| E enjte, 22.11.2012, 07:53 PM |
QYSH KA DITUR ME E BË ZOTI KAQ BUKUR SHQIPËRINË
(Shtegtime poetike nëpër Evropë).
Nga: KALOSH ÇELIKU
Motin e Madh (2012), Njëqindvjetorin e Pavarësisë
së Shqipërisë, grupi i krijuesve shqiptar nga të gjitha viset shqiptare me
ndihmën financiare nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës me në krye
Ministrin z. Ibrahim Makolli e gëdhiu me poezi mes bashkatdhetarve në
Evropë. Rrugës poetike i printe kryetari
i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar z. Reshat Sahitaj.
Ditën e hënë (01.11.2012), herët në mëngjes nëpër
një mot me shi nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” fluturuam në qiell.
Aeroplani dikur doli mbi mjegulla dhe e pa Diellin. Plot pas tre orëve
fluturimi, aeroplani nëpër një mjegull të dendur mezi zbriti në Bruksel. Edhe
këtu shi dhe erë hutaçe. Ose, siç këndoi dikur Dervish Shaqa me çifteli: “Kur
ta ktheva Kosovë shpinën, e lamë borë e
gjetëm Dimën...”
Në aeroprtin e Brukselit, kontrolluesi i
pasaportave të disa shteteve pyet: Të gjithë jeni shqiptarë?! Po, i përgjigjet
Reshati. Jemi nga Shqipëria e coptuar copë-copë: Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe
Presheva. Hë për hë, na mungon Çamëria. Polici belg shkund kokën me çudi dhe
rrudhë krahët.
Ne pasi i morëm valixhet, në aeroport na pret
Gjergj (Qamil) Zekolli, një veprimtar i palodhur për çështjen patriotike
shqiptare të Diasporës. I ngarkon valixhet dhe pasi ulemi nëpër karrige, nisemi
të vizitojmë simbolin Atomium, në Bruksel. Posa zbritëm nga minibusi, Reshatit
iu kujtua se nuk e ka telefonin celular. Me siguri, thotë më ka rënë në
aeroport duke marr valixhen. Gjergji (Qamili) me telefonin e tij celular e
kërkon numrin e telefonit të Reshatit. Matanë, i përgjigjet zëri i policit të
aeroportit: Telefoni është te ne në aeroport, mund të vini dhe ta merrni në çdo
kohë. Gani Xhafolli, duke mos e përmbajtur veten ndërhyn në bisedë: Qysh ka
ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Gjergji (Qamili) niset pas telefonit celular,
ndërsa ne nëpër shi vazhdojmë të kërkojmë ndonjë restorant për strehim. Jo
larg, pas disa hapave e gjejmë një dhe hyjmë brenda. Kamarieri, pasi e ka
dëgjuar bisedën tonë në gjuhën shqipe na thotë: Mirëse erdhët! Ne, pasi e
shikojmë njëri - tjetrin pyesim veten: Edhe ky qënka shqiptar?! Po, përgjigjet
kamarieri. Pronari është nga Peja. Në ndërkohë vjen edhe pronari: Urdhëroni
vëllezër dhe mirëse keni ardhë! Për çka jeni, porositni edhe drekë, i keni
falas nga shtëpia. Jo, i përgjigjemi ne gati njëzëri. Jemi një grupë i
krijuesve nga të gjitha viset shqiptare: Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini dhe
Presheva. Vetëm për pak kohë ikëm nga shiu dhe e presim një shok, jemi vetëm
për kafe. Nuk shkon shumë kohë dhe kamarieri na i sjellë kafetë përpara mbi
tavolinë. Në ndërkohë vjen edhe Gjergji (Qamili) me telefonin celular në dorë.
Reshati do t’i paguaj kafetë. Jo, i përgjigjet pronari, i keni nga shtëpia.
Ne, pasi iu faleminderuam dhe u pershëndetëm dolëm
jashtë në oborr. Shiu, kishte pushuar pak, nuk biente si me shtamba. I bëmë
disa fotografi para simbolit Atomium, në Bruksel dhe u nisëm rrugës. Gjergji
(Qamili), thotë: Mirë është ta vizitojmë edhe përmendoren e Gjergj Kastriotit
Skënderbeut, në Bruksel. Patjetër, i përgjigjemi ne, gati njëzëri. Dhe, pas
disa minutave, gjëndemi përpara përmendores së Skënderbeut me gjithë shpatë në
mes të Brukselit. Edhe këtu, i bëjmë disa fotografi. Dikushi shpreh dëshirën ta
vizitojmë edhe Unionin Evropian. Nuk ka problem, përgjigjet Gjergji (Qamili).
