| E enjte, 13.12.2012, 08:10 PM |
IMAZHI POETIK DHE METAFORA E DASHURISË NË VARGJE
Alma Begaj: “FARFURIMA E SHPIRTIT” dhe “SHIKIM QË SFIDON DISTANCAT” , poezi - Durrës, 2010
NGA XHELADIN MJEKU
Alma Begaj autore e dy përmbledhjeve
poetike: “Farfurima e shpirtit” dhe
“Shikim që sfidon distancat”, të cilat lexohen si një vazhdimësi
e shprehjes dhe kuptimësisë poetike të saj, gjithnjë të rënditura njëra pas
tjetrës, që kushtimisht mund të thuhet se janë lojë fjalësh poetike dhe
shprehje ndjenjash shpirtërore të ndërthurura me një frymë. Tematika kryekëput
me motive nga dashuria për jetën, nga ndjenjat emocionale, peisazhet e kaltërsive të detit, etj. janë
bazamenti i kësaj krijimtarie poetike.
Shfletime poetike
Hapësira poetike me ngjyrë të kaltër që sfidon
qiellin e detin, si dy botëra kaltroshe që preken në tehun e zenitit të pafund
të buzëmbrëmjeve flakëruese dhe plot vezullim sikur paraqesin fuqinë e krahëve
fluturues të mendjes së frymëzimeve poetike të Alma Begajt. Kjo poezi vjen si
frymëzim tronditës i një shpirti të trazuar poetik, ku ndijesia shpirtërore
provokon unin e krijueses, e cila nuk rresht së zbërthyeri edhe fijet më të
holla të jetës, të ngjarjeve a pamjeve momentale që e provokojnë. Në rrugëtimin
e krijimtarisë poetike të Alma Begajt nuk ka si të mos ndihesh mirë me gjithë
atë bagazh metaforash, shprehjesh poetike me ngjyrime ambienti ku e rrethon, me
fluturimin krahlehtë të pulëbardhave dhe puhinë e stinës, me tallazitjen e
dallgëve të detit, që simbolikisht interpretojnë shpirtin poetik në kohë dhe
situata të ndryshme.
Shfletimi i dy përmbledhjeve të autores, që
paraqesin opusin e saj krijues të përzgjedhur që nga fillet e krijimtarisë së
saj, që këtu e takojmë me mbi dyqind poezi, për t’i ardhur lexuesit më komplete
dhe me një përfaqësim më dinjitoz të
krijimtarisë poetike dhe avansimit të vlerave të saj nuk ka kuptim të
lexohet i shkëputur, për faktin se ndërprerja e kësaj vazhdimësie e humb
lidhjen e prezantimit të mirëfillt. Duke u mbështetur në këtë parim, doemos
duhet të ndalemi në dy stacionet e saj poetike, për të thithur atë nektar lirik
dhe për të prekur vlerat e kësaj krijimtarie që impoohen tek receptori
dashamirës i kësaj krijimtarie.
Stacioni i parë: “Farfurima
e shpirtit”
Në fillim të fjalës mund të hetohet
se cili është synimi i kësaj poezi, që pa hezitim e them se ka një prekje
sensitive nga përditshmëria, nga gëzimet, shqetësimet dhe ëndërrat e një
ardhmërie plot shpresë dhe besim. Alma Begaj me poezinë e saj vjen e guximshme
dhe krenare ngado që rropatet motivi i frymëzimeve të saj, në ngjarjet aktuale
që prekin sensin e saj krijues, në ndjesinë e shpirtit të dashuruar, në çaste
dëshprimi, në gëzime e hidhërime të ndeshura e të transponuara me përkushtimin
e saj prej talenteje të spikatur dhe plot vullnet. Pikturimi poetik i një peisazhi të kaltër me
ambientim nga deti dhe shkëlqimi i rrezeve që krijojnë peisazhin e vendit, të
jetës, nostalgjisë dhe bukurisë së Durrësit, paraqesin shumicën e lëndës
poetike që takojmë në përmbledhjen e parë poetike “Farfurima e shpirtit”.
Vargu poetik i Alma Begajt vjen i kujdesshëm, konçiz dhe plot kuptim.
Meditacioni poetik e përshkon lëndën e kësaj përmbledhjeje duke sjellur para
lexuesit një frut të shëndosh poetik me shprehje e mendime përmbajtësore.
Kështu, poezitë, si: ”Dritë nga dashuria”, “Klithmë”, “Mes
shpirtit dhe mendjes”, “Kryqëzimet e universit”, “Rrëshkite porsi
ngjala”, “Liqeni i ëndrrave”, “Pulëbardha” e shumë të tjera, shquhen
për ndërtimin poetik dhe shprehjen e mendimit dhe meditacionit.
“Fjalët,
kanë vlerë
vetëm kur thonë të vërtetën,
shpirtin tonë!”
