| E merkure, 12.12.2012, 08:22 PM |
Një xhami me 80 dyqane?
Nga Enver Robelli
Bashkësia Islame e Kosovës ka
shpallur konkurs ndërkombëtar për projektin ideor të Xhamisë Qendrore të
Prishtinës. Ky është një vendim i mirë. Por edhe më mirë do të ishte sikur
procesi të drejtohej nga një juri profesionale dhe e besueshme, të ishte
transparent dhe krerët fetarë të ishin seriozë. Myftiu Naim Tërnava po kërkon
që në kuadër të xhamisë të jenë 80 dyqane, mbi 900 vende për parkim veturash
dhe një banesë prej së paku 120 metrash katrorë. Kjo përpjekje e Tërnavës për
allishverish në emër të Allahut duhet të ndërpritet menjëherë. Besimtarët duhet
të kenë një xhami që meriton këtë emër, jo një lloj “Albi Mall” me minare!
Pothuaj pa u vërejtur nga publiku dhe pa ndonjë bujë a debat në shtyp e televizione Bashkësia Islame e Kosovës ka shpallur konkurs ndërkombëtar për projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Guri themeltar i xhamisë është vendosur dhe disa besimtarë entuziastë kanë shpërndarë nëpër internet edhe fotografi të një xhamie me plot minare, ndonëse projekti nuk ekziston ende, por as mjetet financiare për ndërtimin e objektit fetar nuk janë siguruar. Parimisht është punë e mençur që të shpallet konkurs ndërkombëtar për një projekt, i cili do të zërë një vend prominent në kryeqytetin e Kosovës. Mes shumë të zezave, me të cilat Kosova dallohet nga vendet e tjera evropiane është edhe mungesa e planifikimit hapësinor, kaosi urban, ndërtimet pa asnjë kriter, me një fjalë: Prishtina dhe shumë qytete të vendit vuajnë nga betonimi i përgjithshëm, i cili pastaj reflektohet edhe në betonimin e mendjeve. Të mos flasim për fshatrat: atje nocioni planifikim hapësinor as nuk njihet, andaj ndërtohet në fusha e ara, në vendet më pjellore, buzë rruge, ku përherë ekziston rreziku për fëmijët e vegjël dhe ku zhurma e trafikut është e garantuar. Kur sheh me vite të tëra gjëra të tilla në Kosovë dhe kur të pushojnë sytë gjatë qëndrimit në vendet e tjera, siç janë Gjermania, Zvicra, Kroacia, Spanja, atëherë të vjen të pyesësh: a jeni në vete njerëz të Kosovës, politikanë, zyrtarë komunash, shefa gjeodezie e urbanizimi? Çfarë i keni bërë e çfarë po i bëni këtij vendi? Si dhe pse po e shkatërroni kështu? Në dekadat e shekujt e ardhshëm gjenerata të tjera do të paguajnë një çmim të lartë për këtë “turbobofolk-arkitekturë”.
Pa arkitektë
Si çdo objekt publik, edhe
ngrehinat fetare është mirë t’i përshtaten kontekstit urban dhe shoqëror, të
tregojnë diçka për të kaluarën e vendit dhe të fesë, por edhe të pasqyrojnë sa
më bindshëm funksionin e tyre të vërtetë. Dhe më e rëndësishmja: kjo punë duhet
t’u lihet në dorë profesionistëve, në këtë rast arkitektëve. Është krejt në
rregull që Prishtina të ketë Katedrale për besimtarët katolikë, por duhet të
lejohet së paku kjo pyetje: a është ky ndërtim që shohim i përshtatshëm dhe në
harmoni me ambientin përreth? Muaj më parë arkitekti nga Zagrebi Lulzim Kabashi
në faqet e “Kohës Ditore” kishte thënë shkurt e shqip se Katedralja “për fat të
keq nuk është duke u ndërtuar sipas modelit profesional”.
