drobiten
plagët që i la në trup. Vetëm mbas katër vjetësh, atje në Paris, do të merrte
shpërblimin e merituem nga i bukuri i Libohovës, heroi Avni Rrustemi.
Gjatë gjithë kësaj kohe Imzot Kaçorri u strehue në
malësi, sa në Kurbin, aq në Lurë, sa në Lezhë, aq në Mirditë. Praktikisht, në
saje të organizmit që u bani zonave në veri të Durrësit, taman si në kohë të
Turqisë, ato nuk ranë asnjëherë plotësisht nën sundimin e pashajt tiranas. Në ato
udhëtime të shpeshta e të vështira ai humbiste përditë shëndetin. “Kocka e
fortë”, si e quenin bashkëkohësit, tashma kishte ngelë vetëm kockë e lëkurë. I
kthyem në Durrës, shpirti i tij nuk do të gjente kurrë paqë. Raprezaljet e
ekspeditës ushtarake austriake për mbledhjen e armëve në Lurë, të kryesueme nga
koloneli famëkeq Myrtasz, që hapi plagë të randa në vendlindjen e tij, e banë
të lëvizte përsëri drejt vendlindjes, të shkonte në Shkodër e të protestonte,
t’i drejtohej Vjenës e ku jo tjetër, në mbrojtje të njerëzve të lirë, që nuk i
kishte shtrue dot as ShefqetTurgut Pasha. Imzot Kaçorri, i lodhun dhe i smuet
randë, ndoshta ma shumë edhe nga shpirtplasja, pse nuk arrijti të shikonte
Atdheun asnjëherë plotësisht të lirë si kishte andërrue, ndrroi jetë në Vjenë,
ku kishte shkue për kurim, me 29 maj 1917.
Jo, nuk ishte një jetë e shpenzueme kot.
Një jetë e shpenzueme çdo ditë, çdo orë, çdo minut,
çdo sekond për Atdhe, nuk asht kurrë një jetë e shpenzueme kot.Imzot Nikollë
Kaçorri, ky bir fisnik i Lurës, bir i një katoliku e një nane muslimane, nuk la
histori të shkrueme. Ai e bani historinë. E gjithë jeta e tij ishte një ideal:
Flijimi për Atdhe.
Ka nxjerrë Shqipnia plot bijë të lavdishëm, po
asnjë si ai nuk ka qenë aq konseguent në çdo milimeter të jetës së tij vetëm në
shërbim të një ideali të madh: lirisë kombtare.
Cili bani sa ai për vëllaznimin e vërtetë të
shqiptarëve, pavarësisht nga besimi? Janë dëshmi qindra miq të tij të devotshëm
muslimanë nga Durrësi e Tirana, nga Kurveleshi e nga Kavaja, nga Kruja e nga
Lura.
Ideja e bashkimit tek ai ishte aq e fortë, sa vetëm
kjo e spjegon kundërshtimin e tij për një alfabet të veçantë që më 1902 nga
Shoqnia “Bashkimi” e Imzot Doçit. Vetëm një alfabet duhet të ketë, i miratuem
nga të gjithë shoqnitë, nga ajo e Stambollit, tek e Bukureshtit, nga ajo e
Misirit tek ato të Shkodres, kambëngulte Ai. Ishim gjashtë vjet para Kongrsit
të Manastirit kur hidhte këte ide.
Ai nuk u tha malësorëve: Luftoni kundër pushtuesit
turq, po i frumëzoi, i udhëhoqi, i armatosi e luftoi me ta. Kryengritjet e
viteve 1905 – 1912 kanë ma së shumti mendjen, zemren dhe dorën e tij.
Imzot Kaçorri nuk bani kurëfarë kompromisi me
pushtuesit turq, por sa herë ia kërkuen interesat e kombit, ai përbuzi
kompromiset edhe me Romen e Vjenen, me Shkodren e me Vlonen, dhe nuk u lëkund
kurrë para ndërhmjeve të Beogradit e të Athinës.
Ideali i tij ishin FEJA dhe FLAMURI; ishte ATRDHEU I LIRË!