Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thanas Gjika: Atdhetari Mustafa Kruja

| E diele, 02.12.2012, 06:01 PM |


ATDHETARI MUSTAFA KRUJA DREJT VLERESIMIT OBJEKTIV

(Shënime për veprën dokumentare Mustafa Kruja në historinë shqiptare)

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA

Doli nga shtypi vepra dokumentare Mustafa Kruja në Historinë Shqiptare, botim i shtëpisë OMSKA, përgatitur prej Eugjen Merlikës, nipit të atdhetarit. Kjo përmbledhje dokumentash historike është një dhuratë ndaj atdheut dhe sidomos ndaj shkencës shqiptare në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Rilindasit tanë, të cilët ia kushtuan jetën luftës për ta bërë Shqipërinë shtet të pavarur prej zgjedhës osmane dhe sidomos firmëtarët e aktit të shpalljes së pavarësisë, gjatë këtij viti u nderuan e po nderohen në mënyra të ndryshme.

Mustafa Merlika Kruja, është një nga këto figura, por i hedhur pa të drejtë prej regjimit komunist në koshin e tradhëtarëve, për shkak të pranimit të postit të kryeministrit në kohën e pushtimit italian për 13 muaj në vitet 1941-42). Pa dashur të shohin ndryshimin midis bashkëpunimit të qeverisë së mëparshme, asaj të Shefqet bej Vërlacit, e cila ishte vërtet qeveri kapitullante kolaboracioniste, që bashkëpunoi me pushtuesin pa vënë asnjë kusht, regjimi komunist dhe historianët e tij e quajtën dhe e dënuan njësoj edhe qeverinë e Mustafa Krujës, pa marrë në konsideratë asnjë nga kushtet që kjo qeveri atdhetare i vuri pushtuesit italian, pa marrë parasysh rezultatet e saj pozitive për bashkimin e territoreve shqiptare, heqjen e sëpatave të liktorit nga flamuri kombëtar, përhapjen e arsimit shqip, ngritjen e ndjeshme ekonomike të vendit, etj, etj.

Figura shumëdimensionale e Mustafa Merlika Krujës, si atdhetar, studiues, politikan, burrë shteti, etj, po merr vlerësimin e vërtetë shkencor këto vite përmes botimit të veprës së pabotuar të tij, në saje të punës së palodhur të z. Eugjen Merlika. Eugjeni u lind më 1944 dhe vuajti internimeve e burgjeve të diktaturës komuniste që fëmijë deri më 1992 për shkak të këtij gjyshi, të cilin nuk e pati parë kurrë.

Nga njëra anë, dënimi me vdekje në mungesë që i dha regjimi komunist Mustafa Krujës që në ditët e para të ardhjes në pushtet, nga ana tjetër vlerësimet e larta që dëgjoi gjatë viteve të internimit dhe burgimit prej familjarëve dhe miqve të familjes për bëmat atdhetare të gjyshit, ndezën në mendjen dhe zemrën e Eugjenit një zjarrmi të madhe, e cila e nxiti të punonte me përkushtim mbas vitit 1992, mbas largimit nga atdheu, për të zbuluar të vërtetën rreth personalitetit historik të Mustafa Merlika Krujës.

Populli shqiptar, që nga viti 1912-13 e deri sot, për shkak të krimit monstruoz që kreu diplomacia europiane nën presionin këmbëngulës të Rusisë Cariste, kur kjo diplomaci caktoi kufijtë e shtetit tonë duke lënë mëse gjysmën e tokave dhe të popullit jashtë kufirit të shtetit shqiptar, bën pjesë midis popujve të cilët, jo për faj të tyre, nuk e kanë kryer ende misionin e bashkimit kombëtar. Për këtë arsye madhore, pjesa dërmuese e atdhetarëve tanë në vitet 1913-1944 vijuan të qëndronin në pozita nacionaliste, por jo shoviniste, pozita në të cilat vijoi të qëndronte klasa politike sërbe, që na u shit si dashamirëse internacionaliste, për të realizuar asgjësimin edhe të Shqipërisë së 1913-ës.

