| E diele, 16.12.2012, 05:03 PM |
Shpirti
fisnik i një poeti të jashtëzakonshëm
(
Vetëm fakti që poezia e tij ka zgjuar interesin e kaq studiueseve dhe poetëve të këtij vendi, me poetë të mirënjohur në gjithë botën dhe me tradita të shquara, është një fakt që flet vetvetiu. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së tij është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e tij në gjuhën rumune, e rikënduar me përkushtim dhe besnikëri nga përkthyesi i talentuar i poezisë shqipe ? Baki Ymeri.
Nga Luan Topçiu
Shpirti i
fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla
kritike që përfaqësojnë opinionin e huaj për shpirtin shqiptar. Nëpërmjet
veprës së vet autori konfirmon bindjen se arrin nëpërmjet profesionalizmit dhe
mbahesh nëpërmjet karakterit. Kur flitet për poezinë bashkëkohore shqiptare,
posaçërisht për atë të arealit kosovar, në ansamblin e përgjithshëm të poezisë
moderne që shkruhet në gjuhën shqipe,
nuk mund të mënjanohet një nga poetët më të rëndësishëm të saj ? Sali Bashota. Ai, i pranuar njëzëri, përbën një profil të
spikatur të poezisë moderne shqipe, qoftë për figuracionin, qoftë për
plasticitetin e saj, qoftë për strukturën poetike, gjuhën, për kumtet e saj
etj. Sali Bashota nuk është vetëm një poet i shquar i bashkëkohësisë, por dhe
një njeri i shquar i kulturës, studiues i letërsisë, si dhe një drejtues i një
institucioni shumë të rëndësishëm, siç është Biblioteka Kombëtare dhe
Universitare e Kosovës.
Në çdo
përçapje tonën, të brendshme, kemi hezitimet tona, kemi ndrojtjen tonë për të
vendosur poetët dhe shkrimtarët në vendin që ata meritojnë. Kjo ndodh sepse në
radhë të parë jemi shumë pranë tyre fizikisht dhe në radhë të dytë jetojmë
plotësisht në mungesë të sistemit të vlerave dhe të një hierarkie të vendosur
nga faktorë jo profesionalë. Prej mundësisë të përkthimit, kur autorët tanë
dalin në hapësira të tjera kulturore dhe kur vlerësimin e bëjnë autorë të huaj,
koinficienti i sigurisë rritet edhe për vetë ne, për vlerësimin tonë, për
shkrimtarët tanë.
Një rast
fatlum është dhe përkthimi i poetit Sali Bashota në gjuhën rumune. Vetëm fakti
që poezia e tij ka zgjuar interesin e kaq studiueseve dhe poetëve të këtij
vendi, me poetë të mirënjohur në gjithë botën dhe me tradita të shquara, është
një fakt që flet vetvetiu. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së tij
është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka
krijuar poezia e tij në gjuhën rumune, e rikënduar me besnikëri nga përkthyesi
i talentuar i poezisë shqipe ? Baki Ymeri.
Poezia e
Sali Bashotës ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që
nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i
ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, fati i kombit si një shqetësim i
rëndë historik, përjetime intime. Për pasojë ligjërimi poetik njeh dy
regjistra. Në “Ekzilin e shpirtit” të tij, dallohen dy zëra që marrin
tonalitete të ndryshme muzikorë, varësisht nga gjendja në të cilën ndodhen dhe
nga ajo çka duan të sugjerojnë. Prandaj, poezia e Sali Bashotës alternohet në
këto rrafshe bazë dhe merr nuanca të ndryshme në tekstin poetik. Nga njëra anë
kemi një ton të rëndë, dramatik, të mbushur me ngjyra tragjike në një dialog
ekzistencial me vdekjen, nga ana tjetër kemi një hipostazë të një shpirti të
butë, fisnik dhe të brishtë që bie në terrenin e një lirizmi të pastër.
Shpeshherë këta dy regjistra përzihen në një, sepse gjakimet intime të poetit
marrin kuptim në një kontekst më të gjerë: “Muza ime/ Unë s’do të vdes këtu/ Në
mëngjesin e pikëlluar/ Mbuloma fytyrën me dhembje Kosove/ Me gjak fëmijësh të
vrarë/ Me këmisha varri/ Fijet e barit le të palosen mbi plagë/ Kur çel lulja e
mallkimit/ Ti mos ma këput shpirtin/ Muza ime. (“Forma tjetër e dhembjes”).
