| E merkure, 05.12.2012, 07:16 PM |
IBRAHIM RUGOVA
Nga Frank Shkreli
Kohët e fundit, politikanë, akademikë dhe disa nga ata që
konsiderohen si ''mendjet më të ndritura''
të kombit shqiptar debatojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare
mbi ''meritat'' e Enver Hoxhës dhe të Ahmet Zogut, si dhe mbi rolin e tyre në
historinë kombëtare, duke ngulur këmbë
se nëqoftse flitet për meritat e njërit duhet të flasim edhe meritat e të
tjetrit. Vazhdim ndasishë e përçarjesh!
Seriozisht, nëqoftse me ketë
diskurs politik e shoqëror fillohet shekulli i ri ishqiptarëve, , atëherë Zot na ruaj prej së keqës, si individ dhe si
komb!
Unë si njeri i thjeshtë - preferoj që në 100-vjetorin e
Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, të kujtoj dhe të
flas për një njeri që me të vërtetë ka merita,
Presidentin e parë historik të Dardanisë antike, Dr. Ibrahim Rugovën,
prijësin e madh të kombit shqiptar - për kontributet e tija dhe rolin që ai ka
luajtur në historinë moderne kombëtare.
Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe themeluesi i diplomacisë së
Kosovës, filloi veprimtarinë e tij diplomatike në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës që në vitin 1989, me qëllim që të siguronte përkrahje nga ky
vend për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës dardane. Ai nuk mburrej me retorikë boshe, siç thotë
më poshtë edhe ish-kryeministri britanik
Toni Blerpor, por kishte vizione të qarta për një të ardhëme më të mirë për
kombin e vet. Që në fillim, ai u vu në
krye të lëvizjes për pavarësi duke thënë se “zgjidhja më e mirë është Kosova e
pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë nën një administrim civil
ndërkombëtar, si fazë kalimtare”. Ashtu
edhe ndodhi. Ai gjithashtu ç'prej
fillimit, kishte deklaruar ''miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe
popullit amerikan’’, pasi ishte i betuar që të bënte aq sa kishte mundësi për
rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar në
përgjithësi, për të zënë vendin ku i takon dhe ku e ka caktuar vet i Madhi Zot,
dmth, në radhën e kombeve të përparuara përendimore.
Ai besonte në miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara, si
një mjet që do të çonte kombin shqiptar drejtë integrimit me botën
perëndimore. Sa ishte gjallë, ai
udhëhoqi popullin e vet gjatë një periudhe jashtzakonisht të vështirë, gjë që e
bëri atë simbol krenarie në radhët e bashkatdhetarëve të tij - mbrenda dhe
jashtë trojeve shqiptare - për
veprimtarinë patriotike si edhe të njohur anë e mbanë botës për diplomacinë e
tij shumë vjeçare, vajtje-ardhje, ndërkohë që vizitonte Washingtonin dhe
kryeqytetet evropiane për të takuar udhëheqsit më të lartë të botës
përendimore. Këjo në përpjekje për të
çliruar popullin e vet nga zgjedha serbe dhe për të realizuar ëndrrën e
përbashkët të të gjithë shqiptarëve: Pavarësinë e
Kosovës. Këjo ndërmarrje ose aktivitet
diplomatik nga ana e tij, nuk ishte aspak më i vogël se sa përpjekjet e
rilindasve të cilët shpallën Pavarësinë Kombëtare me 28 Nëntor, 1912 në Vlorë.
Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare me të drejtë u
theksua nga udhëheqsit shqiptarë dhe të tjerë, se gjatë gjithë historisë së
tij, kombi shqiptar i ka dhënë botës figura të mëdha me të cilat krenohet i mbarë kombi. Në këtë 100-vjetor dhe në 68-vjetorin e
lindjes së tij, shqiptarët kudo duhet të jenë krenarë për meritat e Presidentit
Rugova dhe veprimtarinë e tij drejtë çlirimit dhe pavarësisë, pasi pa
Pavarësinë e Kosovës, për realizimin e
së cilës ai dha një kontribut historik, pavarësia e Shqipërisë do të ishte
gjysmake. Si figura kyçe e pavarësisë së Kosovës dhe si
njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit
shqiptar, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës, përfshirë edhe figurat më të dalluara të politikës
amerikane.
