| E hene, 03.12.2012, 07:36 PM |
Rrugëtimi
historik i Ismail Qemalit
(Nga arratisja deri në Pavarësi)
Nga Gani Qarri
Pas
shpërthimit të Luftës Ruso-Turke, në prill të vitit 1877, gjendja e krijuar në
rajon, tregonte se shpërbërja e Perandorisë osmane ishte vetëm pyetje kohe,
ashtu si edhe copëtimi i territoreve të saj, nga Fuqitë e Mëdha. Por problemi
kryesor për shqiptarët, qëndronte aty se kjo shpërbërje i kishte gjetur ata të
pa përgatitur për situatën e krijuar ndaj kërcënonte seriozisht edhe tërësinë e
tyre territoriale, sidomos nga Rusia e cila me qëndrimet e saj tendencioze për
mohimin kategorik të ekzistencës së popullit dhe Shqipërisë në tërësi, synonte
shuarjen e përhershme të çështjes sonë kombëtare, daljen e Serbisë në bregdetin
shqiptar dhe dominimin rus në Ballkan.
Kështu
që, Ismail Qemali si njëri nga intelektualët dhe diplomatët më të shquar të
kohës në oborrin e sulltan Hamitit të dytë,do ta hetonte shpejt dhe vlerësonte
drejt e me kohë, krizën e thellë e cila pritej ta përfshinte Perandorinë
osmane, në fund të shekullit XIX. Ndaj,pa asnjë hezitim e vonesë, filloi
përpjekjet dhe bashkëpunimin me intelektualë dhe patriotë të kombit kudo që ata
vepronin, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe gjetjen e mundësive të
zgjidhjes së çështjes kombëtare.
Në atë
kohë,ky Burrë-Shteti, konsiderohej si diplomat shumë largpamës dhe njëri ndër
personalitetet më të zgjuara të Perandorisë osmane,ndaj duke parë rreziqet të
cilat kërcënonin shqiptarët me shkatërrimin e kësaj Perandorie, në vitin
1897,ai do ti dërgonte një promemorie Sulltan Hamitit të dytë,me anë të së
cilës kërkonte futjen e reformave që mund ta ruanin tërësinë tokësore
Perandorake dhe me këtë edhe shpëtimin e tokave shqiptare nga grabitjet e
fqinjëve, duke synuar kështu shpalljen e një shteti autonom në kuadër të
Perandorisë,pasi që në atë kohë Evropa dhe Bota, ende nuk pranonin krijimin e
një shteti shqiptar në Ballkan.
Kjo
promemorie gjeti jehonë deri te vet qeveritarët e Perandorisë,por sado që idetë
e stërholluara të Ismail Qemalit pranoheshin me dëshirë nga udhëheqësit
perandorak dhe Sulltani,kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve dhe krijimin e
një shteti autonom shqiptar në këto territoret,ani pse kjo ide nuk
kundërshtohej fort nga shumica e Fuqive të Mëdha, derisa paraqitej në kuadër të
Perandorisë, e armiqësoi atë me Sulltan Abdyl Hamitin e dytë,i cili ishte
kundër çfarëdo forme të shtetësisë shqiptare, ndaj vendosi që si masë
ndëshkimi, ta transferonte Ismail Qemalin në Tripoli.
Pasi që
vendimin e Sulltanit për transferim e shihte si rrezik për jetën, dhe kurth për
eliminimin fizik të tij, Ismail Qemali vendosi që në vitin 1900, me ndihmën e
konsullatës angleze të arratisej nga Stambolli,duke shkuar së pari në Athinë ku
do ta takonte mbretin grek-Jorgji, takim ky i cili do ta përcillte si hije e
zezë gjatë gjithë jetës, sidomos pas vrasjes së 4000 e disa shënime flasin edhe
për 7000 djem të ri shqiptar nga Jugu i Shqipërisë të cilët atëbotë ishin marrë
nizam nga Perandoria,por me arsyetimin e gjoja të një tentim dezertimit të
tyre,ata do të vriteshin që të gjithë sipas një urdhri të gjeneralit gjakatar
turk, Xhavit Pasha.