Nuk është larg nga këtu. Edhe atë, mund ta vizitojmë, bëjmë disa fotografi.
Dhe, ende pa përfunduar bisedën, arritëm përpara Unionit Evropian. Vendit
historik, ku shumë takime ishin zhvilluar e vendosur para dhe pas Luftës së
Kosovës (1999) për çështjen ende të pazgjidhur shqiptare. Edhe këtu, i bëmë
krah për krahu disa fotografi.
Reshati, pas gjithë kësaj ngjarje, propozoi që të
kthejmë te vajza e tij në Bruksel për një kafe. Nuk ia prishëm dëshirën. Thamë,
gati njëzëri: Mundet. Edhe, vazhduam rrugën poetike. Posa arritëm përpara
shtëpisë, në derë na priste gati e gjithë familja: Mirëse erdhët! U
përshëndetëm dhe hymë brënda në sallonin e pritjes të mysafirëve. Nuk shkoi
shumë kohë, erdhi kafja, rakia e rrushit dhe uiski të shoqëruar me meze. Biseda
miqësore e ngrohtë familjare u shtrua në sofër. Dikur, zonja e shtëpisë na
thirri për drekë. Jo, e kundërshtuam ne gati njëzëri. Drekën e kemi paraparë ta
hamë në tjetër vend. Kurrësesi, përsëri ndërhyri zonja e shtëpisë. Tradita
shqiptare është, mikun të mos e lëshojmë pa i shtruar bukë e kripë në sofër.
Nuk ngulëm këmbë, shkaku se: të gjithë ishim shqiptarë, i dinim këto zakone
brez pas brezi nëpër shekuj.
Pasdite, dolëm nga shtëpia mikpritëse dhe u nisëm
drejtë hotelit ku duhej ta kalonim natën. Nesër, sipas programit na priste
takimi i parë me bashkatdhetarët. Ashtu të lodhur nga rruga, pasi pushuam pak
dolëm të shëtisim nëpër qytet.
Mbrëmjen e shfrytzuam duke vizituar qytetin.
Sheshin e Brukselit plot me turistë. Kështjellat e vjetra të ndërtuara para
pesë shekujve. Edhe vendbanimin e Viktor Hygos. Para pllakatës përkujtimore të
tij, i bëmë edhe disa fotografi. Pak para se të bie mesnata, u nisëm drejtë
hotelit. Unë dhe Haxhi Shabani duke kërkuar ndonjë birrë të marrim me vete
udhës në dhomë, dalldisëm nëpër dyqane. Përinat tonin, në ballë të çdo dyqani
në gjithë lagjen, shkruante “Hallall”. Hoqëm dorë, por tek tashti e pamë se e
kishim humbur rrugën. Nuk mundëm kurrësesi ta gjejmë hotelin. Përmëtepër, nuk e
dinim edhe si emërohej, në cilën rrugë. E marr Reshatin në telefonin celular,
matanë më përgjigjet zëri: Tashti po ta dërgoj me mesazh emrin dhe rrugën e
hotelit. Merrni një taksi! Nuk vonoi shumë, dhe erdhi mesazhi. Unë me
frëngjishten time të çalë, e pyes kalimtarin e parë, një djalë të ri kalimtar
rasti. Për fat tonin, ai e njihte gjuhën frënge. Ja, pas semaforëve, në anën e
djathtë është hoteli. Ecëm. Pas disa metrave, ne u gjëndëm para hotelit. Siç
duket, ishim humbur në afërsi, na ishin ngatërruar rrugët.
Ditën e nesërme (02.11.2012), pas mëngjesit në
hotel, në mbrëmje na priste aktiviteti latrar. Ora poetike me bashkatdhetarët.
