| E merkure, 19.12.2012, 09:17 PM |
FLAMURI
NË MAJË TË SHTIZËS
Nga Begzat RRAHMANI
Kryetari
i fshatit, përshëndeti të pranishmit, e veçanërisht mysafirët dhe dy kryetarët
e komunave rurale, dhe pastaj me disa fjali
shpalosi historikun e shatit, që prej kur ekziston, edhe atë sipas
burimeve osmane apo turke, që edhe pak do ti afrohet numrit tre shifror.
Prezantuesi
me shumë kënaqësi thirri në skenë të paraqiteshin tre këngëtarët e fshatit që
më i kanë kaluar të shtatëdhjetat dhe pa ta nuk bëhej në katund asnjë aheng;
syneti, fejesë apo martesë dhe përherë shpërbleheshin me duartrokitje të gjata.
Si u
qetësuan duartrokitjet në skenë prezantuesi thirri të dy kryetarët e komunave
rurale, që të përshëndetnin të pranishmit dhe pastaj së bashku me kryetarin e
katundit të ngritin FLAMURIN në majë të shtizës, që ia kalon lartësisë së
minares së xhamisë. Pas ceremonisë së flamurit në skenë u ngjitën nxënësit e
shkollës së katundit dhe u prezantuan me disa valle këngë dhe recitime.
Prezantuesi kur duhej të mbyllte programin, shikoi anësh si një artist i
vërtetë dhe në skenë tha thërrasim; poetin, shkrimtarin, bashkëfshatarin tonë
të dashur dhe të mirënjohur i cili pas shumë vitesh viziton vendlindjen e tij,
vetëm të përshëndes këtë tubim kaq madhështor. Poeti dhe shkrimtari me siguri nuk
e priste një thirrje që ti bënte
prezantuesi, nga të pranishmit u dëgjuan
duartrokitje. Kur pa se s’kishte rrugëdalje tjetër ngadalë ashtu i kërrusur nga
mosha dhe plagët e jetës, u çua prej karriges dhe njëri nga ata që ishin afër
tij e kapi për krahu dhe u nisën drejt skenës. Për tu ngjitur lart i ndihmoi
edhe prezantuesi. Poeti dhe shkrimtari u afrua afër mikrofonit mori frymë
thellë ashtu siç e kishte mësuar jeta e skenave, në atë moment altoparlantët
lëshuan atë muzikën e dhimbshme të bronkeve të mushkërive të poetit, që ajo
muzikë astmatike e mundonte afër katër dekada të tëra. Poeti e vendoi dorën te
balli që të ndalte rrezet e diellit edhe pse ishte fillimi i dhjetorit bënte
një ditë e bukur me diell. Shikoi gati të tërë të pranishmit, pastaj në anën e
majtë pastaj shikoi diellin, e çoi dorën e djathtë lartë dhe ktheu kokën po
ashtu në të djathtë ku në majë të shtizës më valëvitej FLAMURI me SHKABËN
DYKRENARE. Dhe ashtu me një dhembje dhe gëzim të madh tha:
- O SA
BUKUR NGROH KY DIELL. Të pranishmit e shpërblyen me një duartrokitje të gjatë,
që me siguri për dyzet vjet nëpër skena kurrë s’kishte përjetuar atë kënaqësi
si në katundin e lindjes.
Unë i
ulur diku nga mesi i të pranishmëve ktheva kujtesën apo siç thënë lentën apo
shiritin për më tepër se katër dekada, kur kthehesha prej shëtitjes disa orësh
nëpër malin e bukur të katundit. Prej larg andej urës së lumit, që e ndan
katundin në dy pjesë dhe i jep një bukuri të rrallë, pashë dy femra të veshura
allafrënga bile edhe më tepër, ecnin nëpër sheshin e katundit apo siç i thoshim
dhe i thonë edhe sot JURIA. Edhe ata me siguri më kishin parë bile ndoshta edhe
përpara se sa i kisha parë unë. Kur u afrova disa hapa në afërsi të tyre njërën
nga ato e njoha, pasi e kisha parë plot përpara një viti. Prandaj ajo duke
qeshur më tha:
- Paske
marrë ngjyrë të bukur të detit. Po i thash, ka tri ditë që jam kthyer. Me
siguri tha prej detit Adriatik. Jo i thash, këtë vit kam qenë në Konstancë të
Rumanisë, në Zallët e Arta dhe Varrnë të Bullgarisë. I pyeta ç’e mirë i paska
sjellë në katundin tim?! Shkurt tha se duhej të vizitonin gratë shtatzëna e
veçanërisht nuset që do të lindnin përherë të parë. U thash se është mirë dhe
qenka një kujdes i veçantë. Ndoshta shoqja është mjeke akushere?! Jo tha kjo
është një shoqe e ime nga Londra e largët dhe e bukur. Prandaj vetëm qesh e nuk
fol. Unë thash nuk mundem shumë tu ndihmoj pasi shumë pak rri në katund, por po
të doni do të shkojmë te unë në shtëpi do të pimë nga një ujë të ftohtë dhe do
ta pyesim nënën dhe motrën time e pastaj bëjmë edhe vizitat. Si u konsultua me
shoqen, që unë s’kuptova asnjë fjalë, tha mundet dhe vazhduam rrugën për në
shtëpi.