Faji për
këtë tragjedi kombëtare, do ti hidhej Ismail Qemalit,"bazuar" në
dyshimin se kinse gjatë qëndrimit në Athinë, mund të kishte arritur një
marrëveshje të përfolur konspirative me mbretin Jorgji të Greqisë,për kalimin e
Shqipërisë së Jugut nën pushtimin grek, ndaj nisur nga ky qëllim ai kishte
ftuar ushtarët shqiptar që ti dorëzonin armët dhe dezertonin nga ushtria e
Perandorisë për ç`gjë Xhavit Pasha do ti pushkatonte që të gjithë -këta mijëra
djem të ri.
Duke mos
harruar dhembjen për flijimin e këtyre mijëra djemve të rinj shqiptar,kur
flasim për gjendjen e Perandorisë së atëhershme turke, siç edhe pritej nga të
gjithë,ajo pa reforma të menjëhershme,do të shkatërrohej shpejt dhe pa
shërueshëm nga kryengritjet dhe luftërat në rritje kundër saj gjithandej.
Ndaj,mjerisht
fati më i keq e priste Shqipërinë, e cila në këtë rast me bekimin e Fuqive të
Mëdha,ajo ishte para që do të copëtohej nga vendet hegjemoniste fqinje të cilat
prisnin me një këmbë për t`iu vërsulur asaj si ujku gjahut dhe gllabëruar nga
të gjitha anët.
Gjendja e
krijuar do ti detyronte atdhetarët shqiptarë kudo e sidomos Hasan Prishtinën,i
cili ishte më i zëshmi me vërejtjet e tij në Parlamentin turk, se nëse nuk do
të pranoheshin kërkesat e shqiptarëve për një shtet autonom në kuadër të
Perandorisë, ai i pari do ti printe luftës, dhe kështu do të ndodhte që nga
fillimi i saj më vonë, i cili në bashkëpunim me Bajram Currin e Isa Buletinin
do ta parapërgatitnin me kohë popullin për kryengritje të përgjithshme
kombëtare.
Ndaj,Ismail
Qemali duke parandjerë situatën,kishte vendosur që sa më parë të largohej nga
Perandoria dhe bashkë me atdhetarët e tjerë shqiptar, kudo që ata vepronin, të
përpiqej për shpëtimin e atdheut në ato kohë. Sipas raportit të konsullit
austriak në Vlorë dërguar në maj të vitit 1900, në Vjenë të Austrisë, ai bashkë
me tre djemtë e tij do të arratisej po atë vit nga Stambolli dhe Perandoria për
t'u bashkuar me atdhetarët shqiptarë në vendet Evropiane të cilët ishin të
gatshëm të luftonin për çlirimin e Shqipërisë.
Fal
karrierës së tij të bujshme diplomatike, inteligjencës që zotëronte dhe njohjes
që kishte me politikan, ambasador e diplomat të vendeve të ndryshme në Evropë
dhe më gjerë,bashkatdhetarët shihnin te Ismail Qemali udhëheqësin e tyre
politik dhe njërin nga prijësit kryesor të shtetit të ardhshëm kombëtar të
cilin ata ëndërronin ta krijonin.
Me tu
arratisur nga Stambolli, ai do të vizitonte disa shtete evropiane, ku do të
përgatiste opinionin për shtetin autonom ,për të cilin deklarohej hapur dhe
vendosmërisht, duke paralajmëruar njëkohësisht rrezikun e copëtimit të trojeve
etnike shqiptare nga vendet hegjemoniste fqinje të cilat nxiteshin me të madhe
që në atë kohë nga Rusia për pushtimin e tyre.
Pas disa
muajsh lobimi, Ismail Qemali nga mesi i tetorit të vitit 1900,do të kërkonte
nga shqiptarët kudo, që ata të bashkoheshin për krijimin e shtetit të tyre
autonom në kuadër të perandorisë,si një zgjidhje e përkohshme,për të cilën nuk
kërkohej pëlqimi dhe as pranimi i tij nga Fuqitë e Mëdha.
