Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ejup Ajdini: Filozofia në veprën e Niçes dhe Migjenit

| E marte, 20.11.2012, 08:26 PM |


FILOZOFIA PËR MBINJERIUN NË VEPRËN E NIÇES DHE TË MIGJENIT

Kush vdes por nuk harrohet, është i pavdekshëm. - Lao-Czi

Nga Ejup Ajdini

Mendimi i thellë filozofik për Mbinjeriun, në radhë të parë në veprën e Niçes dhe pastaj edhe në veprën e Migjenit, me kohë ka zgjuar interesim te studiuesit evropianë dhe ata shqiptarë. Kjo ide, sa e madhe, po aq edhe e thellë dhe e ndjeshme, nxit shumë teza e antiteza  te studiuesit e filozofisë dhe të letërsisë, pasi këto disiplina shkencore janë të lidhura ngushtë midis tyre që nga antika e deri me sot.

Vlerësimet për veprën“Kështu foli Zarathustra“ dhe disa poezi të Migjenit që kanë të bëjnë me lindjen e njeriut – mbinjeri,  janë nga më të ndryshmet. Edhe pse Niçe ndikohet nga voluntarizmi i Arthur Shopenhauerit  dhe nga teoria e evolucionit  të Çarls Darvinit, Migjeni lexon Niçen dhe Shopenhauerin e shumë të tjerë dhe që të dy pranojnë dhe përkrahin lindjen e një njeriu  që do të jetë mbinjeri, por, këtë mbinjeri nuk e shohin njësoj dhe me të njëjtën filozofi. Niçe pretendon për ndryshime kolosale, herë-herë të pakuptueshëm, kërkon një filozofi që do të angazhohet  rreth vlerave jetësore, se sa të merret me sistemet abstrakte të shoqërisë. Në veprën e Migjenit, veçmas te poezitë: “Te lindet njeriu“,Trajtat e mbinjeriut”, “Parathënia e parathënieve”, e ndonjë tjetër, temë  boshte për shqyrtim e  kemi mendimin kritik.

Këta dy autorë nuk janë rastësisht nga më të lexuarit, më të studiuarit dhe më të diskutuarit, pasi idetë e tyre të reja, si në forme, ashtu edhe në përmbajte  edhe sot e gjithë ditën nxisin dilema e ballafaqime të shumta te studiuesit e shumtë. Për këto dilema, veçmas rreth veprës se Migjenit  edhe Akademik Ali Aliu thotë se: ”As afërsisht nuk është thënë ajo që mund dhe duhet të thuhet lidhur me këtë vepër.” (A. Aliu, MIGJENI 4, Prishtine,1978, f. 6.)

Migjeni dhe Niçe kanë shumë pika takimi në idetë e tyre, por, nga ana tjetër kanë edhe dallime midis tyre, pasi jetuan dhe vepruan  në rrethana të ndryshme hapësinore e vendore. Ideja e tyre e përbashkët është se të dy autoret kërkuan të lindet njeriu- Mbinjeri dhe për të dy këto krijues, ky Mbinjeri do të ishte një zgjidhje e re dhe  fatlume për mbarë njerëzimin. Kjo ide rrënjët e frymëzimit i ka  që me njeriun e parë, Even dhe Adamin, e që me fëmijët e tyre të parë lindi edhe e keqja, smira, xhelozia e mos toleranca që solli tragjedinë e parë  nga motive të ulëta shpirtërore. Prej atëherë e deri më sot tragjeditë  e padrejtësitë e njerëzimit nuk pushuan. Këto katrahura të njerëzimit  gjatë shekujve, te këta dy autor, filozof e poet, lindën dilemat për të pyetur se ku ndodhet fuqia e Zotit që t’i ndërprerës gjithë këto të këqija që po i përjeton njerëzimi nëpër shekuj. Për këtë, Niçe në veprën e tij “Kështu foli Zarathustra” thotë: “Ky shenjt plak në pyllin e tij akoma s’paska dëgjuar që Zoti ka vdekur, për te cilin edhe vuan plaku i shenjtë në pyllin e vet”(Kështu foli Zarathustra,1996, f. 13). Për të njëjtën ide, por në një formë tjetër poetike, Migjeni filozofinë e ekzistencës apo të mosekzistencës së Zotit e vë në dilemë te poezia “Parathanja e parathanieve”, duke vargëzuar për zotat, ku thotë:

“Përditë perëndojnë zotat

Dhe rrëshqasin trajtat e tyne

Mbi vjet e shekuj “

(Migjeni, POEZI E PROZE,1963, Beograd, f, 25)

Të dy këta autore të artit e të filozofisë janë të bindur se njeriu ka bërë diçka për vetveten, por kjo s’mjafton as për së afërmi në krahasim me atë se çfarë i duhet për jetën reale të tij. Këtë jetë dhe filozofi të mbrapshtë të njeriut e kundërshtojnë, pasi, sipas tyre, njeriu nuk është i dedikuar të jetë i kotë nëpër shekuj, pasi,  ai ka mundësi që të bëjë më shumë për vetveten. Prandaj, ky njeri kaq i nënçmuar gjatë historisë duhet ta tejkaloj vetveten, prandaj edhe Niçe pyet: “Ç’keni bërë ju për ta tejkaluar vetveten?”(Po aty). Për të njëjtën Migjeni për humbëtirën e njeriut në këtë botë përgjigjet duke sqaruar se qenia njerëzore është tejet e humbur  në këtë botë dhe po shkon drejtë filozofisë së kotësisë:

“E njeriu nuk e di

A është zoti pjelle e tij

Apo ai – vet pjelle e zotit“

(Po aty)

Niçe kritikon njeriun e rëndomtë, pasi njerëzit dëshirojnë të kthehen te kafsha, në vend që ta tejkalojnë atë. Dhe për këtë, siç është majmuni objekt tallje për njeriun, kështu duhet të jetë njeriu për Mbinjeriun, “objekt tallje, turp i dhimbshëm“ (Po aty).         Këtë fenomen të ashtuquajtur turp të dhimbshëm edhe Migjeni e nxjerr në pah  te poezia  “ Trajtat e mbinjeriut “, ku thotë:

Nana – dhe vejushe dhe me gjitë shitue

na pjell fryte t’egra

na pjell fryte, hithra, ferra…

Ose, për njerëzit thotë:

Sa qesharak mbesin !

Sa qesharak vdesin!

(Po aty)

Kësisoj Niçe mëton të gjejë rrugë për të mësuar njeriun dhe ta përgatis atë për një Mbinjeri, kurse Migjeni është i bindur se do të lindë Mbinjeriu me ndërgjegje të pastër, pa dyshime dhe pa trillime, pasi :

“Jetë e re lindet me vdekjen e njeriut “

(Po aty, f,43)

Më tutje poeti ynë sqaron se ky Mbinjeri do vij pak sa i çuditshëm , pra, me shenja të veçanta dhe i hidhëruar nga kjo farë njerëzore e që nga fillimi nuk dijti të orientohet mbarë:

Mbinjeriu do të vije me gjurma luftimi e

shenja hidhnimi “

( po aty)

