| E hene, 03.12.2012, 08:22 PM |
Sabit RRUSTEMI
NË FYTYRËN E NJË GJETHI
Shtëpia Botuese
BEQIR MUSLIU
Biblioteka “ORFEIANA”
Redaktor
Nexhar REXHA
Recensentë
Prend BUZHALA
Xhevat LATIFI
Piktura në ballinë
E Gjelosh GJOKAJT
Kopertinën e realizoi
Sabit RRUSTEMI
NË FYTYRËN E NJË GJETHI
Shtëpia Botuese
BEQIR MUSLIU
2012
Me rastin e 35 vjetorit të krijimtarisë sime letrare që koincidoi me 100 Vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
( ditar poetik mes dy nëntorësh )
NJË DOLLI E FLAMURT
Po të ishte në këtë jetë Ramadani i Fazës
sot do të shkoja në Llashticë
për ta ngritur një dolli të flamurt
për Njëzetetetë Nëntor
aty në fund të katundit
tek ai plep i vjetër me kokën në qiell
ku në të gjashtëdhjetetetën
Ai Vetë
e ngriti për diell
S'do ta pyesja çka i tha ky Dinës
fqinjit të tij
a Dina këtij
as për fjalën që s'e mbajti ai derëzi
as për ato tri ditë roje
me pushkën e gjatë nën pallto
se mos po ia prek kush
atë shenjë të shenjtë të gjakut
As për atë rrugë
herë në këmbë e herë mbi kalë
deri në Gjakovë, te Çarshia e Vjetër
ku e mori atë copë zemër
Jo
as për të tetëdhjetenjëshin s'do t'i thosha gjë
kur një pushtetari ia mori dorën e i tha
bëma për hair Kosovën Republikë
Dhe atë kuti duhani kur ia zgjati gjykatësit
dhe i mbajti plus edhe tridhjetë ditë
aty skaj qendrës së Gjilanit në flladinë
se ajo Kosova Republikë e gravuar
shkëlqeu në tavolinën e tij…
Nuk do ta trazoja
as me ato një mal të bëmat
nëpër dasma morte e mbledhime
ku gjuha e tij
nxirrte sall kushtrime
Po
vetëm do ta përgëzoja
për një fjali
Ah, ç'e madhe ish ajo fjali
kur varrosi djalin e tij
të vetmin djalë
që i shkrumbuar
iu kthye nga ai mërgim i zi
në fundin e një shekulli që iku
bashkë me atë robëri
Burra ma bëni hallall
e zoti ua pagoftë këtë ditë
e timen dhimbtë
me Kosovën Republikë
në Një Shqipëri
Po ai tashmë ka ndërruar shtëpi
është futur thellë
në dheun e të lashtës Dardani
(pak pas të Shenjtit Ibrahim)
prehet në paqe e në amshim
E unë
unë po kënaqem sot
vetëm me bëmat e tij
që u bënë më shumë se histori
(28 Nëntor, 2011)
SHERRI I ASAJ ËNDRRE
(Poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)
Nuk është më në qendër a te Grandi
besa as te Qafa aty te këndi
kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
e ka braktisur dhe atë lagje poeti
thonë se ka ndrequr diku një shpi për veti
mos e pritni as sonte shkoi në gjeti
nuk besoj ta ketë harruar adresën
symbyllas e di ku e ka të hapur derën
Sekush e kish parë duke puthur qytetin
një pano me ëndrra që nuk tresin
pak pa u nisur udhës përtej Drini
e kish fshehur flokësh një gocë Dukagjini
prej burrave të çartur Çiçavicës
mos të hyjë në atë këngë të Drenicës
i ri për plumb i vonë për mbret
sherri i asaj ëndrre u bë poet
Sa vargje nxori sa gota shtjerri
kohën kohë qysh deshi e bjerri
kur ju tek të pështyjë e pështyu
ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
ashtu si ishte krejt pa kërrname
vdekjen sa herë e veshi në pizhame
pesë pare nuk i dha për grada
as kur mali u mbush martina
Gjeti prejardhjen e dashurisë
kur rrënoi muret e vetmisë
muzë iu bënë engjëjt e lirisë
në çdo cep të Dardanisë
vargu i mbiu iu bë vepër
për të gëzuar një kohë tjetër
duke kaluar një mal mynxyra
për t'i qeshur përherë fytyra
Tahir Desku po të më dëgjojë
s’ka për të zënë kurrë në thua
as gjeth të vdekjes s’ka për të kërkuar
sall me lule ka për t’u mbuluar
se ashtu vetë ka dëshiruar
një jetë të tërë ai ka kënduar
për atë ëndërr që ka ëndërruar
ta shuajë etjen tek ai krua
(13 dhjetor, 2011)
NATA VJEN
Nata vjen
me dhimbjet që solli dita
plagëve që s'i fshehu bora
Zjarrmia përflaku shtëpinë
e jashtë
acari ngrin gjuhën
atë gur mulliri
Çakalli shurdhon ofshamat
vajin e heshtur të nënave
E dashur
fshimi djersët e ftohta të ballit
britmat që pëlcasin
damarëve të zemrës
Në këtë shtëpi
as qeni s'e njeh ma të zonë
shihe si lehë në re
Me bishtin mbi shpinë
lamë e bëri Dardaninë
(14 janar, 2012)
RAPORT I DATËS 17 KALLNOR 1982
Vetëm një OH!