Kur ndërroi jetë Presidenti Ibrahim Rugova, presidenti
amerikan në detyrë, republikani Xhorxh Bush e kujtoi udhëheqsin shqiptar duke
thënë se, "Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën
një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të
gjithë botës për qëndrimet e tija kundër dhunës.'' Presidenti
tjetër amerikan, demokrati Bill Klinton, statuja e të cilit hijeshon sot
e përgjithmonë Prishtinën, dhe i cili
kishte takuar shpesh ish-udhëheqsin e
Kosovës, ka thënë se ''nuk kishte avokat më të mirë që të
shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tija'', se sa
Presidenti Ibrahim Rugova.
Ndërsa ish-kryeminsitri britanik, Toni Bler, duke
kujtuar takimin e tij me Presidentin
Rugova në fund të vititit 1998, i tha parlamentit të Kosovës në Korrik të
2010-ës se Presidenti Rugova “ishte i qetë, një njeri shumë modest….Ai më tha
të vërtetën për Kosovën. Për vuajtjet e
popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte (për fatin e shqiptarëve të
Kosovës) si dhe për obligimin e botës
për të ndërhyrë. Ai nuk bërtiste dhe nuk
u përpoq të më bindë me sllogane ose me
gjeste ekstravagante. Ai foli me një zë
të ulët por me sinqeritetin më të madh… duke më kërkuar ndihmë për popullin e
vet….Unë i thashë Britania e Madhe do të
ndihmojë. Unë ia dhashë atij ‘’Besën’’, dhe besën ia mbajta’’ tha Zoti Bler.
Ibrahim Rugova ishte një përfaqsues ndryshe, i cili i
bindur dhe i vendosur për rrugën që duhej ndjekur dhe për objektivin që duhej
të realizonin shqiptarët e Kosovës, si pjesë e pa ndarë e kombit shqiptar, me
personalitetin e tij të urtë dhe plot durim, i shpjegoi një bote skeptike
përdhunimet dhe padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar. Ai e tregoi veten si një avokat i
palodhëshëm i forcimit të lidhjeve natyrale të kombit shqiptar me Perëndimin, e
sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë festimeve me rastin e 100-vjetorit, me të drejtë u
fol për rolin që Amerika ka luajtur në konsolidimin e pavarësisë si edhe për miqësinë që ekziston midis popullit amerikan dhe
shqiptarëve. Udhëheqsit shqiptarë shprehën mirënjohjen ndaj përkrahjes
amerikane për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe për
çlirimin e Kosovës, që më në fund çoi
në pavarësinë që gëzon sot Kosova, por edhe për rolin në konsolidimin e demokracisë në
Shqipëri dhe në Kosovë, këto 20 vitet e fundit. Ibrahim Rugova ishte njëri ndër arkitektët,
e pse të mos themi krye-arkitekti modern i këtyre marrëdhënjeve. Atëherë,
nëqoftse në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, marrëdhënjet
amerikano-shqiptare janë të rëndësishme, ashtu siç mendojnë shumë vërejtës të
mbrendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e kredisë për zhvillimin e mirë të këtyre
marrëdhënjeve gjatë njëzet e sa vjetëve të fundit, duhet t'i shkojë Presidentit
Rugova.
Kur Ibrahim Rugova bënte thirrje për ''Miqësi të
përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës'' dhe kur ai përfundonte çdo
fjalim me thënjen ''God Bless America'', ''Zoti e Bekoftë Amerikën'', shumë nga kritikët e tij atëherë dhe sot nuk
e kishin kuptuar rëndësinë afatgjatë të
mesazhit të Ibrahim Rugovës, për marrëdhënjet e ngushta amerikano-shqiptare.
Merita tjetër që i
duhet njohur Ibrahim Rugovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare është
se ai besonte se kombi shqiptar duhet të ndërtojë bazën e ekzistencës së tij
mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të cilët
100-vjetë më parë, shpallën pavarësinë kombëtare, dhe jo mbi një trashëgimi regjimesh e përfaqsuesish të idelogjive të
huaja, sllavo-aziatike. Ai ishte
udhëheqsi i parë shqiptar ç’prej rilindasve, që më në fund i këtheu sytë e
mendjen nga Perendimi – dhe jo drejtë Moskës, Beogradit, Athinës ose Pekinit –
nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë.
Me një kulturë dhe qytetërim njerëzor plotë urtësi, të
bazuar në traditat dhe vlerat më të mira të fisit të Arbërit, si dhe në vlerat
humane të njerëzimit, Ibrahim Rugova
ishte i palëkundur në qëndrimin e tij, siç ishte dhe shumica e rilindasve, se e
ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë në integrimin e tyre në radhët e kombeve të
përparuara të Perëndimit. Për këto dhe
shumë merita të tjera pra, duhet që me krenari të përkujtojmë Presidentin e
parë të Kosovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare dhe në 68-vjetorin e
lindjes së tij.