Pas shëtitjeve nëpër qytet dhe drekës, pushimit të domosdoshëm, u drejtuam në
vendin e aktivitetit tonë latrar. Përçudi, aty i takuam edhe disa miq të vjetër:
Agron Shele dhe Gani Azemin, mikun e studimeve në Prishtinë. Orën letrare me
bashkatdhetarë e hapi kordinatorja e Shoqatës të Shkrimtarëve të Belgjikës,
znj. Shqiponja Duro, e cila e çeli këtë sipar me vargjet e Ali Podrimjes: Kosova
është gjaku im që nuk falet… Më shumë se kushdo tjetër të njoh Kosovë… Unë,
biri yt etj. Më pas këtë takim poetik e përshëndeti edhe Ambasadori i
Republikës së Kosovës Z. Ilir Dugolli. Sipas programit u bë edhe përurimimi i
librit “Dhimbë e bukur” (homazh për poetin Ali Podrimja), përgaditur nga
autorët Reshat Sahitaj dhe Bagzad Baliu. Në vijim, gjatë kësaj nate lexuan
poezi: Bahri Myftari, Gani Xhafolli, Kalosh Çeliku, Haxhi Shabani, Arsim Halili
dhe Gjergj (Qamil) Zekolli.
Herët në mëngjes (03.11.2012), përsëri u nisëm për
rrugë. Dihet, tashti më të freskët se ditën e djeshme. Përsëri, Gani Xhafolli
posa shihte ndonjë vreshtë me rrush, kopsht me pemë, ose ndërtesë, e prishte
qetësinë e rrugëtimit: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Ose, kur duhej të
hanim drekë: A, prapë me hëngër?!
Dada Hajri, pas një rruge kaq të gjatë për në
Paris, përsëri e prishi qetësinë: Arritët në vendin e kërkimit. Zbritëm.
Përpara nesh qëndronte hoteli “Ibis”. Nuk e di se kush nga ne e pagëzoi si
Ibish. Hotel, për të cilin do të na marr malli edhe në Cyrih të Zvicrës.
Erdhi koha e darkës, të cilën unë nuk e doja që nga
koha e studimeve në Prishtinë. Gani Xhafolli, përsëri nuk duroi pa folur: A,
prapë me hëngër?! Qeshëm. E gjetëm një restorant në afërsi të hotelit. Dhe,
hëngrëm darkë. Pasmesnate, u kthyem në hotel.
Të nesërmen, dolëm nëpër Paris. Haxhi Shabani
kishte dëshirë që ta vizitojmë Kullën e Ajfelit. Për mua nuk ishte kutadi çfarë
“zbulimi” turistik, unë në Paris kisha qenë në vitet e shtatëdhjeta, falë tim
vëllai që punonte dhe jetonte me vite në këtë qytet. Edhe atë, me të vetmin
qëllim për të studjuar dhe punuar në Paris. Përsëri, falë tim vëllai, që e
kishte mik profesorin e Serbonës Abaz Ermeni, unë arrita të regjistrohem në atë
Universitet. Im vëlla, pasi vetë nuk guxonte të vijë si “armik i shtetit” në
Jugosllavi, përsëri vendosi për fatin tim të jetës: Nuk ka nevojë, më tha edhe
ti të mbetesh në mërgim. Ne kemi pasuri në Katund. Ende i kemi gjallë Nënën dhe
Babain. Patjetër, duhet të kthehesh prapë në vendlindje dhe të regjistrohesh në
Universitetin e Prishtinës. Unë do të të mbajë dhe mbulojë shpenzimet e
studimeve. Ashtu edhe ndodhi. Unë pas tre muajve, u ktheva në vendlindje dhe
vazhdova studimet në Prishtinë. Ndoshta, edhe im vëlla pati të drejtë në atë
kohë. Ku ta di. E ka paraparë rrezikun, që unë si i ri mund të mbetem
përgjithmonë në Paris. Megjithatë, tashti e shoh se mua nuk më doli keq të
punoj, jetoj dhe korr suksese letrare edhe në vendlidje. Edhe pse, gjithë jetën
e kalova në rrezik, eca tehut të thikës me dy të preme para syve të
Qoftëlargut.
