| E merkure, 21.11.2012, 10:02 PM |
GJILANIT
I MUNGOI NJË KONCERT , APO FESTIVAL NË TË CILIN DO TË PREZANTOHESHIN VLERAT
ATDHETARE NJËQINDVJEÇARE
Shkruan: Demir KRASNIQI
Me një
vullnet dhe përkrahje minimale të strukturave komunale dhe me një bashkëpunim
të ngushtë me strukturat profesionale , Gjilani me rrethinë do të mund t’
a organizonte një Koncert, apo Festival
, në të cilin do të prezantoheshin vlerat kombëtare e atdhetare njëqindvjeçare
, përmes të cilit në mënyrë të dinjitetshme do të shënohej edhe Jubileu i 100 –
vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptarë , edhe ashtu jo të kompletuar .
Po qe se
i përcjellim me vëmendje lajmet, informatat dhe shkrimet e ndryshme që kanë
vërshuar në kuadër të këtij Jubileu, kudo nëpër faqet e Internetit, shtypit
ditor dhe mediumeve të ndryshme elektronike , kudo në trojet etnike shqiptare
dhe në diasporë , njeriu i pa informuar mirë , do të fitojë përshtypjen se
përgjatë këtyre 100 vjetëve të kaluara , Gjilani me rrethinë , duke përfshirë
këtu edhe Malësinë e Karadakut, Malësinë e Gollakut, Anamoravën dhe Luginën e
Preshevës , nuk paskan luftuar, as nuk paskan pasur njerëz të devotshëm që i
shërbyen kauzës kombëtare, mbrojtjes së Atdheut dhe sakrificave për te ?!
Kufirin shqiptaro – serbë të përgjakur nëpër shekuj , jo rastësisht ,
populli e ka quajtur :”Gardhi i Shkaut”, e Gardhi i Shkaut është mbrojtur në
Karadak, Gollak , Llap, Bajgorë e tutje, por një gjë është më se e sigurt : se
në Drenicë, Dukagjin e gjetiu, nuk kanë
ekzistuar “Gardhet e Shkaut”!
Gjatë
këtyre 100 vjetëve të kaluara , trojet shqiptare të Gjilanit me rrethinë,
Karadakut , Gollakut, Llapit... me qindra herë janë larë me gjak nga luftërat e
ndryshme, djegiet , masakrimet e deri tek kasaphanet e pa para në historinë e
njerëzimit !
Nga këto
ngjarje të tmerrshme , nuk duhet harruar Kasaphanja e Prapashticës, më 1921, ku
u masakruan mbi 580 shqiptarë autokton, të cilët më parë i detyruan që t’i
hapin vetë varret e tyre, pastaj i lidhen me shoka të veta dhe i pushkatuan
mizorisht , pa hak , pa hile !
Lidhur me
këtë Kasaphane , nuk duhet harruar kontributi, sakrifica dhe shpenzimet e
atdhetarit dhe patriotit të shquar Nazim Gafurri, i cili në atë kohë kishte
shitur tërë pasurinë tij, për ta paguar
gazetën “Hak” në Shkup, për ta alarmuar mbarë Evropën se çfarë po bëjnë kasapët
serbë mbi popullatën e pafajshme shqiptare mu në trojet e tyre etnike !
Prandaj ,
në Festivalin , apo Koncertin festiv jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së
Shqipërisë, do të kishte zënë vend edhe një këngë kushtuar Nazim Gafurrit, e
cila që moti ekziston në popullin tonë.
Në këtë
Festival, apo Koncert festiv jubilar, do të duhej të zinte vend edhe kënga
kushtuar luftëtarit të pa epur Shyt Mareci, alias Shyt Vakofci, i cili emrin e
vërtetë e kishte Bislim Zeqiri nga Mareci i Malësisë së Gollakut .
Nuk duhet
harruar figurën e patriotit dhe luftëtarit Pajazit Ahmetit, nga Malësia e
Zhegovcit, i cili kishte zhvilluar luftë të ashpër me xhandarmërinë serbe, në
një ditë pazari mu në Prizren , rrugën e
të cilit e ndoqën edhe shumë pasardhës të tij, në Luftën e UÇK-së, bashkë me
Pajazit Ahmetin – Pajën e Ri.
Nuk duhet
harruar as masakra e Familjes së Zymber Bekë Dodës , në fshatin Cfircë, të
Malësisë së Gollakut, pastaj luftëtarët e këtyre anëve: Lam Shahiqi, Lam
Breznica, Sylë Zarbinca , Muharrem
Fejza, Hilmi Kallaba, Gjon Serreqi, Rabë Pishtari, Hanife Rushiti e shumë , e
shumë të tjerë.
Kur jemi
tek ana e Kamenicës dhe e Malësisë së Gollakut, nuk duhet harruar kontributin e
luftëtarëve, atdhetarëve dhe heronjve të kombit, ndër të cilët po i përmendim :
Metush Krasniqin nga Dajkovci, Isa Kastratin nga Hogoshti, Kadri Zekën nga
Poliçka, Rexhep Malën nga Hogoshti, Nuhi Berishën nga Cfirca si dhe shumë të tjerë.
Nga
Gjilani me rrethinë, do të duhej të zinin vend këngët kushtuar Mulla Idriz
Gjilanit, Hasan Ali Remnikut me bashkëluftëtarët e tij dhe mësuesin Hetë Koka,
Hysen Tërpezës, Bejtë Përlepnicës, Ramiz Cërrnicës, Vehbi Ibrahimit, Zijah
Shemsiut, Abdullah Tahirit, Fatmir Ibishit, Muharrem Ibrahimit dhe shumë të
tjerëve që u flijuan për këtë tokë, për këtë liri dhe për këtë Atdhe .
Nga
Malësia e Karadakut, do të duhej të prezantoheshin këngët për Idriz Seferin,
Ymer Saqë Muçibabën, Masakrën e Iseukës , ku u masakruan dhe u përvëluan për së
gjalli jo më pak se 98 shqiptarë autokton të pafajshëm , mu në tokat dhe vatrat
e tyre stërgjyshore, Masakra e Gosponicës me në krye heroinën Hanife Nuhiun ,
mësuesi Mustafë Salih Kelmendi , i cili hapi shkollën e parë shqipe në fshatin
Konçul dhe u likuidua në tradhti për veprimet e tij atdhetare , Agim Ramadani –
hero i popullit, i cili me bashkëluftëtarët e tij, theu kufirin shqiptaro-
shqiptar , një herë e përgjithmonë, si dhe shumë dëshmorë të kombit nga Lugina
e Preshevës e Medvegjëja.
Në këtë
Koncert , apo Festival jubilar 100 – vjeçar , do të hynin me këngë lavdie shumë
dëshmorë e heronj të këtyre trevave , të rreshtuar në radhët e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, më 1998 dhe 1999.
Pra, historia e këtyre trevave dhe krahinave shqiptare është shumë e pasur dhe e bujshme, për të cilën ka se çka të shkruhet dhe ka se çka të këndohet, kur nuk mungon vullneti, dëshira, përkrahja dhe organizimi .