| E diele, 16.12.2012, 03:00 PM |
Me rastin
e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut, në Romë, dje iu dorëzua Çmimi
Evropian për jetën, që mban emrin e së Lumes shqiptare “Nënë Tereza”, të gjitha
nënave të Evropës. “Lapsi i vogël në dorën e Zotit”, siç e quante veten
misionaria e bamirësisë, shkroi faqe të paharrueshme në favor të jetës. Në
vitin 1979, duke marrë Çmimin Nobel për Paqen, pati folur për abortin si për
“armikun më të madh të paqes”. “Nëse nëna mund të vrasë birin e vet – pati
thënë – kush i pengon njerëzit të vrasin njëri-tjetrin?”. Gjatë dorëzimit të
Çmimit për nënat evropiane, emri i saj u përmend shumë herë, duke theksuar se
nuk mund të flitet për të drejtat e njeriut, nëse nuk mbrohet jeta.
Interesante, paraqitja e të rejave të shkencës për shpëtimin e fëmijëve me
probleme në bark të nënës. Prekëse, dëshmia e Enriko Petrilos, i shoqi i Kiara
Korbelës, nënë e re, që humbi jetën para gjashtë muajsh për shkak të një
tumori, që nuk pranoi ta kuronte gjatë shtatzanisë, për të mos prishur fëmijën.
E duhet menduar se ishte fëmija i tretë, pas dy fëmijësh të tjerë me të meta
fizike. Histori, që i bëri shumë përshtypje opinionit publik. Por të dëgjojmë
Enriko Petrilon:
Kiara
është thjesht nënë: nënë heroike, por po ta mendojmë mirë, e konsiderojnë
heroike më tepër jo besimtarët se sa besimtarët. Ne, që jemi të krishterë, ose
jemi vërtet të tillë e nuk çuditemi, ose biem në mediokritet. Kiara ishte
vërtet e krishterë.
Çmimi
frymëzohet nga figura e Nënë Terezës. A ishte e pranishme ajo në jetën tuaj?
Sigurisht
që po. Ishte e pranishme, sepse bashkë me Kiarën, çdo Krishtlindje, shkonim t’u
jepnim për të ngrënë të varfërve të Institutit të Nënë Terezës në Palatin.
Shpresoj ta vazhdoj impenjimin, edhe pa të. Një herë, ajo pati fatin ta
takonte, një takim, gjatë të cilit nuk ndodhi asgjë e veçantë, por vetëm pse
Nënë Tereza ishte aty, i prekte zemrën.
Një çmim
- që paraqet një nënë, e cila shtrëngon në gji birin e vet – iu dha edhe Irene
Bertonit, 90 vjeç, e njohur me emrin “Nënë Irena”. 14 vjeç, iku nga shtëpia për
të ndihmuar Don Zenon, themeluesin e Nomadelfias, pastaj, kthimi në familje për
t’ia kushtuar jetën fëmijëve të braktisur:
Kam pasur
58 fëmijë, por të gjithë të vegjël! Kanë nevojë për gjithçka: për përkëdhelje,
për puthje, për t’u bërtitur nga pak… kanë nevojë për çdo gjë! Sepse gruaja
është ndryshe: Zoti na ka vënë në zemër diçka të madhe… Mendoj se askush, sado
i mençur të jetë, nuk mund të shpjegojë ç’ka brenda zemrës së nënës. Nënës së
vërtetë.
Të
veçanta, marrëdhëniet e saj me Papët, që kanë treguar interes për punën e Nënë
Irenës:
Papa Piu XII ka qenë njeri i madh. Gjonit XXIII i çova njërin prej bijve me sëmundje infektive. Palin VI nuk munda ta njoh personalisht. Gjon Pali II më ka ndihmuar jashtëzakonisht. Benediktin XVI e kam takuar më 13 janar e më tha: “Ju duhet të jeni roje e kujdesshme e karizmës së themeluesit. Ju, e keni transmetuar dashurinë tuaj amnore e jo vetëm kaq: e keni rrënjosur në zemrat e bijve tuaj”. Unë, siqerisht, nëse do të kthehesha në moshën 18 vjeçare, do të bëja gjithçka nga fillimi, siç e kam bërë!”.