| E shtune, 15.12.2012, 05:50 PM |
Ramiz
Hajdari, artizan i pasionuar i simboleve dhe figurave tona kombëtare
Nga Gjekë Gjonaj
Zona e Anës së Malit , e cila administrativisht bën pjesë në komunën e Ulqinit, sikur të gjitha trevat tjera shqiptare në Mal të Zi është e njohur edhe për një traditë mjaft të pasur të artizanatit, e cila është krijuar me shekuj nga duart e arta të mjeshtrave popullorë. Kjo traditë e hershme e prodhimit të objekteve të ndryshme artizanale me kalimin e kohës po zbehet gjithnjë e më shumë. Globalizmi për fat të keq dalëngadalë po e mbulon me pluhurin e harresës, për të mos thënë po e zhduk pa mëshirë këtë pasuri shpirtërore të anamalasve, dhe jo vetëm. Megjithatë fatmirësisht në Anë të Malit ende vazhdon tradita e prodhimeve të shumëllojshme të artizanatit me vlera të çmuara për kulturën tonë kombëtare . Këtë pasuri të vërtetë kombëtare po e vazhdon me shumë pasion, dashuri e përkushtim Ramiz Hajdari 40 vjeç nga fshati Zenelaj. Ai këtë mjeshtri nga e cila mbanë ekonominë familjare po e ushtron tash 15 vjet në një punishte në shtëpinë së tij në përmasa prej 70 metra katrorë. Ai thotë se këtë zanat ( biznes të vogël) e ka filluar me punë të vogla prej druri, kurse më vonë ka vijuar me punime të përmasava të ndryshme me gips dhe polimermer. Sipas fjalëve të tij në krijimin e mijëra objekteve të artit , kohën e fundit është duke i ndihmuar me aq mundësi që ka djali i tij nëntëvjeçar Besjani, i cili veç ka filluar tregon interesimin për zanatin e babait.
Motivimi
Motivet e punimeve të Hajdarit janë kryesisht simbolet tona kombëtare, heronjtë tanë kombëtarë, garvurat e qyteteve të lashta shqiptare, hartat e trojeve shqiptare, objektet fetare dhe skulptura erotike ( portrete femrash ). Edhe pse i kërcënuar nga konkurrenca e pandershme dhe moderniteti Ramizi vazhdon të jetë fanatik i simboleve dhe figurave tona kryesore kombëtare, që kanë bërë histori në Shqipëri. „ Më së shumti më ngacmojnë vlerat kombëtare dhe figurat tona kryesore. Ky është pasioni dhe përkushtimi im jetësor. Kam filluar me punën e mirëfilltë të dorës dhe nuk do të lëvizi nga ajo, edhe pse nuk kam asnjë mbështetje nga ato institucione të cilat e kanë për detyrë të ruajnë dhe vlerësojnë këto zanate në zhdukje “, thekson ai i zhgënjyer.
(Mos) mbështetja
Ramizi posaçërisht ndjen një zhgënjim të thellë ndaj pushtetarëve të mëparshëm të Ulqinit, të cilëve , siç shprehet ai, katër herë zyrtarisht u është drejtuar për të marrë leje të përkohshme pune gjatë muajve të verës, por nga ata asnjëherë nuk ka marrë përgjigje me shkrim. Në anën tjetër ai falënderon pushtetarët e tashëm vendor të cilët në muajin korrik të këtij viti ia kanë dhënë lejen për punë dhe shpreson se një gjë të tillë do t’ia mundësojnë edhe verën e ardhshme. Ky mjeshtër ( artist), duke iu referuar traditës, thotë se artizanët e komunës së Ulqinit kanë nevojë për një mbështetje më të madhe të njësisë vendore dhe institucioneve shtetërore, sidomos në politikat lehtësuese ndaj tyre, pasi artizanati në Ulqin do të duhej të jetë pjesë e shërbimeve turistike. „ Derisa në fshatin tim nuk më mundësohet leja për punë, në Shkodër para dy vitesh më kanë dhënë një lokal për punë në përmasa prej 52 metra katrorë, me një çmim simbolik prej 28 euro në muaj. Po ashtu edhe në Tiranë sivjet në prag të Festës së 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar më kanë lejuar një objekt falas për punimin dhe shitjen e eksponateve të mia“, shprehet ai.
Interesimi
Ramizi pohon se megjithë krizën ekonomike, turistët e huaj janë të interesuar për blerjen e punimeve artizane, madje ata janë blerësit kryesorë të këtyre punimeve, „ Turistët rusë, polakë, çekë, sllovakë, italianë e gjermanë që vizitojnë komunën e Ulqinit janë blerësit kryesorë të prodhimeve të mia artizane të punuara me dorë. Ata jo vetëm se janë vizitorë të objekteve kulturore, por edhe pëlqejnë shumë prodhimet artizane të punuara me dorë, të realizuara në mënyrë tradicionale. Ata shpesh fotografohen pranë simboleve dhe figurave tona kombëtare, krenohen para tyre dhe çuditen për mënyrën e thjeshtë të realizimit të këtyre punimeve“, thotë ai.
Panairet
Ramizi me punimet e tij artizane tashmë të njohura më shumë në shtete të huaja se sa në vendin e vet, është pjesëmarrës i shumë aktiviteteve kulturore në komunën e Ulqinit. Ka marrë pjesë në më se 60 panaire në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë, në të cilat , siç thotë ai, pesë herë është shpërblyer me çmimin e parë. Nga të gjitha këto ai veçon Panairin e Parë Mbarëkombëtar të Arztizanëve për nder të Ditës së Flamurit dhe dhe 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Shoqata e Artizanëve Shqiptarë, por si ide e tij, i cili u mbajt në fshatin Krythë të komunës së Ulqinit , duke dëshiruar që ky panair të shndërrohet në traditë.
Përfundim
Në përfundim të këtij shkrimi, në të cilin pikësynim kryesor kisha jo vetëm prezantimin e merituar të këtij artizani të vetëm aktiv të kësaj trevë, do të thoja atë që do të duhej ta dimë të gjithë se artizanatet në përgjithësi kanë një vlerë të veçantë dhe një rol të rëndësishëm në kulturën e kombit tonë. Ky art i cili pasqyron qartë identitetin tonë ka lënë një shenjë në historinë e kombit shqiptar. Artizanatet me veshjet popullore i dhanë jo vetëm Anës së Malit, por edhe trevave të tjera shqiptare në Mal të Zi, sikurse edhe gjithë Shqipërisë një vlerë në kulturën e saj, përkrah kulturave të tjera. Ruajtja e kësaj trashëgimie kulturore është një akt qytetërues i një populli dhe ka rrënjë të thella historike. Prandaj edhe ne shqiptarët në Mal të Zi duhet se s’bën instucionalisht ta mbrojmë, ta pasurojmë dhe ta promovojmë këtë kulturë tonën, pa të cilën nuk do të ishim ata që jemi.