Kjo bën vaki te ne për shkak se nuk jemi mësuar, nuk duam të mësohemi dhe nuk jemi të gatshëm që gjërat me interes publik t’i diskutojmë hapur, në mënyrë kontroverse dhe kështu të nxjerrim rezultatin më të mirë. A nuk do të kishte qenë më mirë që Katedralja të ishte projektuar nga një arkitekt me famë botërore dhe pastaj t’i bënte kureshtarë edhe kritikët e arkitekturës në gazetat e revistat e njohura ndërkombëtare? Kështu, pa shumë mundim, do t’i bëhej reklamë edhe shtetit të ri kosovar, vlerave të shoqërisë, pasurisë fetare. A e dimë kush është arkitekt i Katedrales së Prishtinës? Ja çfarë shkruan në prezantimin në internet të katedrales: “Ipeshkvia bëri kontaktet e para me disa arkitekt(ë) universitarë në Romë, të njohur si projektues të bazilikave dhe katedraleve nëpër Itali. Shumë shpejt, pikërisht më 19 maj 2003 u nënshkrua marrëveshja mes arkitektëve të Shoqatës së Arkitektëve të Romës dhe Ipeshkvisë që të punojnë projektin e Katedrales dhe u vendos që ajo të projektohet në stilin neo-romanik”. Thënë më së buti, këtu kemi të bëjmë me një projekt jotransparent: nuk ka pasur konkurs, as nuk dihen emrat e arkitektëve.
Lista e kërkesave
Për fat të keq shenjat e para
tregojnë se konkursi i Bashkësisë Islame të Kosovës është shpallur sa për sy e
faqe. Edhe këtu mungon transparenca. Duket se sërish do të humbet një shans për
të ndërtuar një xhami, e cila nuk është imitim i ndonjë arkitekture bizare të
shkretëtirave dhe jashtë kontekstit historik të shoqërisë shqiptare të Kosovës.
Konkursi është shpallur më 10 dhjetor, data e dorëzimit të projekteve ideore
është 8 marsi 2013, ndërsa më 25 mars bëhet publik fituesi. Për projektin që zë
vendin e parë janë ndarë 25 mijë euro shpërblim, të dytit i takojnë 15 mijë
euro dhe të tretit 10 mijë euro. Për aq sa shihet në dokumentet e publikuara,
përbërja e jurisë nuk është e njohur për opinionin. A është Kryesia e
Bashkësisë Islame edhe juri? Kjo do të ishte joserioze, sepse një jurie të
tillë do t’i mungonte kompetenca profesionale për të vlerësuar projektin?
Normale do të ishte që në kuadër të jurisë të kishte teologë islamë, por edhe
arkitektë, ekspertë urbanizmi dhe vendimmarrës të administratës komunale.
Gjithashtu do të duhej të garantohej pavarësia e jurisë, në mënyrë që ajo të
jetë e lirë për të vendosur për projektin më të mirë.
Në një letër përcjellëse mbi hapësirën e xhamisë dhe dizajnimin arkitektonik Kryesia e Bashkësisë Islame me në krye shefin e saj Naim Tërnava ka parashtruar një sërë kërkesash ndaj arkitektëve që mendojnë të konkurrojnë me projekte. Këto kërkesa janë aq absurde, aq qesharake dhe aq perfide, saqë e bëjnë konkursin të pakuptimtë. Myftiu Naim Tërnava dhe shokët e tij kërkojnë që krahas hapësirave për lutje (për 3800 meshkuj dhe 3600 femra) xhamia e re të ketë në njërin kat “50-60 dyqane” në një hapësirë prej 2200 metrash katrorë. Në katin tjetër parashihet të jenë “15-20 dyqane” (700 metra katrorë). Pa e zgjatur shumë duhet shtruar pyetjen: a dëshiron Naim Tërnava të ndërtojë objekt fetar apo qendër tregtare, një lloj “Albi Mall” me minare? A është Tërnava udhëheqës fetar apo vetëm një tyxhar që keqpërdor fenë për qëllimet e tij parapolitike dhe biznesore? Pse tolerohet një gjë e tillë nga krerët e tjerë të Bashkësisë Islame, pse nuk protestojnë besimtarët, pse heshtin përgjegjësit politikë? Athua çka do të shitet në këto 80 dyqane sa parashihet të hapen në këtë xhami? Do të ishte normale sikur brenda xhamisë të hapeshin dy-tre dyqane të vogla për të shitur gjërat më të nevojshme për besimtarë: tespihe dhe ujë për ata që i merr etja, gazeta dhe literaturë fetare.