Lexues i nderuar, kërkoj falje që të largova pak
nga qëllimi i këtij reportazhi letrar. Vështirë e kam, të kaloj shkel e shko
mbi ato ditë të vështira që nga truri im nuk fshihen kurrë, gjithë jetën deri
në vdekje. Kohë qorre, kur nateditë më rrinte një tokmak mbi kokë. Prandaj, le
të kthehemi te vizita e Kullës së Ajfelit. Pajtohemi me propozimin e Haxhi
Shabanit. Edhe, hymë në rreshtin e gjatë që priste për buleta. Dikur, nga mesi
i rreshtit gjatë, kur pamë se duhet përsëri të presim me orë të hipim në
ashensor, pastaj përsëri të presim radhën për të zbritur poshtë, u nervozuam
dhe dolëm nga rreshti. U pajtuam me fatin, i bëmë vetëm disa fotografi përpara
Kullës së Ajfelit.
Në mbrëmje erdhëm në lokalet e redaksisë së
revistës letrare “L’Eksprit”, një ambient i bukur mes librash e revistash, në
prani të filozofëve dhe poetëve francez ku marrin pjesë Olivier Mongin, drejtor
i revistës, Antoin Garapon, Akademiku prof Dr Daniel Leuëers dhe shkrimtarë të
tjerë francez e shqiptar, nën përkujdesjen e z. Musa Jupolli dhe përfaqësuesve
të ambasadës së Kosovës në Francë, dhe konsullit Kadri Dadakaj. Edhe këtu
bëhet përurimi i librit “Dhimbë e bukur”, përgaditur nga Reshat Sahitaj
dhe Begzad Baliu dhe librit me poezi të zgjedhura “Jam Mbret i vogël” nga
poeti Gani Xhafolli i përkthyer në gjuhën frënge.
Orën letrare e hapi Gjergj (Qamil) Zekolli dhe ia
dha fjalën z. Oliver Mongin. Që, përçudi gjatë gjithë kohës nuk e di pse, ai
përpiqej që Ali Podrimjen ta paraqes si poet nacionalist. E, në realitet ishte
e kundërta. Ali Podrimja kulminacionin e tij artistik e arriti me librin e tij
“Lum Lumi”, që nuk kishte të bëjë fare me nacionalizmin shqiptar.
Tekefundit, pa qenë nacionalist, nuk mund të jesh internacionalist. Reshat
Sahitaj reagoi në këtë moskuptim për poetin Ali Podrimja.
Dita tjetër (05.11.12), na gjeti në rrugë për në
Berlin. Qytetin e dikurshëm historik, të ndarë në dy pjesë nga Lufta e Dytë
Botërore. Dada Hajri, siç i thoshte Gjergji (Qamili) rrëfyeses së rrugës në
minibus për në Berlin, dalëngadalë na afronte drejtë këtij qyteti.
Dada Hajri, pas një heshtje të gjatë e prishi
qetësinë në gjuhën frënge: Arritët në Berlin. Ndonjërit nga ne, edhe ia prishi
gjumin. Majtas. Djathtas. Rrugës drejtë. Dikur, tashti keni arritur në vendin e
kërkuar, në oborr të restorantit “ La Gondola due” të djalit të Gani Xhafollit,
Fatos Xhafolli
.
Zbresim, djali i Ganiut - Fatosi bashkë me të shoqen na dëshirojnë
mirëseardhje. Ganimetja, na e tregon vendin e rezervuar apostafat për ne si
mysafirë. Urdhëroni, uluni! Kamarieri, pa vonuar me një shqipe të pastër na
pyet: Çka dëshironi për të pi? Dikushi i përgjigjet kafe. Tjetri ujë të gazuar.
i treti, raki rrushi. Unë, duke ia ditur vlerat e arrira birrës gjermane, një
birrë. Gjergji (Qamili), porositi një shishe verë.
Dikur, na u shtrua edhe darka e pasur shqiptare.
Unë, si joadhurues i darkës, kësaj radhe e prisha përbetimin. Lexuesi shqiptar,
me siguri e di dhe ka lexuar ose dëgjuar se si, gjatë Mbrëmjeve të Poezisë
Strugane, unë e kam shitur darkën për një birrë. I thashë vetes: Gjatë këtyre
ditëve duhet prishur rregullat e organizmit. Përpiqesha t’ju ikë darkave, por e
kisha vështirë mes kësaj begatie: rakisë së rrushit, birrës dhe verës. Ose, siç
thoshte shpesh Gani Xhafolli: Qysh ka ditur me i bë Zoti kaq bukur?!