Në oborr
ishte nëna, kur na pa u step, ne u afruam i tregova qëllimin, nëna i
përshëndeti, bile i mori edhe grykë. U thash që do të shkonim nën hijen e
kumbullës ku unë përherë aty rri pasi në shtëpi është nxehtë, por ka edhe miza.
Ne sa u afruam te kumbulla, unë e shtrova atë qilimin që përherë e mbaja aty,
nëna dhe motra arritën me një shishe uji mineral dhe tri gota të vënduara në
një tabaka dhe tri karrige katundi me tri këmbë. U thash që ti nxirrnin këpucët
ti lironin këmbët. Ajo britanikja i tha shoqes se i kishin të përlyera këmbët.
Motra dukej se e kuptoi prandaj u tha se ajo menjëherë do të sillte ujë, dhe u
nis në drejtim të bunarit.
Nuk
shkuan as dhjetë minuta nëna doli prej shtëpie me një pjatë të madhe në dorë
dhe tri kallinj misri që akoma avullonin. Mamia e mori njërin dhe i tha edhe
shoqes, ajo pak u ngushtua dhe nuk i pëlqeu, por shoqja i tha merre provoje dhe
po s’të pëlqeu e hajë unë. E mori si i bëri nja dy tri kafshime qeshi duke i
thënë se qenka shumë të shijshëm. Pas përkthimit unë i thash, ajo le ta hajë ne
do ti sjellim edhe një tjetër. Këtu është katund kemi plotë. Në atë moment
erdhi motra me një leckë në dorë dhe ua pastroi sandalet e bukura prej
pluhurit. Britanikja shikoi, por mjaft e habitur. Pas pak nëna doli prej
shtëpie por tash me një pjatë plotë me patate të ziera që edhe ato avullonin,
bile dy a tre kishin plasur dhe kishin marrë
një ngjyrë të bukur floriri. Britanikja prapë diçka i tha shoqes. Ajo më
tha mua se sa do të kushtojnë këta që i hëngrëm, dhe se ato nuk kishin shumë
para me vete. Unë i thash nëse nuk kanë para do ti lejnë sandalet. Pasi i
përktheu fjalët e mija qeshën të dyja.
Unë e pyeta
maminë për të vëllanë, profesorin e filozofisë që përpara disa vitesh më kishte
ligjëruar në gjimnazin e qytetit. Në atë moment erdhi motra dhe nëna dhe na
treguan për gratë shtatzëna, që ishin katër apo pesë nuk më kujtohet mirë.
Si bëmë
vizitat prapë duhej të kalonim andej ku u takuam përherë të parë. Si mbërrimë
aty ku tash tre apo katër hapa ndodhet shtylla së bashku me FLAMURIN, që SHKABA
njëzetekatër orë në të katër anët bënë roje të fshatit. Britanikja prej çante
nxori aparatin fotografik dhe më pyeti a mundet të fotografonte xhaminë dhe
minaren e gjatë, dhe po ashtu më pyeti ku ndodhej shkolla e fshatit. Dorën në
zemër u ndjeva ngushtë, por duhej ti tregoja se shkolla ishte ajo në afërsi të
xhamisë. Si bëri disa fotografi, më pyeti a mundet të hynim brenda në xhami. I
thash se s’ka problem po të duan. Si hymë në xhami edhe aty i bëri disa
fotografi, dhe i tha diçka shoqes e ajo më pyeti a jemi këtu krejt TURQ. Unë i
habitur i thash se në këtë fshat jemi krejt SHQIPTARË, s’ka asnjë popull
tjetër. E pyeta pse pyet, si biseduan diçka ajo mrroli krahët, kurse mamia më
tha se paska parë disa elemente turke. Por mua prapë mu kthye shiriti andej ka
vitet pesëdhjetepesë, kur prej aty përpara xhamisë dhe shkollës së fshatit
përcillnim familje të tëra për në rrugën pa kthim të Anadollit.
Prej atë
ditë që kur filloi të valëvitej FLAMURI me SHKABËN DYKRENARE, më nuk do bëjnë
asi pyetjesh mysafirët dhe britanikja ndoshta gazetare e keq informuar, por
edhe unë më nuk do të turpërohem për shkollën e fshatit si dikur...