Historianët e politizuar, skllevër të mendimit partiak të PKSH / PPSH dhe të diktatorit Enver Hoxha, i kanë gjykuar dhe i gjykojnë personalitetet historike të së kaluarës sipas skemave partiake dhe jo duke pasur parasysh rrethanat konkrete historike dhe qëllimet e shtysat atdhetare e morale, që i kanë nxitur personalitetet historike të marrin këtë ose atë vendim, të kryejnë këtë ose atë veprim. Këta historianë nuk kanë dashur dhe nuk duan të vlerësojnë objektivisht rezultatet kombëtare të arritura prej këtyre vendimeve e veprimeve, por kanë gjykuar e gjykojnë sipas skemave të paracaktuara prej ideologjisë internacionaliste të partisë. Një qëndrim i tillë jo shkencor, disi mund të justifikohej në vitet e diktaturës, kur mosnënshtrimi ndaj politikës dhe vendimeve të partisë shtet ishin vdekjeprurëse, por dhënia e të njëjtave gjykime e vlerësime të gabuara për dukuritë dhe personalitet historike edhe njëzet vjet mbas shkërmoqjes së diktaturës, përbën një krim të pafalshëm shkencor. Ndaj këtij krimi e kanë ngritur zërin dhjetra intelektualë të ndershëm, të përndjekur, bij e nipër të atdhetarëve të ndëshkuar padrejtësisht prej politikës së partisë shtet dhe shkencës marksiste.

Pa pasur përgatitje të vecantë si historianë Eugjen Merlika, Mërgim Korca, Kastriot Dervishi, Pjetër Pepa, Uran Butka, Lek Pervizi, Agim Musta, Enver Lepenica, etj kanë sjellë një ndihmesë për t'u pasur zili lidhur me domosdoshmërinë e depolitizimit të shkencës historike shqiptare. Historianë me tituj dhe grada shkencore, që kanë punuar e punojnë në institute shkencore shtetërore, për shkak të politizimit të tyre, kanë dhënë e japin vlerësime jo objektive për shumë probleme e figura të së kaluarës sonë kombëtare. Këtë turp e dëshmon botimi i fundit i veprës Historia e Popullit Shqiptar, botuar prej Akademisë së Shkencave.

Mërgim Korca, intelektual që vjen nga radhët e shkencave të sakta, lidhur me vlerësimin e figurave dhe ngjarjeve të së kaluarës dha më 2011 një përkufizim shumë të goditur. Lidhur me vlerësimin e cdo ngjarjeje dhe personaliteti historik, ky studjues thekson: koordinatat hapësinore dhe ato kohore, janë të lidhura mes tyre në vartësi të cvendosjes së vrojtuesit (hitorianit), së pari dhe në vazhdim, gjykimet e tij janë në vartësi të vetë pozicionimit as hapësinor e as kohor, por interesash të vetë vrojtuesit, së dyti.

Mirëpo në faqet e shtypit të përditshëm, historianët vijuan vlerësimet e tyre sipas orjentimeve të mykura, kështu që Eugjen Merlika formuloi në parathënien e këtij vëllimi me dokumente historike një përkufizim të ri për të ndihmuar evoluimin e historianëve:

Funksioni kryesor i historisë është ai mësimdhënës, duke na njohur jo vetëm thjesht me ngjarjet, por edhe me shpirtin e tyre, me frymën e brendshme lëvizëse, me gabimet, krimet e pasojat rënuese të tyre, ajo kthehet në një katedër, nga e cila duhet të burojnë mësimet për rrugën e përditshme të pupujve e të klasave të tyre drejtuese. Por që ta kryejë sa më mirë misionin e saj kjo shkencë shoqërore ka nevojë të domosdoshme për respektimin e thellë të së vërtetës...

* * *

Vëllimi Mustafa Kruja në Historinë Shqiptare, përmban dokumente historike të ndara në tre periudha, paraprirë nga një hyrje studimore ku vihen në dukje me objektivitet vlerat atdhetare të Mustafa Merlikës prej analistit dhe studjuesit Eugjen Merlika.

Grupi i parë përfshin materiale të viteve 1908-1914, marrë prej revistës LEKA 1942, botim jubilar me rastin e 30-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Këtu del qartë orjentimi atdhetar antiosman i djaloshit Mustafa Kruja, përkrahës i alfabetit latin të shqipes, kundërshtar i politikës xhonturke dhe personaliteteve të asaj politike. Duke u njohur si një atdhetar i tillë, ky djalosh u caktua prej parisë së qytetit si përfaqësues i Krujës në Kuvendin e Vlorës dhe firmëtar i aktit të shpalljes së pavarësisë. Po ashtu gjatë vitit 1914 ky atdhetar shfaqet si një veprues kundër forcave esadiste dhe Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme.

Grupi i dytë i dokumenteve përfshin materiale të vitit 1919 (12 shkurt- 5 qershor), marrë nga libri artizanal Shqipëria përpara Konferencës së Paqes, përgatitur e përkthyer shqip prej vetë Mustafa Merlika Krujës mbasi la detyrën e sekretarit të delegacionit shqiptar të qeverisë së Durrsit në atë konferencë.

