| E hene, 03.12.2012, 08:44 PM |
Një
monografi gjithëpërfshirëse për Gjilanin
me rrethinë...
“Askush s’e do vendlindjen pse është e madhe, por pse e ka vendlindje”, tha dr. Mehmet Halimi, redaktor i monografisë së Gjilanit.
Nga Tefik Selimi
As një
vend e popull nuk mund të identifikohet pa ndonjë dokument të shkruar. Kjo
është fakt. Pse jo? Libri është dokument për një qytet apo vendbamim të një
populli. Është “letërnjoftimi” i parë i atij vendi apo rrethine. Dhe, kur
identifikohet ai qytet apo ai vend, sikur njeriu i ka të gjitha të dhënat
shkencore: traditat e popullit, historia e tij, gjeografia, arsimimi, kultura e
të gjitha fushat tjera në rrafshin historiografik e kombëtar. Pa këtë
“biografi” të parë, askush nuk do të dinte për qytetin, të kaluarën e popullit,
të cilat të dhëna flasin qartë e lehtë për atë vend e atë popull. E, Gjilani, mu në vigjilje të festës
kombëtare, 100-vjetorit të Pavarësisë, e përuroi monografinë me titull:
“Gjilani me rrethinë”, që ëshë një libër i punuar prej një grup autorësh e
specialistësh të zgjedhur të shumë fushave të dijes e të punës. Përurimi i
kësaj monografije ishte madhështor. Ky solemnitet u organizua në KK të
Gjilanit, ku u bë prezentimi i ekzemplarëve të parë të kësaj biografie të
Gjilanit me rrethinë, në prani të shumë historianëve, njerëzve të jetës
publike, autorë dhe artdashës të tjerë të librit monografik. Mr. Tahir Arifi,
profesor dhe studjues, tha se, sot është festa e qytetit, Gjilanit, e cila festë lidhet jo vetëm me Nëntorin e madh
Shqiptar, por edhe me përurimin e monografisë së këtij qyteti. “E ndjej vetën
shumë të privilegjuar që po filloj “diskutimin” për këtë përurim të monografisë
“Gjilani me rrethinë”, të cilën e quaj “biografi” historike dhe e plotë të
Gjilanit me rrethinë. Është një punë e kurërorëzuar me sukses”. Pastaj, fjalën
e mori i pari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili tha se, ishte ideja jonë për
një “ngjarje” të rëndësishme dhe përkushtuese trivjeçaare, e cila punë, sot e
pa dritën e botimit. “Kjo punë e frytshme u bë nga disa “ekspertë” të fushave
të dijes, si: ekonomia, historia, kultura, sporti, shëndetësia, gjeografia,
zejtaria, arkeologjia, arkitektura, e të
tjera, që, për mua, kjo është një fitore e popullit që ka një “dokument”
gjithëpërfshirës të dijeve të kësaj rrethine të Anamoravës. Më në fund, puna u
kurorëzua me një letërnjoftim të qytetit tonë. Kjo është e rëndësishme. Tani
Gjilani e ka monografinë e vetë, e cila i ka munguar kaherë këtij qyteti me një
historik prej rreth 300 vitesh e më shumë. Dhe, s’ka më bukur se i huaji apo
edhe yni që nuk do të hamendet të mësojë për qytetin e Gjilanit, por ai këtë
“materje” do ta gjejë të plotë dhe me shumë të dhëna argumentuese. Është një
libër monografik “kapital”, që lirisht mund ta quajmë edhe libër monument, ku
njerëzit do ta shfletojnë e do të mësojnë, por edhe do të studjojnë më bindshëm
për këtë qytet në fjalë. Në anën tjetër, lindi ideja nga puna praktike e jetës.
Pse jo? Koha po kalon dhe të gjitha ato vlera shpirtërore e dokumentare, të
cilat po ruhen me gjelozi në popull, ato duhet të shkruhen dhe të mbeten në një
“biografi” për të dalur në dritë të vërtetë. Mos të mbetet historia,
gjeografia, ekonomia, kultura apo edhe fushat tjera pa u shënuar që e kanë një
histori të hershme të jetës së tyre. E dyta ishte se, Gjilanit i ka munguar një
monografi e tillë, ku autorët bënë punë të kujdesshme për ti hudhur “sendet” që
janë me interes për të gjithë ne. Por, do të shtoja se, pa angazhimin e
autorëve, kjo monografi nuk do ta shihte dritën e botimit. E them edhe një gjë,
se nuk ka punë të përkryer. Edhe kjo monografi ka lëshime të vogla, por ato
“pengesa” do të eleminohen me kohë”. Fjalën e mori redaktori, dr. Mehmet
Halimi, i cili, në fjalët e para, tha: “O burra, sot po i shënojmë dy data të
mëdha historike e madhore. E para, se po shënojmë ëndrrën 100-vjeçare të
Pavarësisë së Shqipërisë dhe, e dyta, po e kurorëzojmë një punë madhore, që e
kemi sot në dorë, përurimin e projektit trevjeçar të monografisë për Gjilanin.
Një monografi me përmasa të këtilla themelore deri më tani i ka munguar
Gjilanit, sepse edhe burimet jo vetëm që kanë qenë të mangëta e të
pamjaftueshme, por edhe rrethanat politiko-cenzuruese një punë të këtillë me
ligje moniste e shoviniste e kanë bërë të palejushme. Mongrafia në fjalë, ofron
informaion të ngjeshur e sintetik, shkurt, saktë e qartë, pa hyrë e pa u
zgjeruar në imtësi e hollësi, që janë jashtë qëllimit parësor, e nuk përkojnë
me natyrën e saj. Është pra, kjo një monografi gjithëpërfshirëse, që prek e
ndjek çështje, që përcjell fakte e argumente, të cilat i trajton e analizon, i
hulumton e studion të gjitha këndet e jetës në rrymë të moteve e shekujve të
banorëve të kësaj komune me rrethinë, sepse “arkë e arkeologji është toka jonë,
që i ka ruajtur shume dokumente të historisë sonë të mbuluar nën dhe”, e që
kanë pritur të studiohen sot në dritën e argumenteve shkencore nga ekspertë
tanë vendorë, sepse dihet se deri më tani historinë tonë e kanë shkruar të
huajt”. Ai shtoi edhe këtë se, “kjo trevë dha burra të mëdhenj të kombit, të
cilët luftuan pareshtur me guxim e vendosmëri, duke dhënë gjëjën më të
shtrenjtë e më të shenjtë, jetën e tyre si luftëtarë besnikë e si dëshmorë e
heronj, siç ishin: Idriz Seferi, Lot Vaku, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Halimi,
myderriz Haki Sermaxha, Halim Orana, Esat Berisha, Jusuf Ibrahimi, Raif Halimi,
Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Abdullah Tahiri e shumë të tjerë. Pra, Gjilani pa këtë
monografi do të ishte si pa emër. Tani e ka monogrfinë dhe ky qytet, por e ka
edhe letërnjoftimin e vet historik”.
Moment nga përurimi i monografisë së Gjilanit