| E enjte, 13.12.2012, 08:39 PM |
Udhëtim
në Historinë e Amerikës (1)
Xhorxh
Uashington Presidenti i I i SHBA
-1789-1797-
Nga Albana M. Lifschin
Muaji
Prill i vitit 1789 për njujorkasit qe një muaj shumë eksitues dhe emocional.
Në 14
prill, 1789, Xhorxh Uashingtoni qe zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara
të Amerikës dhe në 30 prill qyteti i Nju Jorkut, - kryeqyteti i parë i shtetit
të ri amerikan ishte përgatitur për inaugurimin e presidentit të parë të
vëndit.
Presidenti Uashington kishte një figurë madhështore. Duke vënë dorën mbi Bibël ai bëri betimin solemn si president.
Historianët
e përshkruajnë Xhorxh Uashingtonin si një president të vendosur, dinjitoz,
shumë të kujdesshëm, tepër të vëmëndshëm dhe jo agresiv.
Përgjegjësia
e madhe që ai mbante për vizionin e zyrës së presidentit kishte të bënte me
krijimin e precedenteve për të ardhmen ndaj ai e maste me kujdes çdo hap që
hidhte. "Sytë e Argus janë mbi ne dhe as gabimi më i vogël nuk ka për të
kaluar pa u vënë re" thoshte ai.
Xhorxh
Uashingtoni e shikonte me seriozitet të madh parimin e ndarjes se pushtetit
midis organit legjislativ dhe atij ekzekutiv.
Lidhur me veton, ai mendonte që presidenti duhet ta përdorte veton vetëm
kur ligji i propozuar ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Në zgjidhjen e
keshilltarëve të tij ai kërkonte si kriter të parë besnikërinë ndaj
Kushtetutës. Xhorxh Uashingtoni vepronte pa marrë parasysh përkatësitë politike,
a thua se ato nuk ekzistonin fare për të.
Ai ishte
shumë i kujdesshëm në respektimin e autoritetit të presidentit dhe
mosshpërdorimin e postit.
Xhorxh Uashingtoni u zgjodh dy herë president i SHBA dhe me dëshirën e popullit do qe zgjedhurj përsëri, por ai e pa të arsyeshme të tërhiqej duke lënë kështu një precedent që do të ndiqej nga presidentët e ardhshëm.
Ai vdiq në prag të shekullit të ri, vetëm dy javë para ardhjes së vitit 1800. Xhorxh Uashingtonin e qau i gjithë vëndi. Henri Li(Henry Lee) tha se Xhorxh Uashingtoni ishte "I pari në luftë, i pari në paqe, dhe i pari në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij" duke shprehur kështu ndjenjat e të gjithëve.
Në fjalën
e tij të Lamtumirës që ishte në fakt testamenti i tij politik, babai i vëndit,
la këshilla të vlefshme për qeverinë, për rolin e saj për drejtimin e shtetit
në të ardhmen. Uniteti i vëndit ishte tema kryesore. Ai paralajmëronte
amerikanët kundër rivalitetit të partive politike duke thënë se rritja jashtë
kontrollit e konflikteve të forta midis partive politike mund të krijonte
probleme që mund të çonin në prishjen e unitetit të vëndit dhe "Uniteti i
vëndit është i pazëvëndësushëm, thoshte ai."
Për Uashingtonin Kushtetuta amerikane ishte ligj i shenjtë dhe duhej respektuar nga të gjithë.
Xhorxh
Uashingtoni jepte porosi lidhur me politikën e jashtme që duhej të ndiqte
Amerika. Ai këshillonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikes, duhet të zhvillojnë
e ruajnë paqen dhe harmoninë me vëndet e tjera, por ishte kundër aleancave
afatgjata me to. SHBA kurrë nuk duhet të jetë shumë e lidhur me një shtet ( të
caktuar) pasi kjo do të bënte që të tërhiqej në konfliket që ai mund të ketë me
të tjerët..."
Deri në
vitet 70-të të shek.XX, testamenti politik i Xhorxh Uashingtonit qe bërë zakon
të lexohej në kongresin amerikan çdo 22 shkurt, por me vonë dalëngadalë u hoq
dorë nga kjo traditë.
Sidoqoftë mësimet e tij tingëllojne aktuale edhe në ditët e sotme. Në Washington D.C., kryeqytetin e SHBA, që mban emrin e tij, është ngritur një monument i lartë e kalimtari ngre sytë për ta parë e për të nderuar amerikanin e parë të madh të këtij vëndi.
(Marrë
nga libri i autores "Udhëtim në Historinë e Amerikës”, botuar 2003, ribot.
2006, 2010)
http://albanalifschin.tripod.com/index.html