Midis materialeve të këtij grupi një vend të vecantë i jepet në analizat e hyrjes studimore shkrimit Mendore për Shqipërinë e Sipërme, i cili është një memorandum dorëzuar Konferencës së Paqes më 15 prill 1919. Aty argumentohet përkatësia shqiptare e trojeve dhe e popullit që iu dhanë Sërbisë dhe Malit të Zi më 1913, mbështetur në të dhëna të botuara prej vizitorëve dhe personaliteteve europiane të botuara në shtypin europian. Kjo memorie shoqërohet dhe me dokumente e statistika osmane, bullgare, etj për praninë në shumicë të popullsisë shqiptare në ato krahina. Në këtë memorie theksohet karakteri antishqiptar i politikës osmane në shekuj, e cila gjithnjë punoi e luftoi për t'i shkombëtarizuar e jo për t'i forcuar shqiptarët si komb, si po thonë sot disa pseudohistorianë turq, si dhe disa shqiptarë filoturq.

Me të drejtë është quajtur me shumë vlera dhe shkrimi Protestë kundër mandatës italiane, ku kundërshtohej njohja e Vlorës si pjesë e Italisë dhe protektorati italian mbi pjesën tjetër të Shqipërisë si po shpreheshin Fuqitë e Mëdha në Konferencë. Ky dokument dëshmon se delegacioni shqiptar i Qeverisë së Durrësit ka qenë në lartësinë e duhur lidhur me mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar në atë konferencë, se ky delegacion paska ecur në rrugën e drejtë të hapur prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që më 1878, gjë që deri sot nuk ka qenë e qartë, ose ka qenë njollosur pa të drejtë.

Grupi i tretë i dokumenteve titullohet Përshpagimet Shqiptare, hartuar italisht prej një komisioni atdhetarësh shqiptarë më 3 maj 1941, përkthyer shqip prej përgatitësit të vëllimit, z. E. Merlika. Ky grup dokumentash është marrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, dosja Mustafa Merlika viti 1941. Komisioni, që punoi nën drejtimin e Mustafa Merlikës, atëhere drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare, përbëhej prej Fejzi Alizotit, Dhimitër Beratit, Tahir Shtyllës dhe Xhemil Dinos. Ky komision pati marrë parasysh dhe mendimet e një vargu atdhetarësh të tjerë si Ernest Koliqi, Qazim Koculi, Jashar Erebara, Rexhep Mitrovica, Hasan Dosti, Ekrem Vlora, Ismet Kryeziu, Tafil Boletini, etj.

Ky material është një parashtrim i zgjeruar ku argumentohet nevoja e bashkimit të kombit shqiptar brenda kufijve të shtetit shqiptar që ishte shpallur qysh dy vjet më parë si pjesë e Perandorisë Italiane. Argumentimi shkencor që i bëhet problemit në plan historik, etnik, gjeografik, etnografik, ekonomik, statistikor, demografik dhe strategjik, bëri që në synimet kryesore, ky material t'ia arrinte qëllimit, me shtetin shqiptar u bashkuan pjesa më e madhe e trojeve dhe popullsisë shqiptare të mbetura jashtë kufijve të vitit 1913. Por si dihet qeveria komuniste shqiptare, mbas marrjes së pushtetit ia ktheu ato territore Jugosllavisë “mike”, madje bëri përpjekje edhe për bashkimin e Shqipërisë si republikë e shtatë e Federatës Jugosllave...

Vlerat shkencore të vëllimit shtohen në faqet 219-239, ku Eugjen Merlika, si një studiues i mirëfilltë jep gjykimet e tij analitikr si konkluzione me titullNacionalizmi, Shqipëria Etnike dhe Lëvizja Nacional-Clirimtare, ku sqarohen vlerat dhe dobësitë e këtyre nocioneve dhe nevoja e clirimit të studiusve prej formulimeve të vjetëruara e tepër të politizuara.

Nxitur nga botimet e këtyre viteve me materiale të Mustafa Merlika Krujës dhe rezultatet e arritura në sesionin shkencor kushtuar jetës dhe veprës së këtij atdhetari, bashkia e Krujës i dha këtij biri të shquar të popullit shqiptar titullin QYTETAR NDERI. Ceremonia e dhënies së këtij titulli u organizua në Krujë më 24 Nëntor.

Liria e sotme dha rezultatet e pritura: studiues autodidaktë, por të përkushtuar, hodhën poshtë vlerësimet skematike të studiuesve nëpunës dhe skllevër të mendësisë komuniste.

Të luftosh sot për clirimin e shoqërisë shqiptare dhe të shkencës nga mendësia komuniste është ecje në rrugën e Rilindasve, të cilët luftuan për clirimin e popullit tonë nga mendësia osmanizuese turkoshake...