| E diele, 02.12.2012, 04:13 PM |
PËRKATËSIA PERËNDIMORE E SHQIPTARËVE
Jusuf
BUXHOVI - KOSOVA - Perandoria Osmane
(Me rastin e promovimit të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës, New York 1 Dhjetor 2012)
Nga Frank Shkreli
I nderuar
Profesor Buxhovi, të nderuar pjesëmarrës. Fillimisht dëshiroj të përshëndes
Vatrën për organizimin e promovimit të këtyre veprave të historisë së
Shqiptarëve, mu në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë kombëtare. Unë jam i kënaqur të marr pjesë në këtë
promovim, jo vetëm për rëndësinë që ka vepra e historianit Jusuf Buxhovi për historiografinë shqiptare, por
edhe për faktin se me autorin jam njohur shumë vite më parë, kur Zoti Buxhovi
vinte në Uashington si pjesë e delegacioneve të
Kosovës, të kryesuara nga Dr. Ibrahim Rugova. Ishte ajo periudhë, kur Zoti Buxhovi dhe
intelektualët e tjerë shqiptarë të Kosovës,
erdhën në
Ishte
këjo një përsëritje e historisë sonë kombëtare, e asaj historie 100-vjetë më
parë, dhe për të cilën shkruan Z. Buxhovi, kur një grup tjetër atdhetarësh dhe
patriotësh nga të gjitha trevat shqiptare, delegacione të kryesuara nga Ismail
Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini e të tjerë, endeshin anë e mbanë Evropës
nga Vjena, në Romë, e në Londër, për të siguruar përkrahjen e botës së
atëhershme për çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha otomane, si dhe për të
siguruar mbështetje për çështjen e pa-zgjidhur të kombit shqiptar, përpjekje këto që kishin për objektiv
korigjimin e vendimeve të pa drejta dhe
tragjike të konferencave të ndryshme ndërkombëtare në kurriz të kombit shqiptar.
Pas
përpjekjeve dhe lufërave të shumëta, Kosova u çlirua dhe u bë shtet i pavarur.
Si i tillë, shteti i Kosovës kishte nevojë për një histori të shkruar, pasi historia
e saj, si pjesë përbërse e historisë së kombit shqiptar, duhet patjetër të
rivlerësohet, jo sepse një gjë të tillë e kërkon turku, sllavi ose greku, por
për arsye se ajo është deformuar dhe keq
trajtuar, jo vetëm, nga këta armiq të
kombit, për qëllimet e tyre ekspansioniste, por edhe nga komunizmi shqiptar në bashkpunim me komunizmin
ndërkombëtar, për arsyet e tyre ideologjike.
Është
domethënës dhe me rëndësi kombëtare fakti që historiani Jusuf Buxhovi, ka
botuar këto tre vëllime ekzaktërisht këtë vit, me rastin e 100-vjetorit të
Shqipërisë, pasi bota fatkeqsisht di shumë pak për historinë e shqiptarëve dhe
ato që i di, janë të influencuara nga propaganda turke, serbe, greke dhe ruse
të cilët gjatë shekujve, falsifikuan historinë e vërtetë të Arbërit, pa asnjë
përgjegjësi morale, historike ose politike.
Në këtë
100-vjetor të festës së madhe shqiptare, vepra e Zotit Buxhovi i paraqet
lexuesit një përmbledhje faktesh dhe dokumentacioni të nevojshme për çdo njërin
që kërkon të mësojë dhe të kuptojë historinë e shqiptarëve, jo vetëm në
kontekstin kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.
Mua më ra
shorti t'i them dy fjalë në lidhje me vëllimin e dytë të Z. Buxhovi, dmth., mbi Perandorinë
Osmane, si një prej perandorive që ka zgjatur më shumë se çdo tjetër, ç’prej
kohës së antikitetit. Zoti Buxhovi në
këtë vëllim nënvijon proceset dhe qasjet historiketë perandorisë osmane në
relacion me shqiptarët, si pjesë e historisë së Evropës dhe të botës. Ai përshkruan jetën dhe lëvizjet politike,
ushtarake, diplomatikedhe intelektuale të shoqërisë otomane në relacion me
shqiptarët dhe anasjelltas, duke u bazuar në dokumentacion arkivash vendesh të
ndryshme, e sidomos siç thotë edhe vet autori, në arkivat e pasura gjermane.