Natën e kaluam në periferi të qytetit. Qetësi e
tmerrshme, mes zogjëve dhe gjelbërimit. Vërtet, si poetë kishim pasur nevojë
për një ikje të këtillë nga “Liria”, larg nga zhurma e makinave. Ose, siç më ka
mbetur ende në kokë një varg i Rilindasve: Larg rrëmujës, larg rrëmetit.
Politika ditore. Ajëri i ndytë, që na ngulfatëte përditë mes mureve, na e zinte
frymën. I hapa dritaret krah më krah. I bërtita qiellit dhe u ngopa me ajër,
gjelbërim përpara syve. Fuqi të Zanave të maleve tona për këtë reportazh latrar.
Në mbrëmje, (06.11.2012) e gjetëm veten përpara
bashkatdhetarve tanë në një ambient tipik shqiptar, “Oda shqiptare”, ku në
ballë të oxhakut rrinin krah për krahu Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. Mes
tyre flamuri kuqezi kombëtar shqiptar. Rreth tyre Ismail Qemali me Rilindasit
shqiptar. Vërtet, një ambient i bukur i odave tona shqiptare. Në këtë Orë
letrare morën pjesë edhe Islam Spahiu, këshilltar në Ambasadën e Republikës së
Kosovës në Gjermani dhe Kosovë Mula, i cili ishte vazhdimisht në bashkëshoqërimin
tonë me përkrahjen e tij të parezervë. Edhe këtu, lexuam poezi për Atdheun.
Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë. Aktivitetit tonë kulturor i
bashkangjitet edhe grupi i këngëtarve të “Odës Shqiptare” me çifteli.
Darkën, atë natë e hëngrëm te restoranti “Nouva
Maria”, në Berlin. Djalit tjetër të Gani Xhafollit, Labinot Xhafolli.
Ditën tjetër (07.11.2012) u ndalëm në Qendrën
Kulturore Shqiptare të Shtutgardit. Takimin poetik e hapi moderatorja Gjyla
Leci, sekretare e QKSH të Shtutgardit. Më vonë, ajo ftoi Vitor Spaqin, kryetar
i Qendrës Kulturore Shqiptare të Shtutgardit për fjalën e rastit. Reshat
Sahitaj përshëndeti të pranishmit e kësaj Ore letrare duke faleminderuar ish
ambasadorin e Kosovës zotin Vitor Spaqin
dhe Vilson Mirditën, që ishin si iniciatorë të organizimit të kësaj ore
letrare. Poezi lexuan edhe krijuesit nga Shtutgardi: Miradije Gashi, Miriman
Bajraktari, Asllan Dibrani, Asllan Koqinaj, Zef Preka, Zeqir Asllani, Ndue
Lekaj dhe Sulejman Lulaj.
Aktiviteti letrar i radhës (08.11.20120), na
thërret në Gjenevë. Rruga e gjatë me qindra kilometra na lodhi shumë atë ditë.
E sidomos shoferin tonë, Gjergj (Qamil) Zekollin. Më kot, Gani Xhafolli
përpiqej të na e përzë lodhjen me atë fjalinë e tij të zakonshme: Qysh ka ditur
me e bë Zoti këtë ndërtesë, këtë rrugë, këtë urë, këtë fushë, këtë mal, këtë dru, këtë
përmendore kaq bukur. Rrugës u detyruam të ndalemi disa herë për pushim, një
kafe. Lodhja e kishte bërë moti të veten si rrugaçe.
Përsëri rrugë e gjatë për në Gjenevë. Herë pas here
Reshat Sahitaj dhe Gjergji (Qamili) kontaktonin me telefon. E kërkonin adresën
e hotelit ku do ta kalonim natën. Sipas bisedës së tyre përmendej shpesh emri i
Abdyl Gërvallës, të vëllait të Jusuf Gërvallës. Matanë u përgjigjej Abdyli se
hotelin e vendosjes e kemi matanë kufirit të Zvicrës, në territorin e Francës.
Nuk prish punë, i përgjigjej Gjergji (Qamili), na e dërgo adresën e saktë të
hotelit. E kemi afër Gjenevën.
Arritët në vendin e dëshiruar, na thotë Dada Hajri.
