| E hene, 19.11.2012, 08:25 PM |
ILIR CENOLLARI
YLLI I SHQIPËRISË
(Cikël poetik kushtuar 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë)
ISMAIL QEMALI
Thinjosh si deti i Vlorës,
si mali i Tragjasit urtan
vetëtimë si vetëtimat e Çikës
çave terrin e frikës
dole në skenën e historisë
(si shenjtori në tempull),
i the Shqipërisë:
Fati yt jam unë!
Nuk i trembem baltovinave,
plumbave të armikut,
helmit të tradhëtisë,
Yll im,
Ylli i Shqipërisë lart
në qiell ndrin!
Atje s’ngjiten dot plumbat vrasës,
thikat e pabesisë…
Atje jam unë,
atje është Shqipëria,
-Ylli i saj.
07. 09. 2012
ATDHEU
(Të paditurëve)
Atdheu është ndjenjë,
ndjenjë e lirë, madhështore,
ndjenjë e lindur, instiktive,
e errët, e ngjeshur, si dheu,
si nëntoka që ushqen jetën,
burimet, lumenjtë, bimësinë...
Atdheu është ndjenjë,
ndjenjë stërgjyshore,
ndjenjë rinore,
atdheu është lule kujtimi,
mall, ëndërr, shpresë...
Atdheu ëshë vetëdije,
mendim i bukur, kujtesë,
artdheu është qiell i ndriçuar,
qiell i lartë, i thellë, vezullues,
qiell i pavdekshëm.
08. 01. 2012
PSEUDOPATRIOTI
Ku ishe zotrote
kur liria vajtonte me kuje?
Flije gjumë!
Ku ishe zotrote
kur populli përleshej në furtunë?
Pije rum!
Ku ishe zotrote
kur unë ngrita flamur?
Zhgrryeshe në pluhur!
Ku ishe zotrote
kur gatuhej shpirti i kombit?
Vije vërdallë globit!
Ku ishe zotrote
kur unë hidhja themele?
Përtypje karamele!
Ku ishe zotrote
ku luftohej për atdhe?
Shëtisje më nge.
Ç’këndon tani si këndes
me lugën në brez?!
01. 11. 2012
***
O të çmendur!
Formula magjike është gjendur:
“Divimpa et dimpera”,
Përça dhe sundo,
gjemba dhe ferra,
përça dhe sundo!
O të çmendur!
Formula magjike është gjendur:
“Divimpa et dimpera”,
gjemba dhe ferra!
Të çmendur!!!
06. 11. 2012
RRUGA E BASHKIMIT
Si s’e gjetëm
Rrugën e Bashkimit?!
Shekuj e shekuj
të ndarë e përçarë,
shekuj e shekuj
mëria mplekset
si tërkuzë,
lidhet lak në fyt
dhe na mbyt!
Si s’e gjetëm
Rrugën e Bashkimit?!
Shekuj e shekuj
të ndarë e përçarë.
Egoizmi shtazarak
në zemër rëndon si gur
bëhet mur, shkëmb, mal!
Tek-tuk feks
dritë e bardhë,
çel ditë e mbarë,
një Vajkal, një Krujë,
një besëlidhje e lavdishme
pastaj rëmujë!
një Albulenë e ndritshme,
pastaj një Savër mënxyrë,
një Topia hero,
një Topi i ndyrë…
…………………
Si s’e gjetëm
“Rrugën e Bashkimit”
Rrugën e ngjalljes
dhe përparimit?!
02. 11. 2012
TOSKU
(Ndërhyrje në një debat të ditës)
Unë e dua Toskërinë,
po ca më shumë dua Dardaninë,
Unë e dua Toskërinë
po më ca më shumë dua Çamërinë,
Unë e dua Toskërinë
po ca më shumë dua Gegërinë,
Unë e dua Toskërinë
po ca më shumë dua Arbërinë,
Unë e dua Toskërinë
po ca më shumë dua Shqipërinë.
Unë e dua Toskërinë,
lindjen, mesin, jugun, verinë,
unë e dua Shqipërinë,
AtMenë, Perëndinë.
26. 10. 2011
SA PAK ATDHE
Flisni me orë,
me ditë, me muaj,
me vite të tëra,
po sa pak Shqipëri
ka në fjalimet tuaja!
Flisni pa pushim
dimër, vjeshtë, verë
po sa shumë cektësi,
hipokrizi, helm,
mëri, urrejtje
ka në fjalimet tuaja.
Flisni me orë,
me ditë, me muaj të tëra
po sa pak dashuri,
sa pak atdhe,
sa pak liri
ka në fjalimet tuaja!
21. 04. 2012
PERËNDI ZILIQARE
Perëndi ziliqare,
brenda njeriut
vret njeriun, lirinë,
mban nën kthetra
skllavërinë.
Perëndi ziliqare!
09. 06. 2009
GJYSMAT
Gjysma mohon gjysmën,
gjysmat mohojnë të tërën.
Ku është Shqipëria?!
NËNA
Nëna ime,
perëndia ime,
hyjnia e gjyshërve,
stërgjyshërve,
të parëve të mi,
filli i artë,
që më kredh thellë
në histori;
varri yt
orakull i shenjtë,
falem,
derdh lot,
lule, lutje.
Nëna ime,
Perëndia ime.
05. 04. 2010
FJALA
Fjala – zog i kaltër, zog qielli,
klithmat gjëmimtare i ndjej që larg.
Fjalët si zogj i ndjell pranë,
u jap zemër, u jap zjarr,
i koj me thërrmola shpirti,
i lëshoj fluturim
qiejve të marrë...
09. 06. 2009
PARA HISTORISË
Fajtorë para historisë,
fajtorë para popullit,
fajtorë para vetes....
Do vijë dita, zotërinj,
do vijë dita e Gjyqit të Madh,
gjykatës s’do jenë ndo shërbëtorë,
ndo puthadorë
me zhguna të arnuar,
gjykatës do jenë Zotat!
Do vijë dita, zotërinj,
dita e gjyqit të madh,
zotërinj faqezinj.
SHQIPTAR
Shqiptar,
po më çmend,
si s’vure mend
mjaft shkele
mbi tragjeditë,
mbi fatin tënd,
mjaft shkele
mbi plagë,
mjaft në trup
hape vragë,
si s’vure mend?!
Mjaft, mjaft
se po më çmend!
08. 07. 2009
BURRAT E DHEUT
Peshën e atdheut
mbi supe e mbajnë shtyllat,
trarët, kollonat,
Burrat e Dheut!
Peshën e atdheut
s’e mbajnë ata
që shtrëmbërojnë këmbët
e karrigeve nëpër zyra…
Peshën e atdheut
mbi supe e mbajnë shtyllat,
trarët, kollonat,
Burrat e Dheut!
02. 06. 2012