Edhe pse vepra e Niçes dhe e Migjenit janë të lidhura ngushtë rreth një boshti, sipas Niçes, e tërë bota njerëzore karakterizohet me etikën e njeriut për të sunduar natyrën dhe ky është instinkti për pushtet, instinkt ky, që me herët ishte për të ekzistuar apo mbijetuar nëpër rrethana të caktuara historike, e më vonë U shëndrua në instinkt për lukse të natyrave të ndryshme. Pra, themelin e botës e përben vullneti për pushtet apo për mbizotërim. Këtë nuk e kupton gjithherë për pushtet klasik, por për suksese të reja dhe për të bërë diç më tepër për jetën e njeriut, pa e ditur se kjo mund të çojë edhe në rreziqe të mëdha. Vullneti për pushtet është edhe vullneti për jetë, për jetë më të mirë, para së cilës nënshtrohet arsyeja, mendja, morali etj. Ky vullnet nuk e gjen arsyen në luftën e mjerueshme  për ekzistencë, por te vullneti për luftë e sundim, që në njëfarë forme e hasim edhe te “Recitali i malësorit,” ku Migjeni kërkon një grusht të fort e t’i  bie malit që nuk bën zë. Edhe për Migjenin lufta e mjerueshme për ekzistencë nuk është kurrfarë zgjidhje, pasi  “mjerimi është kafshatë që të mbetet në fyt e të zë trishtimi”. (Po aty, f. 39).

Pikërisht kjo gjendje e rëndë e njerëzimit i shtyn këta dy autorë që të orientohen nga lindja e njeriut –Mbinjeri. Për ta bota dhe jeta nuk janë gjendje statike, por e ndryshueshme dhe procese të pandërprera që çojnë drejt amshimit.

Mendimi filozofik për mbinjeriun nuk është thjesht për linjën biologjike, siç e komentojnë disa studiues evropianë për Niçen dhe disa studiues shqiptar për Migjenin e që shpesh është kuptuar në rrafshin negativ. Thelbi i këtij  kuptimi ndryshon këtu, pasi , sipas mendimit filozofik të Niçes, fenomenet paraqiten sipas një logjike të shëndoshë që, gjerat e mëdha u takojnë njerëzve të mëdhenj, dhe gjerat e rralla u takojnë të rrallëve. Për Migjenin logjika e fenomenit njeri paraqet epokën pasardhëse të një evolucioni njerëzor. Kjo donë të thotë që kur të ndahen vlerat nga antivlerat, atëherë lind etapa e mbinjeriut, për të cilin Migjeni thotë:

“N’ardhmëni të tra’shgueme mbinjeriu vrehet.

Ndërgjegje pa dyshime

Ndërgjegje pa trillime

Me një grusht graniti që kurrë nuk do thehet.

(Po aty)

Ky njeri i rëndomte patjetër te transformohet dhe të mësoj e të kuptoj për Mbinjerinë, pasi, sipas Niçes,“ Njeriu është majmuni i të gjithë majmunëve“ (po aty). Këta dy poet e filozof kërkojnë nga njeriu që të mos kënaqet me gjendjen në të cilën ndodhet, por të përpiqet që të kalojë në një Mbinjeri. Kjo ndjenjë, me të njëjtën filozofi, është prekur edhe në prozën e Migjenit “Sokrat i vuajtun apo derr i kënaqun“, ku sulmon veset shtazarake të njeriut si: pangopësinë, shumë veprime të tij sipas instinkteve etj. Kurse Sokrati i vuajtur luftonte për dinjitetin e kësaj bote. Edhe pse  kishte mendje dhe arsye të shëndoshë për të krijuar dinjitetin e kësaj bote, por ai nuk e kishte forcën, prandaj edhe mbetej i vuajtur si nga ana shpirtërore, po ashtu edhe nga ajo materiale. Prandaj edhe tregimin autori e fillon “Një alternativë me dy fytyra “. Në njëfarë mënyre  Sokrati na paraqitet njëfarë mbinjeriu, sa i përket mendjes, dijes e shpirtit të madh, por nuk mund ta marrë këtë epitet, pasi ai nuk e ka forcën. Mu për këtë, këta dy autorë, për të cilët po flasim, kërkojnë të lindet Mbinjeriu, i cili do ta ngrejë edhe mendjen  edhe shpirtin aq lartë, por njëkohësisht edhe forcën bashkë me mendjen që të shohin majmunët (siç thoshte Niçe), apo derrat e kënaqur (siç thoshte Migjeni), se si duket Mbinjeriu dhe të binden, qofshin derrat, qofshin majmunët se sa të shëmtuar janë.