Është
këjo një histori e trashëgimisë së një perandorie, që la gjurmë dhe një
trashëgimi të rëndë ku i shkeli këmba, sidomos ndër ne shqiptarët.
Profesor
Buxhovi shkruan për çmimin e lartë që kombi shqiptar ka paguar nën sundimin
ottoman, si dhe për luftën e tij të për të dalur nga terri i natës së gjatë të
pushtuesve otomanë. Turqit otomanë
shkaktuan shkatërrime të papërshkrueshme në jetë njerzish dhe dëme të mëdha
materiale, përfshirë edhe përpjekjet për të eliminuar kulturën, gjuhën dhe
traditat shekullore të shqiptarëve.
Në të
vërtetë, Prof. Buxhovi i paraqet osmanlijtë si pushtues të Arbrit e jo si
administratorë, në kundërshtim me disa të tjerë që pretendojnë se osmanët ishin
vetëm administratorë të trojeve shqiptare.
Në përputhje me historiografinë botërore, Profesor Buxhovi dokumenton se
Perandoria osmane në Ballkan kishte ardhur dhe sillej si një fuqi
pushtuese.
Tema
kryesore e këtij libri është se lufta e Arbërit kundër pushtuesve osmanë
pasqyron mbijetesën dhe vazhdueshmërinë e “ndjenjave dhe të vetdijes
perëndimore’’, në rezistencën shekullore
të Shqiptarëve ndaj barbarëve turq e sllavë.
Zoti
Buxhovi thekson se qëndresa dhe lufta e shqiptarëve gjatë pesë shekuj okupimi
osman, tregon se shqiptarët ishin të gatëshëm që me çdo kusht e mjet, mbi të
gjitha, të ruanin identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe mënyrën e
tyre të jetesës. Lufta dhe rezistenca epike
e Gjergj Kastriotit - Skënderbe, prej
një çerek shekulli kundër otomanëve, thotë autori, do të shërbente si një
frymëzim për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, breza, të cilët edhe pas
vdekjes së heroit kombëtar, rezistuan duke iu kundërvenë okupimit osman me aq
sa kishin mundësi e fuqi.
Zoti
Buxhovi në librin, ‘’Kosova në Periudhën e Osmanlijve’’, shkruan se megjithse
‘’Perandoria Osmane kërkonte një emancipim shoqëror dhe politik të Shqiptarëve,
i cili të ishte në përputhje me islamin dhe frymën e tij’’, rilindasit
shqiptarë si dhe në përgjithësi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare….jo vetëm që nuk
do të kërkojnë Orientin, por duke iu këthyer antikitetit, ku ata si pasardhës
të Pellazgve… do të mbështeten te qytetërimi perëndimor.’’
Ai
vazhdon duke thënë se ‘’Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe kërkesat e saj si edhe formimi i Qeverisë
së Përkohëshme, paraqet këthimin e
Shtetit të Arbërit për herë të parë pas 500-vjetësh - ndonëse në përmasat e
vilajetit të Kosovës - nuk ishte gjë
tjetër pos shprehje e vullnetit politik dhe shpirtëror (të shqiptarëve) për
t’u këthyer në Perëndim, pikërisht aty ku kishte mbetur Gjergj Kastrioti -
Skendërbeu para pesë shekujsh, i vetmi që kishte kundërshtuar dhe luftuar
pushtimet osmane.