Shembuj të tjerë
Një kërkesë tjetër megalomane
është që në kuadër të xhamisë të jenë tri garazhe me hiç më pak se 920 vende
për parkimin e veturave. Kërkesa tjetër: një banesë prej 120 metrash katrorë
për imamin! Pastaj një kuzhinë me restorant për “150 deri 200 veta” dhe një
çerdhe për 60 fëmijë. Ky është një absurditet i pafundmë! Edhe njëherë: a po
synohet të hapet xhami ku besimtarët luten në qetësi apo po planifikohet një
pazar me mallra nga më të ndryshmet?
Me këto kërkesa myftiu
Tërnava dhe Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë treguar se nuk
përfaqësojnë besimtarët, por vetëm interesat e tyre jofetare. Kur të shohin
kushtet që ka vënë Tërnava për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë arkitektët do
të shqyhen së qeshuri, do të tundin kokën para kësaj liste absurde, e cila nuk
ka të bëjë asgjë me fenë, kjo listë në të vërtetë e fyen rëndë edhe vetë idenë
e besimit, është tallje me Zot e me Profet.
Ka shembuj të tjerë. Qe një:
një bujk në fshatin Wachendorf në trevën kodrinore
Qendra për trushpëlarje
Është momenti i fundit që
vetë besimtarët myslimanë të mendojnë për ndërprerjen e synimeve aq qesharake
dhe poshtëruese të myftiut Tërnava, i cili prej vitesh brenda Bashkësisë Islame
sundon në mënyrë autoritare dhe duke pezulluar çdokund ku mundet vendimmarrjen
demokratike. Për këtë mjafton të shikohet edhe mënyra se si ai në këshillat e
Bashkësisë Islame nëpër komunat e Kosovës imponon shërbëtorët e tij dhe kështu
blen përkrahjen prej tyre. Gjatë udhëheqjes së Bashkësisë Islame nga ana e
Tërnavës jo pak xhami janë shndërruar në qendra për trushpëlarje, është rritur
ndikimi i ekstremistëve, është shtuar gjuha e urrejtjes ndaj kritikëve, të
cilët kanë demaskuar rrenën se femra duhet të mbulohet me shami, ndonëse diçka
e tillë nuk thuhet shprehimisht në Kuran. Ndaj këtyre lojërave të rrezikshme të
teologëve të papërgjegjshëm politikanët e Kosovës kanë qëndruar indiferentë ose
edhe më keq: kanë toleruar shumë devijime me shpresën se kështu do të sigurojnë
mbështetjen e imamëve dhe të xhematit në zgjedhje parlamentare dhe lokale. Në
opinionin tonë publik disa teologë manipulues shprehin mirëkuptim për të
drejtën fetare islamike (sheriati), e cila në shumë çështje përfaqëson ide
paramoderne dhe të papërputhshme me demokracinë dhe shtetin e sundimit të
ligjit. Në opinionin tonë lavdërohet presidenti i ri i Egjiptit Muhamed Mursi,
ndonëse ai aktualisht është duke e shndërruar këtë vend arab në një diktaturë
fetaro-politike dhe i cili nuk u flet femrave për dore (këtë e përjetoi edhe
ministrja e jashtme amerikane Hillary Clinton gjatë vizitës në Kajro, me ç’rast
kryetari Mursi nuk ia dha dorën asaj).
Kosovës si vend që synon
integrimin në Bashkimin Evropian, i cili është një hapësirë bashkëjetese e
etnive dhe feve të ndryshme, nuk i duhen liderë fetarë si Naim Tërnava. Kosovës
nuk i duhet një xhami siç po e ëndërron Tërnava, por një vend lutjesh që e
meriton këtë emër.
PS. Autori i këtij teksti me dëshirë do t’ia kishte parashtruar disa pyetje zëdhënësit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, në lidhje me projektin e xhamisë së re, por ai të hënën nuk e pa të arsyeshme të përgjigjej as në telefon, as në mesazh (SMS).