Kjo është filozofia e re për te cilën angazhohen drejt mbinjeriut. Sado qe duket abstrakte kjo filozofi, në esencë ka afirmimin e njeriut dhe jetën e tij. Ky Mbinjeri do të jetë i ndërtuar mbi parimet e mençurisë, vullnetit të mirë dhe me pasione të larta për mrekullitë e kësaj bote. Ky idealizëm do jetë i ndërtuar nga shpirti poetik, shkencor, zot, dashuri, fuqi krijuese etj. Kështu e mendonte Niçe mbinjeriun, edhe pse ndonjëherë duket demon, satrap e i pashpirt. Me të njëjtat ideale na duket edhe Mbinjeriu i Migjenit te poezia “Te lindet njeriu,” i cili do të duket, sa i rreptë, po aq edhe human e vizionar për një botë njerëzore tjetër:

“ Shkrihet në dëshirë të flakët

Për një gjen te ri

………………………….(Po aty, f. 28)

Ky Mbinjeri do jetë ndryshe ,pasi , ai përveç forcës së madhe, ai do ketë edhe forcë shpirtërore që me lehtësi do i bëjë njerëzit për vete:

 

Që me fjalë të pushton

………………………..

Të mkambë një botë të re”

(Po aty, f. 28)

Këta projektojnë një bote të re të ardhmërisë njerëzore. Kërkojnë formimin e njeriut të ri e të çliruar nga anakronizma e mijëvjeçarëve të kaluar e qe do te arrijë sendërtimin e botës së re.

Disa studiues të Migjenit thonë se Migjeni nuk mund të këtë pikëpamje Niçeane për Mbinjeriun, por, poeti ynë dëshmon vetë te poezia “Trajtat e mbinjeriut,”Të cilën e quan “Ditiramb niçean“. Mund të thuhet se ata dallojnë  midis tyre në formën e mbarështrimit, në kohë, hapësirë,  stil e disa dallime përmbajtsore, por nuk mund të themi se ata s’janë të lidhura ngushtë për fenomenin filozofik të Mbinjeriut. Niçe shkon edhe më tutje duke mohuar tërë civilizimin evropian dhe mohon krishterimin, i cili zhduki e persekutoi njerëz me vlera të larta shkencore e filozofike, dhe mu për këtë,  te vepra e tije e famshme “Kështu foli Zarathustra“ pohon se: “Zoti ka vdekur! Ne tani duam të jetoje Mbinjeriu“ ( Po aty ). Po afër kësaj fjalie  qëndrojnë edhe vargjet e  Migjenit ,ku thotë se përditë perëndojnë zotat dhe rrëshqasin Trajtat e tyre, nga e cila  u krijua edhe poezia e tij

“ Të lindet njeriu.“

Mbinjeriu i Niçes dhe i Migjenit dallojnë midis tyre. Filozofia e Niçes nuk vuan për moralin, të cilin e apstrahon tërësisht, as për kulturën, religjionet etj. Ai kërkon vetëm afirmimin e jetës. Edhe pse njeriu i Niçes të asocon në një njeri të sëmurë, ai, prapëseprapë, në tërësinë e tij del një personifikim i mençurisë, me një unitet të ekuilibruar. Nga ana tjetër, mbinjeriu i poetit tonë  nuk glorifikon forcën, as satanizmin, por ai do t’i ndihmojë vegjëlisë dhe do zgjidhë problemet dhe hallet e njerëzimit. Pastaj bota e Migjenit është më tepër preokupim poetik dhe assesi s’mund njeriun e thjesht ta quajë majmun. Ky mbinjeri më tepër është sintetizim i vullnetit të masës, si një mision çlirimtar i qenies njerëzore, kurse ai i Niçes vjen si përbuzës i masave të gjëra dhe me vetëdije individualiste që të mësohen masat e gjera se si duhet të duket njeriu.

