| E merkure, 12.12.2012, 08:00 PM |
A DO TË JETË PD NJË OPOZITË
BLLOKUESE?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Pyetjen e shtruar më lart - a
do të jetë PD një opozitë bllokuese - dikush mund ta quajë të parakohshme,
ndoshta dhe të pavend. Ndoshta për mendësinë tonë të sotme ende të prapambetur
kështu edhe mund të duket.
Në fakt, ndaj një partie apo
faktori tjetër në pushtet, aq më tepër - tetë vjet në pushtet, pyetja më e
natyrshme do të ishte rreth sjelljes së saj pas kalimit në opozitë. Kësisoj,
ndërsa fushata zgjedhore është hapur tashmë nga partia në pushtet, madje
slloganet u shpalosën në festën e 22 vjetorit të themelimit të saj në Pallatin
e Kongreseve - Tiranë, pyetja më e pashmangshme është se çfarë opozite do të
bëjë PD, nëse - do Zot (për disa), apo - ruajna Zot (për disa të tjerë) kjo
parti do të jetë në opozitë.
Sllogani i PD rreth gjashtë
muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 është "Të shembim murin e
bllokimit!". Meqë kjo parti mëton se i ka shembur të gjitha muret e tjera,
i fton shqiptarët që ajo të shembë edhe murin e fundit, pra, i fton të jenë
pjesë e një zijafeti tjetër, një fitoreje tjetër, një triumfi tjetër që kjo
parti do ta arrijë - sipas saj- jo aq për vete sa për qytetarët.
PD lindi si parti opozitare -
këtë gjë i pëlqen edhe asaj ta nxjerrë në pah, si fakt historik, si domethënie
historike. Pas një qëndrimi në pushtet, nga 9 janari 1997 deri më 20 shtator
2005, gati nëntë vjet, do të mbetej në opozitë. Nëse më 23 qershor apo -
patjetër - në një datë të mëvonshme do të largohej përsëri nga pushteti, kjo do
të ishte opozita e tretë e saj.
Menjëherë pas themelimit, PD
bëri një opozitë me synim rrëzimin e PPSH dhe ardhjen e saj në pushtet.
Opozitën e bëri me demonstrata, me greva, me bashkëpunime të saj me PPSH në
Parlament (pas 31 marsit 1991) dhe në Qeveri (Qeveria e Stabilitetit). Rrëzimin
e saj më 1992, PSSH e kapitalizoi si precedent dhe, në kontekstin e skemave
piramidale, e rrëzoi PDnë.
PD kaloi dhunshëm në opozitë.
Dhe bëri një opozitarizëm me bllokime, me bojkotime, me demonstrata, protesta,
greva, si dhe heraherës me bashkëpunime nëpërmjet Parlamentit dhe nëpërmjet
tryezave partiake. Këtë opozitarizëm ia shpërbleu PS sapo u largua nga
pushteti, duke u përpjekur të përdorë të gjitha precedentet e krijuara nga PD
gjatë opozitës së saj të dytë.
Një parti serioze, nëse PD e
mendon veten të tillë, krahas projektit të fitores, do ta kishte të domosdoshme
edhe një projekt rezervë - të humbjes. Pas një qëndrimi tetë vjet në pushtet,
natyrshëm, më e pritshme do të ishte një humbje se një fitore. Pra, kalimi në
opozitë nuk do të ketë pse ta gjejë në befasi PDnë. Dhe doemos të parashikojë
se çfarë do të bëjë me veten e çfarë do të bëjë me kundërshtarët.
Këtu lind pyetja: A do të
jetë PD një opozitë bllokuese? Ose: A do të jetë PD pjesë e një opozite
bllokuese? Më tej: I kërkohet apo nuk i kërkohet, a do t'i votojë PD të gjitha
ligjet e kërkuara për integrim të Shqipërisë në BE? A do t'i votojë ato
menjëherë e pa asnjë ngurim, pa asnjë vonesë?
Kjo pyetje nuk mund t'i
shtrohet LSIsë. Sepse LSInë, realisht, në çdo konfigurim të ardhshëm (pas 23
qershorit 2013) të pushtetit në Shqipëri, unë e shikoj pjesë të koalicionit
qeveritar. Kështu edhe e përjeton veten kjo parti. Dhe, në këtë frymë, po i kritikon
hapur partnerët në Qeveri, si dhe partnerët në Parlament, për një politikë
konfliktuoze 22 vjeçare, fajtore për bllokimin e proceseve demokratike dhe
integruese të Shqipërisë.
Në PD, ndoshta edhe më shumë
se në PS, është ngulitur mendësia se të kryesh bashkëfajësi nuk është e
dënueshme, madje është e shpërblyeshme. LSI duket se nuk e pranon këtë mendësi,
të paktën e stigmatizon nga pikëpamja retorike.
PD, duke i pasur në horizont,
zgjedhjet e 23 qershorit, më shumë do të ishte e interesuar të dalë një opozitë
e qenësishme se të jetë thjesht një pjesë e asaj opozite. Prandaj, duke hequr
dorë sadopak nga demagogjia e ngritur prej saj në sistem sidomos këto tetë
vite, do të ishte më mirë për të që të shpalosej para elektoratit si opozitë e
mundshme në mandatin e ardhshëm.
Në këtë mënyrë, PD do t'ia
lejonte vetes mundësinë të shpaloste se do të bëjë një opozitë në përputhje dhe
pajtim me stadet më të larta të demokracisë bashkëkohore, se nuk do të
përsërisë gabimet, fajet, gafat e bëra në dëm të votuesve të saj, në dëm të
Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Do t'ia lejonte vetes mundësinë të shpaloste se
nuk do të përdorë si kapital asnjë nga precedentet e krijuara nga opozita gjatë
këtyre tetë viteve.