( “Vlera e fjalës” –fq.45)
Poezia e cituar këtu “Vlera e
fjalës”, por edhe poezitë tjera: “Zemra e fjalës”, “Fjala”,
dhe “Vargu i poetit” janë vazhdimësi e shprehjes së mendimit të autores
përmes fjalës, si fuqi dhe mjet shprehjeje e mendimit dhe “farfurimës shpirtërore”
që e provokon muzën e saj krijuese nga vargu në varg. Pas shumë poezish të
rrjeshtuara në libër, autorja i kthehet sërish besimit tek fjala që në çdo çast
e përdor si udhërrëfyes në komunikimin me objektin që e shqyrton në poezinë e
saj. Fjala është dhe mbetet mjeti kryesor i shprehes së ndjenjave dhe fuqisë së
brendshme në realizimin e poezisë dhe në zbrazjen e energjisë së brendshme të
akumuluar nga shqetësimet që i krijon jeta. Kështu, në asnjë çast nuk e
mposhtin shqetësimet, por me këmbëngultësinë dhe besimin në vetvete i tejkalon
sfidat dhe synon ta kthej situatën në gëzim e hare. Ashtu siç është e hareshme
dhe plot besim në vetvete për të ardhmen e saj, edhe poezinë e udhëzon në drejtimin e të bukurës, të
gëzimit e lumturisë, pothuajse në çdo përmbyllje të saj, duke hequr dilemat se
autorja ka sens për jetë dhe art.
Stacioni i dytë: “Shikim që sfidon distancat”
Për asnjë çast nuk ndalon rrugëtimi
poetik në stacionin e parë, por kjo lëvizje shkon tutje vargjeve poetike të
pjesës tjetër të labirintheve poetike të shkruara me përkujdesjen e njëjtë dhe
me pasionin plot ndjesi dhe sensualitet femëror, deri në ngritjen e unit të saj
poetik me “Shikim që sfidon distancat” e hapsirës kaltroshe plot jetë e
dashuri gjithandej kah frymon jetë-dashuria plot sfida e vullnet të pasosur.
Kjo poezi me ndjeshmëri spontane, me shqetësim të natyrshëm, gjendje emocionale dhe përjetime e
kujtesa të ndryshme na shpjen nëpër shtigje të thyera të jetës, nëpër situata
emocionale dhe përjetime e kujtesa të
ndryshme. Në çdo varg e strofë, të mrekullon me fuqinë shprehëse dhe
magjinë e figurës, me paraqitjen e situatave poetikisht të ndërtuara, me
saktësinë dhe origjinalitetin e gjetjeve tematike, që përçojnë mesazhet tek
recepienti i saj.
Poezia e Alma Begajt nuk përshkohet vetëm me bukurinë e fjalës, me metaforën, me tingullin dhe ngjyrimin e
përshkrimit të pamjeve që mbesin në kujtesë, por pjesa më e qenësishme e poezisë së saj
shpërfaq pamjeve impresionuese, emocione dhe dëshira që mprehtësia e penës së
saj mund t’i prek dhe t’i përshkoj deri në esencë. Vargu konsonantik, metafora
dhe sinonimet e përdorura këtu si mjet ndërtimi dhe krijimi të poezisë në
përgjithësi paraqesin fuqishëm energjinë krijuese të vargut lirik.
Nuk mund të mendohet një përshkrim i
përgjithësuar i mbresave nga leximi i kësaj përmbledhjeje pa mos e veçuar
ndonjërën prej poezive, që përkojnë me këtë që u tha këtu dhe më gjerë, si: ”Muzika
e detit”, “Muzgu i verës”, “Lindje e pakujdesshme”, “Lakuriqësi”,
“Nënokes time”, “E di ti, që të dua dhe nuk të dua?”, “Vallëzim
në prush”, “Buzëqeshje e jetës”
e deri te “Kape çastin” e shumë të tjera, që ndërtojnë
figuracionin poetik të “Shikimit që sfidon distancat” gjithçka e
preokupon dhe e frymëzon muzën e saj krijuese. Alma Begaj, edhe kur prek tema
të jetës, të sfidave dhe përjetimeve të ndryshme, edhe kur i qaset motivit
përkushtues për emra dhe figura të veçuara,
gjithnjë vazhdon të prek pikën e qëllimit të fjalës, pa përshkruar
pamjet anësore të personazheve a figurave të caktuara. Aty takojmë shprehjen
shpirtërore të poetes, që nxjerr nga brendësia e saj gjithë vlerën dhe
dashurinë shpirtërore, mallin, dhimbjen a krenarinë që i përket virtyteve të
personazhit të poezisë së saj.
“Ai, gishtverdhë,
Ulur në qoshkën e përhershme,
Mbuluar me mjegullën e tymtë,
Kokë e këmbë,
Aromë nikotinë.
Vjen,
Hijerëndë,
Kërrusur,
I bardhë,
Me hap të menduar.