Sali Bashota përçmon banalitetin, përçmon regjistrat e ulët të ligjërimit, ai çmon aktin poetik si një proces të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti di t’i japë trajta serioze trishtimit, sepse ai dëshmon që trishtimi i tij nuk është vanitoz, nuk është një trill poetik a pozë, por trishtim që të kaplon nga dhimbja fizike e shpirtërore nga dhimbje reale që shkaktohet në rrethana tragjike. Trishtimi gjeneron zakonisht tekst, tragjeditë e rënda krijojnë një shok psikologjik që të le pa fjalë. Poeti i ndodhur në zgrip të jetës, pjesëmarrës në ngjarje të rënda për të dhe popullin e tij, di t’i çlirojë gjendjet shpirtërore dhe përjetimet në poezi. Poeti është një rrëfimtar?dëshmitar i njërës prej tragjedive më të rënda të shekullit të XX, luftës së Kosovës. Në vëllimin “Ekzili i shpirtit” poeti mbart dhimbjen e thellë të plagëve dhe të humbjeve njerëzore, trishtimin brerës, pikëllimin gërryes, kujtimet e rënda të luftës etj.
Guximi shqiptar që i jep flatra fantazisë së tij lirike
Poeti
provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në
truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Poeti në të gjitha
hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të
thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. (“Heshtja”, “Forma tjetër
e dhembjes”, “Mungesë shpirti”, “Melankolia”, “Vrasja e frymëzimit”). “Nëse e
vrasin atë zog/ Me profil vjeshte/ Çka do t’i them nënës/ Në mëngjes kur
zgjohen fëmijët/ Cingëron ora e murit/ E babai pi dhembjen e vjershave të mia”.
(“Zogu me profil vjeshte”). Sintaksa (si kombinim gjuhësor dhe si kombinim
imazhesh) është tejet plastike. Sali Bashota dëshmon se i njeh problemet e
stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është
i pajisur me aftësi të rralla për ta hetuar natyrën dhe botën, para së
gjithash, ai zotëron një aftësi kombinatore të elementeve përbërëse të poezisë
së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar
njëkohësisht strukturën e poemës: “Vashat vajtojnë skeletin tim të bukur/
Zogjtë zgjohen nga arkivoli i shpirtit/ Sa shekuj vajtojnë vetveten/ Zbresin
nga qielli i zi/ Fluturimi i tyre i mbramë në natën betejë/ Bari i djegur i
fushës shkrumb/ Pylli i prerë drunjtë e ngjyrosur me gjak/ Po kjo nuk është
ëndërr/ Frymëzimi i trazuar sillet nëpër ferrin e vet/ Bota reale shkund
misterin e fajit…Po kjo nuk është ëndërr”...
Poezia
është eminanetisht moderne. Autori di të peshkojë tema të vjetra, një fond
leksikor nga poezia e traditës, por ashtu siç ndodh në pikturën moderne, ai
merr në konsideratë objektet në hapësirë që zotërojnë të gjitha elementet e
drejtpeshimit, të vëllimit, të qendrës së gravitetit, peshën e fjalës,
thellësinë e ndjenjës etj. Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e mësipërme
kemi të bëjmë me një largim të çdo subjektivizmi. Përshkrimi i mësipërm nuk
është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive. Ja
një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore. Poeti sjell në tekst
fraza tejet plastike, në një përshkrim të beftë të një atmosfere, megjithëse na
çon në një terren pothuaj onirik, poeti insiston – “
Në këtë
rast, poezia pushon së qeni si subjekt; në vend të fotografisë, apo të një
rrëfimi riprodhues, elemente të konsideruara në hapësirë kapin një ekzistencë
akute. Fraza bëhet e shndritshme, me një rend të vetin. Poezia e Sali Bashotës
nuk mund të klasifikohet lehtë si: erotike, kombëtare, historike etj., poezia
shndërrohet menjëherë në një poezi universale?njerëzore.
Një element përbërës i detajeve inspiruese të Bashotës është ëndrra. Ëndrra nuk
është një dukuri vetëm fiziologjike në tekstin poetik, por më shumë si një
realitet onirik i kashtosur me realitetin. Poeti nuk vë në qendër të poezisë së
tij ëndrrën, por një dimension të realitetit të tij. Më shumë kemi të bëjmë me
një ëndërr të ndërprerë, të shkëputur: “Nëse kukuvajkat shprishin ëndrrat tona/
Secilës do t’ia hapim/ Nga një varrë”. Vëllimi dygjuhësh “Exilul sufletului/
Ekzili i shpirtit”, botuar nga Shtëpia Botuese e Muzeut të Letërsisë Rumune,
është një sukses i merituar i poetit dhe studiuesit të talentuar të letërsisë,
Sali Bashota.
(Parathënie e librit Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Kluzh-Napoka, 2012)