Ndryshe,
në atë kohë ishte i pa mundshëm krijimi i një shteti kombëtar,kur në Evropë
ekzistonte bindja se shqiptarët nuk ishin të zotët të mbanin shtet, ndaj
parashihej krijimi i një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, udhëheqja e
mirë e të cilit,do ti bindte Fuqitë Evropiane për të pranuar të drejtën e
kombit tonë për krijimin e shtetit të tij mbi trojet e veta në Ballkan.
Madje siç
do të shprehej Ismail Qemali,për shqiptarët kishte ardhur koha kur nuk
mjaftonte vetëm gatishmëria e flijimit të jetës për atdhe por ata tani duhej të
mësonin edhe për ta mbajtur dhe udhëhequr si duhet, shtetin e tyre të ardhshëm
kombëtar.
Ndaj, pas
krijimit të një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, puna e parë që
bashkëkombësit duhej të bënin, ishte hapja e shkollave në gjuhën shqipe ku
shqiptarët do ta mësonin atdhedashurinë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare, gjë
që pa një shtet autonom nën regjimin e sulltanit Abdyl Hamitit të dytë, këto
ishin të pa mundura,ngase edhe mësimi në gjuhën amtare,për shqiptarët ndalohej
nga Perandoria turke.
Për këtë
qëllim,Ismail Qemali kishte vizituar disa vende Evropiane si Anglinë, Italinë
dhe Austro-Hungarinë, ku kishte kërkuar ndihmën e fuqive të mëdha dhe
përkrahjen e tyre për krijimin e shtetit autonom me shpresën se pas forcimit të
autonomisë së Shqipërisë, shqiptarët do të mësoheshin të qeverisnin me vetveten
dhe të mbanin e udhëhiqnin edhe shtetin e tyre të pavarur, pas daljes nga
Perandoria, e cila pritej të shembej shpejt.
Duke
udhëtuar nga vendi në vend, dhe marrë mendimet e secilit nga diplomatët dhe
ministrat e shumtë evropian, Ismail Qemali shpejt do të bindej se ndihmë të
sinqertë,në atë kohë ishte e gatshme të ofronte vetëm Austro-Hungaria, e që më
vonë kjo edhe do të dëshmohej në vepër, gjatë përgatitjeve për shpalljen e
pavarësisë së Shqipërisë,kur angazhimi dhe përkrahja e Qeverisë së
Austro-Hungarisë, në dobi të çështjes shqiptare, ishte më e madhe se e cilit do
vend tjetër në rajon dhe më gjerë.
Madje,
nga shumë historian, analist e studiues të këtyre ngjarjeve, mendohet se pa
ndihmën e Austro-Hungarisë dhe ministrit të jashtëm Leophold Bertchold, krijimi
i shtetit shqiptar, gati se do të bëhej i pa mundur në atë kohë, ndaj me të
drejt,në frymën festive të 100 vjetorit të pavarësisë,dhe në mënyrë krejtësisht
të merituar,një rrugë në Tiranë u nderua në këtë vit jubilar, me emrin e ish
ministrit të jashtëm austriak,ndihmësit dhe përkrahësit më të madh-nga jashtë,
të pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Leophold Berchtold.
Në fillim
të shpërbërjes perandorake,shqetësimi i parë serioz i atdhetarëve shqiptar për
rrezikun e nisjes së copëtimit të trojeve të tyre, do të vinte nga pretendimet
Bullgare për shtrirjen e kufijve të saj, sipas marrëveshjes Ruso-Turke të Shën
Stefanit,e cila synonte marrjen e një pjese të Kosovës deri në Kumanovë, pjesën
veriperëndimore të Dibrës dhe Drenovën me Boboshticë deri në afërsi të Korçës
Ndaj, që
me fillimin e kryengritjes së armatosur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Ismail
Qemalin e Hasan Prishtinën i gjejmë kudo me përpjekjet e tyre për krijimin e
një komiteti udhëheqës të kryengritjes,të cilët për mbështetjen e luftës,
kërkonin ndihmë nga të gjitha shoqëritë shqiptare që vepronin brenda dhe jashtë
vendit deri në Egjipt.