iu përvodh buzëve
kur plumbat e shqyen brinjëve
Me duar kapi dhimbjet
kafshoi gjëmat
Buzëve
si copëza dheu
i rrëshqitën fjalët
amanet
"Shqiptar në qoftë
mos u zbuloftë"
Një korb UDB-je
tek rrihte flatrat nëpër të ftohtë
ra ngordhur
Ajo lutje atdhedashurie
si plumb e shitoi
(17 janar, 2012)
PO TË MOS ISHIM NE
O Zot i Madh
që mund të jesh në thellësitë
e pashkelura të Çepurit tim
në shtresat e paprekura
dhe të këtij shpirti që lutet
Kursena nga ata
që s'duan
s’dinë
e s'dëgjojnë
Kursena Ti
që thonë se je kudo
dhe na falë neve
kur as gjakun tonë s'e kursejmë
Zot i Madh
që ndjehesh e s’shihesh
edhe po të na falësh
sërish do të gabojmë
për falje të re sërish do lutemi
(15 janar, 2012)
ME DASHURI BEKONA
Nuk ka fjalë
varg a vargmal
që përmbledh
tënden madhështi
Udhërrëfyes i të shenjtës Dardani
zotërove një mal zjarresh
përmes gjuhës urti
na ushqeve me shpresë
na mbrume me dashuri
dhe me nga një bekim
që e thure ashtu si dite
vetëm ti
Për vrimë gjilpëre
na nxore
nga shekulli robëri
Botës që na kish harruar
i the me aq thjeshtësi
e qetësi
zmbrapsi këto re
që kanë mbuluar
timen shtëpi
të të shohim në sy
se mall kemi për ty
Në gisht i solle
si deshe ti
Në këtë shtëpi
hyri më në fund
shekulli liri
përmes vizionit tënd
Zemrës së shenjtë
të së lashtës Dardani
Ti je kudo
aty ku jemi ne
lutesh dhe tash
për një uratë të re
paqja të mbretërojë mbi dhe
me ne e në ne
Ashtu si deshe ti
ashtu si duam ne
O Shën Dardani i Ri
përndrite këtë Iliri
me një mal diejsh
nga jotja thellësi
qiejve pakufi
Me Kosovën e Re
gëzona
kudo që jemi
mëkatesh na fal
me dashuri
bekona
(20 janar, 2012, mbrëmje vonë)
ZJARRMI DIMRI
Me një fije shkrepëse
më ndeze
me një fjalë goje
përmes një majeplumbi
A jashtë më ke rrethuar
të tëra shtigjet m'i ke mbyllur
përmes një dimri me borë
Qysh të dal tash prej kësaj tymnaje
prej kësaj zjarrmie
që më dogji flakë
Veç të bëhem Oso Kukë
a Mic Sokol
të shkundem teshash
e të dal
ashtu si ai zot më ka falur
Të eci zbathur
prej këtu e në majë
e të të them
kështu s'bën
Brenda të më kallësh
e jashtë vend të mos më lësh
Unë edhe këtë e bëj...
(22 janar, 2012)
DERDHET JANARI
Derdhet janari
ky qiell i ëndrrave të mia
në lot prej bore
hapësirave me plagë
relieveve të gjeografisë sime
Derdhet e ngrihet
përzjarret e shkrihet
mbush liqenet e shafitur kujtesave
Për këta zogj
që rrahin flatrat në ajër
për këto mjellma
që shtrydhin e ndrydhin
petkat e zeza
me dhimbje janari
Ky qiell
ç'vezullon
përmes syve kristal
Si borë si shi
si liri
fushave të mia zemërmal
(25 janar, 2012)