Për më
tepër, si rrjedhim ose si pasojë e shtypjeve osmane, Zoti Buxhovi thotë se gjatë periudhës së
Osmanizmit, rezistenca ndaj pushtimit
turk, jo vetëm “nxjerrë në pah të vërtetën për sjelljen e Arbërve, në përputhje
me vetëdijen përendimore’’ të tyre, por në të njëjtën kohë, ajo rezistencë kundër pushtuesve osmanë,
shkakton lindjen e një shqiptarizmi ose nacionalizmi të fuqishëm shqiptar, i
cili u kultivua gjatë dekadave duke nxitur dhe duke u dhënë shqiptarëve guximin
dhe besimin në vetveten, një ndjenjë këjo, që më në fund, çoi deri në lëvizjet
e shekullit të kaluar drejtë - jo vetëm pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në
pavarësinë dhe shtet formimin e sotëm të Kosovës’’, thotë autori.
Nacionalizmi
dhe ndjenjat e shqiptarizmit kanë lindur dhe janë formuar - duke përdorur
mjetet dhe duke shfrytëzuar rrethanat dhe metodat që shqiptarët kishin në
dispozicion. Nacionalizmi shqiptar, në
të vërtetë, sipas Zotit Buxhovi ka ndikuar
pozitivisht edhe në zhvillimet
brenda perandorisë osmane, sidomos pas sundimit të Sulltan Hamitit, duke thënë
se nacionalizmi shqiptar nxiti madje edhe forcat e shëndosha nacionaliste
turke, të cilat do të kishin më vonë ndikime historike në krijimin e një Turqie
evropiane ose përendimore.
Zoti
Buxhovi nënvijon edhe faktin se revolucioni xhonturk është krijuar, influencuar
dhe organizuar nga shqiptarët me 1908 në Ferizaj. Këto zhvillime dhe influenca e shqiptarëve
në këtë revolucion të xhonturqve, sipas prof. Buxhovit, e kishin bërë Kosovën qëndër
me rëndësi të lëvizjeve kombëtare shqiptare, e të cilat më në fund ndihmuan, që
100-vjetë më parë më 1912, të shpallej pavarësia së Shqipërisë.
Nacionalizmi
shqiptar i asaj kohe, sipas Z. Buxhovi, ishte dhe mbetet një trashëgimi lënë
brezave të shqiptarëve të Kosovës dhe të përpjekjeve politike të tyre
shekullore për shtet-formim - për të siguruar përfundimisht, të drejtat
natyrale të kombit shqiptar. Zoti
Buxhovi thotë gjithashtu se Kosova ishte
qendra, e atij që ai e cilëson si
‘’graviteti kombëtar’’, politik e kulturor i shqiptarëve, dhe përmendë,
natyrisht, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,
revolucionin e xhonturqve, si edhe 14 pikat e Hasan Prishtinës - si ide
këto dhe një program që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28
Nëntor 1912 në Vlorë.
Titulli i
tre vëllimeve është ''Kosova'', por këtu në të vërtetë flitet dhe përshkruhet historia e të gjithë
shqiptarëve. Është historia e kombit shqiptar, sepse Kosova nuk mund të
shikohet si një koncept gjeografik, ndryshe nga Shqipëria e të gjithë
shqiptarëve, por Shqipëria natyrale dhe Kosova si pjesë e kësaj Shqipërie
natyrale paraqitet nga Z. Buxhovi në këtë vëllim si qendra e vlerave kombëtare,
kulturore dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë e paraqet Kosovën madje edhe nën pushtuesin ottoman, si pikënisja e lëvizjeve për pavarësi dhe
shtetformim e të gjithë shqiptarëve.
Unë nuk
jam historian dhe si i tillë nuk jam në gjëndje të vlerësoj sa duhet e si duhet
rëndësinë e kësaj vepre, por besoj se duhet të bindemi për vlerën historike të
veprës së prof Buxhovit, po të marrim parasyshë reagimet e Akademisë së
Shkencave të Serbisë, e cila i konsideron këto tre vëllime prej më shumë se dy
mijë faqesh, ''si një ''pamflet''. Siç
duket, ata as nuk i kanë parë këto tre vëllime, e lere më t’i kenë lexuar.
