Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrustem Geci: Ekonomia Kombëtare

| E marte, 18.12.2012, 06:11 PM |


EKONOMIA KOMBËTARE

Botime të reja: Doli nga shtypi libri i Mr.sc. Refik Kryeziut “Ekonomia Kombëtare“ në botim të Universitetit AAB Riinvest

Nga Rrustem Geci - Dortmund

Këto ditë doli nga shtyp libri i Mr.sc. Refik Kryeziut, „Ekonomia Kombëtare” Qasjet dhe Perspektivat e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, në botim të Universitetit AAB Riinvest. Studiuesi Refik Kryeziu, njohës i mirë i Finansave  dhe i të ardhurave buxhetore të Republikës së Kosovës, shkencës së ekonomisë po edhe letërsisë ekonomike i sjell një libër të munguar me mendime dhe të dhëna shkencore për kahet e zhvillimit të Kosovës. Për librin e Mr.sc.Refik Kryeziut „Ekonomia Kombëtare“ vlerësimet janë të shumta. Mirëpo, ne po veçojmë mendimin e dy  reçensentëve të librit; Prof.Dr.Kolë Prenga, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, dhe Prof. Dr.Mejdi Bektashi, Profesor në Fakultetin Juridik, të Universitetit „Hasan Prishtina“ të Prishtinës. Libri i Mr.sc. Refik Kryeziut, „Ekonomia kombëtare“ shkruan Prof. Dr. Kolë Prenga, ekonomist i mirënjohur nga Tirana, ngërthen në vete një sërë çështjesh të problemeve ekonomike e zhvillimore në Republikën e Kosovës. Libri që po i jepet në dorë lexuesit, deshëm apo s´deshëm thotë Prof.Prenga, është libri që na mëson të ecim përpara. Pa libra, pa dije të shkruara, s´ka as mësim , as përparim në asnjë lëmi. Mbledhja e dijeve, mendimeve, ideve, dhe përvojave është e domosdoshme në kohën tonë. Kosova duhet vet ta projektojë të ardhmen e saj. Papunësia që tash ekziston në Kosovë, me një organizim më të mirë, dhe me shfrytëzimin e pasurive natyrore të saj, ka mundësi që krizën e papunësisë ta kaloj pa tronditje të mëdha. Krizat ekonomike jo rrallë janë me dhimbje në të gjitha shoqëritë. Pasojat e kësaj krize mund t´i vuajmë të gjithë. Prandaj libri i Mr.sc.Refik Kryeziut, „Ekonomia kombëtare“ është një prurje që unë e vlerësoj shumë. Çështjet e ngritura në këtë libër shprehet Prof.Dr.Prenga janë  prezente në çdo kohë dhe në çdo vend. Prandaj unë konsideroj shkruan profesor Prenga, se libri „Ekonomia kombëtare“ i Mr.sc.Refik Kryeziut, me studime, kumtesa dhe vështrime, është trajtuar me përgjegjësi profesionale dhe shkencore. Ky libër tash më i botuar, do t´u ndihmoj shumë studentëve të ekonomisë, ekspertëve të saj, dhe institucioneve qeveritare.Ndërsa Prof. Dr. Mejdi Bektashi, në reçensionin e tij librin e Mr.sc.Refik Kryeziut,„Ekonomia Kombëtare“ e vlerëson shumë lartë, duke thënë se është libri i parë i botuar i këtij lloji në Republikën e Kosovës. Ky libër në mynyrën më shkencore trajton një sërë aspektesh dhe perspektivash  të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Pasuritë e Kosovës në librin „Ekonomia kombëtare“ nuk duhet vetëm t´i lexojmë, por ato duhet trajtuar nga  mendja e shkencës, dhe dora e shtetit. Fuqia e shtetit të Kosovës tani është ekonomia, ajo që ngre lart mirëqenien e popullit tonë. Pa ekonomi të mirëfilltë krizat ekonomike shkaktojnë dhimbje të vazhdueshme, dhe shpërthime sociale. Libri i Mr.sc.Refik Kryeziut. „Ekonomia kombëtare“ thotë Prof. Dr. Bektashi, është një prurje e re për studentët tanë, dhe për institucionet ekonomike të Kosovës. Ne ende jemi në udhën e shtetformimit. Ky libër i munguar për studentët dhe shoqërinë tonë do të na mësojë se si të sillemi ndaj pasurisë tonë natyrore, dhe ndaj buxhetit të kufizuar të Republikës së Kosovës. Libri i Mr.sc.Refik Kryeziut, „Ekonomia kombëtare“ka shtatë kapituj, dhe 261 faqe. Në secilin kapitull autori me shifra dhe me tabela na e jep gjeografinë e zhvillimeve ekonomike në Kosovë. Aktualisht, Kosova përballet me një papunësi të lartë, me rreth 40% të numrit apsolut të të papunëve. Thënë në numra, mbi 1 qind e 5 mijë e 7 qind e dyzet e një të papunë të moshës 18 – 24 vjeçare. Shifër vërtetë rënqethëse. Republika e Kosovës shkruan Mr.sc. Refik Kryeziu është shtet i ri, dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës vazhdojnë të jenë të kufizuara. Perspektivat e zhvillimit, të dhëna në libër ( nga aspekti real shkencor janë shpresëdhënëse ). Pasuritë e shumta të Kosovës, në metale dhe jometale, si dhe në bujqësi, janë fonde të çmuara për të ardhmen e ndritshme të Kosovës. Nëse ekonomia dhe politika e Republikës së Kosovës, harmonizojnë qëndrimet dhe qëllimet, shkruan Mr.sc. Refik Kryeziu, zhvillimi Ekonomik i Kosovës, mund të përshpejtohet në shumë fusha të zhvillimit. Refik Nevzad Kryeziu u lind në Roganë të Dardanës me 11.o3 1957. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Dardanë. Pas shkollës së mesme Refiku regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku diplomon në kohë rekorde. Mr.sc.Refik Kryeziu ka thirrje Akademike, Magjistër i Shkencave Ekonomike, dhe kandidat i Dotoraturës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në vitet 2000-2006 Refik Kryeziu ka punuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, zyrtar për Hartimin dhe Realizimin e Projekteve Investive. Refiku është bir i dëshmorit, Nevzad Balë Kryeziut. Pas vitit 2006  Refiku punësohet Asistent në Fakultetin Ekonomit të Universitetit AAB - Riinvest në Prishtinë, në lëndët; Financa publike, Ekonomi monetare, Menaxhim i projekteve, Politika monetare dhe fiskale si dhe Finansat Ndërkombëtare dhe Makroekonomi. Mr.sc.Refik Kryeziu krahas studimeve pasuniversitare, dhe të doktoraturës, Refiku ka botuar edhe shumë punime shkencore. Monografi për ekonominë e Gjilanit, studime dhe vështrime në 8 konferenca kombëtare e ndërkombëtare, dhe në disa simpoziume e këshillime  shkencore. Vlen të përmendet se Mr.sc.Refik Kryeziu ka hartuar dhe realizuar mbi 30 projekte investive në Kosovë, dhe të gjitha me notë të lartë vlerësimi. Pa zhvillim ekonomik të mirëfilltë, na thotë studiuesi Mr.sc.Refik Kryeziu, Republika e Kosovës, mund të rrëshqas në kriza që nuk i dëshiron askushi në Kosovë. Shpresojmë se sukseset do të jenë më të mëdha se krizat. Pasuritë natyrore të Kosovës  janë të vlerësuara, dhe shteti ynë po punon në këtë drejtim. Sukses dhe shëndet autorit për këtë libër të munguar të shkencës sonë.