Ismail
Qemali kishte edhe një detyrë më tepër të ngarkuar nga rrethanat e ajo ishte
për shuarjen e panikut dhe ruajtjen e qetësisë në popull edhe nën kushte
lufte,e cila dëshmohet me telegramin e datës 9 nëntor të vitit 1912,që ai i
dërgonte nga Vjena parësisë së Vlorës me të cilin përpiqej ti qetësonte
shpirtrat e alarmuar të shqiptarëve nga sulmet e pa reshtura të ushtrive
greko-serbe të cilat kishin mësyrë Shqipërinë nga Jugu dhe verilindja.
Ndaj, ai
u bënte thirrje shqiptarëve nga atje që edhe në ato çaste të rënda lufte e
pushtimi,ta ruanin qetësinë dhe shpërndanin lajmin e gëzueshëm se: " E
ardhmja e Shqipërisë ishte siguruar, kurse ai dhe delegatët tjerë do të vinin
me vaporin e parë që do të nisej për në Shqipëri".
Por, para
se të shkonte në Vjenë, Ismail Qemali kishte vizituar shoqatat atdhetare në
Rumani, nga të cilat ai do të inspirohej dhe bindej përfundimisht, që në vend
të autonomisë së një shteti kombëtar në kuadër të Perandorisë e cila ishte para
shkatërrimit të përgjithshëm,të shpallte Pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Kështu që
me të arritur në Vjenë,ku delegacioni shqiptar do të pritej në nivel in më të lart
ministror nga vet ministri i jashtëm Austro-Hungarez, Leophold Berchtold,
kërkesa e Ismail Qemalit drejtuar këtij burrështetasi të famshëm evropian dhe
përkrahësi besnik të Shqipërisë së pavarur,do të shprehej për ndihmë në
arritjen e Pavarësisë, të cilën Leophold do ta merrte seriozisht dhe përhapte
me vendosmëri në të gjitha takimet ministrore të shteteve evropiane, duke
ndihmuar edhe delegacionin shqiptar me një anije për arritjen e tyre sa më parë
në Shqipëri,ku ata do ta shpallnin Pavarësinë e vendit të tyre.
Ndaj,Ismail
Qemali me bashkëpunëtorë, nga Trieste udhëtuan me Vaporin austriak "Baron
Bruck" të cilët më 22 nëntor të vitit 1912,do të mbërrinin në Durrës,ku
kishin planifikuar të shpallnin Pavarësinë. e Shqipërisë, sikur me të arritur
aty,të mos gjenin një gjendje aq alarmante dhe të acaruar nga frika e
marshimeve serbe të cilët kishin mësy për të marrë Shqipërinë e mesme dhe
bregdetin shqiptar,në mënyrë që të pengonin edhe shpalljen e Pavarësisë së
Shqipërisë.
Por,fal
luftës së vendosur të Isa Buletinit me bashkëluftëtarët e tij, në hapësirat në
mes Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, shqiptarët arritën të bllokonin ushtrinë
pushtuese serbe të gjeneralit gjakatar -Jankoviq,duke i mundësuar kështu Ismail
Qemalit me bashkëpunëtorë që të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë edhe pse jo
në Durrës. Kurse ai vet për shkak të luftimeve,mundi të arrinte vetëm një ditë
pas shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë .
Ndaj, Ismail Qemali me delegatët shqiptar,të shtrënguar nga gjendja e krijuar dhe tensionet e ngritura në qytetin bregdetar, do të niseshin me urgjencë për në vendlindjen e tij,të cilët pas disa ditësh rrugëtimi plotë sfida e vështirësi,më në fund, natën e 27 nëntorit,do të arrinin në Vlorë, ku të nesërmen më 28 nëntor të vitit 1912, përfundimisht do të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e qeverisë së parë të sajë.