Posa zbritëm, erdhi edhe Abdyli. Pasi u përshëndetëm, u vendosëm në hotel ta
kalojmë natën. Gani Xhafolli, përsëri nuk duroi pa folur: Qysh ka ditur me e bë
Zoti kaq bukur?! Ne, si zakonisht ashtu të lodhur e rraskapitur edhe kësaj
radhe qeshëm.
Dita e nesërme (09.11.2012), si gjithë të tjerat erdhi
te pragu i derës. Ne, pas mëngjesit, drekës dhe vizitës të Gjenevës nëpër shi
na priste aktiviteti kulturor i radhës. Abdyli nga makina përpiqet të na tregoj
përmendoren e Skënderbeut, karrigen me tre këmbë, institucione të rëndësishme
në Gjenevë. Në fund, për t’i ikur shiut gjejmë një strehim në një restorant për
kafe. Kamarierja zezake si flutur arrin para nesh me listën e pijeve dhe
ushqimeve. Gani Xhafolli, kësaj radhe e ka vështirë të mos flasë para bukurisë
së zezë: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Kamarierja, nuk e di a e kuptoi
gjuhën e Gani Xhafollit, megjithatë buzëqeshi ëmbël dhe iku pas porosive. E
Ganiu, vazhdoi me ato shprehjet e tia të zakonshme: A, prapë me hëngër?!
Në Gjenevë arritëm te vëndi i dëshiruar, kështu na
tha Dada Hajri: Universiteti Popullor i Gjenevës. Në këtë takim kulturor morën
pjesë edhe shkrimtarë, veprimtarë, studentë që jetojnë në Zvicër, si dhe
kordinatorja e Universitetit Popullor të Gjenevës, Albana Krasniqi – Malaj.
Natën e radhës, u strehuam te “Ibishi”, siç e
kishim pagëzuar në Paris. Ora letrare (10.11.2012) u mbajtë në lokalet e
Bibliotekës Pestaloci të Cyrihut, ku e drejtonte një shqiptare nga Shqipëria,
Suela Jorganqi. Edhe këtu, plot të njohur e të panjohur shqiptar: Ajmane
Veseli, zëvëndëskonsull në Konsullatën e Kosovës në Cyrih i përshëndeti të
pranishmit dhe u dëshiroi mysafirve mirëseardhje. Poezi përveç mysafirve,
lexuan: Shaip Beqiri, Bujar Salihu dhe
një strugane nga Ladorishti që recitoi poezi patriotike. Edhe këtu lexuam
poezi, dhe dhuruam libra për bibliotekën. Edhe u fotografuam së bashku mes
librave. Në fund, u interesuam të kërkojmë ndonjë restorant për darkë. Vështirë
e ke në orët e vona të gjesh restorant të hapur në këtë kohë. E sidomos për ne,
që nuk e njihnim gjithaq mirë qytetin. Dikush propozoi të shkojmë për darkë te
stacioni i trenit. Jo, ndërhyra unë, a ka ndonjë rstorant turku në këtë qytet?
Po, sa të duash u përgjigjë njëri nga nikoqirët. Po, të duash ka edhe kinez.
Mirë, ndërhyri Reshati, shkojmë te restoranti i turkut. U nisëm, ata para, ne
përmbrapa tyre me minibus.
Arritëm, tha Gjergji (Qamili). Turku na priti te
dera me një “bojrum”. Unë posa hyra, i hodha sytë te banaku, vallë mos këtu ka
ndryshime nuk është si në Gjermani. Sytë m’i zunë shishet e rakisë rrushit,
verës, uiskit dhe të birrave. Urdhëroni, m’u drejtua mua turku sipas radhës?
Një birrë “hallall”, i përgjigjem unë. Ti, i drejtohet Gani Xhafollit: një ujë
të gazuar! Ëhë, “haram”, buzëqesh turku. Ti, një shishe verë i përgjigjet
Gjergji (Qamili). “Hallall”, e plotëson turku. Ti, e pyet Arsimin? Një ujë
bunari. “Haram”, i përgjigjet turku. Dhe, pas darke, u nisëm për në hotel te
“Ibishi”. Meqenëse orari këtij hoteli
m’i përkujtonte vitet e studimeve në Prishtinë, fjeta në shtratin e katit të
dytë, ndërsa Gani Xhafolli poshtë, në të parin.