Kokën mbështes tek ti,
qetë…baba.”
( “Babait tim”, fq. 83)
Me këtë tematikë autorja ia del të
përmbledh edhe më ngusht e me pak fjalë
gjithë mendimin e saj, ku vetëm me tri vargje, paraqet bindshëm
dashurinë dhe besimin për të dashurit e saj, që i qëndrojnë udhërrëfim në jetë:
“Në Portën e Artë,/ Kapërceva ylberin,/ Mora bekimin e
Hyjneshës Nënë”.(“Porta e fjalës”, fq. 84).
Që në paraqitjen e saj në opinionin
artdashës u mirëprit nga lexuesi dhe kritika, duke u cilësuar si një zë poetik
i veçantë, me ndërtimin shumëdimensional
të temave dhe ngjarjeve të dëshmuara në çdo varg e strofë, ku spikat një
lirizëm spontan dhe figuracion i pasur, me një teknikë të zhdërvjellët të
përcjelljes së imazhit dhe të mesazheve të saj. Ajo e dëshmon në vazhdimësi
individualitetin e saj poetik, me krijimin e frymës lirike, të ëmbël e plotë
dashuri për njeriun e saj të portretuar në vargun poetik.
Uni krijues i Alma Begajt shpreh
lidhjet mes brendësisë shpirtërore të saj dhe botës që e rrethon, mes
përditshmërisë sonë, të ngarkuar me mall, shqetësim, vetmi dhe kërkime të
pareshtura në gjetjen e të bukurës në jetë. Këto karakteristika të shprehura në
poezinë e Almës vijnë si vizatime poetike të shprehura me spektrin e ngjyrave
dhe linjave, toneve dhe imazheve në të
dyja librat e saj.
Fenomenet e ndryshme natyrore, si: mjegullat, valët e trazuara të detit,
pastaj zogjtë në fluturim, pamje të anijeve mbi suprinën e detit, sikur
shprehin lodhjen e tyre nga udhtime të gjata e të mundimshme në skaje të botës,
etj. paraqesin peisazhe të qëndrueshme me plot befasi dhe mbresa të thella, që
në masë të madhe e ndihmojnë autoren për të portretizuar pamjen e ambientit me shqetësimet, me veset dhe traditat e këtij
mjedisi, deri në paraqitjen e besueshme të shkëlqimit të ditës së re plot diell
e jetë.
Alma Begaj me poezinë e saj shpalos
jetën në kërkim të vlerave më të pastëra
të qenies njerëzore, duke krijuar portretin e saj krijues, të shprehur
me elementet e të bukurës, për shpirtin e lirë dhe të dashuruar, për vlerat e
jetës, që ia vlen të sakrifikohet.
Përdorimi i metaforës dhe
simbolit, të ndërlidhura mes tyre i japin kuptim fjalës së shprehur në vargun e
Almës. Imagjinata e autores shtrin rrezatimin e saj krijues me thjeshtësinë e
të shkruarit pa ngarkuar vargun e saj lirik me elemente të tepruara
stilistikore dhe metrikë tradicionale. Çiltërsia e vargut që reflektohet në
pothuajse tërë opusin lirik i shton vlerat letrare dhe artistike të paraqitura
në dy përmbledhjet poetike dhe u jap fuqinë e ngritjes së vazhdueshme drejt
synimeve në hapësirat krijuese, rrugës së cilës tashmë i është çasur autorja.
Dy fjalë për Alma Begajn
Alma Begaj, lindur më 21.12.1968 në
qytetin e Beratit. Shkollën 8-vjeçare e mbaron në qytetin e Lushnjës, kurse të
mesmen artistike për muzikë në degën fagot në Fier. Studimet e larta në
Edukatës Qytetare i mbaron në Elbasan. Aktualisht punon në Shkollën e mesme
Kombëtare Sportive (unike) "Benardina Qerraxhia" në qytetin e
Durrësit, ku jeton dhe vepron.
Pas shumë publikimeve të poezive të
saj në faqe revistash e gazetash të vendit, në tetor 2011, i
Që të dyja këto përmbledhje që i
vijnë lexuesit potuajse në të njëjtën kohë, njëra pas tjetrës, janë kushtimisht
të një vazhdimësie poetike, ku lidhshmëria e temave dhe mënyra e komunikimit
poetik me lexuesin shkojnë paralelisht në të njëjtin hap, apo shprehur edhe më
bindshëm, në ndjekje hap pas hapi me prekjet dhe ndërtimin e vlerave
tematikisht të lidhura në zingjirin e fortë të përkushtimeve dhe ndërtimit
poetik.
Ky mbase edhe mund të jetë premtim
bindës se Alma Begajn dhe poezinë e saj do ta kemi përgjithmonë të pranishme në
letrat shqipe, me ndërtimin e vazhdueshëm të opusit të saj letrar.