| E shtune, 24.11.2012, 06:12 PM |
FATMIR LIMAJ-“QYTETAR NDERI” I VLORËS
Nga GEZIM LLOJDIA
Në sallën
e Teatrit “Petro Marko”, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar
Nderi”, Fatmir Limajt, personalitet i politikës në Kosovë, një prej ish
drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akorduar nga këshilli bashkisë të
qytetit të flamurit.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe
bashkëluftëtarë të Limajt, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve të UÇK,
qytetarë vlonjate. Në fjalën e vet, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim
Gjika, u ndal tek figura dhe kontributi i Limajt për lirinë dhe pavarësinë e
Kosovës, duke e cilësuar atë një nga personalitetet më të spikatura të UÇK dhe
të politikës aktuale. Sipas Gjikës, duke nderuar Fatmir Limajn me titullin
“Qytetar Nderi” i Vlorës, qyteti i Flamurit nderon gjithë ata bij e bija të
Kosovës që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e saj, të gjithë ata që
luftuan për Kosovën martire. “Akordimi i këtij tituli përbën një vlerësim për
Fatmirin, ashtu si për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë
bashkatdhetarët tanë kudo në botë. Vlerësimi i tij me këtë titull, është
vlerësim për kombin shqiptar, është vlerësim për historinë tonë të vjetër dhe të
re, është vlerësim për të gjithë patriotët, për të gjithë ata që kanë luftuar
për çështjen kombëtare, për të gjithë ata që i thonë Flamurit Flamur, është
vlerësim për vetë Shqipërinë dhe Kosovën”, theksoi Gjika. Sipas tij, Fatmir
Limaj renditet mes personaliteteve më të shquara të Kosovës, një staturë e
shkëlqyer e luftës së saj për çlirim. Është ai që shkëlqeu me mendjen dhe
vizionin e vet, duke e gdhendur emrin në faqet më të ndritura të luftës së
lavdishme për pavarësinë. Por, akordimi i këtij titulli, shtoi Gjika, është
edhe një vlerësim dhe nder që i bëhet Vlorës dhe të gjithë bashkëqytetarëve
tanë. Sepse përfshirja e tij në listën e emrave që na nderojnë në Librin e madh
të Nderit, është simbolika më e mirë e dimensioneve të vendit që zë Vlora në historinë
e të gjithë shqiptarëve. “Jo më kot, ky titull jepet në përvjetorin e madh të
Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Kjo përbën edhe domethënien më të
kuptimplotë të saj. Sepse të tillë përvjetorë evidentojnë më mirë dhe më shumë
njerëzit, kontributet, evidentojnë mesazhet e mëdha që na sjell dhe përcjell më
tej historia. Dhe historia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, e Shqipërisë
dhe Kosovës, vjen më e kthjellët se kurrë sot, në këtë prag 100 vjetori. Vjen
përmes emrave më të ndritur të saj, përmes emrave si Fatmir Limaj me shokë, që
kanë ditur sit ë hedhin hapat, kanë ditur e dinë se ku duhet të shkojë Kosova,
dinë gjithashtu se cilat janë vlerat tona të përbashkëta”. Për zotin Gjika, 28
Nëntori është një festë për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, në
Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri, në diasporë. “Kjo ditë na bën të ndihemi më
mirë, na bën të ndihemi më besimplotë, na bën të ndihemi më optimistë për
gjithçka kemi arritur dhe për atë që do të realizojmë në të ardhmen. Mesazhet e
mëdha të 100 Vjetorit ne dimë t’i marrim, ashtu siç edhe dimë t’i përcjellim me
përgjegjësinë që na ka ngarkuar historia”, theksoi ai. “Prandaj dhe unë kam
kënaqësinë që në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, por, pse jo edhe të
të gjithë shqiptarëve t’i dorëzoj këtë titull, duke i thënë: Faleminderit
Fatmir për kontributin tënd. Vlora dhe shqiptarët ndihen krenarë me ty i dashur
Fatmir
Fatmir
Limaj, duke vlerësuar vendimin e këshillit bashkiak të Vlorës për këtë titull,
tha se, përmes tij vlerësohet lufta për liri dhe pavarësi e bijve dhe bijave të
Kosovës. Kjo, sipas tij, merr një kuptim edhe më të veçantë kur jepet nga
qyteti i Flamurit, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë Kombëtare. “Është shumë e
vështirë të gjesh fjalët e duhura për të folur këtu në Vlorë, në qytetin e
Flamurit”.
Të
udhëtosh në Vlorë, është njëlloj si të udhëtosh për në Mekë, sepse Vlora është
Meka e shqiptarëve dhe shqiptarizmit”, shtoi më tej ai. Duke u ndalur tek 28
Nëntori, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare ai theksoi se, “me aktin e shpalljes
së Pavarësisë Kombëtare, u zgjidhën dy çështje në të njëjtën kohë; u shmang
rreziku i zhdukjes së shqiptarëve si komb dhe njëkohësisht u hodhën themelet e
shtetit të ri shqiptar. Prandaj, nënvizoi ai, Ismail Qemali, quhet babai i
shqiptarëve, krahas baballarëve të tyre biologjikë. Sipas Limajt, jo më kot, u
zgjodh Vlora për të ngritur Flamurin dhe për të shpallur Pavarësinë. “Bijtë dhe
bijat e Vlorës ishin të gatshëm që, me vetmohim të mbronin atë Shqipëri të
mbetur me gjakun e tyre”, u shpreh personaliteti i shquar i Kosovës. Ai tha se,
sot Shqipëria dhe Kosova janë më afër dhe më të bashkuara se kurrë dhe
alternative e vetme mes tyre, mbetet bashkimi. Duke ju drejtuar të pranishmëve
ai solli përshëndetjet e djalit të tij dhe një mesazh kuptimplotë të tij, të
përcjellë përmes facebook: Prej ditës së sotme unë vetë jam nga Prishtina,
ndërsa babanë e kam nga Vlora.
Kryetarja e këshillit bashkiak, Etjona Hoxha, i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi i Vlorës, Fatmir Limajt, ndërkohë që më pas për të pranishmit u kundëuan këngë patriotike. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, si dhe deputeti i kësaj force politike, Dashamir Tahiri.
Titulli
“Qytetar Nderi, ju akordua Fatmir Limajt, pak javë më parë me vendim të
këshillit bashkiak të Vlorës, krahas 8 personaliteteve të tjera, mes të cilëve
Ismail Kadare, Rrexhep Qosja,Rexhep Ferri Ramush Haradinaj, ish Ambasadori i
SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers etj.