| E diele, 16.12.2012, 04:04 PM |
Vlerësime
bukureshtare me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë
Falënderim
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj (Mjeshtër i Madh)
Duke
shfletuar korrespondencën private me Bukureshtin për dhënien e titullit
"Mirënjohje" intelektualëve shqiptarë, po shkruaj pak rreshta
falënderimi. Lajmin e parë dhe Mirënjohjet e para i dha Zemra Shqiptare. Me
rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në zemër të qytetit që mban
emrin më të bukur të të folurit shqip, para disa ditësh, më 28 Nëntor 2012, kur
pikërisht ditën kur në Vlorë, 100 vjet më parë, u ngrit Flamuri i Skënderbeut,
nga plaku i mençur Ismail Qemali, janë vlerësuar mbi 20 intelektualë shqiptarë
me titullin "Mirënjohje". Falënderoj nga zemra Bashkësinë Kulturore
të Shqiptarëve të Rumanisë dhe Presidentin e saj, Dr. Xhelku Maksuti, si dhe
përkthyesin, poetin dhe publicistin Baki Ymeri, për këtë nder dhe vlerësim që u
kanë bërë disa personaliteteve dhe dashamirëve të Bukureshtit, mes të cilëve
jam edhe unë, së bashku me zotërinjtë: Ibrahim Makolli (Ministër i Diasporës),
Sali Bashota, Bajrush Morina, Gëzim Marku, Ilir Dardani, Mario Braho, Lulzim
Tafa, Halil Haxhosaj, Ejup Ajdini, Neki Lulaj, Sadulla Zendeli Daja, Ramiz
Kuqi, Ilia M. Dilo, Luan Dibrani, Mediar Leka, Xhever Ymeri, Adem Zaplluzha,
Xhever Ymeri, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Fehmi Kelmendi, Xhevat Muqaku, Sokol
Demaku, Xhafer Leci, Remzi Basha etj. Iu uroj të gjithë bashkëpunëtorëve të
nderuar që janë vlerësuar në këtë ditë jubile, suksese dhe jetë të gjatë! Ta
gëzojnë 100 vjetorin e Pavarësisë dhe uroj që së bashku të kërkojmë më shumë
nga vetja për të vërtetën shqiptare të mohuar për shekuj e shekuj.
Të punosh
për Shqipërinë është nder dhe detyrë e çdo shqiptari. Ndërsa të punosh për
njohjen e çështjes kombëtare dhe të së vërtetës së hidhur apo të lavdishme e
historike ndër shekuj (që na është mohuar, pluhurosur, baltosur, cunguar dhe
tjetërsuar), është krenari dhe privilegj. Duhet trimëri për të thënë të
vërtetën si drita e diellit. Medalja ka dy anë. E ndritshmja është fasada (e
dukshmja), dhe e errëta që qëndron në anën e pasme të saj, gjë që tregon se si
është fituar kjo medalje. Brenda anës së errët, qëndron dhe fle e vërteta e
mohuar. Kjo gjë secilin nga ne na bënë të mendohemi dhe të pyesim ndërgjegjen:
"A është kaq e ndritur fitorja sa fasada e medaljes?"
Përsëri
duhet të përgjigjemi vetë: "Detyra jonë e parë, imediate dhe e
rëndësishme, ndaj së cilës nuk duhet toleruar, është të kërkojmë sa më shumë
nga vetja dhe brenda qenies sonë... Vetëm duke kërkuar në labirintet e errëta
të qenies sonë, do të gjejmë të vërtetën. "
Iu uroj
vëllezërve shqiptarë të Zemrës Shqiptare, të Botës sot, të Drinit, të mediave
tjera dhe shqiptarëve me banim në Bukuresht e kudo në botë, kurrë të mos
reshtin për të vazhduar atë traditë të bukur të rilindësve tanë që jetuan dhe
punuan në mërgim duke u shkrirë për çështjen kombëtare, për përhapjen e gjuhës
shqipe dhe shkollave shqipe. Ata e dinin mirë se, "Një komb pa gjuhën e
tij, pa lëçitur gjuhën e të parëve, gjuhën e ëmbël dhe të bukur të mëmës, është
skllav dhe asnjëherë nuk mund të jetojë në Liri! Është gjuha amtare ajo që çel
dritën jeshile të dijes, të zhvillimit e cila hap portat e paqes dhe të
mirësisë kombëtare." Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare shqiptarë, kudo që
jeni, në çdo kënd të rruzullit tokësor!
Të nderuar miq dhe vëllezër të Bukureshtit e të redaksisë së revistës Shqiptari! Ju faleminderit për këtë vlerësim që na bëhet pikërisht në ditën e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare! Personalisht jam tejet e kënaqur dhe e gëzuar, e nderuar dhe e privilegjuar pasi ndihem dy herë e vlerësuar. Së pari nderohet një femër dhe së dyti, ky vlerësim bëhet në ditën më të bukur e më të lavdishme, ditën e bekuar për Shqipërinë dhe shqiptarët ngado që janë. Ngritja e Flamurit nga Ismail Qemali, shpalli mëvetësinë e shqiptarëve dhe për herë të parë, me hir apo me pahir, bota na njohu si komb. Ky vlerësim jepet po atë ditë kur 100 vjet më parë u hodhën themelet e shtetit të parë shqiptar drejt zhvillimit dhe modernizmit. Detyra jonë është që duke analizuar të djeshmen, përmes të sotmes, të ndërtojmë të ardhmen. Nëse tri kohët do të jenë vazhdimësi e njëra -tjetrës, me të mirat dhe të këqijat e tyre, jam e sigurt se ardhmëria do të dëgjohet të tingëllojë kumbueshëm dhe bukur, ashtu siç është ky vend përrallor, i begatë , si në pasuri edhe në kulturë e histori.