Në të
vërtetë, kritikat e ashpëra të akademisë serbe ndaj veprës së Buxhovit duhet të
konsiderohen si një vlerësim, pasi është pikërisht këjo akademi, ajo që ç’prej
mesit të 1880-ave ka përgatitur terrenin ideologjik nacionalist serb si edhe
atmosferën politike dhe ushtarake për të pastruar Kosovën etnikisht njëherë e
mirë, duke rekomanduar vrasjen, shpërnguljen dhe dëbimin me dhunë të qindra
mijërave shqiptarëve gjatë gjithë
historisë dardane.
Ishin
tezat dhe rekomandimet e kësaj të ashtuquajtur akademi, të cilat janë zbatuar
gjithmonë me përpikëmëri nga politika shoviniste serbomadhe duke përfunduar në
disa gjenocide dhe shpërngulje në masë të shqiptarëve.
Profesor
Buxhovi kundërshton pretendimet shpifëse serbe se shqiptarët janë të ardhur në
Ballkan dhe si ‘’vasalë të perandorisë osmane’’, nuk kanë histori të veten dhe,
si të tillë, duhet të zhduken nga harta e Ballkanit. Për t’ia arritur këtij qëllimi -
bashkrendonin veprimtaritë kundër Shqiptarëve -osmanët, rusët, serbët, dhe
grekët të cilët gjatë gjithë historisë,
kërkesat e shqiptarëve i cilësuan dhe ia paraqitën botës si ‘’kërkesa të
ekstremistëve shqiptarë’’.
Por siç
ka pas thënë dikur senatori amerikan Barry Goldwater, ekstremizmi në mbrojtje
të lirisë nuk është mëkat. Shqiptari
kurrë nuk ka dashur atë që nuk është e tija, shqiptari kurrë nuk e ka ngritur
flamurin e tij në luftëra për të pushtuar tokat e të tjerëve, por vetëm e vetëm
në mbrojtje të lirisë së vet.
Të
përshendes i nderuar Profesor Buxhovi për këtë vepër historiografike mbi
Kosovën, me të cilën i ke dalë zot historisë dhe ruajtjes së identitetit unik,
pro-perëndimor të Kombit Shqiptar. Vet
autori ka thenë se këto tre vëllime nuk janë fillimi as mbarimi, mbi këtë
subjekt. Por, Jusuf Buxhovi me botimin e
‘’Historisë së Kosovës’’ - në këtë 100-vjetor të Pavarësisë kombëtare ka dhënë
kontributin e tij të çmueshëm, “ndaj plotësimit të pasqyrimit të kuadrit
historik të Shqipërisë së natyrshme, si një realitet shoqëror, kulturor dhe
politik i tërësisë së qytetërimit perëndimor, ku i ka rrënjtë’’ kombi shqiptar
dhe ku historia dhe i Madhi Zot e kishte vendosur.
Këtë e
ritheksoi edhe Presidenti i Shqipërisë,
Bujar Nishani, në një fjalim me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare,
duke u shprehur se ne
“Kemi
qenë, jemi dhe do jemi, vigjëlues të rreptë të qytetërimit perëndimor, të
cilit, pavarësisht trilleve historike që hera-herës na kanë ndarë, -
vetvetiu i përkasim’’.
Vepra e Profesor Jusuf Buxhovit është për tu vlerësuar në këtë moment të historisë shqiptare, një vepër këjo që nderon historinë kombëtare, por ndaj historisë të gjithë kanë obligime, sidomos ata që kanë privilegjin të udhëheqin sot kombin shqiptar. Një mesazh serioz i kësaj vepre është, siç tha edhe autori në një intervistë: kujdes që të mos bëhemi “çorbë ballkanike’’ e pa shije, duke ia dorëzuar interpretimin e historisë sonë dikujt tjetër. Unë do të shtoj të mos biem pre e kërkesave të shëmtuara për ndryshimin e historisë të kombit shqiptar nga pasardhësit e ish-perandorive okupuese. Sepse një popull i cili nuk mbron historinë e vet, një popull që nuk ruan identitetin e vet kombëtar në trojet e tija antike, si dhe vlerat dhe traditat e veta kulturore shumë shekullore, të trashëguara nga të parët, ai popull është i destinuar të asimilohet ose të zhduket si komb nga faqja e dheut.