| E hene, 19.11.2012, 08:30 PM |
Dishepujt
e Naçertanijes provokojnë paqen në Ballkan, e ne shqiptarët flasim për
integrime
Nga Ardian Ramadani
Është
bërë rutinë që partitë politike shqiptare, e posaçërisht ata që janë pjesë e
institucioneve në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri të na lodhin kokën me refrenet
patetike dhe eufemizmat « procese integruese dhe euroatlantike ». Jo që këto
procese nuk janë të mirëseardhura dhe të nevojshme, por ama në kohën kur
fqinjët e shqiptarëve militarizohen çdo ditë e më shumë, ne pacifizohemi pa
nevojë, në kohën kur fqinjët tanë investojnë në ushtri dhe në polici, e në
mjete të sofistikuara ushtarake, ne flasim për integrime dhe liberalizime.
Thuaja se i kemi kryer të gjitha gjërat në planin domestik, e tashi na ka
mbetur aspekti i jashtëm i zgjidhjes së problemeve rajonale. Shqiptarët me pavarësinë
e Kosovës s dhe me integrimin e Shqipërisë në NATO është fakt që janë
faktorizuar tej mase, duke kaluar nga faktorë pasiv në faktorë aktiv, por edhe
kyç në qenësimin e paqes.
Mirëpo,
në vend se shtetet tona shqiptare të interesohen për militarizim, dëgjojmë çdo
ditë për dekadencën dhe mjerimin e faktorit ushtarak. Si rast konkret kemi
Shqipërinë, e cila edhe pse në NATO, ende ballafaqohet me atrofizim si dhe
teknologji jo të mjaftueshme ushtarake për ti bërë ballë sulmit eventual.
Kësisoj
nëse marrim shembuj konkret do të bindemi në këtë që e themi. Ja ilustrimi
konkret. Serbia sipas statistikave më të fundit investon në ushtri pjesën më të
madhe të buxhetit të saj, respektivisht rreth 95 % ndërsa vetëm 5 % në
administratën shtetërore. Më vitin 2005 u nënshkrua kontrata serbe dhe
izraelite për marrjen e satelitit me qira «
Image sat » për përgjim të Kosovës me satelitë përgjues të tipit EROS A
dhe EROS B, me një vlerë prej 45 milionë eurosh. Në kohën kur flitet për dialog
dhe për status plus për veriun e Kosovës, Serbia ndërton bazën ushtarake në
Cepotin me rreth 35 hektarë, 22 000 m2, 66 objekte ushtarake, edhe atë vetëm 15
km larg Bujanocit. Se sa sofistikohen mjetet ushtarake dhe se sa investon
Serbia në militarizimin e saj kemi edhe një rast tjetër. Në maj 2010 serbët
ndërtuan fluturaken spiunuese VRBAC (shqip Vremçi), e cila është 3 herë më e
lirë se ajo izraelite « Orbitër ». Fluturon në lartësi 500 m si dhe ka një
radius prej 12 km. Kjo fluturake është e aftë të dallojë çdo ndryshim
temperature të organizmit të njeriut. Sa i përket angazhimit në ushtri dhe
polici shifrat janë shokuese. Numri i pjesëtarëve aktiv të ushtrisë serbe janë
30 000 veta. Serbia ka 37 000 pjesëtarë rezervë, 100 000 rezervist. Buxheti i
saj është 675 milionë euro në vit (2011). Ka një strukturë me 4 brigada me 10
batalione, 3 brigada ndihmëse, 2 batalione të policisë ushtarake. Në vitin
2009ka eksportuar armatim me vlerë prej 500 000 $. Ndërsa MPB serbe ka 45 000
punonjës.
Kur
krahasojmë këto shifra me Kosovën, kjo e fundit në aspektin militar megjithë
prezencën e NATOs, është si fluskë në krahasim me serbët. SHPK ka 8000
pjesëtarë të uniformuar, 1100 staf civil, ndërsa FSK ka 2500 pjesëtarë të
rregullt si dhe 800 pjesëtarë rezerv. Po mos të ishte KFORI, vaj halli. KFORI
në Kosovë ka 5790 pjesëtarë nga 29 shtete të ndryshme ku vetëm Gjermania ka
1349 trupa ushtarake. Kësisoj është utopike të imagjinohet çfarëdo reagimi
efikas i shqiptarëve në rast të sulmit eventual serb. Shifra tjetër ëshët
shokuese, Serbia në Kosovë nga 1999 gjer tani më 2012 ka investuar 5 miliard
euro. Shifër shokuese për ata pseudoanalistë që mëtojnë ta paraqesn shtetin
serb të falimentuar.
Kur të
krahasohemi me shtetet e tjera ballkanike, ne si shqiptarë gjendemi në gjendje
jo të mirë vaj medet. Kësisoj nëse e marrim Turqinë si faktor të fortë ushtarak
në rajon ajo ka 615 000 ushtarë, Kosova 2500 ushtarë, Rumania 75 000 plus 15
000 civilë ushtarakë në kohë paqe, Greqia « europiane dhe faktor i paqes » posedon
180 000 ushtarë, e 24 në botë për shpenzime ushtarake, si dhe e 11 në botë për
import ushtarak). Serbia pamë se kishte 37 000 pjesëtarë, Maqedonia që shpesh e
llogarisim si të brishtë është në hap shumë të mirë ka 10 000 pjesëtarë, Mali i
Zi ka 3100 pjesëtarë, Sllovenia 7600 pjesëtarë, Kroacia 19 000 pjesëtarë të
ushtrisë, ndërsa Shqipëria ka 14 500 plus 2000 civil, e në fund Bosnja dhe Hercegovina ka 13 500
pjesëtarë.
Vlen të
përmendet se së fundi Maqedonia po investon tepër në sektorin ushtarak dhe atë
të mbrojtjes, por edhe atë policor. MPB maqedonase disponon me fluturaken pa
pilot, ndërsa vetëm në 2009 buxheti shtetëror maqedonas ka siguruar 40 milionë
euro shtesë për Drejtorinë e sigurimit dhe kundërzbulimit.
Besoj se
me këto shifra kemi të qartë gjithçka. Përderisa ne flasim për paqe, shtetet
fqinje avansojnë dhe ngrisin kapacitetet ushtarake, policore dhe ato mbrojtëse.
Ndërsa ne flasim për integrime, euroatlantizëm, thuaja se jemi avokat dhe se
prej nesh varet euroatlantizmi.
Krejt kjo
që u tha më lart ka një qëllim, të jemi vigjilent dhe të gatshëm për sfida se
më kot nuk bëhet ky militarizim grandioz. Dishepujt e Millosheviqit, ithtarët e
Megalidhesë, Nacertanies dhe pasuesit dhe ndjekësit e Blazhe Ristevskit janë
aktiv dhe tejet të rrezikshëm. Andaj më shumë se kurrë na duhet unifikimi,
koordinimi dhe lënia anash e mërive dh einateve politike, krahinore…… Por edhe
mos të nxitojmë, sepse siç do të shprehej një historian për ne « Shqiptarët
janë populli i vetëm që gabojnë dhe vonohen duke u nxituar ».
(Autori
është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe
shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)