Ditën tjetër të nesërme (11.11.2012) përsëri na
priste rrugë e gjatë për në Milano. Gjergji (Qamili) gjatë rrugës na e bënë me
dije se e kemi arritur gjashtëmijë kilometrin nëpër Evropë. Duatrokasim.
Përgëzime. Rrugës plot male. Ujëvare. Shtëpi malore. Erë dhe shi. Tunele të
gjatë me kilometra, që na qesin matanë malit me borë. Gani Xhafolli, përsëri
nuk mund ta përmbaj veten: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?!...
Dada Hajri na e bën me dije se arritëm në Milano.
Reshati dhe Gjergji (Qamili) përsëri bisedojnë me telefona celular: Si, nuk
mund të organizohet në Milano?! Mezi vjen zëri matanë deri tek ne, ka dështuar
organizimi. Në rregull, përgjigjet Reshati. Ditën e mirë! Jepi minubusit i
thotë Gjergjit (Qamilit) për në Bolonjë! Rrugës e merr në telefon edhe një mik
të një shoqate atdhetare Zenel Bytyçi. Ai matanë valëve, i përgjigjet: Mirëse
vini në Reggio Emilia! Ju presim, ne do
ta organizojmë Orën letrare në hotelin “Evropa”. Edhe hotelin ku do të
vendoseni ta kaloni natën do t’jua dërgojmë adresën me mesazh.
Gjergji (Qamili) pothuajse fluturon rrugës nga
gëzimi me minibus që më në fund u zgjidhë problemi. Në ndërkohë arriti edhe
mesazhi, adresa e hotelit. Gjergji (Qamili) ia bën me dije adresën Dadës Hajri.
E pranova, i përgjigjet Dada Hajri. Dalëngadalë i afrohemi dhe i largohemi
detit. Shtëpi dhe kopshte me pemë. Ara të mbjellura me grurë. Gani Xhafolli i
shikon nëpër dritare dhe pshertinë: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?!
Papritmas, Dada Hajri me zërin e saj të ëmbël na nxjerrë nga kjo bukuri
natyrore: Arritët në vendin e dëshiruar. Parajsë, bërtet nga gëzimi Gani
Xhafolli.
Në mbrëmje, në hotel vjen një djal i ri me shokë.
Përqafe e ka një shall të kuq - flamur me shqiponjën dykrenare kuqezi. Anësh
shallit, shkruan ALBANIA. Edhe kapsen e rripit e ka kuqezi. Unazën në gisht.
Gjergji (Qamili) na prezenton me djaloshin nga Shqipëria dhe shokët nga Kosova.
Djaloshi mësojmë se e ka emrin Klodian Capa. E ka të kryer edhe një shkollë
fetare. I përket fesë islame. Dikur, Klodiani na pyet se çka do të pimë? Një
raki rrushi, i përgjigjem unë. Një ujë të gazuar, Ganiu. Një shishe verë, i
përgjigjet Gjergji (Qamili). Ti, i drejtohet Atdheut (Bahriut)? Edhe unë një
shishe verë…
Ditën e radhës (12.11.2012), Gjergji (Qamili) e
porositi Dadën Hajri për të na përcjellë deri te hoteli “Evropa”. Dada Hajri e
pranoi porosinë. Dhe, u nisëm rrugës. Majtas. Djathtas. Rrugës drejtë. Arritët
përpara hotolit Evropa, tha Dada Hajri. Zbritëm dhe hymë brenda. Klodiani me
shokë na priste në korridor. Pas pak kohe erdhën edhe bashkatdhetarët me gjithë
familje. Përdallim, nga takimet tjera, kësaj radhe kishim edhe fëmijë. Përçudi,
si i kishim harruar gjeneratën e ardhshme të Atdheut edhe në vendlindje, edhe
në megrim. Salla u mbush plot e përplot me dashamirë të fjalës poetike. Dikushi
mbeti në korridor për ta përcjellur Orën letrare. Mbrëmjen e nderoi edhe prania
e mikut të shqiptarve, poeti italian Michele San Pietro që e fliste bukur
gjuhën shqipe. Një plak me kësulë të bardhë në kokë e shkopin me kërrabë ishte
ulur në rendin e parë. Fëmijët e hapën Orën letrare me poezi përkushtuar
Atdheut. Njëri pas tjetrit lexuan edhe poetët. Gani Xhafolli me poezinë e tij
“Kush” duke shëtitur nëpër sallë herë pas here i drjetoheshte plakut, të cilit
lotët i rridhnin rrëke faqeve nga përmallimi për Kosovën.