Edhe pse ky filozof gjerman  është i ndikuar nga Shopenhaueri, Migjeni do i ketë lexuar edhe njërin edhe tjetrin, por me një kriticizëm të veçantë. Edhe pse Migjeni na duket pesimist nga ndikimi i këtyre leximeve, por nuk është gjithmonë ashtu. Pikërisht dëshira për të lindur një njeri dëshmon për optimizëm të thellë, të cilën e dëshmon edhe vetë, kur flet për Shopenhauerin, duke thënë se ia pëlqen stilin e të shkruarit, mirëpo ”nuk jam Shopenhauist-pesimist”. Përkundrazi është optimist dhe shpreson në mbinjeriun me aspirata të gjera, pa dyshime e trillime. Ndonjëherë edhe Mbinjeriu i Migjenit duket sikur ai i Niçes:

“ Pa ndjenja e pa zemër “

(Po aty)

Sidoqoftë, trajtat e këtij mbinjeriu, qoftë te njëri e qoftë te tjetri, asnjëherë studiuesit nuk gjetën një formulim të saktë, me të cilin do të ishin pajtuar  një shumicë studiuesish. Edhe për Migjenin ky problem i mbinjeriut i ka nxitur studiuesit që të merren me këtë filozofi të mbinjeriut që m1948 me Dhimiter Shuteriqin, nga vitet 75 me Vebi Balën, Rexhep Qosja e shumë të tjerë e deri te A. Aliu, i cili për këtë logjikë filozofike thotë se “Nuk përjashtohet supozimi edhe për mundësi të reja sqarimi”. (Migjeni, Vepra, Prishtine,1980, f. 12.). R. Qosja  kategorikisht hedh mundësinë e krahasimit të Mbinjeriut të Migjenit  me atë të Niçes, pasi nuk paskan asgjë të përbashkët. Sipas R. Qosjes, Mbinjeriu i Niçes qenka një demon, e ai  Migjenit një proletar. Kjo dëshmon edhe një here se kritika e realizmit socialist i ka çuar në humnerë krijuesit dhe kulturën tonë. Nga ana tjetër, një studim me i ri i vitit 2007 i Albert Nikolles për Migjenin, deshmon se poezia “Të lindet njeriu“ është shkruar drejtpërdrejt nën ndikimin e veprës së filozofit gjerman Niçe. Përkundër mendimit të Qosjes për Niçen, Todorovi në veprën e tij “Semantique de la poesie” veprën e filozofit gjrman e quan nga me progresivet, duke thënë: ‘Teoria e Niçes përcakton limitet shpirtërore…”

Niçe dhe Migjeni, marrë në tërësi, sollën novacione letrare  e filozofike dhe u dalluan si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja, pa qenë pjesëtar të asnjë rryme letrare e as anëtarë të ndonjë politike të caktuar. Ata thjesht patën kuptuar urgjencën e ndryshimeve rrënjësore në shoqëri, duke dhënë diagnoza të sakta për kohën që prognozonin edhe për sëmundjet dhe vdekjet e tyre, prandaj kërkonin që sa më shpejt të lindet njeriu- Mbinjeri,  i cili do t’i vinte në ndihmë kësaj bote të mjerë. Këtë filozofi të mbinjeriut e shfrytëzoi me mjeshtri të rrallë Hitleri, për ta arsyetuar politikën e tij absolute. Të njëjtin gjë e  shfrytëzoi edhe politika komuniste e Shqipërësë për të arsyetuar diktaturën e sajë komuniste, kinse u lind  mbinjeriu me politikë të re proletare.

Për fund do kisha thënë që nëpër shekuj, këta dy autorë do të asocojnë në formën  e njeriut –Mbinjeri, për vetë faktin që u morën me këtë fenomen kaq të diskutueshëm për dekada të tëra dhe ka gjasa që ky fenomen të trajtohet edhe gjatë kohë.