Përsëri, e nesërmja (13.11. 2012) na gjeti në
rrugë. Përdallim, kësaj radhe për në Bari. Gani Xhafolli për çdo shtëpi,
kopsht, arë… vazhdonte me atë të tijën: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq të
bukur?! Edhe, më në fund arritëm në portin e Barit. Në çdo anë dëgjoje fjalë
shqipe. Vetja të dukej se je në Shqipëri. Anije dhe tragetë pranë portit. Gani
Xhafolli, përsëri i mahnitur me madhështinë e tyre ngjalli bisedën: Qysh ka
ditur me i bë Zoti kaq bukur?! E sidomos, kur filluan të hyjnë makinat dhe
kamionët e ngarkuar me mallëra dhe makina në traget.
Valixhet i lamë nëpër dhoma dhe zbritëm në
rastorant për të hëngër darkë. Secili mori sipas dëshirës së vet, unë edhe një
birrë. Reshati si gjithmonë e kishte me vete shishen e “ujit”. Atdheu (Bahriu)
me Gjergjin (Qamilin) kishin marrë nga një shishe me verë. Edhe e shtruam
darkën mbretërore si në katund. Dikur, pas nisjes së anijes vendosëm të shkojmë
të flejmë pak, që të nesërmen ta shohim lindjen e diellit.
Herët në mëngjes (14.11.2012), Reshati na troki në
derë: Zgjohuni “ushtri”, lindi Dielli! Unë u ngrita përgjumshëm dhe mezi zbrita
nga shtrati në dy kat. Gani Xhafolli, edhe ai u ngritë pas meje. Njëri pas
tjetrit dolëm në verandën e anijes. Dielli kishte lindur mbi det. Bukuri e
hatashme. I bëmë së bashku edhe disa fotografi. Gani Xhafolli bërtiti nga
gëzimi: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?!
Zëdhënsja paralajmëroi se arritëm në Durrës. I morën valixhet dhe zbritëm shkallëve për te minibusi në parking. Mezi dolëm jashtë në portin e Durrësit. Gjergji e hapi dritaren për t’i rrëfyer pasaportat duke mos prituar të flasë si zakonisht me policët: Jemi një grup poetësh, gjithësjetë shtatë veta nga të gjitha viset shqiptare. Vijmë nga Evropa me pesë-gjashtë pasaporta të ndryshëm në Shqipëri. Polici, pasi i kontrollon pasaportat ia kthen duke i dëshiruar rrugë të mbarë. Rrugës nëpër Durrës, përshëndetemi dhe përqafohemi me Atdheun siç e thirrte Ganiu, Bahri Myftarin duke e lënë pranë stacionit të autobusëve për në Tiranë. Ne vazhdojmë rrugën për në Morinë drejtë Prishtinës me atë thënjen e zakonshme të Gani Xhafollit posa shihte ndonjë mal, fushë, shtëpi, kopshtë me pemë, lumë, ujëvarë mali ose liqe, po kësaj radhe pak më ndryshe: Qysh ka ditur Zoti me e bë kaq bukur Shqipërinë...
Gani Xhafolli dhe Gjergj (Qamil) Zekolli përpara përmendores të Skënderbeut, në Bruksel.
Bahri Myftari (ulur), Haxhi Shabani, Gani Xhafolli, Reshat Sahitaj dhe Gjergj (Qamil) Zekolli përpara Kullës së Ajfelit duke i fotografuar Arsim Halili.
Poetë shqiptar duke përcjellur Orën letrare, në Shtudgard të Gjermanisë.
Vogëlushja duke recituar poezi për flamurin kombëtar kuqezi dhe Atdheun gjatë Orës letrare, në Reggio Emilia të Italisë.
Gani Xhafolli duke recituar poezinë e tij “Kush”, në Reggio Emilia të Italisë.
Kalosh Çeliku, Reshat Sahitaj dhe Gjergj (Qamil) Zekolli me lindjen e diellit, kthehen me anije nga Bari i Italisë, në Durrës (Shqipëri).